ATV

Category: Lajme

  • Kosova i kërkon BE-së të bëjë më shumë për ta dënuar deklaratën e ministres serbe për “spastrim etnik”

    Kosova i kërkon BE-së të bëjë më shumë për ta dënuar deklaratën e ministres serbe për “spastrim etnik”

    Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Bashkimit Evropian (BE) të bëjë më shumë për ta dënuar deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq për “spastrim etnik” në Kosovë, duke thënë se përgjigja fillestare e bllokut evropian ishte e “kufizuar dhe e vonuar”.

    Paunoviq – ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale – tha fundjavën e kaluar për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të ish-lideri serb Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

    Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta dhe Kosova tashmë ka ngritur padi ndaj saj dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen në vend.

    Të shtunën, Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri Jashtëm, Glauk Konjufca, i dërgoi letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, për të kërkuar reagim më të fuqishëm nga klubi evropian pjesë e të cilit synojnë të bëhen si Kosova, ashtu edhe Serbia.

    Në ketë letër, e cila mban datën 16 korrik, Qeveria e Kosovës kërkon nga BE-ja “që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunoviq, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”.

    Deklarata e Paunoviqit është dënuar tashmë nga BE-ja dhe dënimin e përsëriti të enjten komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, duke thënë se ishte e habitur se si ajo vazhdon të mbetet ministre në Qeverinë serbe.

    “Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, tha Kos të enjten.

    Ndërkohë, në Serbi, presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq, th se deklarata e Paunoviqit “nuk pasqyron vullnetin tim, e as të Qeverisë së Serbisë”, duke shtuar se “politika e shtetit serb është dialogu, e jo kurrë spastrimi etnik”.

    Paunoviq – nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit – nuk i tërhoqi fjalët e saj, por tha më 16 korrik se ato “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ka shkaktuar.

    Në anën tjetër, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb, Gjuro Macut, për shkarkimin e Paunoviqit.

    Ata i kërkuan kryeministrit Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e saj

    Nuk është e qartë nëse Macut do ta bëjë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende.

    Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviqit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.

    Deklaratat e saj prekin plagë të vjetra në Kosovë, pasi qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Ajo luftë ua mori jetën mbi 13.000 civilëve, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të zhdukur.

    Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

    Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në vitin 1999.

    Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

    I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm./REL

  • I gjenden 42 qese me kokainë, arrestohet i dyshuari në Isniq të Deçanit

    I gjenden 42 qese me kokainë, arrestohet i dyshuari në Isniq të Deçanit

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur një personi në Isniq të Deçanit i janë gjetur 42 substanca me kokainë.

    Rasti ka ndodhur të premten.

    “Fsh.Isniq, Deçan 17.07.2026-00:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe konfiskuar 42 qese me substance narkotike të llojit kokainë me peshë prej 23.3 gram, 375 euro dhe një telefon”, thuhet në raport.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • Aksion antidrogë në Podujevë, arrestohet një i dyshuar, konfiskohet marihuanë

    Aksion antidrogë në Podujevë, arrestohet një i dyshuar, konfiskohet marihuanë

    Një person është arrestuar në Podujevë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prishtinë, në kuadër të Planit Operativ “Vera 2026”, pas pranimit të informatave se një person dyshohej se merrej me shitblerje të lëndëve narkotike.

    I dyshuari është lokalizuar në një lokal në qytetin e Podujevës, ku gjatë kontrollit policia ka gjetur dhe konfiskuar gjashtë paketime me lëndë narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë, si dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin.

    Personi i arrestuar, me inicialet F.S., mashkull kosovar, është intervistuar nga hetuesit, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Hoxhaj: Kosova po izolohet ndërsa Serbia po thellon bashkëpunimin strategjik me ShBA-në

    Hoxhaj: Kosova po izolohet ndërsa Serbia po thellon bashkëpunimin strategjik me ShBA-në

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova po përballet me izolim ndërkombëtar, duke kritikuar politikat e Qeverisë Kurti dhe duke kërkuar rikthimin e besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Hoxhaj ka thënë se dështimet e Qeverisë, sipas tij, janë shndërruar në një model qeverisjeje, ndërsa aleatët strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë.

