ATV

Category: Lajme

  • Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit është anti-kushtetuese

    Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit është anti-kushtetuese

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka marrë sot një vendim në lidhje me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga minoriteti serb, nuk përputhet me Kushtetutën.

    Përmes një njoftimi për media Gjykata ka bërë të ditur se pozita e nënkryetarit serb, i takon grupit parlamentar me më së shumti deputet nga komunitetet.

    “Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gjykata Kushtetueses.

    Gjithashtu, në aktgjykim thuhet se mekanizmat e debllokimit, përfshirë që votimi për kandidatin/en e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për të njëjtin kandidat, dhe procedura e shortit duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh edhe afatet kohore të përcaktuara në Kushtetutë, në mënyrë që organi legjislativ të bëhet funksional brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, sikurse përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës.

    “Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

    Njoftimi i plotë

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 28 janar 2026, ka vendosur në rastin KO325/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve nga seanca e Kuvendit të Kosovës”, e mbajtur më 10 tetor 2025, të parashtruar nga Igor Simić dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Gjykata, ka vendosur: (i) të deklarojë, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme.

    Aktgjykimi fillimisht sqaron se parashtruesit e kërkesës kontestuan “procesverbalet nga seanca e Kuvendit të Kosovës”, e mbajtur më 10 tetor 2025, për të cilat pretenduan se janë në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, pikën 1 të paragrafit 6 të nenit 12 [Zgjedhja e Nënkryetarëve të Kuvendit] të Rregullores së Kuvendit, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës, përfshirë Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO265/25. Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata të vendosë masë të përkohshme.

    Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të saj në rastin KO265/25, më 10 tetor 2025, vazhdoi Seanca Konstitutive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të fundit të Kuvendit, gjegjësisht nënkryetarit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb. Kryetari i zgjedhur i Kuvendit ftoi përfaqësuesin e shumicës së deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb që të propozojë me shkrim dhe verbalisht kandidatin apo kandidaten për nënkryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ky i fundit propozoi deputetin Slavko Simić. Duke qenë se votimi dështoi për 3 (tri) herë radhazi për kandidatin e propozuar, për shkak se i njëjti nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, procedura e propozimit dhe votimit për nga 3 (tri) herë u përsërit edhe për 8 (tetë) prej deputetëve tjerë të propozuar nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, votime këto të cilat dështuan në secilin rast. Në të njëjtën ditë, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit kërkoi nga përfaqësuesi i shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb që të propozojë deputetin e radhës të pakandiduar deri në atë moment nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, respektivisht, deputetin Nenad Rašić. Megjithatë, si rezultat i refuzimit për të propozuar të njëjtin nga radha e shumicës së deputetëve të komunitetit Serb, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit vlerësoi se deputetët e këtij komuniteti po “refuzojnë” që të propozojnë kandidatin e pakandiduar deri në ato momente, prandaj vazhdoi me procedurën e shortit të përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, me ç’rast, konstatoi se ka mbetur vetëm një kandidat pa u votuar 3 (tri) herë radhazi dhe hodhi në votim emrin e tij. Deputeti Nenad Rašić mori 71 (shtatëdhjetë e një) vota për, 9 (nëntë) kundër dhe 24 (njëzet e katër) abstenime. Me këtë rast, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit konstatoi se ishte zgjedhur edhe nënkryetari i fundit i Kuvendit, përkatësisht nënkryetari nga komuniteti Serb, dhe e përmbylli Seancën Konstituive të Kuvendit, e cila kishte filluar më 15 prill 2025.

    Në meritat e kërkesës, Gjykata konstatoi se objekt i vlerësimit në këtë rast, është çështja nëse procedura për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nëpërmjet Vendimit [Nr.09-V-071] të Kuvendit të 10 tetorit 2025, është në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit.

    Duke iu referuar parimeve të përgjithshme që burojnë nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, të cilat janë të përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës, e që janë relevante në rrethanat e rastit konkret, rezulton se: (i) Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe 5 (pesë) nënkryetarë, të cilët formojnë Kryesinë e Kuvendit; (ii) 3 (tre) nënkryetarë propozohen nga 3 (tri) grupet më të mëdha parlamentare; ndërsa 2 (dy) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend, përkatësisht komunitetin Serb dhe komunitet tjera që nuk janë shumicë; si dhe (iii) në mënyrë që të zgjedhën kandidatët për Kryetar/e dhe nënkryetarë, kërkohen votat e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht 61 (gjashtëdhjetë e një) vota.

    Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.

