ATV

Category: Lajme

  • Pranoi ryshfet nga një serb, polici i arrestuar në Vërmicë lirohet nga paraburgimi pas vendimit të Supremes

    Pranoi ryshfet nga një serb, polici i arrestuar në Vërmicë lirohet nga paraburgimi pas vendimit të Supremes

    Zyrtari policor Arton Krasniqi, i arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti në pikën kufitare në Vermicë, është liruar nga masa e paraburgimit pas një vendimi të Kolegjit të Gjykatës Supreme.Kolegji penal i Gjykatës Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Krasniqit dhe ka ndryshuar aktvendimet e mëparshme të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, të cilat kishin caktuar paraburgimin ndaj tij.

    Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, vendimet e instancave të mëparshme nuk kanë dhënë arsye të qarta dhe të pranueshme ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi ato mbështeteshin vetëm në parafrazimin e dispozitave ligjore pa vërtetuar bazat konkrete ligjore të kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.Si pasojë, masa e paraburgimit ndaj Krasniqit është ndërprerë më 6 janar 2026 dhe ai është liruar nga burgu për t’u mbrojtur në liri deri në përfundim të procesit gjyqësor.

    Krasniqi ishte arrestuar më 22 dhejtor 2025 ku polici, duke shfrytëzuar uniformën dhe pozitën e tij zyrtare, kishte pranuar ryshfet nga shtetasi i Serbisë, Boshko Qermioviq që i njëjti të mund të kalonte kufirin.

  • MPB ka publikuar kriteret për leje qëndrimi të përhershëm

    MPB ka publikuar kriteret për leje qëndrimi të përhershëm

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në kuadër të vazhdimit të fushatës informuese për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Menaxhimin e Automjeteve, ka publikuar kriteret për lëshimin e lejes për qëndrim të përhershëm, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Kosovë.

    Kjo fushatë informuese, siç kanë shpjeguar më herët përfaqësuesit e institucioneve, do të zgjasë deri më 15 mars, pas së cilës do të fillojë zbatimi praktik i ligjit.
    KRITERET PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

    Leja e qëndrimit të përhershëm

    Për të përmbushur kushtet për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm, personi duhet të ketë pesë (5) vjet qëndrim të përkohshëm të pandërprerë në Kosovë, përveç rasteve të lejes së qëndrimit të përhershëm për ribashkim familjar përmes martesës ose bashkëjetesës, ku kërkohet qëndrimi i pandërprerë prej 3 vjetësh;

    Të miturit me qëndrim të përkohshëm në Kosovë lejohen të marrin leje qëndrimi të përhershëm nëse njëri nga prindërit është i huaj me leje qëndrimi të përhershëm, me pëlqimin e prindit tjetër.

    Është e nevojshme të kenë njohuri elementare të njërës nga gjuhët zyrtare, si dhe, siç theksohet, të njohin kulturën dhe rendin shoqëror të Kosovës, gjë që dëshmohet përmes një testi me shkrim, të organizuar nga MPB.

    Megjithatë, theksohet se njohja e gjuhës nuk kërkohet për fëmijët e moshës parashkollore; për personat që kanë përfunduar arsimin fillor, të mesëm ose të lartë në Kosovë; për personat mbi moshën 65 vjeç nëse nuk janë të punësuar; si dhe për të huajt, gjuha amtare e të cilëve është njëra nga dy gjuhët zyrtare.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

    Për të realizuar të drejtën për leje qëndrimi të përhershëm, qytetarët, përkatësisht të huajt, duhet të kenë:

    Dokument udhëtimi të vlefshëm;

    Dëshmi se nuk janë dënuar në Kosovë;

    Dëshmi për lidhjen e martesës;

    Dëshmi për mjete financiare për jetesë;

    Sigurim shëndetësor;

    Dëshmi për strehim të siguruar.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM ME LIRIM NGA SHTETËSIA E RKS-së

    Dokument udhëtimi i vlefshëm;

    Dëshmi se nuk është nën hetime, e lëshuar nga organi kompetent i shtetit, shtetas i të cilit është i huaji ose i shtetit të vendbanimit të fundit, e përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare;

    Vendim për lirimin nga shtetësia e Kosovës.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR VAZHDIMIN E KARTELES SË LEJES SË QËNDRIMIT TË PËRHERSHËM

    Pasaportë e vlefshme;

    Dëshmi se nuk është dënuar nga gjykata në Republikën e Kosovës;

    Sigurim shëndetësor;

    Vërtetim për adresën e vendbanimit.

