ATV

Category: Lajme

  • Anulohet tubimi i paralajmëruar para selisë së LDK-së

    Anulohet tubimi i paralajmëruar para selisë së LDK-së

    Është anuluar tubimi që ishte paralajmëruar të mbahej sot në orën 17:00 para zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Në një njoftim për media bëhet e ditur se vendimi është marrë me kërkesë të autoriteteve të LDK-së dhe me qëllim të mbarëvajtjes së rregullt të procesit.

    “Ju njoftojmë se, me kërkesë të autoriteteve të LDK-së dhe në funksion të mbarëvajtjes së rregullt të procesit, kemi marrë vendim për anulimin e tubimit të paraparë për sot, në ora 17:00, para zyrave të LDK-së”, thuhet në njoftimin e një grupi në Facebok i quajtur “Lidhja me Popullin” që paralajmëroi protestë në mbrojtje të Lumir Abdixhikut, pas dërgimit të nënshkrimeve për shkarkimin e tij.

    Po ashtu, organizatorët kanë bërë thirrje që procesi të zhvillohet në frymë demokratike, me transparencë dhe duke respektuar vullnetin e elektoratit të LDK-së.

    “Njëkohësisht, bëjmë thirrje që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike, transparente dhe duke respektuar vullnetin e elektoratit të LDK-së për një LDK unike, të bashkuar dhe të fortë”, thuhet në njoftim.

    KosovaPress dy javë më pare ka raportuar ekskluzivisht se kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, po e udhëheq këtë proces, duke vizituar degët e LDK-së në nivel vendi për të kërkuar nënshkrimet e delegatëve për votëbesimin ndaj Abdixhikut.

    Kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut po vjen pas pakënaqësive brenda kësaj partie për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.

  • Kryetari i grupit parlamentar të CDU jep dorëheqje pas polemikave për fëmijën e lindur përmes një nëne surrogate

    Kryetari i grupit parlamentar të CDU jep dorëheqje pas polemikave për fëmijën e lindur përmes një nëne surrogate

    Një politikan i lartë gjerman dhe aleat i kancelarit Friedrich Merz, Jens Spahn, ka dhënë dorëheqjen nga shefi i grupit parlamentar të CDU’së pasi ai dhe bashkëshorti i tij u bënë prindër përmes një nëne surrogate, një praktikë që vetë e kishte kritikuar më parë dhe së cilës partia e tij i kundërvihet fuqishëm.

    Surrogacia është e ndaluar në Gjermani, një politikë që Spahn refuzoi ta ndryshonte kur ishte ministër i Shëndetësisë në vitin 2020. Për këtë arsye, ai dhe bashkëshorti i tij, Daniel Funke, përdorën një nënë surrogate në Shtetet e Bashkuara, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

    Pasi kishte shkruar në vitin 2015 se: “Si një burrë homoseksual dhe i krishterë, e kam shumë të vështirë ta pranoj idenë e një barku të marrë me qira”, Spahn njoftoi të mërkurën lindjen e fëmijës, duke i thënë gazetës gjermane Bild: “Georg është gëzimi ynë më i madh. Kjo ndjenjë është pothuajse e pamundur të përshkruhet me fjalë”.

    Njoftimi shkaktoi menjëherë kritika si brenda ashtu edhe jashtë CDU-së, ku shumë e akuzuan Spahn për hipokrizi.

    “Politikanët që vendosin standarde për të tjerët duhet të gjykohen edhe sipas atyre standardeve”, tha për BBC-në Marion Rosin, anëtare e CDU-së në Thuringi dhe pjesë e Unionit të Grave. “Nëse kjo besueshmëri humbet, dorëheqja është pasoja e natyrshme”.

    Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Embrionit të vitit 1990, surrogacia në Gjermani dënohet me deri në tre vjet burg ose me gjobë. Për këtë arsye, shumë çifte gjermane zgjedhin ta realizojnë këtë proces jashtë vendit.

    Në shkurt, kur nëna surrogate e fëmijës së Spahn ishte rreth katër muaj shtatzënë, CDU votoi në një kongres partie për ta ruajtur ndalimin e surrogacisë.

    Spahn, 46 vjeç, një figurë e rëndësishme e krahut të djathtë të CDU-së që ka kërkuar politika më të ashpra për emigracionin, fillimisht u përpoq të mbrohej në intervista për media. Ai i tha Bild se kishte “luftuar gjatë me veten, edhe për çështjen e surrogacisë”, përpara se ai dhe bashkëshorti të merrnin vendimin.