    Aktgjykimi më tutje sqaron se mekanizmat e debllokimit, përfshirë (i) që votimi për kandidatin/en e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për të njëjtin kandidat; dhe (ii) procedura e shortit, duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh edhe afatet kohore të përcaktuara në Kushtetutë, në mënyrë që organi legjislativ të bëhet funksional brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, sikurse përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës.

    Siç është elaboruar në Aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve.

    Ky parim ka rëndësi veçanërisht duke pasur parasysh përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilët nuk i kanë votat e nevojshme për të siguruar zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Kryesinë e Kuvendit.

    Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë.

    Gjykata në fund sqaron që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky Aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues.

  • Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

    Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

    Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar më 22 janar një operacion policor në kuadër të hetimeve të koordinuara ndërkombëtarisht, përmes EUROPOL-it dhe Prokurorisë Distriktuale të Republikës së Katanias. Operacioni, i njohur si “Switch Off”, që synon goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive.

    Gjatë aksionit në Kosovë, janë bastisur dy lokacione – një në Prishtinë dhe një në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit – nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Cenim i të drejtave të autorit” dhe “Shpëlarja e parave”.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy lokacione, ku është sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të implikuar”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicialet P.B.

    Operacioni është zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali dhe Rumani, duke çrrënjosur një infrastrukturë informatike që shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, përmes një sistemi sofistikuar IPTV. Në hetim kanë bashkëpunuar gjithashtu Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.

    “Operacioni tregon përkushtimin tonë të palëkundur në luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.

    Sekuestrimi i paisjeve kompjuterike dhe bazave të të dhënave ka ndërprerë aktivitetet e paligjshme të këtij grupi në Kosovë dhe në disa shtete të tjera, duke dërguar një mesazh të qartë për goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive.

  • Trump paralajmëron Iranin: Bëj marrëveshje ose goditja e radhës do të jetë më e keqe

    Trump paralajmëron Iranin: Bëj marrëveshje ose goditja e radhës do të jetë më e keqe

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit të mërkurën që të ulet në tryezën e negociatave për armët bërthamore, duke paralajmëruar se një sulm i ardhshëm amerikan do të jetë shumë më i ashpër nëse Teherani nuk pranon të arrijë një marrëveshje.

    “Shpresojmë që Irani të ulet në tryezë shpejt dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – jo armë bërthamore – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, është vërtet thelbësore”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.

    Presidenti republikan, i cili gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore shumëkombëshe e vitit 2015 me Iranin, paralajmëroi se sulmi i ardhshëm amerikan do të jetë më i ashpër. “Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq! Mos e bëni këtë të ndodhë përsëri”, shtoi ai, duke njoftuar gjithashtu se një tjetër “armadë” po lundron drejt Iranit.

    Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se nuk kishte qenë në kontakt me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, ditët e fundit dhe nuk kishte kërkuar negociata, sipas raportimeve të mediave shtetërore të mërkurën.

    Ndërkohë, SHBA-ja ka njoftuar nisjen e stërvitjeve ushtarake në Lindjen e Mesme, në një moment kur tensionet me Iranin po rriten. Një ditë më parë, në rajon ka arritur edhe aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln”.

    LEXONI EDHE:

    Turqia i dërgon mesazh të qartë ShBA-së: Gaboni nëse e sulmoni Iranin

     

  • Shembja e dheut shkakton mungesë uji në disa fshatra të Shtimes

    Shembja e dheut shkakton mungesë uji në disa fshatra të Shtimes

    Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Komunës së Shtimes do të përballet sërish me furnizim të kufizuar dhe presion të ulët të ujit të pijshëm, për shkak të problemeve teknike në stacionin e pompimit në Rashincë.

    Sipas njoftimit të KRU “Prishtina”, shembja e vazhdueshme e dheut në ujërat nëntokësore ka shkaktuar turbullira në stacion, konkretisht në pusin nr. 2 të nënstacionit të Rashincës. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe sasinë e ujit të furnizuar për konsumatorët.

    “Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Komunës së Shtimes, përkatësisht fshatrat Davidovc, Rashincë, Muzeqinë, Gjurkovc, Vojnovc dhe Gllavicë, do të përballen sërish me furnizim të kufizuar dhe presion të ulët të ujit të pijshëm”, thuhet në njoftim.

    Banorëve të këtyre zonave u rekomandohet të shfrytëzojnë ujin me kujdes deri në normalizimin e gjendjes.

    “Furnizimi do të përmirësohet menjëherë sapo shërbimet laboratorike të konstatojnë se uji është i pijshëm dhe i përshtatshëm për përdorim”, thekson KRU “Prishtina”.

