ATV

Category: Lajme

  • Tre persona të zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tyre

    Tre persona të zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tyre

    Tre persona janë raportuar të zhdukur, ndërsa familjarët e tyre kanë apeluar për ndihmën e qytetarëve në lokalizimin e tyre.

    Sipas njoftimit nga familjarët, bëhet fjalë për Ejup Ternavën, Cennet Ternavën dhe Fatmire Shabanin, të cilët janë parë për herë të fundit mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:00, në Shkup.

    Sipas informacioneve, ata ishin nisur nga aeroporti në drejtim të Kosovës, por që nga ai moment nuk është arritur më asnjë kontakt me ta dhe vendndodhja e tyre mbetet e panjohur.

    Ata po udhëtonin me një veturë Mercedes GLC me ngjyrë blu, me targa MR-DT 2025.

    Familjarët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë personat ose automjetin, apo posedojnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e tyre, të kontaktojnë menjëherë familjarët ose Policinë.

    Çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm.

  • ​Behrami: Specialja është mbështetur në narrativa që burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë

    ​Behrami: Specialja është mbështetur në narrativa që burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka akuzuar Dhomat e Specializuara se një pjesë të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e kanë ndërtuar mbi materiale dhe narrativa që, sipas tij, burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë.

    Në një reagim publik, Behrami tha se Serbia, të cilën e akuzon se synon “ringjalljen e politikave të Millosheviqit” dhe spastrimin etnik të shqiptarëve, ka qenë burim i dezinformatave në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Ai iu referua edhe deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila, sipas tij, ditë më parë kërkoi spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, duke e cilësuar këtë si dëshmi të vazhdimësisë së narrativës së shtetit serb.

    Sipas Behramit, ekziston një paradoks, pasi nga njëra anë përfaqësues të shtetit serb vazhdojnë të mohojnë krimet e kryera në Kosovë, përfshirë masakrën e Reçakut dhe masakra të tjera, ndërsa nga ana tjetër, po ai aparat shtetëror trajtohet si burim i besueshëm në proceset e Gjykatës Speciale.

    “Përveç kriminalizimit të UÇK-së, Gjykata po synon të zbehë përgjegjësinë e Serbisë për krimet e saj dhe t’ia transferojë barrën morale viktimës”, ka deklaruar Behrami.

    Ai shtoi se nuk mund të ketë drejtësi mbi standarde të dyfishta dhe as pajtim duke relativizuar, sipas tij, krimet e Serbisë.

    “Nuk mund të ketë besim në një proces gjyqësor që mbështetet në narrativën e një shteti, përfaqësuesit e të cilit edhe sot shprehin keqardhje që spastrimi etnik i shqiptarëve nuk u përfundua”, ka shkruar Behrami.

    Profesori Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka dhënë komentet e tij rreth deklaratës skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila para disa ditësh tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

    “E dini, nëse Vuçiqi do të kishte qoftë edhe një qelizë të vetme në trupin e tij që nuk pajtohet me këtë, ai do ta largonte menjëherë atë. Është një deklaratë aq e dënueshme, saqë është vështirë të përshkruhet. Nuk mund ta imagjinoja kurrë një gjë të tillë’’, tha Serwer për Televizionin N1 të Beogradit.

    Ndërsa, eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e ministres serbe si të papranueshme. Ndër të tjera ai shtoi se duhet kërkuar nxjerrja e Serbisë nga negociatat për integrimin evropian.

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla dorëzoi ditë më parë kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq.

  • Policia parandalon atentatin e radhës ndaj Preng Gjinit

    Policia parandalon atentatin e radhës ndaj Preng Gjinit

    Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Bëhet fjalë për një atentat tjetër që nga të dhënat hetimore dhe provat e sekuestruara, do ti bëhej Preng Gjinit, makina e të cilit u hodh në erë në lëvizje edhe në shtator të vitit 2020 në zonën e Selitës në Tiranë.

    Blutë e qytetit verior kanë arrestuar pak ditë më parë në flagrancë 38 vjeçarin Euglen Buraku me një sasi lënde plasëse të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Buraku banues në Durrës lëvizte në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës me një automjet me targa të vjetra të mbivendosura ndërsa nga ekspertimi i aparatit të tij cëlular iu gjet në brendësi foto e Preng Gjinit.

    Hetuesit besojnë se kanë zbuluar edhe një autor të dytë të dyshuar, Eduard Përgjoka 34 vjeç në banesën e së cilit në Rubik u sekuestruan kapsolla detonatorë, 11 celularë dhe fara kanabisi.

    Ky i fundit është shpallur në kërkim pasi bashkë me të arrestuarin po hetoen për vrasje me paramendim mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.