    Megjithatë, kjo nuk i qetësoi kritikët, përfshirë figura të njohura të partisë së tij. “Jens Spahn nuk mund të qëndrojë më në krye të grupit parlamentar dhe duhet të japë dorëheqjen,” tha Daniel Peters, kryetar i CDU-së në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, për gazetën Bild.

    Ai shtoi se ishte “plotësisht e papranueshme” që Spahn të votonte në një mënyrë si politikan i lartë i CDU-së, ndërsa “të vepronte krejt ndryshe në jetën private”.

    Edhe zëdhënësi i CDU-së për shëndetësinë, Janosch Dahmen, deklaroi se çështja kishte të bënte me standardet e dyfishta dhe besueshmërinë politike të Spahn-it, jo me fëmijën e tij.

    “Kush mbron rregulla në politikë duhet të jetë në gjendje të shpjegojë qartë pse ato rregulla, me sa duket, nuk vlejnë për të personalisht”, tha Dahmen.

    Ndërsa kërkesat për dorëheqjen e Spahn shtoheshin, Friedrich Merz refuzoi të komentonte për të ardhmen e tij në parti, duke u thënë gazetarëve të premten se çështja do të diskutohej në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së partisë.

    Po atë ditë, Spahn i tha Bild: “Një gjë është e qartë për mua dhe kjo po bëhet më e qartë me çdo orë, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa familja ime”.

    Të shtunën, Spahn dha dorëheqjen nga posti i tij në parti.

    “Gjatë ditëve të fundit kam kuptuar se lumturia ime personale për krijimin e një familjeje me bashkëshortin tim dhe fakti që jam bërë baba nuk përputhen me detyrën time politike”, deklaroi ai.

    Në një postim në platformën X, Merz e cilësoi vendimin e Spahn-it për të dhënë dorëheqjen si “të drejtë dhe të pashmangshëm”. “Besueshmëria është pasuria më e vlefshme në politikë”, shkroi ai.

  • Behgjet Pacolli nënshkruan në Uashington marrëveshje qindra milionëshe në samitin e biznesit SHBA-Irak

    Behgjet Pacolli nënshkruan në Uashington marrëveshje qindra milionëshe në samitin e biznesit SHBA-Irak

    Biznesmeni Behgjet Pacolli ka njoftuar se me kompaninë e tij ka nënshkruar një marrëveshje milionëshe në Dhomën e Tregtisë të SHBA-së në Uashington, D.C., gjatë Samitit të Biznesit të Nivelit të Lartë SHBA-Irak.

    Nënshkrimin e kësaj marrëveshje që e bëri në emër të JV Mabetex Veritas të Michiganit e bëri në prani të kryeministrit të Irakut,

    “Nënshkrimi u bë në prani të Kryeministrit të Irakut, SH.T. Ali Al-Zaidi dhe sekretarit të Energjise te ShBA Chris Ëright, me Guvernatorin e Nineveh, SH.T. Abdul Qader Al-Dakhil, dhe parashikon rindërtimin e një pjese të qytetit historik të Mosulit, duke përfshirë infrastrukturen komplete urbane banesore, gastronomike si dhe ambientale. Jam krenar që JV jonë Mabetex Veritas vazhdon të sjellë ekspertizën e saj në projekte të mëdha ndërkombëtare, duke ndërtuar partneritete që krijojnë vende pune, rivendosin komunitetet dhe përparojnë zhvillimin e qëndrueshëm në këtë rast midis Shteteve të Bashkuara dhe Irakut”.

  • Haradinaj, 7 vjet pas dorëheqjes nga kreu i Qeverisë: Edhe sot, qëndrimi im mbetet i palëkundur

    Haradinaj, 7 vjet pas dorëheqjes nga kreu i Qeverisë: Edhe sot, qëndrimi im mbetet i palëkundur

    Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar përvjetorin e shtatë të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se para shtatë vitesh, kishte deklaruar “se Kosovës po i bëhej presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia dhe se ndarja dhe ‘Dodik Republika’ për Kosovën janë të papranueshme”, për të cilat qëndrime thotë se i ka edhe sot.

    Para 7 viteve dhashë dorëheqje për të dytën herë nga posti i Kryetarit të Qeverisë së vendit. Atëherë deklarova se nuk shkoj të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si kryetar qeverie por si qytetar, dhe se Kosovës po i bëhej presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia dhe se ndarja dhe “Dodik Republika” për Kosovën janë të papranueshme. Qëndrimi im atëherë ishte i qartë dhe i palëkundur. Ai mbetet i njëjtë edhe sot”, ka shkruar ai.

