ATV

Category: Lajme

  • Kërcënohet një punonjës –  I panjohuri i maskuar dhe i armatosur grabit para në recepsion

    Kërcënohet një punonjës – I panjohuri i maskuar dhe i armatosur grabit para në recepsion

    Një recepsionit në vendin e tij të punës ishte cak i një kërcënimi nga një person i maskuar dhe i armatosur i cili grabiti një shumë të parave në rrugën Çagllavicë – Llapnasellë.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.

    “Rr. Çagllavicë-Llapnasellë 26.12.2025-05:10. Ankuesi mashkull kosovar, ka  raportuar se derisa ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës-recepsionist, ka shkuar një person i panjohur i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur një shumë parash. I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.  Rasti nën hetime”, njofton Policia e Kosovës.

  • Lëvizja Vetëvendosje gjobitet me 6 mijë euro nga PZAP për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

    Lëvizja Vetëvendosje gjobitet me 6 mijë euro nga PZAP për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe ka gjobitur subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 6,000 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

    Sipas vendimit të datës 25.12.2025, PZAP ka shqiptuar gjobën ndaj LVV-së për shkak të përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale nga kandidatët e saj për deputetë.

    Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankesave të LDK-së me numra ZP.Anr.41/2025, ZP.Anr.43/2025 dhe ZP.Anr.45/2025.

    Në arsyetim thuhet se kandidatja Arbëre Nagavci ka shfrytëzuar zyrën e saj si ministre në detyrë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për fushatë zgjedhore, ndërsa kandidati Hysen Durmishi ka përdorur pronën publike në rastin e një aktiviteti në Mitrovicë për përfitim elektoral.

    PZAP ka konstatuar se këto veprime përbëjnë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenit 36, paragrafi 1, si dhe dispozitave të Rregullores Zgjedhore Nr.07/2024 që rregullojnë fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar.

    LVV obligohet që gjobën prej 6,000 eurosh ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

  • Lista Serbe gjobitet edhe me 50 mijë euro nga PZAP-ja

    Lista Serbe gjobitet edhe me 50 mijë euro nga PZAP-ja

    Paneli Zgjedhor per Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur një gjobë prej 50,000 euro ndaj partisë politike “Lista Serbe” për shkelje të rregullave gjatë fushatës, për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës më 2025.

    Vendimi i marrë më 24 dhjetor bazohet në ankesën e subjektit Kosovski Savez, lidhur me vendosjen e parregullt të materialeve zgjedhore në hapësira publike brenda territorit të komunës së Leposaviqit.

    Krahas sanksionit financiar, Paneli ka urdhëruar këtë subjekt që të largojë menjëherë posterat e vendosur nga vendet e hapësirave publike.

    PZAP konstatoi se veprimet e ndërmarra nga Lista Serbe bien ndesh me detyrimet ligjore ndaj kandidatëve, duke cenuar standardet për një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm.

  • Aeroporti i Prishtinës, Gara: Presim të përmbyllim vitin 2025 me rreth 4.6 milion udhëtarë

    Aeroporti i Prishtinës, Gara: Presim të përmbyllim vitin 2025 me rreth 4.6 milion udhëtarë

    ër shkak të festave të fundvitit, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po përballet me një fluks udhëtarësh.

    Sipas deklaratave të dhëna për gazetën Sinjali nga zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, nga nesër dhe deri në fund të vitit, janë parashikuar rreth 400 fluturime vajtje-ardhje.

    “Për shkak të festave të fundvitit, kemi një volum të shtuar fluturimesh dhe, deri në ndërrimin e motmoteve, parashikohet të realizohen rreth 400 fluturime vajtje-ardhje“, tha Gara, duke theksuar se numri i udhëtarëve ka vazhduar të rritet gjatë muajve të fundit.

    Në lidhje me fluksin e udhëtarëve gjatë muajve të fundit, Gara informoi se deri më tani, gjatë muajit dhjetor, janë regjistruar rreth 300 mijë udhëtarë, një shifër që tregon rritjen e vazhdueshme të interesit për fluturimet nga dhe për në Kosovë.

    “Vlenë të theksohet se numri më i madh i udhëtarëve është regjistruar në muajin Gusht ku kemi pasur mbi 500 mijë udhëtarë,” shtoi ajo.

    Gara gjithashtu nënvizoi një arritje historike për aeroportin, duke thënë se vitin e kaluar është arritur shifra e 4 milionë udhëtarëve për herë të parë, një rezultat i jashtëzakonshëm që e pozicionon aeroportin si një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të transportit ajror në Kosovë.

