ATV

Category: Lajme

  • Sulmet ruse mbi Kiev detyrojnë Poloninë të mbyllë përkohësisht dy aeroporte

    Sulmet ruse mbi Kiev detyrojnë Poloninë të mbyllë përkohësisht dy aeroporte

    Kievi ka qenë nën sulm dhe avionët luftarakë polakë janë ngritur pranë kufirit me Ukrainën, pavarësisht bisedimeve të rëndësishme për paqe që po zhvillohen këtë fundjavë.

    Sipas forcave ajrore ukrainase, Kievi u godit nga raketa dhe dronë herët të shtunën, ku të paktën tetë persona u plagosën. Siç shkruan Sky News, aeroportet Rzeszow dhe Lublin në juglindje të Polonisë u mbyllën përkohësisht pasi forcat e armatosura polake ngritën avionët luftarakë në ajër për shkak të sulmeve ruse ndaj Ukrainës. Aeroportet u rihapën sërish pas përfundimit të operacionit në ajër.

    Në një postim në Telegram, forcat ajrore ukrainase thanë se dy shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas, ndërsa alarmi ajror mbeti në fuqi rreth katër orë pas aktivizimit. Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo ndërprerje të energjisë.

    Sjellim ndërmend se më herët, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se do të zhvillonte një takim këtë fundjavë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Dy liderët do të diskutojnë detajet e planit të paqes me 20 pika që është “rreth 90% gati”, sipas presidentit Zelensky. Presidenti ukrainas i tha “Axios” se është i hapur ta paraqesë planin për popullin e tij, me një referendum, për sa kohë Rusia pranon një armëpushim 60-ditor që t’i lejojë Ukrainës të përgatitet dhe ta mbajë votimin.

    Takimi i së dielës është zhvillimi më i fundit në një përpjekje të gjerë diplomatike të udhëhequr nga SHBA-të për të mbyllur luftën gati katërvjeçare Rusi–Ukrainë, por përpjekjet kanë hasur në kërkesa të kundërta mes Moskës dhe Kievit.

  • Cigaret elektronike u shiten edhe fëmijëve nëpër shkolla? Spahija: Mosrregullimi i ligjit po shfrytëzohet prej tregtarëve

    Cigaret elektronike u shiten edhe fëmijëve nëpër shkolla? Spahija: Mosrregullimi i ligjit po shfrytëzohet prej tregtarëve

    Ndonëse kanë kaluar vite prej se ka filluar shitja dhe konsumimi i cigareve elektronike, ende nuk ka një ligj që i lejon apo ndalon ato. Mosrregullimi i ligjit për këtë çështje sipas drejtorit të Aleancës për të Ardhmen e Kosovës pa Duhan, Shkumbin Spahija po shfrytëzohet nga tregtarët, të cilët nuk e kanë problem që ato ua shesin edhe të miturve.

    Përveç që edhe të miturit zgjedhën si “klientë” për shitje të cigareve elektronike, Spahija në një intervistë për Ekonomia Online tha se ato po iu shiten fëmijëve nëpër shkolla.

    “Shitja e cigareve elektronike apo vape nuk është e rregulluar me ligj dhe kjo po shfrytëzohet nga tregtarët nga ata të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga vape duke ju shitur të rinjve pavarësisht moshës së tyre dhe fëmijëve nëpër shkolla dhe për këtë çështje ka pasur disa përpjekje që ta adresojnë në draftin e projektligjit për kontrollin e duhanit dhe produkteve të nikotinës. Mirëpo nuk ka arritur që të miratohet në parlament ende për shkak të ngërçit politik që e patëm por është me rëndësi të thuhet qartë dhe zëshëm që produktet e vape apo cigaret elektronike përmbajnë substanca të cilat janë substanca toksike dhe kanë potencial të shkaktojnë kancer. Përveç tyre janë produktet të cilat kanë potencialin të shkaktojnë një varësi të lart sidomos tek fëmijët dhe tek të rinjtë dhe mosadresimi i kësaj çështje poashtu paraqet një dështim institucional ndërsa adresimi i kësaj çështje ku do të parandalohet konsumimi i këtyre produkteve nga të rinjtë është investim i rëndësishëm në shëndetin publik në të ardhmen dhe në shëndetin e popullatës”, tha ai.

    Një problematik tjetër është edhe pirja e duhanit në ambientet e mbyllura, ndonëse një gjë e tillë është e rregulluar dhe me ligj, por që i njëjti zbatim nuk gjen në praktikë.