  • Mamdani shqyrton arrestimin e Netanyahut nëse viziton New Yorkun për Asamblenë e OKB-së

    Mamdani shqyrton arrestimin e Netanyahut nëse viziton New Yorkun për Asamblenë e OKB-së

    Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, tha të shtunën se administrata e tij po shqyrton nëse ka autoritetin ligjor për të arrestuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai viziton qytetin për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, sipas The New York Times.

    “Unë besoj se Kryeministri Netanyahu i përket Hagës”, tha Mamdani në podkastin The Interview të The New York Times.

    “Ai është një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, shtoi ai.

    Mamdani tha se ishte në “një bisedë aktive” me Departamentin Ligjor të Qytetit të Nju Jorkut lidhur me faktin nëse ai ka autoritetin për të udhëzuar Departamentin e Policisë së Nju Jorkut që të ndalojë një udhëheqës të huaj.

    “ Çfarëdo që më lejon ligji të bëj në New York City, këtë do të bëjmë, por nuk do të shkruajmë ligjet tona për këtë qëllim”, tha ai.

    Mamdani kishte thënë më parë gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie se do të kërkonte të zbatonte urdhrin e arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Netanyahun nëse udhëheqësi izraelit do të vizitonte Nju Jorkun.

    Netanyahu e hodhi poshtë këtë mundësi në një intervistë të kohëve të fundit, duke akuzuar Mamdanin se mbështet Hamasin.

    “Mendoj se ai duhet të shohë se kë po dënon, kë po lavdëron. Ai po dënon Izraelin, të vetmen demokraci që qëndron krah për krah me vlerat amerikane”, tha Netanyahu.

    Mamdani e ka dënuar vazhdimisht fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, ndërkohë që ka denoncuar edhe sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

    Në intervistë, Mamdani kritikoi gjithashtu politikën e SHBA-së ndaj Gazës, duke thënë se është “e vështirë të gjesh një qasje politike më të falimentuar sesa ajo që vendi ynë i ka bërë Gazës dhe Palestinës”.

    Ai shprehu gjithashtu mbështetje për mundësinë që përfaqësuesja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez të kandidojë për presidente në vitin 2028, mbrojti lidershipin e Komisioneres së Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, kritikoi politikat e emigracionit të Presidentit Donald Trump, ndërsa mbështeti bashkëpunimin në rastet e rënda penale dhe tha se përballueshmëria mbetet sfida përcaktuese me të cilën përballen njujorkezët.

  • 74 aksidente për 24 orë në Kosovë

    74 aksidente për 24 orë në Kosovë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur statistikat e përgjithshme të raportuara gjatë periudhës së fundit, ku janë evidentuar gjithsej 74 aksidente trafiku.

    Sipas të dhënave zyrtare, nuk është regjistruar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa 28 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 46 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, policia ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 96 tiketa trafiku, ndërsa janë arrestuar 14 persona për raste të ndryshme.

  • 28 vjet nga masakra e Rahovecit

    28 vjet nga masakra e Rahovecit

    Më 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën.

    Në Tehqen e Sheh Myhedinit në Rahovec u masakruan shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

    Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë, si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, ndërsa gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

    Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi, tregojnë se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

    Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u zhdukën dhe u morën peng shumë shqiptarë.

    Organet e pushtetit serb në Prizren, më 22 korrik, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe varrosën shqiptarët e vrarë gjatë ofensivës në Rahovec. /KP

  • Hykmete Bajrami dorëzon kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës në Pejë

    Hykmete Bajrami dorëzon kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës në Pejë

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal te Prokuroria lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, e cila prej ditësh është përfshirë nga zjarri.

    Bajrami ka kërkuar hetim për përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e deponisë, duke thënë se situata paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Ajo ka publikuar edhe arsyetimin e plotë të kallëzimit penal. /Gazeta Express

    Postimi i plotë:

    Kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës, në Pejë

    Sot, përmes postës elektronike, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam dorëzuar kallëzim penal Kryeprokurorit të Shtetit, z. Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë, Komuna e Pejës.

    Prej pesë ditësh deponia regjionale është përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Por rreziku nuk ka filluar me zjarrin. Për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontigjenti italian i KFOR-t, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare të një deponie. Ato nuk janë groposur dhe as mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull gjigant mbetjesh që prej vitesh ndot ajrin, tokën dhe ujërat, ndërsa sot, për shkak të zjarrit, po lirohen sasi të mëdha tymi dhe substanca të rrezikshme që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

    Aktualisht, deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Përmes këtij kallëzimi penal kam kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, por edhe përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur kompetenca për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe institucione të tjera që mund të kenë pasur përgjegjësi.