  • Kryeprokurori i Gjakovës pas aksionit në Malishevë: 15 kryesues janë ndaluar për 48 orë, hetimet do të vazhdojnë

    Kryeprokurori i Gjakovës pas aksionit në Malishevë: 15 kryesues janë ndaluar për 48 orë, hetimet do të vazhdojnë

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Enis Gashi në konferencën e sotme ka thënë se nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar 15 kryesues dhe 43 komisionerë.

    “15 kryesues janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të vendosë në lidhje me masën e sigurisë, ndërsa për 43 komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale”, tha ai.

    Ai tha se në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të departamentit për krime të rënda.

    Gashi shtoi se hetimet do të vazhdojnë edhe më tutje, edhe për kryesuesit e komisionerët e tjerë që “nuk kanë arritur t’i kenë prezent”.

  • Pse amerikanët ngjitin pasaportat në kokë – trend i çuditshëm që po përhapet

    Pse amerikanët ngjitin pasaportat në kokë – trend i çuditshëm që po përhapet

    Amerikanët kanë filluar të ndajnë në rrjetet sociale video ku mbajnë pasaporta të ngjitura në kokë. Ata bëjnë këtë si reagim ndaj shtimit të shqetësimeve rreth veprimeve të Shërbimit të Doganave dhe Imigracionit të SHBA-së (ICE).

    Në këto video virale shpjegohet se ata duan të tregojnë paraprakisht provën e shtetësisë së tyre para se dikush të pyesë për të.

    Në një video të publikuar nga krijuesi i përmbajtjes @dotish001 në TikTok, ai shfaqet duke ecur në rrugë me pasaportën të ngjitur në kokë. Videoja është parë më shumë se shtatë milionë herë. Në video ai thotë “kështu lëvizim tani. Para se të më pyesni nëse jam qytetar dhe ku është pasaporta ime, tashmë e shihni vetë”.

    I njëjti krijues – i cili thotë se është nga Nigeria dhe jeton në Columbus, Ohio – ka postuar edhe një video tjetër ku mban në kokë patentën e vozitjes, me titull “Më falni, zonjë ICE”, për të treguar sesi lëvizin personat me karta të qëndrimit (“green card”).

    Edhe krijuesja Yvonne Mugure, e cila thotë se jeton midis Phoenix-it në Arizona dhe Nairobi-t në Kenia, ka ndarë një video ku mban pasaportën në kokë me mbishkrimin: “Kështu lëvizim tani ndërsa jetojmë në Amerikë”.

    Ky trend ka nisur që në dhjetor, por ka marrë vëmendje të madhe pas dy incidenteve vdekjeprurëse në Minneapolis, ku punonjës të agjencive federale kanë qëlluar për vdekje dy persona në një periudhë më pak se tre javë. Këto ngjarje kanë nxitur protesta dhe diskutime rreth mënyrës se si ICE vepron.

    VIDEO

    Në vitin 2025, 32 njerëz vdiqën gjatë mbajtjes nën kujdestarinë e ICE, shifra më e lartë në dy dekadat e fundit. Agjencia është kritikuar edhe për arrestime pa proces ligjor, ndalimin e fëmijëve dhe profilizim racor.

    Autori @dotish001 ka shpjeguar në komentet e tij se videoja ishte një reagim ndaj situatave ku njerëzit ndalohen dhe pyesin për shtetësinë, dhe ideja ishte të “jepnin përgjigje para se të vinte pyetja.”

    Nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) thanë se dokumentet e lëshuara sipas standardit REAL ID vërtetojnë identitetin, por nuk tregojnë statusin e imigracionit. Sipas rregullave amerikane, personat që nuk janë qytetarë duhet të mbajnë dokumentet e tyre të imigracionit me vete.

  • Dollari amerikan bie në nivelin më të ulët në katër vite

    Dollari amerikan bie në nivelin më të ulët në katër vite

    Dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2022, duke shënuar një dobësim të ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare valutore. Rënia vjen mes shqetësimeve të investitorëve për paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

    Gjatë ditës së djeshme, dollari humbi rreth 1.3 për qind kundrejt një shporte monedhash kryesore, ndërsa në baza vjetore rënia e tij ka arritur afërsisht 10 për qind. Kjo përbën humbjen më të madhe ditore të monedhës amerikane që nga prilli i vitit të kaluar, raporton theguardian.

    Presidenti amerikan, Donald Trump reagoi ndaj zhvillimeve duke deklaruar se dollari “po ecën shumë mirë”, deklaratë që u interpretua nga tregjet si mungesë shqetësimi për dobësimin e monedhës dhe që kontribuoi më tej në presionin negativ mbi dollarin.