    “Jo definitivisht nuk është në përputhje me ligjin, paraqet shkelje të qartë të dispozitave ligjore të ligjit për kontrollin e duhanit dhe sipas të cilit ndalohet pirja e duhanit në vende publike të mbyllura. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se kjo është shndërruar në dukuri normale dhe dora institucionale apo veprimi i autoriteteve zbatuese përgjegjëse për zbatimin e ligjit nuk vërehet fare. Pra çështja e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit ka mbetur në dorën e pronarëve të lokaleve gastronomike. Meqenëse ekziston një ligj, kjo më nuk mund të konsiderohet vetëm çështje e qytetarëve por mund të konsiderohet si një dështim institucional për zbatimin e këtij ligji. Ne kemi dashur të tërheqim vëmendjen për këtë dukuri shqetësuese dhe t’i ftojmë të gjithë ata që po garojnë në garë për pozitën e deputetit dhe partitë politike për të marr qeverisjen që ta shohin me shqetësim këtë çështje pasi që duhani është shkaktari i parandalueshëm i sëmundjeve jo-ngjitëse duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri. Nëse e shikoni raportin e progresit të vitit të fundit numri më i madh i vdekjeve në Kosovë është për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe duhani është shkaktari i parë dhe kryesor i këtyre sëmundjeve. Prandaj një investim në parandalimin e pirjes së duhanit do të thoshte një investim në uljen e jo vetëm të barrës shëndetësore por edhe barrës ekonomike për qytetarët e këtij vendi”, theksoi ai.

    Sa i përket kontrolleve nga institucionet përgjegjëse, Spahija tha se monitorimi është në nivel të ulët.

    “Jo kontrollet janë shumë të pakta, monitorimi është në një nivel shumë të ulët. Ju e keni parë pothuajse në të gjitha vendet publike konsumohet duhan pa përjashtim dhe është shëndrruar në një dukuri normale. Ka pasë disa fushata të inspektimeve dhe të monitorimeve por të cilat kanë qenë vetëm hot-dog dhe për një kohë të shkurtër për të pasur sukses monitorimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe të bëhet në mënyrë sistematike, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur”, shtoi ai.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë në shtator të vitit 2023 për shitjen e cigareve elektronike tha se autoritetet duhet “të ndalojnë shitjen e nikotinës dhe produkteve të duhanit pranë Shkollave”, si dhe të ndalojnë përdorimin e tyre në kampus.

    Ndërkaq nga 22 maji i vitit 2013 në Kosovë është në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit me të cilin pirja e duhanit ndalohet tërësisht në: Hapësira të mbyllura publike; Hapësira të punës; Mjete të transportit publik; Vendet e lojërave për fëmijë; stadium, arenë, apo hapësirë për çfarëdo shfaqje. Gjithashtu, ndalohet edhe: Ekspozimi i duhanit në pikat e shitjes dhe Pranimi i kontributeve vullnetare nga industria e duhanit.

  • Festat e fundvitit, Policia apelon: Festoni me zemër, jo me dhunë

    Festat e fundvitit, Policia apelon: Festoni me zemër, jo me dhunë

    Në prag të festave të fundvitit, Policia e Kosovës ka dalë me një apel për qytetarët që të shmangin çdo formë dhune dhe të festojnë me përgjegjësi.

    “Festo me zemër, jo me dhunë”, është mesazhi i Policisë, e cila thekson se dhuna, veçanërisht ajo në familje, nuk ka vend në asnjë festë.

    “Festat duhet të jenë momente gëzimi, respekti dhe bashkimi familjar. Le ta përmbyllim këtë vit me mirëkuptim dhe ta nisim vitin e ri me dashuri, harmoni dhe pa dhunë”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.

  • 89 aksidente dhe mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë

    89 aksidente dhe mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 2 mijë e 116 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, janë raportuar gjithsejt 89 aksidente, 31 prej tyre me persona të lënduar, ndërsa 58 vetëm me dëme materiale.

  • Bizneset drejt mbylljes? Mes vështërsive, sektori privat mban gjallë turizmin në Kosovë

    Bizneset drejt mbylljes? Mes vështërsive, sektori privat mban gjallë turizmin në Kosovë

    Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK), Hysen Sogojeva, ka deklaruar për Ekonomia Online se pavarësisht vështirësive ekonomike, politike dhe sociale, Kosova ka arritur të mbetet destinacion i kërkuar turistik, falë angazhimit të sektorit privat, duke shënuar rritje vjetore të turizmit nga 13 deri në 25 për qind.