    “Vitin e kaluar kemi arritur shifrën 4 milion udhëtarë, për herë të parë ndërkaq presim të përmbyllim vitin 2025 me rreth 4.6 milion”, tha Gara.

  • IPK-ja arrestoi 41 punonjës të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2025

    IPK-ja arrestoi 41 punonjës të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2025

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, deri më 26 dhjetor, ka pranuar dhe menaxhuar 2,480 ankesa, nga të cilat 1,753 janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për hetim në Drejtorinë për Hetime të Brendshme të Policisë së Kosovës.

    717 ankesa të tjera janë dërguar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së për dyshimin e veprimtarisë penale.

    Sipas IPK-së, ky numër shënon një rritje mbi 20% krahasuar me vitin 2024, e cila lidhet me fuqizimin e besueshmërisë së qytetarëve dhe transparencën e institucionit.

    Gjatë vitit 2025, IPK ka ndërmarrë veprime konkrete për forcimin e integritetit policor, duke arrestuar gjithsej 47 të dyshuar, prej të cilëve 41 janë punonjës të Policisë së Kosovës dhe 6 qytetarë.

    Institucioni ka dhënë gjithashtu 129 rekomandime për suspendim dhe 2 për transferim. Në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 110 kallëzime penale, 36 raporte të veçanta dhe 85 raporte informuese.

    Pesë veprat penale më të shpeshta të trajtuara këtë vit nga IPK janë keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, keqpërdorim i pozitës zyrtare, rrezikim i trafikut publik, lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

    Inspektorati ka realizuar gjithashtu 12 inspektime, përfshirë menaxhimin e punësimit dytësor, reagimin në thirrjet e qytetarëve, përdorimin e teknologjisë në trafik, trajtimin e dhunës në familje dhe administrimin e automjeteve të sekuestruara, duke dhënë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore.

    IPK ka vazhduar të ndërtojë marrëdhënie me qytetarët, partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke marrë pjesë në forume, konferenca dhe trajnime për forcimin e integritetit dhe profesionalizmit policor.

    Të dhëna më të detajuara do të publikohen në raportin vjetor të IPK-së për vitin 2025.

  • Zgjedhjet e parakohshme parlamentare: KEDS garanton furnizim pa ndërprerje me energjinë për 28 dhjetor

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare: KEDS garanton furnizim pa ndërprerje me energjinë për 28 dhjetor

    Pas një takimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), KEDS ka përmbyllur planin operativ për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen më 28 dhjetor 2025 në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës.

    Nëpërmjet një njoftimi, KEDS ka bërë të ditur se do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë vendin, për të siguruar një furnizim të pandërprerë me energji.

    “Kjo masë e veçantë përfshin angazhimin e ekipeve teknike në secilin nga 949 vendvotimet, ku do të jetë i disponueshëm një ekip për intervenim të shpejtë në rast të ndonjë problemi të mundshëm. Po ashtu, do të funksionojë një komision qendror teknik për monitorim dhe koordinim në kohë reale, ndërsa ekipet teknike do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë ditës së votimit. KEDS do të sigurojë gjithashtu kapacitetin e plotë logjistik dhe mbështetje IT për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

    KEDS theksoi angazhimin e saj për të siguruar kushte optimale për furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike dhe për të kontribuar në zhvillimin normal të procesit zgjedhor, duke siguruar një ditë zgjedhore pa pengesa për qytetarët dhe institucionet.

  • Prokuroria Speciale konfirmon se i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë pasurinë e 89 kosovarëve në Shqipëri

    Prokuroria Speciale konfirmon se i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë pasurinë e 89 kosovarëve në Shqipëri

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka parashtruar kërkesë te Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, SPAK, për të nisur hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 kosovarëve.

    Siç u raportua dje, kjo pas dyshimeve se mund të krijuar mbi të ardhura kriminale.

    Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi.

    “Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale ju konfirmon se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

    Kërkesa e bërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është miratuar nga Gjykata e Posaçme, që i ka dhënë dritë jeshile SPAK të kryejë hetime për llogari të palës kosovare.

    Siç raportoi dje mediumi shqiptar A2Cnn, SPAK po heton 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të angazhuar në trafik droge dhe pastrim të parave. Sipas raportimit, të gjithë janë identifikuar për shkak të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë.

    Në filtër janë jo vetëm, pasuritë e tyre, por edhe të 58personave të tjerë, familjarë të tyre, në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e paligjshme.

