ATV

Category: Lajme

  • Zhduket një vajzë e mitur nga një strehimore në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Zhduket një vajzë e mitur nga një strehimore në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Policia e Kosovës është duke hetuar zhdukjen e një vajze të mitur, e cila është larguar nga një strehimore në Prishtinë.

    Sipas raportit policor, rasti është raportuar më 17 korrik 2026, rreth orës 15:50, nga një grua kosovare, përgjegjëse e strehimores.

    Ajo ka bërë të ditur se e mitura ka dalë nga objekti dhe që nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e saj.

    Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e të miturës.

    “Prishtinë 17.07.2026 – 15:50. Ankuesja femër kosovare, përgjegjëse në strehimore, raporton se një vajzë e mitur, ka dalë nga strehimorja dhe nuk dihet asgjë për të. Rasti nën hetime”.

  • “Ma vranë babanë para syve”, 11-vjeçarja rrëfen tmerrin për Masakrën e Hallaqit të Vogël

    “Ma vranë babanë para syve”, 11-vjeçarja rrëfen tmerrin për Masakrën e Hallaqit të Vogël

    Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar ditë më parë dëshminë autentike të Nazlije Selim Selimit, e cila ishte vetëm 11 vjeçe kur i mbijetoi Masakrës së Hallaqit të Vogël.

    Në rrëfimin e dhënë pak ditë pas kryerjes së krimeve, 11-vjeçarja kujton momentet tragjike kur forcat serbe vranë babanë e saj dhe dhjetëra banorë të tjerë të fshatit.

    Sipas IKKL-së, dëshmia e saj përfaqëson kujtesën e vuajtjeve të mijëra civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë dhe shërben si thirrje që e vërteta të dokumentohet, të ruhet dhe të mos harrohet.

    Instituti thekson se ruajtja e dëshmive të të mbijetuarve ndihmon në dokumentimin e krimeve dhe e afron drejtësinë një hap më pranë për viktimat e luftës.

    Videoja është publikuar me pëlqimin e shprehur të Nazlije Selim Selimit dhe është pjesë e arkivit të Institutit. Materiali i është dhuruar IKKL-së nga gazetari norvegjez Paul Refsdal.

  • Turqia goditet nga një tërmet i fuqishëm

    Turqia goditet nga një tërmet i fuqishëm

    Një tërmet me magnitudë 5.0 goditi provincën lindore të Turqisë, Malatya, në orët e para të së shtunës, sipas Autoritetit për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD).

    Tërmeti ndodhi në orën 06:20 me orën lokale (03:20 GMT), me epiqendër në distriktin Battalgazi dhe në një thellësi prej 15,59 kilometrash (9,69 miljesh), njoftoi AFAD, transmeton klankosova.tv.

    Lëkundjet u ndjenë edhe në provincat fqinje: Elazig, Adiyaman, Tunceli dhe Sanliurfa. AFAD bëri të ditur se nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo viktima pas tërmetit.

    Murat Kurum, ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, gjithashtu deklaroi në platformën turke të rrjeteve sociale “NSosyal”: “Pas tërmetit në Battalgazi, deri më tani nuk janë konstatuar probleme, por ne po i vlerësojmë të gjitha raportimet”.

  • Rama njofton se rruga “Afrim Zhitia” është gati për qarkullim, ndan foto

    Rama njofton se rruga “Afrim Zhitia” është gati për qarkullim, ndan foto

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se tashmë rruga “Afrim Zhitia” është e gatshme për qarkullim.

    Rama ka shpërndarë pamje nga rruga e përfunduar, e cila, për shkak të punimeve, ishte bllokuar për disa ditë.

    “Rruga Afrim Zhitia gati për qarkullim! Mirëmëngjesi Prishtina.”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • 51 raste të armëve ilegale në veri për gjashtë muaj, ekspertët: Po çmontohen rrjetet e grupeve të lidhura me Serbinë

    51 raste të armëve ilegale në veri për gjashtë muaj, ekspertët: Po çmontohen rrjetet e grupeve të lidhura me Serbinë

    Policia e Kosovës ka iniciuar 51 raste për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në katër komunat veriore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka arrestuar 18 persona të dyshuar dhe ka sekuestruar armë automatike, granata dore, eksploziv, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera ushtarake, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Policisë së Kosovës, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Zubin Potok, me rreth 25 raste të iniciuara.

    Në lidhje me këto zhvillime, njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se institucionet e Kosovës kanë intensifikuar operacionet për identifikimin dhe neutralizimin e rrjeteve të armëve ilegale dhe infrastrukturës së grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar në veri të vendit.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se zhvillimet në veri duhet të analizohen në aspektin e sigurisë publike dhe asaj kombëtare, duke kujtuar sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023.

    “Do të duhet të analizojmë në aspektin vertikal zhvillimet që kanë karakterizuar çështjet e sigurisë në pjesën veriore, respektivisht asaj publike dhe asaj nacionale. Pra që nga aktivitetet e sulmit terrorist shtetëror të Serbisë mbi Republikën e Kosovës në Banjskë në 2023-ën, ka patur avancim të mëtejshëm të aspektit të zhvillimeve që e kanë ofruar qytetarin dhe sigurinë për qytetarët në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Shala tha se Serbia ka zhvendosur aparaturën e saj shtetërore në funksion të grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar.