    TAKSAT PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

    Për qëllime pune: 100 euro

    Për ribashkim familjar: 70 euro

    Lirim nga shtetësia: 50 euro

    Për humbje, dëmtim ose ri pajisje: 10 euro.

  • Pamje të frikshme të aksidentit tragjik në Rumani ku vdiq edhe tifozi shqiptar (VIDEO)

    Pamje të frikshme të aksidentit tragjik në Rumani ku vdiq edhe tifozi shqiptar (VIDEO)

    Shqiptari Vasil Palo ishte një nga 7 tifozët e PAOK-ut, që humbi jetën në aksidentin tragjik të ditës së martë në Rumani.

    Mjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion gjatë një parakalimi. Ata udhëtonin drejt Lionit në Francë për ndeshjen e radhës në Europë të klubit grek.

    Dyshohet se shkak i aksidentit u bë bllokimi i timonit për shkak të sistemit të asistencës së korsisë, raporton Top Channel.

    I afërmi i Vasilit, Thoma Nika, rrëfeu historinë e trishtueshme të shqiptarit, babai i të cilit po ashtu kishte ndërruar jetë në moshë të re, kur djali ishte i mitur.

  • Dallaveret me vota në Malishevë, avokati i njërit nga të ndaluarit: Klienti im vetëm i ka lexuar fletëvotimet

    Dallaveret me vota në Malishevë, avokati i njërit nga të ndaluarit: Klienti im vetëm i ka lexuar fletëvotimet

    Ergjyment Barbullushi, avokat i njërit nga të ndaluarit sot në Malishevë për dallaveret me vota, ka treguar pse klienti i tij sot është intervistuar.

    Para mediave, ai ka thënë se klienti i tij i ka treguar se procedura e numrit të votave është bërë sipas procedurës se paraparë ligjore.

    “Ai thotë se e ka pasur për detyrë vetëm t`i lexoi fletëvotimet dhe të caktoi se kush për kënd ka votuar, kurse evidentimi i deklarimeve është bërë nga kryesuesi i komisionit”, ka thënë avokati.

  • Avokati Doli: Rreth 60 persona janë intervistuar nga Prokuroria e Gjakovës, për manipulim me vota

    Avokati Doli: Rreth 60 persona janë intervistuar nga Prokuroria e Gjakovës, për manipulim me vota

    Avokati i njërit nga të intervistuarit nga Prokuroria e Gjakovës, për manipulim me vota në Malishevë, Egzon Doli, ka thënë se klienti i tij nuk ka qenë në rolin e komisionerit, dhe se me aq sa di ai, deri tash janë intervistuar, rreth 60 persona.

    “Procedura është në fazë të hershme. Klienti im është në cilësi të anëtarit të komisonit. Klienti im e përfundoi intervistimin. Nëse nuk gaboj rreth 60 persona janë intervistuar. Roli i klientit tim ka qenë në rolin e anëtarit dhe jo të komisionerit, por megjithatë mbetet të shihet çfarë pretendon prokuroria.” – tha ai, raporton Nacionale.

  • Vdekja e të miturit në lumin e Gadimes, Prokuroria në pritje të rezultateve të autopsisë

    Vdekja e të miturit në lumin e Gadimes, Prokuroria në pritje të rezultateve të autopsisë

    Një fëmijë nga Gadimja e Lipjanit, Zejn Zejnullahu, ka humbur jetën dje pasi dyshohet se ka rënë në lumin e Gadimes, ndërsa rrethanat e rastit janë duke u hetuar nga organet e drejtësisë.

    I mituri ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi pas përfundimit të mësimit. Pas disa orësh kërkimi, ai u gjet në lumin e Gadimes dhe u dërgua me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Nga QKUK është konfirmuar se fëmija kishte mbërritur pa shenja jete.

    “Pacienti ka ardhë pa shenja jete. Përkundër masave reanimuese, pacienti ka ndërruar jetë”, ka deklaruar doktoresha Dafina Basholli.

    Lidhur me rastin, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës, e cila në raportin 24-orësh ka bërë të ditur se kërkimi për të miturin kishte nisur menjëherë pas raportimit të zhdukjes.