    Nga hetimet e SPAK në dosjen ‘REVANSHI’, atentati i parë ndaj Preng Gjinit u krye për motive gjakmarrje ndërsa të pandehur të arrestuar dhe në mungesë, janë marrë 6 persona si urdhërues dhe sigurues të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje. /Euronews/

  • Ministria e Infrastrukturës me një njoftim të rëndësishëm për kufizimet e nesërme në autoudhë

    Ministria e Infrastrukturës me një njoftim të rëndësishëm për kufizimet e nesërme në autoudhë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë.

    Sipas ministrisë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.

    Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa kufizime.

    Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.

  • Ndahet nga jeta gazetari Behlul Jashari, AGK shpreh ngushëllime

    Ndahet nga jeta gazetari Behlul Jashari, AGK shpreh ngushëllime

    Është ndarë nga jeta gazetari i njohur Behlul Jashari, një nga emrat e shquar të gazetarisë kosovare.

    Me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur pikëllimin e thellë për vdekjen e tij, duke vlerësuar kontributin mbi pesë dekadash të Jasharit në gazetari.

    AGK theksoi se ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës.

    Jashari i kushtoi mbi pesë dekada gazetarisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në Rilindja, si kryeredaktori i parë i gazetës së rezistencës Bujku, si dhe përmes raportimeve të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

    Ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tij në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës.

    Në reagimin e saj, AGK u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve.

  • Ambasada e Kosovës në Zagreb u shpërndanë pako ushqimore bashkatdhetarëve në pikën kufitare Kroaci-Serbi

    Ambasada e Kosovës në Zagreb u shpërndanë pako ushqimore bashkatdhetarëve në pikën kufitare Kroaci-Serbi

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ka qenë sot pranë bashkatdhetarëve në Pikën Kufitare Bajakovo, ku ka shpërndarë ujë dhe pako ushqimore për udhëtarët që po prisnin të kalonin kufirin, për shkak të fluksit të shtuar gjatë sezonit veror.

    Sipas Ambasadës, megjithëse kolonat e automjeteve janë të gjata, koha aktuale e pritjes për kalimin e kufirit është rreth 10 deri në 15 minuta. Në funksion janë tetë korsi hyrëse, ndërsa autoritetet kroate po punojnë për të siguruar një qarkullim sa më të shpejtë dhe efikas.

    Ambasada pëe Dukagjinin bëri të ditur se kolonat janë kryesisht pasojë e zbatimit të Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar dhe ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të qarkullimit.

    Po ashtu, Ambasada falënderoi Hakif Qenajn për dhurimin e pakove ushqimore të shpërndara për udhëtarët, duke e vlerësuar kontributin e tij si një akt solidariteti dhe kujdesi ndaj bashkatdhetarëve.

    Ambasada e Kosovës theksoi se do të vazhdojë të monitorojë situatën në pikat kufitare dhe të ofrojë mbështetje për qytetarët sa herë që kjo të jetë e nevojshme, duke u uruar të gjithë bashkatdhetarëve një udhëtim të sigurt dhe të mbarë.

  • Serbia shpall gjendje të jashtëzakonshme në disa pjesë, për shkak të etheve afrikane të derrit

    Serbia shpall gjendje të jashtëzakonshme në disa pjesë, për shkak të etheve afrikane të derrit

    Virusi i etheve afrikane të derrit ka shpërthyer në shtatë qarqe dhe 52 vendbanime në Serbi, duke nxitur autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në vendet e prekura, njoftuan autoritetet.

    Për më tepër, në dy ditët e fundit është shfaqur edhe në Bezdan, në kufirin me Kroacinë, dhe në Rrethin Jugor të Baçkës në qytetet Zhabal dhe Gospodinci, tha të shtunën Ministri i Bujqësisë i Serbisë, Dragan Glamoçiq.

    Ai tha se gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Rumë, Obrenovac, një pjesë të territorit të Sremska Mitrovicës dhe në Shabac.

    Të dielën, gjatë një takimi emergjent në Obrenovac për shkak të shpërthimit të etheve afrikane të derrave, Glamoçiq paralajmëroi për asgjësimin gjithnjë e më të shpeshtë dhe të papërshtatshëm të kafshëve të ngordhura dhe theksoi se një sjellje e tillë përbën një kërcënim serioz për shëndetin e kafshëve, mjedisin dhe njerëzit.

    “Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, nuk do të ketë tolerancë për sjellje të papërgjegjshme. Çdo rast do t’u raportohet autoriteteve kompetente dhe do të sanksionohet në përputhje me ligjin”, tha ai.

    Glamoçiq, duke theksuar se bartësit kryesorë janë derrat e egër dhe njerëzit, theksoi gjithashtu se niveli rekord i ulët i ujit të Danubit lehtëson më tej përhapjen e sëmundjes, sepse derrat e egër mund ta kalojnë lumin në disa vende.