    Në zbatim të kërkesës së drejtësisë kosovare, SPAK do të gjurmojë jo vetëm pasuritë e mundshme të patundshme të tyre, por edhe nëse kanë hapur llogari bankare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri./Reporteri.net/

  • IKShPK-ja paralajmëron rritje të rasteve me grip, apelohet për vaksinim sezonal

    IKShPK-ja paralajmëron rritje të rasteve me grip, apelohet për vaksinim sezonal

    Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve me grip dhe infeksione respiratore në vend, duke theksuar se javët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e qytetarëve që kërkojnë trajtim mjekësor, përfshirë edhe raste që kanë përfunduar me hospitalizim.

    Sipas të dhënave të grumbulluara nga instituti, sezoni i gripit ka hyrë në një fazë intensifikimi, çka po reflektohet me rritje të ngarkesës në shërbimet shëndetësore.

    Në këtë situatë, IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shfrytëzojnë vaksinimin kundër gripit sezonal, duke e cilësuar atë si masën më të sigurt dhe më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve që ajo mund të shkaktojë, përcjell Telegrafi.

    Instituti thekson se, edhe pse sezoni i gripit ka nisur, vaksinimi vazhdon të jetë i dobishëm, pasi përhapja e virusit pritet të shtohet gjatë muajve në vijim.

    Po ashtu, është nënvizuar se vaksina ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për forma të rënda të gripit dhe ofron mbrojtje të veçantë për grupet më të ndjeshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, si dhe të gjithë qytetarët mbi moshën gjashtë muajsh që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe pasojat e tij.

    IKSHPK ka ftuar qytetarët që, së bashku me anëtarët e familjes, të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për të realizuar vaksinimin kundër gripit sezonal. /Telegrafi/

  • Në QKUK realizohet me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira torakale, hiqet me sukses një tumor me përmasa të mëdha

    Në QKUK realizohet me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira torakale, hiqet me sukses një tumor me përmasa të mëdha

    ë Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale tejet komplekse për largimin e një tumori intratorakal me përmasa të mëdha, rreth 13 me 10 centimetra.

    Sipas njoftimit, pacientja R.B., e lindur më 1974, kishte qenë më herët nën trajtim nga kardiologët për probleme kardiake, të cilat më pas u vërtetua se ishin shkaktuar nga presioni i masës tumorale mbi zemrën, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj normal, përcjell Telegrafi.

    Pas kryerjes së ekzaminimeve të detajuara radiologjike dhe vlerësimeve të shumta mjekësore, ekipet shëndetësore vendosën që rasti të trajtohej përmes ndërhyrjes kirurgjikale.

    Operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i kirurgëve torakalë, në bashkëpunim të ngushtë me anesteziologët, instrumentarët dhe stafin mbështetës të klinikës.

    Tumori, i cili kishte penguar funksionimin normal të mushkërive dhe zemrës, u hoq plotësisht gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Gjendja shëndetësore e pacientes pas operacionit është stabile, ndërsa ajo po vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor në përputhje me protokollet standarde të kujdesit post-operativ.

    Nga QKUK theksohet se ky rast dëshmon nivelin profesional dhe kapacitetet e Klinikës së Kirurgjisë Torakale për trajtimin e rasteve të ndërlikuara, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore. /Telegrafi/

  • Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese që qarkullojnë në emër të saj: Mos u mashtroni, janë të rreme

    Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese që qarkullojnë në emër të saj: Mos u mashtroni, janë të rreme

    Posta e Kosovës ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët, përmes së cilit u ka bërë thirrje të gjithëve të mos jenë pre e mashtrimit, pasi thonë se persona të panjohur po dërgojnë mesazhe SMS qytetarëve, duke u paraqitur në mënyrë të rreme në emër të Postës së Kosovës.

    “Menjëherë pas identifikimit të këtij rasti, Posta e Kosovës ka njoftuar organet kompetente dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me to për adresimin e kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e Postës.

    Ky institucion ka bërë të ditur se komunikimin me qytetarët e bënë vetëm përmes kanaleve zyrtare, përmes ueb faqes, rrjeteve sociale dhe numrave zyrtarë të telefonit.

    Posta e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë asnjë lidhje (link) të dërguar përmes këtyre mesazheve mashtruese dhe të mos bashkëpunojnë me numra apo kontakte që nuk janë zyrtare.

    “Në asnjë rrethanë, Posta e Kosovës nuk kërkon të dhëna personale apo informacione bankare përmes SMS-ve apo kanaleve jozyrtare. Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në administrata postare të vendeve të tjera të rajonit”, thotë Posta e Kosovës.