ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i njofton për disa punime që po bëhen në kampin e Bondsteel

    KFOR-i njofton për disa punime që po bëhen në kampin e Bondsteel

    KFOR-i përmes faqes zyrtare ka njoftuar për disa punime që janë duke ndodhur në kampin Bondsteel në Ferizaj.

    KFOR-i në njoftim shkruan se projekte si këto përmirësojnë kampin dhe kontribuojnë në gatishmërinë e njësive të tjera për të mbajtur personelin dhe pajisjet active.

    Punimet janë duke u kryer nga disa ingjinierë finlandez.

    “Përpjekje të tilla rrisin aftësitë operacionale dhe mbështetëse dhe pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka njoftuar KFOR.

  • SPAK përfundon kontrollet në banesat dhe zyrat e 34 zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen “Balluku”

    SPAK përfundon kontrollet në banesat dhe zyrat e 34 zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen “Balluku”

    Mbyllen 34 kontrollet e urdhëruara nga SPAK për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, shumica e te cilëve janë staf i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

    Anila Hoxha bën me dije se në vendimin e gjyqtarin Erjon Çela do të procesohen në ditët në vijim edhe 20 kontrolle të tjera, ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve.

    Kontrolle janë ushtruar në dy kompani ndërtimi dhe shumë punonjës të Autoritetit të Rrugëve dhe Korporatën Elektroenergjitike. Dy kompanitë e ndërtimit janë të njohura për tenderat që fitojnë pranë këtyre dy kompanive shtetërore.

    Ndërkohë mësohet se aksioni i kontrollit është kryer nga vetëm agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke mos lejuar asnjë punonjës të policisë së shtetit, të paktën në tre kontrolle që janë zhvilluar në zonën që është në juridiksionin e komisariatit numër tre ku ka ndodhur ky fenomen.

    Mes personave që u janë kontrolluar banesat dhe ambientet e punës por edhe të banimit të drejtuesve të kompanive ndërtuese. Në një rast agjentët e BKH e kanë lënë tek dera punonjësin e policisë pa i lejuar që të marrin pjesë në kontroll. Ndërkohë që mes emrave të personave që u janë kontrolluar banesat janë edhe familjarë të drejtuesve të kompanive.

    Mësohet se është kontrolluar banesa e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesa e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, banesa e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie si dhe banesa e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.

    Kontrollet janë bërë për të vijuar procesin e hetimit për dosjen hetimore ku zyrtari më i lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku për të cilën SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë./TCh/

  • Sherr mes disa personave në Suharekë, një i plagosur me armë

    Sherr mes disa personave në Suharekë, një i plagosur me armë

    Një person ka mbetur i plagosur pas një përleshjeje që ka ndodhur sot rreth orës 11:40 në Suharekë.

    Sipas Policisë, përleshja mes disa personave ka eskaluar me plagosjen e njërit prej tyre me armë zjarri.

    I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe po veprojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

    “Sot, më datë 27.12.2025, rreth orës 11:40, është raportuar për një përleshje mes disa personave, e cila ka eskaluar me plagosjen e një personi me armë zjarri. I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Njësitet policore, menjëherë pas pranimit të informatës, i janë përgjigjur rastit dhe janë duke vepruar në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, në përputhje me procedurat standarde policore”.

  • KQZ: Deri në orën 13:00 në 24 përfaqësi diplomatike votuan mbi 7 mijë mërgimtarë

    KQZ: Deri në orën 13:00 në 24 përfaqësi diplomatike votuan mbi 7 mijë mërgimtarë

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se me fillimin e votimit në SHBA dhe Kanada, procesi tashmë po zhvillohet në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

    Votimi po mbahet në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete dhe, sipas KQZ-së, po zhvillohet pa asnjë pengesë.

     “Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Pra, procesi i votimit është duke u zhvilluar në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike, procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, ka deklaruar Elezi.

    Deri në orën 13:00, nga 19,187 votues të regjistruar në 24 përfaqësi diplomatike, kanë votuar 7,079 persona apo 36.89 për qind.