    Që nga shpërthimi i virusit, rreth 28.000 derra janë vrarë ose kanë ngordhur, dhe disa pronarëve të fermave u është ndaluar mbarështimi për një muaj.

    Gjatë takimit, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ushtrinë serbe, qeveritë lokale, kompanitë e shërbimeve publike dhe shërbimet veterinare, në mënyrë që të jenë në dispozicion të gjitha makineritë, personeli dhe mbështetja logjistike e nevojshme, tha Ministria serbe e Bujdesisë.

    Glamoçiq theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e respektimit të rreptë të masave të biosigurisë, eutanazimit në kohë të kafshëve të infektuara dhe largimit të tyre të sigurt, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.

    Ai shtoi se virusi është i pranishëm në më shumë se 70 vende të botës dhe në shumë vende evropiane, përfshirë vendet në afërsi të menjëhershme të Serbisë, prandaj është i nevojshëm zbatimi i vazhdueshëm i masave të biosigurisë.

    Ministri u bëri thirrje qeverive lokale që të ndihmojnë familjet në sigurimin e dezinfektantëve aty ku është e nevojshme, por kujtoi se çdo familje është e detyruar të zbatojë dezinfektim të rregullt dhe masa të tjera mbrojtëse.

    Kjo sëmundje u shfaq në Evropë në vitin 2007 dhe nuk është e rrezikshme për njerëzit, por në rastin e derrave është një sëmundje serioze me vdekshmëri pothuajse 100%.

    Në Afrikë, ethet afrikane të derrave shfaqen te derrat e egër dhe kanë një pamje klinike të lehtë, ndërsa në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, preken si derrat e egër ashtu edhe ata shtëpiakë. /REL

  • Ramadani: Papërgjegjësi totale mosthirrja e seancës konstituive, i vetmi plan prapa kësaj është bllokada

    Ramadani: Papërgjegjësi totale mosthirrja e seancës konstituive, i vetmi plan prapa kësaj është bllokada

    Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani tha se thirrja e seancës konstituive të Kuvendit po vonohet pa “asnjë arsye”.

    Ramadani shkroi në Facebook se kjo është “papërgjegjësi totale” ndërsa sugjeroi se plani i Lëvizjes Vetëvendosje është “bllokada”

    “Papërgjegjësi totale mosthirrja e Kuvendit.
    Konstituimi i Kuvendit nuk ka asnjë arsye normale të vonohet. I vetmi plan prapa kësaj vonese është bllokada”, shkroi ai.

    “Shihet qartë se as nuk iu ngutet, as nuk e kanë dertin e funksionimit të shtetit. Mbi 10 ditë që u certifikuan rezultatet, këta luajnë hajgare me shtetin! Thirreni seancën e Kuvendit!”, shkroi Ramadani.

  • “Kallëzim Penal ndaj Qeverisë”, Hykmete Bajrami e Fitore Pacolli vazhdojnë statuset për njëra-tjetrën

    “Kallëzim Penal ndaj Qeverisë”, Hykmete Bajrami e Fitore Pacolli vazhdojnë statuset për njëra-tjetrën

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, njofton se ka bërë Kallëzim Penal, duke kërkuar të hetohet KMDK-ja, Ministria, Qeveria dhe të gjitha institucionet përgjegjëse, derisa po replikojnë nga distanca me ministren e Mjedisit në detyrë, Fitore Pacolli, për deponinë e Sferkës.

    Bajrami për këtë çështje ka shkruar:

    Ndërsa, ministrja e Mjedisit në detyrë, Fitore Pacolli ka shkruar:

  • Kolona të gjata në kufi, pritjet mbi 8 orë për të hyrë mërgimtarët në Kosovë

    Kolona të gjata në kufi, pritjet mbi 8 orë për të hyrë mërgimtarët në Kosovë

    Fluksi i mërgimtarëve që po hyjnë në Kosovë ka sjellë rritje të pritjeve në disa pika kufitare të vendit.

    Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata për hyrje në Kosovë janë regjistruar në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku qytetarët po presin deri në 40 minuta.

    Në Kullë dhe Merdarë, pritjet për hyrje arrijnë deri në 15-20 minuta, ndërsa në pikat e tjera kufitare situata paraqitet më e qetë.

    Për dalje nga Kosova nuk raportohet të ketë pritje të konsiderueshme, me kohë pritjeje deri në 2-3 minuta.

    Ndërkohë, kolona më të gjata janë krijuar në disa pika të tjera kufitare.

    Në Muçibabë, pritjet për hyrje dhe dalje kanë arritur deri në 500 minuta, ndërsa në Han të Elezit pritjet për hyrje shkojnë deri në 100 minuta.

    Për më shumë detaje rreth gjendjes në pikat kufitare, shihni përditësimet në fotografi.