    Ai tha se çdo ngecje në Qeveri apo në institucionet qendrore dhe lokale ndikon drejtpërdrejt në sektorin privat, por sipas tij, bizneset kanë arritur ta përballojnë situatën.

    Sogojeva theksoi se pa sektorin privat sot nuk do të kishte turizëm në Kosovë, duke shtuar se ky sektor ka arritur të neutralizojë ndikimet negative dhe të vazhdojë funksionimin, edhe pse me shumë vështirësi.

    “Të drejtën me thënë, çdo ngecje që bëhet në Qeveri ose në institucionet qendrore e lokale, ajo ndikon dukshëm në sektorin privat, por megjithatë sektori privat e ka bërë të vetën gjithmonë. Mos me qenë sektori privat, nuk do të kishte as turizëm sot, e ka ndiku, por sektori privat e ka anuluar atë që të m madhen për me mujt me qëndru në këmbë. Edhe pse me shumë vështirësi por megjithatë po ecën”, tha ai.

    Ai vlerësoi se Kosova, falë promovimeve dhe angazhimit të operatorëve të këtij sektori, është shndërruar në destinacion të kërkuar jo vetëm për turistët vendorë, por edhe për ata të huaj.

    Sogojeva përmendi se festivale ndërkombëtare, si ai i Dua Lipës apo Dokufest, ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të turistëve, duke thithur vizitorë nga rajoni dhe bota.

    “Nëse fillojmë nga Agjencia e Statistikave del që kemi një rritje edhe përkundër kushteve dhe gjendjes që kemi ne sot në Kosovë si në aspektin ekonomik, si në aspektin politike e social, megjithatë Kosova falë njerëzve që merren me këtë sektor, me promovimet e veta e ka bërë të mundshme që të jetë destinacioni i kërkuar edhe për turistët  jo veç vendor por edhe të jashtëm. Kështu që nëse marrim në bazë të statistikave, del që  diku prej 13 deri 25 për qind kemi cdo vit rritje. Ka raste  brenda muajve bjen ose rritet. Psh siç kemi pasë rast me festivalet ndërkombëtare që janë mbajt, ajo e Dua Lipa ose Dokufest, këtu në atë moment rritet për shkak se ato festivale marrin shumë, apo të themi thithin turistë nga rajoni e bota. Por nëse  shikojmë në përgjithësi edhe përkundër kushteve që kemi, kemi një rritje, dhe ky është lajm i mirë për Kosovë”, tha ai.

    Sogojeva e identifikoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike si një nga sfidat kryesore për bizneset e turizmit, duke përmendur se rreth 1 mijë e 300 biznese ishin paraparë të kalonin në tregun e lirë të energjisë.

    Ai paralajmëroi se rritjet e mundshme të çmimit të rrymës, veçanërisht për bizneset, paraqesin rrezik serioz për sektorin, sidomos jashtë Prishtinës.

    “Sfidë tjetër është rritja e energjisë elektrike. Ne diku 1 mijë e 300 biznese ZRRE e ka parapa me shku ntë tregun e lirë. Pse? Ne  kemi protestu, edhe Gjykata tani ka vendos në favor tonin. Kështu që rritja e çmimit të rrymës dhe pritet që edhe në mars do të ketë rritje, sidomos për biznese, kjo është një mund shumë i madh dhe sfidë të cilën, ndoshta kur në Prishtinë kanë filluar me hamend a me ekzistu apo jo hotel, restorante, e mos të flasim për komuna të tjera, kur  e dimë që kryeqendra është baza kryesore e zhvillimit”, tha ai.

    Ai kërkoi bashkëpunim më të ngushtë me komunat, duke thënë se vendimet që merren pa konsultim me sektorin e turizmit nuk japin rezultate të mira, pasi sipas tij, Oda e njeh më së miri gjendjen reale në terren.

    Sogojeva bëri të ditur se në takimet me akterë politikë, kërkesa kryesore e Odës ka qenë ulja e TVSH-së nga 18 për qind, duke theksuar se vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, aplikojnë norma prej 6 deri në 7 për qind.