    “Por çka është kruciale dhe esenciale, mund të themi që qendrat, punktet dhe nënpunktet pra qendrat janë veprimet operative ku shteti i Serbisë në mënyrë permanente dhe konstante ka zhvendos operaturën e saj shtetërore në shërbim të grupeve terroriste apo grupeve të cilat janë të lidhura me Beogradin zyrtar. Më pastaj, punktet dhe pikat pra janë punktet ku më pastaj shpërndahen në punktet të ndryshme brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku sipas të gjitha gjasave aty është bërë graviteti i zhvillimeve dhe mbledhja e informacioneve relevante dhe njëkohësisht shpërndarja e mjeteve apo municioneve luftarake”, tha ai.

    Sipas tij, institucionet e sigurisë tashmë janë duke i identifikuar dhe neutralizuar këto pika operative.

    “Dhe pikat janë pikërisht këto që tanimë institucionet tona të sigurisë janë duke i hasur në veprimet e tyre operative duke e minimizuar që nga këto pika, punkte dhe qendra që tanimë qendrat janë larguar nga territori i Republikës së Kosovës dhe punktet që në këto pika fokusi është që të minimizohen, të neutralizohen dhe njëkohësisht gjithë armatimi i cili ishte shpërndarë për vite të tëra është duke u grumbulluar nga ana e mekanizmit të Policisë së Kosovës, në bashkërendim në aspektin operativ me mekanizmat e tjerë të sigurisë siç është AKI-ja, po njëkohësisht edhe bashkëpunimi i sinqertë reciprok me qytetarët e komunitetit serb në pjesën veriore”, tha ai.

    Edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, tha se situata në Mitrovicën Veriore vazhdon të mbetet e brishtë për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të armëve ilegale në objekte të pabanuara.

    “Po, situata e përgjithshme në Mitrovicën Veriore është e brishtë. Kjo paraqet, kjo brishtësi vjen më shumë për shkak se patrullat policore, gjatë patrullimeve në pjesët e Mitrovicës Veriore, hasin në objekte të pabanuara ku aty gjejnë armë ilegale, të cilat në një mënyrë apo tjetër, do të thotë, janë të ardhura ose të mbetura prej kohës në pjesën veriore të Mitrovicës. Dhe për këtë arsye, inteligjenca policore bën të pamundurën që të argumentohet, të ketë argumente, prova dhe t’i paraprijë operacioneve policore, sidomos patrullave”, tha ai.

    Morina theksoi se armët e gjetura duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të verifikuar nëse janë përdorur në raste kriminale apo sulme terroriste.

    “Gjithashtu, vlen të ceket se armët të cilat gjenden në këto shtëpi të pabanuara, duhet të shikohet menjëherë aspekti balistik i tyre, për arsye se këto armë mund të jenë ato të cilat janë përdorur për ndonjë vrasje, për ndonjë akt terrorist ose në forma të tjera, në mënyrë që ato të kontrollohen në mënyrën më detajore të mundshme”, tha ai.

    Ai shtoi se bashkëpunimi i qytetarëve serbë me Policinë e Kosovës është përmirësuar në periudhën e fundit.

    “Është me rëndësi të theksohet se tani kemi një bashkëpunim më të mirë të qytetarëve me Policinë e Kosovës në pjesën veriore dhe kjo vjen më shumë për shkak të asaj se këto patrullime të vazhdueshme dhe gjetje të municioneve dhe armëve ilegale në shtëpitë e pabanuara, bën që të ngrihet besimi i qytetarëve te Policia e Kosovës, me punën dhe me aktivitetet e tërësishme”, tha ai.

    Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, bëri të ditur se gjatë periudhës 1 janar – 30 qershor 2026 në rajonin e Mitrovicës Veriore janë sekuestruar armë automatike AK-47, pushkë M-48, pushkë gjuetie, granata dore të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm, uniforma ushtarake, radiolidhje, dylbi, gazmaska dhe sasi eksplozivi.

    “Ju konfirmojmë se në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, e cila mbulon komunat Mitrovicë Veri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, gjatë periudhës 01.01.2026 – 30.06.2026 janë iniciuar gjithsej 51 raste për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Numri më i madh i rasteve është iniciuar në komunën e Zubin Potokut, me rreth 25 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë. Gjatë zhvillimit të hetimeve, Policia ka arrestuar 18 persona të dyshuar në lidhje me këto raste, ndërsa janë identifikuar edhe persona të tjerë, të cilët aktualisht janë në kërkim nga Policia. Gjatë këtyre rasteve janë sekuestruar armë të ndryshme, përfshirë armë automatike AK-47, pushkë M-48, pushkë gjuetie, granata dore të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm, uniforma ushtarake, radiolidhje, dylbi, gazmaska, sasi eksplozivi etj.”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Ekonomia Online.

  • Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Dje, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, bëri të ditur se gjatë ditës së sotme, për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, do të ketë kufizime në autoudhë.

