ATV

Category: Lajme

  • Certifikohen 15 zyrtarë korrektues në Dubravë

    Certifikohen 15 zyrtarë korrektues në Dubravë

    Në Burgun e Dubravës është realizuar certifikimi i 15 zyrtarëve korrektues, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin për ndihmën e parë.

    Sipas njoftimit zyrtar, ky trajnim është zhvilluar në kuadër të programeve të rregullta të trajnimit të stafit dhe ka pasur për qëllim forcimin e njohurive bazë për reagim të shpejtë në situata emergjente.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të jetë i përkushtuar në zhvillimin profesional dhe edukativ të stafit, duke investuar në trajnime që rrisin sigurinë, përgjegjësinë dhe cilësinë e shërbimit”.

  • Të shtëna me armë në Podujevë, një person terrorizon qytetin me kallashnikov

    Të shtëna me armë në Podujevë, një person terrorizon qytetin me kallashnikov

    Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar para pak minutave në qendër të Podujevës, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët.

    Sipas pamjeve që ka siguruar IndeksOnline, një person pasi ka shtënë me armë shihet duke u larguar me kallashnikov në dorë.

    Lidhur me rastin, IndeksOnline ka kontaktuar Policinë e Kosovës. Nga policia bëhet e ditur se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

    “Rreth orës 13:30 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar”, ka deklaruar për IndeksOnlinen Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.

    Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që karakterizojnë këtë rast.

    Bazuar në të dhënat fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar.

  • Kurti me ministra ndërojnë 17 civilët e vrarë në komunën e Gjakovës

    Kurti me ministra ndërojnë 17 civilët e vrarë në komunën e Gjakovës

    Kryeministri i në detyrë, Albin Kurti i shoqëruar nga ministra të kabinetit të tij dhe zyrtarë të Vetëvendosjes kanë marrë pjesë në përkujtim të 17 civilëve të pafajshëm ndër ta edhe katër martirët e familjes Lleshi.

    Ejup Maqedoni ka thënë se kjo tragjedi mbetet një nga plagët më të rënda të Gjakovës dhe dëshmi e çmimit të lartë të lirisë sonë.

  • Reagon zyrtarja që u përfshi në skandalin seksual në Mal të Zi: Presidenti ka dështuar të veprojë

    Reagon zyrtarja që u përfshi në skandalin seksual në Mal të Zi: Presidenti ka dështuar të veprojë

    Mirjana Pajkoviq, ish-sekretareshë në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi, foli në një intervistë për televizionin online të portalit Dan rreth skandalit seksual që ka shpërthyer në këtë vend, ku ajo është protagonistja kryesore.

    Ajo foli për kërcënimet dhe shantazhet ndaj saj, të cilave pretendon se i është nënshtruar nga Dejan Vukshiq, ish-këshilltar i presidentit dhe ish-drejtor i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare.

    Pajkoviq u shpreh se shteti ka reaguar në mënyrë jo adekuate ndaj trajtimit të dhunës ndaj saj gjatë një periudhe të gjatë kohore, përfshirë kërcënime serioze që nuk kanë rezultuar në arrestime.

    Ajo shtoi se edhe “presidenti i shtetit ka dështuar të veprojë” ndaj ankesave të saj.

    Ish-zyrtarja theksoi se rasti i saj tregon se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe se në Mal të Zi mungon barazia gjinore dhe mbrojtja e të drejtave themelore, raportojnë mediat.

    Në intervistë Pajkoviq apeloi veçanërisht tek gratë “që të mos heshtin përballë sulmeve apo abuzimeve”, duke thënë se ajo vetë e konsideron heshtjen e saj fillestare si një “gabim”.

    Ajo ka treguar se “Vukshiq ka qenë i durueshëm dhe e ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se nuk do të ketë jetë në Mal të Zi për të”, për shkak të një materiali komprometues, pasi ajo refuzoi të vepronte sipas kërkesave të tij.

    Pajkoviq ka ngritur disa kallëzime penale kundër Vukshiqit dhe si juriste vlerëson se ligjet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të adresuar krimet e sotme, përfshirë shantazhet dhe kërcënimet me pasoja të gjerë personale dhe profesionale.

    Në mbështetje të grave të cilat përballen me diskriminim, fyerje ose forma të tjera të trajtimit jo të duhur dhe veprave jo ligjore, Institucioni i Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive ka bërë thirrje për ndalimin e fushatave stigmatizuese dhe frikësuese ndaj Pajkoviq.