    “Dështimet që po sjellin pasoja serioze për Kosovën nuk janë më lajme të reja. Ato janë bërë një model qeverisjeje. Ndërsa vendi mbahet peng nga politika konfrontuese e Qeverisë Kurti, aleatët tanë strategjikë po thellojnë bashkëpunimin me Serbinë”, ka shkruar Hoxhaj.

    Ai ka përmendur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Kosova e ka humbur atë, ndërsa Serbia është duke e nisur një të tillë.

    “Kosova ka humbur Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Serbia po e nis të vetin. Ky është një hap prapa me pasoja serioze për interesin tonë shtetëror”, ka deklaruar Hoxhaj.

    Sipas tij, pasojat e këtyre zhvillimeve nuk do të kufizohen vetëm në diplomaci, por do të ndikojnë edhe në siguri, ekonomi, investime të huaja, energji dhe procesin e integrimit euroatlantik.

    “Pasojat e këtyre dështimeve nuk do të mbeten vetëm në diplomaci. Ato do të reflektohen në sigurinë tonë, në zhvillimin ekonomik, në investimet e huaja, në sektorin e energjisë dhe në aftësinë e Kosovës për të avancuar drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar ai.

    Hoxhaj ka theksuar se Kosova duhet të rikthejë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe ta ketë prioritet rivendosjen e Dialogut Strategjik me SHBA-në.

    “Kosova nuk mund ta lejojë luksin e izolimit. Ne jemi shtet që kemi ndërtuar lirinë dhe pavarësinë në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë perëndimorë. Prandaj, rikthimi i besimit me SHBA-në dhe rivendosja e Dialogut Strategjik duhet të jetë prioritet kombëtar”, ka përfunduar Hoxhaj.

  • IKShPK-ja del me rekomandime për mbrojtje nga vapa: Pini ujë shpesh

    IKShPK-ja del me rekomandime për mbrojtje nga vapa: Pini ujë shpesh

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dalë me rekomandime për mbrojtje nga vapa për kategoritë e ndjeshme, si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Pirja e ujit, qëndrimi nën hije e veshja e rrobave të lehta janë disa prej këshillave.

    Gjithashtu kërkohet që të mos lihen fëmijët brenda makinave.

    “Temperaturat e ngritura mund të paraqesin rrezik për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ju fton të ndiqni rekomandimet për mbrojtje nga efektet e vapës dhe të kujdeseni për veten dhe të afërmit tuaj”, shkruan IKSHPK.

  • Ministria iraniane e Shëndetësisë: 50 persona janë vrarë nga sulmet ajrore amerikane që nga fundi i qershorit

    Ministria iraniane e Shëndetësisë: 50 persona janë vrarë nga sulmet ajrore amerikane që nga fundi i qershorit

    Të paktën 50 persona janë vrarë nga sulmet amerikane në Iran që nga 27 qershori, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi.

    Hossein Kermanpour tha se më shumë se 500 persona janë plagosur gjatë së njëjtës periudhë, ndërsa në mesin e të vrarëve ishin pesë gra dhe dy fëmijë.

    Gjatë natës, televizioni shtetëror iranian raportoi se tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi që dëmtoi infrastrukturën në provincën Hormozgan.

    Ndërkohë, ushtria amerikane ka pranuar se disa pjesëtarë të tjerë të saj janë plagosur.

  • Mbi 890 zjarre aktive në Kanada, mbi 200 prej tyre jashtë kontrollit

    Mbi 890 zjarre aktive në Kanada, mbi 200 prej tyre jashtë kontrollit

    Më shumë se 200 zjarre mbetën jashtë kontrollit në Kanada të premten, veçanërisht në provincën e Ontarios, tymi i së cilës po thithet nga miliona banorë të Shteteve të Bashkuara verilindore.

    Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kanadeze Ndëragjenciale e Zjarrit Pyjor (CIFFC), 206 zjarre mbetën jashtë kontrollit nga një total prej 896 zjarresh aktive. Një total prej 70 zjarresh të reja shpërthyen gjatë ditës.