    “Pas pranimit të informatës se viktima mashkull kosovar nuk është kthyer në shtëpi, është organizuar kërkimi, me ç’rast nga një dëshmitar viktima është gjetur në lumë. I njëjti është dërguar në QKUK, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen”, thuhet në raportin policor.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është angazhuar menjëherë në rast dhe se trupi i pajetë është dërguar për autopsi.

    “Prokurori i Shtetit në Departamentin për të Mitur, menjëherë pas marrjes së informatës, ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me hetuesit policorë. Prokurori ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet për autopsi dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    I ndjeri Zejn Zejnullahu ishte nxënës i shkollës fillore “Zejnel Hajdini” në Gadime. Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe në familje, shkollë dhe komunitet.

    Ngushëllime për vdekjen e tij kanë shprehur edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

  • Sarajeva hyn zyrtarisht në betejën ligjore për “Sarajevo Safari”

    Sarajeva hyn zyrtarisht në betejën ligjore për “Sarajevo Safari”

    Këshilli i Qytetit të Sarajevës miratoi një vendim në seancën e sotme, duke i dhënë pëlqimin Qytetit të Sarajevës për t’u bashkuar me procedurat penale që po zhvillohen para autoriteteve gjyqësore kompetente në Milano, Republika e Italisë, në lidhje me rastin “Sarajevo Safari”.

    Me vendimin e miratuar, Qyteti i Sarajevës bashkohet me procedurat penale të filluara kundër personave që morën pjesë në të shtënat me snajper dhe të shtënat ndaj qytetarëve të Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit.

    Kjo autorizon Kryetarin e Bashkisë së Qytetit të Sarajevës dhe Zyrën e Prokurorit të Qytetit të Sarajevës, brenda juridiksionit të tyre, të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, teknike dhe administrative në mënyrë që të bashkohen zyrtarisht me procedurat si palë e dëmtuar.

    Vendimi përfshin gjithashtu zbatimin e të gjitha aktiviteteve të nevojshme për të mbledhur të dhëna dhe dokumentacion përkatës mbi qytetarët e Sarajevës që u vranë nga të shtënat me snajper gjatë rrethimit të qytetit.

    Më 18 dhjetor 2025, Konsullata e Përgjithshme e Bosnjës dhe Hercegovinës në Milano, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të BiH, i dërgoi një letër Qytetit të Sarajevës në lidhje me procedurat gjyqësore në Milano kundër snajperëve që vepronin në Sarajevë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Qytetit të Sarajevës e mori letrën e lartpërmendur më 29 dhjetor 2025, dhe ajo deklaroi se kishte filluar procedurat para autoriteteve gjyqësore kompetente në Milano kundër personave – shtetas të Republikës së Italisë – të dyshuar për sulme snajperiste kundër qytetarëve të Sarajevës.

    Procedimi penal u iniciua me iniciativën e gazetarit investigativ italian Ezio Gavazzeni, në bashkëpunim me ish-gjyqtarin e procedurës penale Guido Salvani. Hetimi po zhvillohet nga prokurori Alessandro Gobbis, ndërsa pala e dëmtuar përfaqësohet pro bono nga avokati Nicola Brigida, i cili i ka dërguar një kërkesë Qytetit të Sarajevës në lidhje me mundësinë e bashkimit me procedurën si palë e dëmtuar.

    Në përputhje me dispozitat në fuqi të legjislacionit penal, pala e dëmtuar ka një pozicion të kufizuar procedural, por mund të ketë një rol të rëndësishëm në procedurë, varësisht nga faza e saj. Gjatë fazës së hetimit, pala e dëmtuar ka të drejtë të paraqesë një kërkesë për të drejtën pasurore, të propozojë paraqitjen e provave dhe të veprojë si ndihmës i prokurorit, duke marrë parasysh njohuritë për mjedisin në të cilin është kryer vepra penale, si dhe rrethanat që lidhen me palët e tjera të dëmtuara.

    Gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, roli i palës së dëmtuar fiton rëndësi shtesë, pasi ai ose ajo mund të thirret si dëshmitar, të paraqesë një kërkesë pasurore, të japë një fjalë përfundimtare dhe të apelojë vendimin.