    Kam kërkuar që Prokuroria të zhvillojë hetime të plota për të sqaruar përgjegjësinë për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe për të hetuar nëse ka pasur mosveprim apo keqpërdorim të detyrës zyrtare nga personat përgjegjës.

    Asnjë institucion nuk ka të drejtë që me mosveprimet e tij të lejojë që qytetarët t’i ekspozohen për vite me radhë një rreziku të tillë.

    E drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbrojtja e saj është detyrim ligjor i çdo institucioni.

    Pres që Prokuroria ta trajtojë këtë rast me prioritet, të zhvillojë hetime të plota dhe të sigurojë që çdo person apo institucion përgjegjës të përballet me përgjegjësinë që i takon sipas ligjit.

    Gjithashtu pres nga institucionet përgjegjëse të ndërmerren hapa konkret në sanimin e gjendjes deri në mbylljen e përhershme të deponisë.

  • Çitaku: Kosova po mbetet në periferi, Serbia po e thellon bashkëpunimin me SHBA-në

    Çitaku: Kosova po mbetet në periferi, Serbia po e thellon bashkëpunimin me SHBA-në

    Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës,Vlora Çitaku e ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e izoluar dhe me marrëdhënie të dëmtuara me aleatët strategjikë, ndërsa Serbia po avancon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Çitaku shkroi në Facebook se, “përderisa tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar, nën masa ndëshkuese dhe me marrëdhënie të lënduara me aleatët tanë strategjikë, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

    “Marrëveshja e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi përfshin fusha kyçe të së ardhmes: inteligjencën artificiale, energjinë, gazin e lëngshëm amerikan (LNG), të cilin Albin Kurti e refuzoi me kryeneçësi, si dhe bashkëpunimin në hulumtimet hapësinore”, shkroi ajo.

    Sipas Çitakut, këto janë pasojë e një politike që, siç u shpreh ajo, “e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”.

    “Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë i këshilltarit të posaçm të Presidentit Trump, u publikua një raport tejet kritik, që dëmton imazhin e vendit tonë. Këto nuk janë rastësi. Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”, shkroi ajo.

    “Dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike. Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare. E ardhmja e Kosovës ndërtohet me aleanca të forta, me besueshmëri dhe me koordinim me partnerët tanë strategjikë, jo me vetëkënaqësi e konfrontim. Me këtë mënyrë të qeverisjes, rrezikojmë të mbetemi në periferi. Dhe këtë çmim nuk e paguan një qeveri, por e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e Republikës sonë”, shtoi Çitaku.

  • Mërgimtarët e bllokuar në kufi, këshilltarja shqiptare në qeverinë kroate tregon arsyen

    Mërgimtarët e bllokuar në kufi, këshilltarja shqiptare në qeverinë kroate tregon arsyen

    Ermina Përlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë deklaroi se është fluksi i madh i udhëtarëve gjatë sezonit turistik si dhe shtoi se kjo pikë përfaqëson për shumë udhëtarë pikën e parë të zonës Shengen

    Numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova raportohet se kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë që nga ora 02:00 e natës, pa mundur të vazhdojnë udhëtimin.

    Ermina Përlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë tha për klankosova.tv se arsyeja për pritjet kaq të gjata në pikën kufitare Bajakovë-Batrovc është fluksi i madh i udhëtarëve gjatë sezonit turistik si dhe shtoi se kjo pikë përfaqëson për shumë udhëtarë pikën e parë të zonës Shengen, transmeton albinfo.ch.

    “Arsyeja kryesore e kolonave të gjata në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë është kulmi i sezonit turistik veror dhe ndërrimi i turistëve gjatë fundjavës. Pika kufitare Bajakovë-Batrovc mbetet më e ngarkuara, pasi përmes saj kalon numri më i madh i udhëtarëve nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe Turqia drejt Kroacisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore. Duhet pasur parasysh se Kroacia është pjesë e zonës Shengen, që do të thotë se për shumë udhëtarë kjo pikë kufitare përfaqëson hyrjen e parë në hapësirën Shengen. Për këtë arsye, autoritetet kufitare kroate kryejnë kontrolle të detajuara të dokumenteve dhe kushteve të hyrjes, gjë që zgjat kohën e përpunimit të çdo automjeti dhe krijon kolona të gjata, veçanërisht gjatë fundjavave dhe muajve të verës, kur fluksi i udhëtarëve është shumë i madh”, tha ajo.