    “E para që është, është që ne duam bashkëpunim me ato komuna  për arsye se cdo vendim që merret pa u konsultuar me ne, nuk del vendim i mirë sepse  ne e dimë gjendjen reale si ekziston në terren. Qysh është sektori i turizmit dhe lirisë në teren. Ne e dimë sepse për atë dhe jemi themeluar dhe dimë gjendjen faktike. Edhe në këto zgjedhje ne kemi pasë takime me disa njerëz të cilët kanë kërkuar me u taku me ne, dhe kërkesa e parë e jona është që në takimin  e parë që do të kemi me ministrin e financave TVSH-ja duhet me u zbrit. TVSH-ja sot është 18 për qind, TVSH-ja duhet me u zbrit sepse krejt rajoni, duke filluar nga Maqedonia e Shqipëria e kanë  6 deri në 7 për qind. Pse ne me pas 18 për qind. Dhe takimet që kemi pasë me ish ministrat që janë sot ua kemi shpjegu, a keni argument apo diçka pse vec ne e kemi 18 për qindëshin?”, tha ai.

    Ai ngriti shqetësimin edhe për mungesën e kapaciteteve institucionale në fushën e turizmit, duke theksuar se me vetëm një zyrtar për promovim në kuadër të KIESA-s, zhvillimi i turizmit është i pamundur.

    “E dyta- Në një departament turizmi dhe me një  persona ë punon në KIES që është për promovim të turizmit, nuk ka turizëm. E  dimë që departamenti merret me hartimin e politikave, ndërsa është ajo KIESA  që merret me promovim por ka vetëm një zyrtar. unë nuk ka mjete të informimit që nuk e kam thënë. Pa agjencion  kombëtar nuk ka zhvillim të turizmit sepse është baza e promovimit të vlerave pavarësisht a janë natyrore, kulturore apo historike”, tha ai.

    Sogojeva foli edhe për rritjen e çmimeve të produkteve bazë, duke thënë se sektori i turizmit nuk ka hapësirë për rritje të çmimeve pa rrezikuar humbjen e klientelës. Ai theksoi se balancimi mes kostove dhe çmimeve është sfidë e madhe për bizneset e këtij sektori.

    “Ne përveç që do të kërkojmë TVSH-në me zbrti ne do të kërkojmë që edhe për produktet bazë të ketë konsdieratë shtetit. Nëse e krahasojmë para katër vitesh, sa është ble një kilogramë kafe dhe sa blihet sot. Nëse sot pronarët, gjegjësisht sektori shkon dhe e ngrit çmimin dyfish, ty të del një kafe 2 euro e gjysmë, nëse e bën kafen 2 euro e gjysmë, klientela bie. Nëse kemi parasysh krejt këto rritjet e çmimeve, megjithatë ky sektor nuk guxon dhe nuk ka mundësi me i rrit sepse e humb klientelën. Sepse të turizmi, është  sikurse lulja, nëse i qetë shumë ujë ajo dëmtohet, nëse e le pa ujë prapë dëmtohet. Duhet me gjet një mesatare dhe kjo është bajagi sfidë për ata”, tha ai.

    Sogojeva bëri të ditur se Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka shënuar disa suksese këtë vit, përfshirë kandidaturën për anëtarësim në Këshillin Social Ekonomik të Evropës, themelimin e Forumit Ekonomik të Sektorit Privat në nivel të Kosovës, si dhe përfshirjen në struktura të reja përfaqësuese në fushën e punës, ku Oda do të ketë rol aktiv dhe drejtues.

    “Këtë vit jemi me disa suksese, dhe një nga to që mund të veçojë është se Oda e Turizmit është kandidat për anëtar në Këshillin e Evropës, Këshillin Social Ekonomik të Evropës për të cilën e kemi marrë konfirmimin. Pastaj siç e dini është lëshu dhe komunikata që është themeluar forumi ekonomik i sektorit privat në nivel të Kosovës ku marrin pjesë disa oda dhe aty është edhe Oda e truizmit që ka me dhënë kontribut. Ne tash  kërkesat i kemi bërë  si të përbashkëta, që me u ballafaqu direkt me ministrat e ardhshëm, me njerëz që besojmë, që mund të i kryejnë këto punë. Po ashtu ka korrespondua që është formuar dhe IL-ja që në kuadër të Kosovës, dmth sektorit të punës dhe aty edhe oda do të jetë përfaqësues dhe jo veç përfaqësues por edhe kryesues”, tha ai.

  • Rusia sulmon Kievin me raketa dhe dronë, plagosen 11 persona përpara takimit Ukrainë-ShBA

    Rusia sulmon Kievin me raketa dhe dronë, plagosen 11 persona përpara takimit Ukrainë-ShBA

    Rusia sulmoi kryeqytetin e Ukrainës me raketa dhe dronë herët në mëngjesin e së shtunës, duke plagosur të paktën 11 persona një ditë para bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe SHBA-së, thanë autoritetet lokale.