    Nga ministria shtohet se, kufizimi do të zbatohet në intervalin kohor 11:00–17:30, pasi temperaturat e parashikuara arrijnë 32°C ose më shumë.

    ‘’ Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, nuk do të ketë kufizime, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim’’, thuhet në postim.

    Postimi:

    NJOFTIM PËR PUBLIKUN

    NESËR DO TË KETË KUFIZIME NË AUTOUDHË!🚛

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, janë plotësuar kushtet për zbatimin e vendimit për kufizimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve për transportin e mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë.

    Në AUTOUDHË, kufizimi do të zbatohet në intervalin kohor 11:00–17:30, pasi temperaturat e parashikuara arrijnë 32°C ose më shumë.

    Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, nuk do të ketë kufizime, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim.

    Ministria do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim lidhur me zbatimin e këtij vendimi.

    Me respekt!

  • Mbyllet segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë

    Mbyllet segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë (R115) do të mbyllet përkohësisht sot dhe neserër, për shkak të zhvillimit të Garës Automobilistike Malore “Brezovica 2026”.

    Sipas njoftimit të tyre, kufizimi i qarkullimit do të jetë në fuqi më 18 dhe 19 korrik 2026, nga ora 10:30 deri në 18:00.

    Përndryshe, sot do të zhvillohen stërvitjet zyrtare, ndërsa nesër gara zyrtare, e organizuar nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës.

    “Për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve, organizatorët do të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse. Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që gjatë këtyre intervaleve kohore të planifikojnë lëvizjet e tyre, të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të angazhuar në terren”, u tha dje në komunikatën për media.

  • Publikohen çmimet tavan të derivateve për sot, nafta shtrenjtohet sërish

    Publikohen çmimet tavan të derivateve për sot, nafta shtrenjtohet sërish

    Nafta dhe benzina janë shtrenjtuar sërish në çmimet tavan të derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një litër naftë mund të shitet deri në 1 euro e 63 centë, apo tre centë më shumë se një ditë më parë.

    Edhe benzina është shtrenjtuar për dy centë dhe çmimi maksimal i saj është caktuar në 1 euro e 45 centë për litër.

    Ndërkaq, gazi mbetet me çmim të pandryshuar, deri në 60 centë për litër.

  • Tentuan të shisnin parcelë me vlerë 1.5 milionë euro në Sllatinë të Fushë Kosovës, tre persona dërgohen në mbajtje

    Tentuan të shisnin parcelë me vlerë 1.5 milionë euro në Sllatinë të Fushë Kosovës, tre persona dërgohen në mbajtje

    Tre persona janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, pasi dyshohen se përmes dokumenteve të falsifikuara kanë tentuar të përvetësojnë dhe shesin një parcelë me sipërfaqe rreth dy hektarë në Sllatinë të Fushë Kosovës, në vlerë prej 1 milion e 550 mijë eurosh.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet janë zhvilluar nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, të cilat kanë siguruar prova që dyshohet se i lidhin tre të dyshuarit me veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

    Sipas Policisë, të dyshuarit M.T., L.Sh. dhe M.R., përmes falsifikimit të dokumenteve të Serbisë, përdorimit të dokumenteve të rrejshme si të vërteta dhe paraqitjes së një personi të rremë si pronar real, kanë tentuar që përmes noterit ta tjetërsojnë dhe shesin parcelën.

    “Përmes veprimeve të kundërligjshme, të dyshuarit kanë tentuar që përmes noterit ta tjetërsojnë/shesin parcelën në sipërfaqe prej rreth 2 hektarësh me lokacion në Sllatinë të Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se të njëjtën pronë kanë tentuar t’ua shesin disa blerësve, duke synuar përfitimin e shumës prej 1 milion e 550 mijë eurosh.

    Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar, duke falsifikuar pasaportën dhe letërnjoftimin e Serbisë në emër të pronarit të vërtetë të parcelës, kanë tentuar të mashtrojnë si pronarin e pronës ashtu edhe blerësit potencialë.

    “Është vërtetuar se personat e dyshuar, duke falsifikuar dokumentet e identifikimit të Serbisë në emër të pronarit të vërtetë të parcelës, kanë tentuar që përmes mashtrimit ta shesin pronën e viktimës dhe njëkohësisht t’i mashtrojnë personat tjerë/blerësit”, ka njoftuar Policia.

    Rasti është trajtuar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar më 17 korrik 2026, në praninë e avokatëve të tyre.

    Pas urdhrit të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Therje me thikë në qendër të Podujevës – Një person dërgohet në spital, arrestohet i dyshuari

    Therje me thikë në qendër të Podujevës – Një person dërgohet në spital, arrestohet i dyshuari

    Një rast i rëndë njoftohet të ketë ndodhur sonte në Podujevë, ku një person është therur me thikë.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Kjo e fundit ka shtuar edhe se viktima është dërguar për trajtim mjekësor, dhe se, lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar.

    ‘’Sot rreth orës 19 :00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në sheshin e qytetit në Podujevë.

    Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person.

    Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që për përfshirje në këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar’’, ka thënë ajo.