ATV

Category: Lajme

  • Serwer: Po ta kishte Vuçiq vetëm një qelizë në trupin e tij që s’pajtohet me Paunovic do ta shkarkonte

    Serwer: Po ta kishte Vuçiq vetëm një qelizë në trupin e tij që s’pajtohet me Paunovic do ta shkarkonte

    Profesori Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka dhënë komentet e tij rreth deklaratës skandaloze ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila para disa ditësh tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

    Serwer, duke folur për kërkesat për largimin e ministres nga kjo pozitë, ka thënë se, nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi ‘’do ta kishte vetëm një qelizë të vetme në trupin e tij’’ që nuk pajtohet me Paunoviq, atëherë ai do e shkarkonte atë nga pozita e ministres.

    Serwer, ka thënë edhe se deklarata e ministres është aq e dënueshme, sa është vështirë të përshkruhet.

    “E dini, nëse Vuçiqi do të kishte qoftë edhe një qelizë të vetme në trupin e tij që nuk pajtohet me këtë, ai do ta largonte menjëherë atë. Është një deklaratë aq e dënueshme, saqë është vështirë të përshkruhet. Nuk mund ta imagjinoja kurrë një gjë të tillë’’, ka thënë ai për N1.

  • Trump refuzon takimin me Netanyahun shkaku i Turqisë

    Trump refuzon takimin me Netanyahun shkaku i Turqisë

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar të caktojë një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pas kritikave publike të liderit izraelit ndaj planit të Uashingtonit për t’i shitur Turqisë aeroplanë luftarakë F-35.

    Sipas mediave amerikane, deklaratat e Netanyahut shkaktuan zemërim në Shtëpinë e Bardhë. Një zyrtar amerikan tha se Trump ishte “shumë i irrituar”, ndërsa një tjetër deklaroi se presidenti besonte se Netanyahu “nuk kishte të drejtë” të ndërhynte në strategjinë amerikane të mbrojtjes.

    Përplasja bëri që një takim i mundshëm në Zyrën Ovale të mos realizohej. Zyrtarët amerikanë thanë se takimi nuk ishte autorizuar dhe nuk ishte vendosur në agjendën presidenciale, pavarësisht se pala izraelite kishte nisur përgatitjet për udhëtimin në Uashington, shkruan axios.

    Tensionet mes dy aleatëve u shtuan edhe para udhëtimit të Trumpit në samitin e NATO-s në Ankara. Një pretendim i inteligjencës izraelite për një kërcënim të mundshëm iranian ndaj presidentit amerikan u vlerësua nga zyrtarët amerikanë si spekulativ dhe jo si një plan konkret.

    Mosmarrëveshjet vijnë në një kohë kur mbështetja për Netanyahun në Uashington po dobësohet. Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin, JD Vance, kanë kritikuar disa anëtarë të qeverisë izraelite për qëndrimet ndaj politikës së SHBA-së për Iranin.

    Ndërkohë, edhe në Kongres amerikan po rriten zërat kundër ndihmës ushtarake për Izraelin. Më shumë se 100 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve votuan për shkurtimin e 3 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake, në një shenjë të rritjes së përçarjeve mbi politikën amerikane ndaj qeverisë së Netanyahut.

  • Policia mohon akuzat e Kishës Ortodokse Serbe për presion ndaj komunitetit serb: Nuk veprojmë mbi baza etnike apo fetare

    Policia mohon akuzat e Kishës Ortodokse Serbe për presion ndaj komunitetit serb: Nuk veprojmë mbi baza etnike apo fetare

    Policia e Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Eparkisë Rashkë-Prizren, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet se ky institucion ushtron presion, diskriminim apo frikësim ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS).

    Në reagimin e publikuar të premten, Policia e Kosovës ka thënë se këto pretendime “nuk mbështeten në fakte” dhe nuk pasqyrojnë mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.

    “Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejtë, profesional dhe të paanshëm të opinionit publik, hedh poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në reagimin e PK-së.

    Sipas Policisë, institucioni funksionon mbi bazën e Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit.

    “Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb”, thuhet në njoftim.

    Policia ka theksuar se çdo veprim i saj bazohet në ligj dhe në përgjegjësinë individuale, duke mohuar se vepron mbi baza etnike, fetare apo politike.

    “Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, ka deklaruar PK-ja.

    Policia e Kosovës ka folur edhe për ceremoninë e 28 qershorit 2026 në Gazimestan, duke thënë se ajo është zhvilluar pa pengesa dhe ndërhyrje nga ana e policisë.

    “Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës”, thuhet në reagim.

    Sipas PK-së, veprimet e ndërmarra pas ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve apo identitetit serb, por ndaj personave për të cilët, sipas saj, kishte dyshime për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik.

    “Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç”, ka bërë të ditur Policia.

    PK publikon të dhëna për sigurinë e objekteve fetare

    Në reagim, Policia ka prezantuar edhe të dhëna për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke thënë se aktualisht 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe sigurohen 24 orë nga pjesëtarë të saj.

    “Për realizimin e këtij misioni, nga Policia e Kosovës është themeluar Drejtoria për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK), e cila përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Sipas PK-së, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 53 raste në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, prej të cilave 16 raste ose 30 për qind kanë ndodhur në objekte ortodokse.

    Në vitin 2025 janë evidentuar 35 raste, prej të cilave 10 ose 29 për qind në objekte ortodokse, ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë evidentuar 34 raste, prej të cilave 5 raste ose 15 për qind në objekte ortodokse.

    Policia ka thënë se shumica e rasteve lidhen me përftime pasurore, si vjedhje dhe vjedhje të rënda.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim dhe ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në ruajtjen e sigurisë publike.