    Eksplozimet dëgjoheshin në gjithë kryeqytetin për orë të tëra, ndërsa raketat balistike dhe dronët goditnin qytetin. Sulmi filloi në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës dhe po vazhdonte me ndriçimin e ditës, raporton ap.

    Sulmi erdhi ndërsa Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, po përgatitej të takohej me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të dielën, për bisedime të mëtejshme me qëllim përfundimin e luftës gati katërvjeçare. Zelenskyy tha se planifikojnë të diskutojnë çështje që përfshijnë garancitë e sigurisë dhe çështjet territoriale në rajonet Donetsk dhe Zaporizhzhia.

    Dy fëmijë ishin midis të plagosurve në sulm, i cili preku shtatë vende në qytetin e Kievit, tha kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, Tymur Tkachenko, në një deklaratë në Telegram. Një zjarr shpërtheu në një ndërtesë banimi 18-katëshe në lagjen Dnipro të qytetit, dhe ekipet e emergjencës u nisën për të shuar flakët.

    Një ndërtesë banimi 24-katëshe në lagjen Darnytsia gjithashtu u godit, tha Tkachenko, dhe zjarre të tjera shpërthyen në lagjet Obolonskyi dhe Holosiivsky.

    Në rajonin më të gjerë të Kievit, sulmet goditën ndërtesa industriale dhe banimi, sipas Shërbimit Emergjent të Ukrainës. Në zonën Vyshhorod, ekipet e emergjencës shpëtuan një person që u gjet nën rrënojat e një shtëpie të shkatërruar.

  • Vdekje e dyshimtë në Mitrovicë të Jugut, gjendet pa shenja jete një burrë

    Vdekje e dyshimtë në Mitrovicë të Jugut, gjendet pa shenja jete një burrë

    Një person është gjetur pa shenja jete në rrugën ‘Miran Hajra’, në Mitrovicë të Jugut.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Në raportin policor thuhet se me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa Policia e ka cilësuar rastin si “vdekje e dyshimtë”.

  • Sot mot me diell, temperaturat deri në 7°C

    Sot mot me diell, temperaturat deri në 7°C

    Ditën e sotme mbi vendin tonë parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell në orët e mëngjesit.

    Megjithatë, më pas gjatë ditës pritet vranësirat të tërhiqen.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, me shpejtësi prej 10-35 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 0°C, ndërsa ato maksimale prej 3 deri në 7°C.

  • Zgjedhjet e parakohshme parlamentare: Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare: Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Ditën e nesërme vendoset për fatin politik të vendit për katër vitet e ardhshme.

    Një ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në përfaqësitë diplomatike votuesi vendos sot.

    “Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së”, tha KQZ në njoftim.

    Në orën 01:00, KQZ do të njoftojë vetëm përmes ueb faqes dhe rrjeteve sociale për përfundimin e votimit edhe në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada.

  • Tre persona humbin jetën në Kaliforni për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut

    Tre persona humbin jetën në Kaliforni për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut

    Tre persona kanë humbur jetën në Kaliforni si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që kanë përfshirë shtetin amerikan përgjatë periudhës së Krishtlindjeve.

    Stuhitë, të cilat pritet të vazhdojnë edhe përgjatë fundjavës, shkaktuan bllokim të rrugëve kryesore në Los Angeles, duke e vështirësuar evakuimin e qindra familjeve.

    Sherbimet e emergjencave civile kryen dhjetëra shpëtime, duke përfshirë personat e bllokuar në automjete për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

    Përmbytjet shkaktuan dëme edhe në linjat e energjisë elektrike, me mbi 100 mijë familje dhe biznese që mbetën pa rrymë. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, kishte shpallur gjendjen e emergjencës që prej mëngjesit të së mërkurës për shkak të paralajmërimeve për stuhi të forta shiu.

    Viktimat që humbën jetën si pasojë e motit të keq ishin një burrë 64-vjeçar në San Diego, një burrë 74-vjeçar në qytetin Redding dhe një grua 70-vjeçare, e cila ndërroi jetë si shkak i rrëshqitjeve të dheut në banesën e saj.

    Zona më e prekur nga rrëshqitjet e dheut ishte Altadena, shumë pranë Los Angeles. Kryebashkiakja e këtij qyteti, Karen Bass, ka paralajmëruar qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimeve të tyre.