    Sezoni aktual i zjarreve në Kanada po përshkruhet si më pak dramatik se viti 2023 , një vit me rekorde tragjike, por intensiteti i tyre është rritur javën e kaluar.

    Pothuajse 28 milionë hektarë janë djegur në vitin 2026, sipas të dhënave më të fundit nga qeveria federale kanadeze. Vetëm të premten e kaluar, ky numër ishte afër 16 milionë hektarëve.

    Situata konsiderohet veçanërisht kritike në Ontario, ku më shumë se 80 zjarre mbetën jashtë kontrollit. Ontario kërkoi ndihmë federale të enjten. Zjarrfikës nga provinca të tjera, përfshirë Albertën dhe Yukonin, janë dërguar në provincë.

    Më shumë se 80 avionë dhe helikopterë zjarrfikës janë vendosur në Ontario për të ndihmuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

    39 avionë të tjerë janë gati të shkojnë në zona të izoluara, të paarritshme nga toka, për të evakuuar urgjentisht banorët e komuniteteve, kryesisht popuj indigjenë, tha Doug Ford.

    Tymi nga këto zjarre, i transportuar nga erërat, po shkakton përkeqësim ekstrem të cilësisë së ajrit në Toronto dhe në verilindje të Shteteve të Bashkuara.

    Sipas të dhënave të përpiluara nga kompania zvicerane IQAir, qytetet në shtetin e Detroitit, si
    Çikago dhe kryeqyteti federal i SHBA-së, Uashingtoni, ishin ndër ato me ndotjen më të keqe të ajrit në planet.

  • Aksioni në Gjilan e Viti për shmangie tatimi, Policia me institucione të tjera inspektojnë 35 auto-parkingje

    Aksioni në Gjilan e Viti për shmangie tatimi, Policia me institucione të tjera inspektojnë 35 auto-parkingje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për një aksion të gjerë inspektimi që është realizuar në 35 autoparkingje në Gjilan dhe Viti.

    Në raportin e ditës, Policia bën të ditur se, këtë aksion e ka zhvilluar në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Punës (IQP) dhe Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Tregtisë (IQMT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, përcjell Gazeta Express.

    ‘‘SHMANGIE NGA TATIMI Viti dhe Gjilan 17.07.2026-09:30. Me datën 17.07.2026 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me institucionet tjera ligj zbatuese: Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Punës (IQP) dhe Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Tregtisë (IQMT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka realizuar një aksion inspektimi në tridhjetë e pese (35) auto parkingje në qytetet Gjilan dhe Viti. Gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje me të cilat janë marrë institucionet përkatëse’’, thuhet në raport.

  • Rrahje në Prishtinë, një person përfundon në QKUK

    Rrahje në Prishtinë, një person përfundon në QKUK

    Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi fizik në rrugën “Hasan Dema” në Prishtinë.

    Sipas Policisë së Kosovës, viktima ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një i dyshuar i cili i ka shkaktuar lëndime trupore.

    Si pasojë e lëndimeve, viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Policia njofton se i dyshuari, me vendim të prokurorit, fillimisht është dërguar për kontroll psikiatrik. Pas përfundimit të kontrollit, ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në praninë e avokatit mbrojtës.

    Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.

    “Rr. Hasan Dema, Prishtinë 17.07.2026 – 22:00. Viktima mashkull kosovar, ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar, i njëjti e ka sulmuar viktimën duke i shkaktuar lëndime. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. I dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar për kontroll tek psikiatri dhe pas kontrollit është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë, dyshohet se sulmoi vajzën e tij

    Arrestohet një burrë në Prishtinë, dyshohet se sulmoi vajzën e tij

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Prishtinë, i dyshuar për dhunë në familje, pasi dyshohet se ka sulmuar vajzën e tij.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 17 korrik 2026, rreth orës 20:14. Viktima është vajza e të dyshuarit, ndërsa detaje të tjera lidhur me rastin nuk janë bërë të ditura.

    I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

    Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.