  • Harry Bajraktari i çon letër Marco Rubios: Rishqyrtojeni mbështetjen për Gjykatën Speciale

    Harry Bajraktari i çon letër Marco Rubios: Rishqyrtojeni mbështetjen për Gjykatën Speciale

    Veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me kërkesën që Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Bajraktari ka thënë se kjo kërkesë vjen pas nismës së Rubios për të kundërshtuar, siç ka deklaruar ai, gjykatat ndërkombëtare që tejkalojnë mandatin e tyre, bëhen të papërgjegjshme, të politizuara dhe burokratike.

    Sipas tij, përvoja e Kosovës me Gjykatën Speciale duhet të jetë pjesë e kësaj qasjeje të re.

    “Drejtësia kurrë nuk duhet të jetë selektive, politike apo mekanizëm për ta rishkruar historinë”, ka shkruar Bajraktari.

    Ai ka theksuar se besimi në drejtësi, sovraniteti dhe e vërteta historike duhet të mbrohen, duke përfunduar reagimin e tij me urimet: “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar”.

  • U përurua lapidari memorial “Rrasa e Zogut” në Bjeshkët e Junikut

    U përurua lapidari memorial “Rrasa e Zogut” në Bjeshkët e Junikut

    Komuna e Junikut ka njoftuar se në Bjeshkët e Junikut u përurua sot lapidari memorial te “Rrasa e Zogut”, në nderim të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përkujtim të ngjarjeve të 17 korrikut 1998.

    Sipas organizatorëve, në këtë vend kaluan mbi 1.400 ushtarë të UÇK-së duke transportuar armatim, ndërsa kolona u përball me një pritë të forcave serbe, ku ranë dëshmorë dhe u plagosën shumë luftëtarë.

    Në ceremoni morën pjesë përfaqësues institucionesh, shoqatash të dala nga lufta dhe qytetarë. Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, vlerësoi rëndësinë e memorialit për ruajtjen e kujtesës historike, ndërsa lapidari u zbulua në praninë e pjesëmarrësve të betejës, familjarëve të dëshmorëve dhe përfaqësuesve institucionalë.

    Lapidari do të shërbejë si simbol i përhershëm i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe i rrugës së Kosovës drejt lirisë.

  • Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

    Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të premten do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.

    Sipas ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, janë plotësuar kushtet për zbatimin e vendimit që parasheh kufizimin e qarkullimit të këtyre automjeteve.

    Kufizimi do të vlejë në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.

    Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime të qarkullimit, pasi sipas ministrisë nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim për zbatimin e kësaj mase.

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit bëri të ditur se do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do t’i njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim që lidhet me zbatimin e këtij vendimi.

  • Fundjavë me diell e vranësira, IHMK paralajmëron edhe reshje lokale të dielën

    Fundjavë me diell e vranësira, IHMK paralajmëron edhe reshje lokale të dielën

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për fundjavën e 18 dhe 19 korrikut.

    Sipas IHMK-së, të shtunën në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë nga 31 deri në 35 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.

    Ndërkaq, të dielën parashihet mot kryesisht i vranët me intervale me diell. Vranësirat, në disa zona, mund të sjellin edhe riga të dobëta shiu.

    Temperaturat minimale do të jenë nga 13 deri në 17 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të lëvizin ndërmjet 30 dhe 34 gradë Celsius.

    Sipas IHMK-së, era do të fryjë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra për sekondë.

  • Zana Spahiu zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së

    Zana Spahiu zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së

    Me 9 vota pro dhe asnjë abstenim, Zana Spahiu është zgjedhur Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së.

    Ky votim u mbajt gjatë mbledhjes së sotme të Bordit të RTK-së.

    Spahiu do të qëndrojë në këtë post për 3 vjet.

  • Edita Tahiri: Nëse SHBA po e kushtëzon Kosovën me Asociacionin, duhet ta kushtëzojë Serbinë me njohjen e pavarësisë

    Edita Tahiri: Nëse SHBA po e kushtëzon Kosovën me Asociacionin, duhet ta kushtëzojë Serbinë me njohjen e pavarësisë

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, tha se nëse SHBA e kushtëzon Dialogun Strategjik me Kosovën me përmbushjen e zotimeve ndaj serbëve të Kosovës, atëherë sipas Tahirit, Uashingtoni duhet të kushtëzojë Dialogun Strategjik me Serbinë me njohjen e Kosovës.

    Sipas saj, diplomacia e Kosovës duhet të punojë në këtë drejtim.

    “Amerika e ka kushtezuar Dialogun Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve, ky kusht nenkupton asociacionin – mirepo Amerika duhet ta kushtezoj dialogun strategjik edhe me Serbine kur Serbia ta njeh shtetin e Kosoves – diplomacia e Kosoves duhet te punoj ne kete drejtim..”, ka shkruar Tahiri.

  • Për dy ditë mbyllet përkohësisht rruga Brezovicë-Prevallë

    Për dy ditë mbyllet përkohësisht rruga Brezovicë-Prevallë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë (R115) do të mbyllet përkohësisht gjatë fundjavës, për shkak të zhvillimit të Garës Automobilistike Malore “Brezovica 2026”.

    Sipas komunikatës për media, kufizimi i qarkullimit do të jetë në fuqi më 18 dhe 19 korrik 2026, në intervalin kohor nga ora 10:30 deri në 18:00.

    Më 18 korrik do të zhvillohen stërvitjet zyrtare, ndërsa më 19 korrik gara zyrtare, e organizuar nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës.

    “Për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve, organizatorët do të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse. Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që gjatë këtyre intervaleve kohore të planifikojnë lëvizjet e tyre, të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të angazhuar në terren”, thuhet në komunikatën për media.