    Elezi theksoi se sot, më 27 dhjetor 2025, mund të votojnë vetëm qytetarët e regjistruar për këtë mënyrë votimi, ndërsa identifikimi lejohet edhe me dokumente të skaduara të Republikës së Kosovës.

    “Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë sot, më 27 dhjetor 2025, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (26 nëntor – 6 dhjetor 2025). Gjithashtu, identifikimi në vendvotimin e përfaqësisë diplomatike mund të bëhet përmes njërit nga tri dokumentet e Republikës së Kosovës: Letërnjoftim, pasaporte apo leje e vozitjes. Sipas vendimit të KQZ-së, pranohen për identifikim këto dokumente edhe nëse janë me afat të skaduar”, theksoi ai.

  • Zelensky thotë se Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të sulmuar Ukrainën

    Zelensky thotë se Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të sulmuar Ukrainën

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po përdor blloqe të zakonshme banimi në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë, për të sulmuar objektiva ukrainase dhe për të anashkaluar sistemet mbrojtëse të Kievit.

    Zelensky i bëri këto akuza të premten, pas zbulimeve nga ekspertët e inteligjencës se Moska ka gjasa të ketë vendosur raketat e saj të reja balistike hipersonike me aftësi bërthamore në një ish-bazë ajrore në lindje të Bjellorusisë. Ky veprim shihet si forcim i aftësisë së Rusisë për të goditur objektiva në Evropë.

    “Vërejmë se rusët po përpiqen të anashkalojnë pozicionet tona mbrojtëse të interceptorëve përmes territorit të Bjellorusisë fqinje. Kjo është e rrezikshme për Bjellorusinë,” shkroi Zelensky të premten në Telegram, pas një mbledhjeje të shtabit ushtarak.

    “Është për të ardhur keq që Bjellorusia po dorëzon sovranitetin e saj në favor të ambicieve agresive të Rusisë”, tha lideri ukrainas.

    Zelensky deklaroi se inteligjenca ukrainase ka vëzhguar se Bjellorusia po vendos pajisje “në vendbanime bjelloruse pranë kufirit, përfshirë edhe mbi ndërtesa banimi”, për të ndihmuar forcat ruse në kryerjen e sulmeve të tyre.

    “Antena dhe pajisje të tjera janë vendosur mbi çatitë e ndërtesave të zakonshme pesëkatëshe të banimit, të cilat ndihmojnë në orientimin e ‘Shahedëve’, dronëve rusë, drejt objektivave në rajonet tona perëndimore”, tha ai.

    “Kjo është një shpërfillje e plotë ndaj jetës njerëzore dhe është e rëndësishme që Minsku të ndalojë së luajturi me këtë”, shtoi Zelensky.

    Ministritë e Mbrojtjes të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

  • Bëhen ‘shkrumb e hi’ disa autobusë në një zonë parkimi në Durrës

    Bëhen ‘shkrumb e hi’ disa autobusë në një zonë parkimi në Durrës

    Një zjarr i madh ka rënë mesditën e sotme në Fllakë, Durrës, në një zonë të vjetër parkimi autobusësh, ku disa mjete të amortizuara dhe të papërdorura kanë marrë flakë.

    Euronews raporton se autobusët kanë qenë të parkuar prej kohësh dhe ndodhen pranë zonës së Fllakës.

    Nuk ka rrezik për përhapje të zjarrit, pasi mjetet janë larg qendrave të banuara.

    Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrëfikëse për të monitoruar situatën. Nuk raportohet për persona të lënduar.

  • Stuhia e borës përfshin New York-un, shpallet gjendje e jashtëzakonshme – mijëra fluturime anulohen

    Stuhia e borës përfshin New York-un, shpallet gjendje e jashtëzakonshme – mijëra fluturime anulohen

    New York-u është goditur nga stuhia e fuqishme dimërore Devin, ndërsa parashikohen reshjet më të mëdha të dëborës që prej mbi tre vjetësh.

    Stuhia pas Krishtlindjes ka mbuluar mbarë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar kaos në transport dhe duke prekur seriozisht udhëtimet ajrore, ku mbi 1,500 fluturime u anuluan deri të premten.

    Guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme përpara ardhjes së stuhisë, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime për kushte të rrezikshme udhëtimi. Në disa zona pritet të bjerë deri në 20 cm dëborë.

    Edhe Kalifornia Jugore po përballet me mot të keq të ekstremit. Tre ditë reshjesh të dendura shiu shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa banorët e vendpushimit malor Wrightwood janë duke pastruar baltën dhe vlerësuar dëmet. Numri i viktimave nga moti i keq ka arritur në katër.

    Stuhia që ra gjatë festave përmbyti mbarë rajonin e Los Angelesit, ku shtëpitë dhe automjetet në Wrightwood u mbuluan me baltë. Shirat e rrëmbyer dhe erërat e forta rrëzuan pemë dhe linja elektrike, duke sjellë një situatë kritike për banorët dhe autoritetet lokale.

  • Sulmohet brutalisht një gazetar në Shqipëri, familja: Rrezikon të humbasë shikimin

    Sulmohet brutalisht një gazetar në Shqipëri, familja: Rrezikon të humbasë shikimin

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme opinionin publik. Gazetari Elton Tozaj është sulmuar rreth orës 19:30 në autostradën Tiranë–Durrës, në rrethana që ende mbeten shqetësuese dhe të paqarta.

    Sipas familjarëve të tij, Tozaj është sulmuar në mënyrë barbare nga disa persona, të cilët, sipas tyre, janë tashmë të identifikuar. Dhuna e ushtruar ka qenë e rëndë, duke i shkaktuar dëmtime serioze fizike.

    Familja ka bërë të ditur se gazetari ndodhet aktualisht në gjendje të rënduar shëndetësore dhe po merr trajtim intensiv mjekësor. Situata është delikate, pasi Tozaj po lufton për të mos humbur shikimin, duke e bërë ngjarjen edhe më alarmante.

    Familjarët shprehen të tronditur dhe kërkojnë që autorët të vihen sa më parë përpara drejtësisë.

    Kujtojmë se kohët e fundit, Tozaj ka bërë disa deklarata të papritura. Një prej tyre ishte se Luana Vjollca ishte “fiksuar” pas ish-partnerit Krenar Çoçaj dhe e ndiqte atë dhe partneren e tij aktuale, Endi Demnerin. Ai përmendi disa raste të pretenduara, si një fluturim drejt Milanos, ku sipas tij moderatorja ndodhej në të njëjtin avion me çiftin, si dhe afërsinë e vendndodhjes së saj gjatë pushimeve të verës në Saint-Tropez, në të njëjtin qytet ku gjendej ish-partneri.

    Moderatorja Luana Vjollca ka vendosur ta padisë zyrtarisht gazetarin, pasi akuzat dhe insinuatat e tij janë konsideruar nga pala e saj si të pavërteta, fyese dhe cënim i rëndë i figurës publike.

  • Delegacioni i Këshillit të Evropës vëzhgon zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

    Delegacioni i Këshillit të Evropës vëzhgon zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

    Një delegacion gjashtëanëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i kryesuar nga Yunus Emre, do të qëndrojë në Kosovë nga 27 deri më 29 dhjetor për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Gjatë vizitës, delegacioni do të takohet me udhëheqës dhe përfaqësues të partive kryesore politike, përfshirë edhe ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me Kryetarin e Panelit për Ankesa dhe Ankimime Zgjedhore, si dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, organizatave joqeveritare dhe mediave.

    Më 28 dhjetor, delegacioni do të ndjekë procesin e votimit, ndërsa gjatë vizitës do të ketë mbështetje ligjore nga një ekspert i Komisionit të Venecias, grupi i ekspertëve të pavarur ligjorë të Këshillit të Evropës.

    Qëllimi i vizitës është të sigurohet që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë, transparente dhe në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare.

  • Serbia pengon gërmimet në Kozhle – Në Kosovë nga 32 lokacione, në 16 prej tyre gjenden mbetjet mortore

    Serbia pengon gërmimet në Kozhle – Në Kosovë nga 32 lokacione, në 16 prej tyre gjenden mbetjet mortore

    Vetëm, gjatë këtij viti në Kosovë janë përfunduar 32 lokacione ku dyshohej për persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku në 16 prej tyre janë gjetur mbetje mortore, në 15 raste nuk është gjetur asgjë, ndërsa në njërin rast është vlerësuar se nuk ka qenë në interes. Kështu u bë e ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ku prezantuan Raportin Vjetor të Punës, raporton Ekonomia Online.