    Analistët e lidhin rënien me pasigurinë rreth politikave tregtare, kërcënimet për vendosjen e tarifave të reja dhe tensionet gjeopolitike, si dhe me dyshimet për ndërhyrje politike në politikat e Rezervës Federale.

    Ndërkohë, euroja dhe franga zvicerane janë forcuar ndjeshëm, duke arritur nivele më të larta shumëvjeçare. Edhe ari ka shënuar rritje rekord, duke kaluar nivelin 5200 dollarë për “unce”, pasi investitorët kërkojnë asete të sigurta në kohë pasigurie.

    Ekspertët paralajmërojnë se dobësimi i dollarit mund të vazhdojë edhe në muajt në vijim, nëse pasiguria politike dhe ekonomike në SHBA nuk zbutet.

    Rënia e monedhës amerikane pritet të sjellë përfitime për kompanitë eksportuese, por edhe rritje të çmimeve për mallrat e importuara për konsumatorët amerikanë.

  • Pas arrestimit për ryshfet, Rama pezullon nga puna tre zyrtarët komunalë

    Pas arrestimit për ryshfet, Rama pezullon nga puna tre zyrtarët komunalë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka pezulluar nga puna tre zyrtarë komunalë të cilët u arrestuan dje për marrje ryshfeti.

    Rama ka thënë se pezullimi nga puna të zyrtarëve komunalë do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore.

    Ai ka thënë se institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe do të ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin.

    “Njoftoj opinioni publik se, sot, kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre! Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që Kryeqyteti rithekson përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin. Kryeqyteti mbetet i përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”, ka thënë ai.

  • Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga Gjini në Gjakovë, marrin mbështetje për marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga Gjini në Gjakovë, marrin mbështetje për marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesja e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha, ka vizituar sot Komunën e Gjakovës, e cila përveç takimeve të shumta me qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, është pritur në takim edhe nga Kryetari i Komunës, Ardian Gjini.

    Gjatë takimit, Eliza Hoxha e njoftoi Kryetarin Gjini me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shprehu mbështetje të plotë për këtë iniciativë qytetare dhe u bëri thirrje qytetarëve të Gjakovës dhe mbarë Kosovës që të marrin pjesë në marsh.

    “Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg çdo ndikimi politik. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është një thirrje e drejtë qytetare dhe i ftoj qytetarët e Gjakovës, por edhe të gjithë Kosovën, që më 17 shkurt të jenë pjesë e këtij marshimi paqësor për drejtësi të vërtetë”, ka thënë Gjini.

    Nga ana e saj, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Kryetari i Komunës dhe qyteti i Gjakovës.

    “Kur mbështetja për drejtësi vjen nga qytetet me histori të madhe sakrifice si Gjakova, kjo kauzë merr edhe më shumë peshë. Më 17 shkurt, marshojmë bashkë për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi të politizuar”, tha Hoxha.

    Platforma Liria ka Emër tha se do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton Drejtësi, jo politikë!

  • Manipulimi i votave, Qalaj mbledh kryeprokurorët – kërkon unifikim të hetimeve

    Manipulimi i votave, Qalaj mbledh kryeprokurorët – kërkon unifikim të hetimeve

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u diskutua trajtimi i rasteve që lidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë takimit, Qalaj ka vlerësuar angazhimin e prokurorëve të shtetit gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se institucionet e prokurorisë kanë vepruar me profesionalizëm dhe vigjilencë.

    “Gjatë procesit zgjedhor, prokuroritë kanë vepruar në përputhje me kompetencat ligjore, me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë”, ka deklaruar Qalaj.

    Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka informuar të pranishmit për koordinimin ndërmjet Koordinatores Nacionale dhe prokurorive, lidhur me rastet kur është evidentuar ose dyshuar për cenim të procesit zgjedhor.

    Ajo ka bërë të ditur se prokuroritë themelore kanë ndërmarrë veprime konkrete në rastet e dyshimeve për keqpërdorim apo falsifikim të votave, duke përfshirë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante.

    Edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore kanë raportuar për veprimet hetimore të zhvilluara, veçanërisht në rastet e dyshimeve për manipulim të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    Në përmbyllje të kolegjiumit, u.d. Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar unifikim të veprimeve dhe praktikave hetimore në të gjitha prokuroritë.

    “Është e domosdoshme që trajtimi i rasteve që ndërlidhen me keqpërdorimin apo falsifikimin e votave të bëhet në mënyrë të unifikuar dhe sa më efikase në nivel vendi”, ka theksuar Qalaj. /Telegrafi/