    Veprimet e snajperëve gjatë agresionit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat përfshinin të shtënat sistematike të civilëve të paarmatosur, përfaqësojnë një traumë individuale dhe kolektive dhe një plagë të përhershme për qytetin e Sarajevës dhe qytetarët e saj. Gjatë rrethimit të qytetit, më shumë se 11,000 civilë humbën jetën, përfshirë një numër të madh fëmijësh.

    Kryerja e procedurave penale kundër personave përgjegjës dhe dënimi përfundimtar i autorëve të krimit përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave themelore shoqërore – të drejtës për jetë, integritetit personal dhe rendit publik – ruajtjen e rendit ligjor, si dhe përmbushjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave dhe familjeve të tyre.

    Me miratimin e këtij vendimi, Qyteti i Sarajevës si institucion mundësohet të marrë pjesë aktive në procedurat penale, duke kontribuar kështu në përcaktimin e së vërtetës, ruajtjen e kulturës së kujtesës dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj.

    Nuk kërkohen burime shtesë financiare për zbatimin e vendimit të lartpërmendur. /Vijesti

  • Të dënuar për vrasje në tentativë e vjedhje të rëndë, Policia në Gjakovë arreston dy të arratisur

    Të dënuar për vrasje në tentativë e vjedhje të rëndë, Policia në Gjakovë arreston dy të arratisur

    Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës ka arritur t’i lokalizojë dhe arrestojë dy persona, të kërkuar me urdhër-arrest gjyqësor të cilët ndodheshin në arrati.

    Policia ka arrestuar L.K, mashkull 30 vjeç, i dënuar për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Lëndim i lehtë trupor” me 1 vit e 8 muaj burgim, si dhe L.M mashkull, 27 vjeçar, i dënuar për veprën penale “Vrasje në tentativë” me 3 vite burgim, përfshirë edhe periudhën e arrestit shtëpiak 6 muaj.

    “Pas arrestimit të dy personat janë dërguar për vuajtje të dënimit konform vendimeve gjyqësore”, thuhet në njoftim.

  • Zbatimi i EES krijon kaos në kufij, rrezikohet qarkullimi i mallrave drejt BE-së

    Zbatimi i EES krijon kaos në kufij, rrezikohet qarkullimi i mallrave drejt BE-së

    Pas zbatimit të Sistemit të Hyrje/Daljeve (EES) nga Bashkimi Evropian, transportues nga disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen. Si pasojë, janë shkaktuar vonesa të mëdha dhe ndërprerje serioze në zinxhirin e furnizimit.

    Lidhur me këtë situatë, Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur alarmin për pasojat ekonomike që po shkaktohen nga bllokadat kufitare. Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, ka paralajmëruar se këto bllokada po shkaktojnë humbje mbi një miliard dollarë në ditë në qarkullimin e mallrave ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

    Sipas Shahinit, përveç humbjeve direkte financiare, kompanitë po përballen edhe me kosto shtesë, pasi janë të detyruara të gjejnë shoferë të rinj për shkak të pritjeve të gjata dhe ndërprerjeve në transport.

    Ndërkohë, ekonomisti Jakup Bellaqa ka vlerësuar se ky sistem po i shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike rajonit, veçanërisht për shkak të vonesave në dorëzimin e mallrave dhe pengesave në tregti.

    Si një vend që importon një pjesë të madhe të mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndiejë drejtpërdrejt pasojat e këtyre bllokadave në qarkullimin e mjeteve transportuese.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka njoftuar se, sipas informacioneve të pranuara nga autoritetet kufitare të Serbisë, pritet ndërprerje e qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.

  • I shpëtohet jeta 37-vjeçares në Spitalin e Mitrovicës, pati gjakderdhje nga shtatzënia jashtë mitre

    I shpëtohet jeta 37-vjeçares në Spitalin e Mitrovicës, pati gjakderdhje nga shtatzënia jashtë mitre

    Një 37-vjeçare nga Mitrovica i është shpëtuar jeta falë ndërhyrjes emergjente të stafit të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri”.

    Pacientja B. SH. (1988) u paraqit në Shërbimin Emergjent në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të shokut hemorragjik për shkak të humbjes së madhe të gjakut.

    Pas ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua një shtatzëni ektopike cornuale, një rast i rrallë që paraqitet në 2–4% të shtatzënive jashtë mitrës, i shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.

    Falë reagimit të shpejtë dhe koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipin e Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Anestezionit dhe shërbimet mbështetëse, u krye një laparotomi urgjente, e cila rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.