    Mirëpo sfidë edhe këtë vit për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, ka vazhduar të mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë për të dhënë informacionet kredibile dhe mos pranimi i saj për të hapur arkivat për varrezat masive që ka kryer në Kosovë.

    Përves kësaj, Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti tha se nga marrëveshjet që kanë arritur të bëhen, pishman është bërë Serbia, duke kërkuar që të ndërrohet një nga termet e referencës.

    “Vazhdojmë të kemi sfidat tona përball zbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe sfida kryesore mbetet mosbashkëpunimi, apo mosgatishmëria e Serbisë për dhënien e informacione kredibile, për dhënien e arkivave që ne vazhdimësi vazhdojmë me i kërku, qoftë në Bruksel, apo në takim bilaterale apo multaterale  dhe përveç kësaj që ne kemi arritur dy marrëveshje në Bruksel. E para deklarata e personave të zhdukur në 2023 dhe formimi i komisionit të përbashkët në fund të vitit 2024 dhe e dakorduar nga të dyja shtete, nga Kosova dhe Serbia. Serbia ka refuzuar pjesëmarrjen për tri herë radhazi që BE e ka thirr në Bruksel. E para në janar, e dyta në qershor dhe e treta është në shtator të këtij viti. Tashmë Serbisë i ka ra në mend, pasi janë dakorduar për terma e referencës  2024, po thonë se ne nuk mund të pajtohemi me këto terme, i kemi ra pishman dhe duhet të riformulohen termet. Problemet kryesore që ata nuk janë pajtuar, e para është që në termat e referencës shkruan se “udhëheqësi i këtij procesi obligohet të njoftoj 27 shtetet  anëtare për mospunë, mosdakrodimin apo mos dhënien e informacioneve të njërës palë”,  dhe në këtë rast Serbia po tenton të largojë këtë pikë nga termat e referencës duke tentuar t’i ikë përgjegjësisë. Dhe ne nuk jemi pajtuar dhe nuk do t pajtohemi por do të vazhdojmë të bëjmë presion që Serbia të pranojë hapjen e arkivave të klasifikuara kryesisht në të cilat ne pretendojmë që përmbajnë të dhëna për fatin e mbi 1mijë e 571 persona që ne vazhdojmë t’i kemi të zhdukur sot”, tha Hoti.

    Sfidë tjetër ishte edhe gërmimi në Kozhle në të cilin vend lejimi i gërmimeve u lejua pas shumë presioneve dhe këmbëngulje të Kosovës. Hoti thotë se tani Serbia ka ndërpre punimet, mbi arsyen se nuk ka kapacitete teknike, por njëkohësisht nuk lejon që Kosova ta ofrojë këtë zgjidhje.

    “Në Serbi pas një presioni të vazhdueshëm, kemi arrit më në fund me shku në një lokacion atje në Kozhle, por i njëjti na krijoi sfida të reja e cila është ndërpre dy-tre herë nga pala serbe mbi arsyetime se nuk kanë kapacitet teknike e nuk kanë mundësi. E për këtë vit përfundimisht e kanë ndërpre dhe nuk kanë caktuar datë se kur do të vazhdojnë punimet”, tregoi Hoti.

    Hoti e shpjegoi se në këtë lokacion ku dyshohet për varrezë masive, he spira është e mbushur me deponi të mbeturinave që janë hedhur qysh nga viti 1999.

    “E kam thënë se ky lokacion, fatkeqësisht përmban mbi 15 metra deponi mbeturina që janë hedhur në 1999, pas varrezës potenciale masive që është aty deri më sot dhe për me i heq të gjitha këto mbeturina kërkon punë dhe vullnet të cilën nuk po e gjejmë te pala serbe. Neve nuk po na lejohet me dërgu pjesën teknike”, tregoi ai.