    Sipas këtij institucioni, askush – pavarësisht funksionit publik që mban apo ka mbajtur – nuk e humb të drejtën për privatësi, dinjitet dhe mbrojtje kundër dhunës.

    Prokuroria Themelore në Podgoricë ka formuar dy raste në lidhje me kallëzimet e Pajkoviqit, ndërsa Vukshiq ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me krijimin apo shpërndarjen e materialeve komprometuese që janë shfaqur në publik.

  • Arrestohet i dyshuari që shtiu me armë në Podujevë

    Arrestohet i dyshuari që shtiu me armë në Podujevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin i cili ka shtënë me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

    Kështu ka konfirmuar për “Sinjalin” zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin. Bazuar në të dhënat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar”, ka shtuar ajo.

  • Turqia i dërgon mesazh të qartë ShBA-së: Gaboni nëse e sulmoni Iranin

    Turqia i dërgon mesazh të qartë ShBA-së: Gaboni nëse e sulmoni Iranin

    Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka dërguar një mesazh të qartë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj Iranit do të ishte i gabuar dhe se rifillimi i një konflikti do të ishte i rrezikshëm.

    Ai gjithashtu theksoi se Irani është i gatshëm të ulet përsëri në tryezën e bisedimeve për çështjen bërthamore, duke ofruar mundësi për një zgjidhje diplomatike.

    Në një kohë kur një flotë e madhe amerikane po lëviz drejt Iranit, presidenti Donald Trump ka thënë se do ta dojë që të mos ndodhte asgjë.

    Fidan u shpreh se negociatat duhet të zhvillohen çështje për çështje dhe jo si një paketë e vetme.

    “Këshilla ime për miqtë amerikanë është që të mbyllin çështjet me iranianët një nga një. Filloni me dosjen bërthamore, mbylleni atë, dhe mos e trajtoni si një paketë”, tha ministri turk.

    Ai shtoi se trajtimi i të gjitha çështjeve njëkohësisht mund të jetë i vështirë për palën iraniane dhe mund të duket poshtëruese për udhëheqësinë e tyre.

    “Nëse mund t’i bëjmë gjërat më të pranueshme dhe më të lehta për t’u toleruar, kjo do të ndihmonte shumë në procesin e negociatave”, shtoi Fidan.

  • Katër vite burg për ish-senatorin francez që drogoi një deputete për të abuzuar seksualisht me të

    Katër vite burg për ish-senatorin francez që drogoi një deputete për të abuzuar seksualisht me të

    Një ish-senator francez është dënuar me katër vjet burg pasi u shpall fajtor për drogatimin e një deputeteje me qëllim për ta sulmuar seksualisht. Joel Guerriau do të vuajë 18 muaj në burg, ndërsa është urdhëruar t’i paguajë Sandrine Jossos 5.000 euro dëmshpërblim për vuajtjen emocionale të shkaktuar.

    68-vjeçari dyshohet se në nëntor të vitit 2023 e kishte ftuar Jossos, deputete e Asamblesë Kombëtare Franceze, në banesën e tij në Paris, ku kishte pranuar se i kishte hedhur drogë në pije. Guerriau, i cili ka shërbyer si senator i rajonit Loire-Atlantique nga viti 2011 deri më 2025, ka pretenduar se veprimi ishte aksidental dhe se nuk kishte qëllim për ta sulmuar seksualisht. Avokatët e tij kanë paralajmëruar ankimim ndaj vendimit, shkruan The Independent.

    Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga mediat franceze, Jossos kishte shkuar në shtëpinë e Guerriaus për të festuar rizgjedhjen e tij. Ajo filloi të ndihej keq pasi kishte pirë një gotë shampanjë me shije të pazakontë. Kur Guerriau këmbënguli që të ngrinin edhe një dolli tjetër, deputetja u alarmua dhe shkoi në spital me ndihmën e një miku. Raporti toksikologjik zbuloi se në trupin e saj kishte tre herë më shumë MDMA sesa doza rekreative.

    “Shkova për të vizituar një mik dhe zbulova një agresor,” ka deklaruar Jossos gjatë dëshmisë së saj. “Ai më shikonte me ngulm, nuk e kisha parë kurrë në atë mënyrë. Nuk doja ta tregoja dobësinë time sepse kisha frikë se nëse i thosha që nuk ndihesha mirë, do të më detyronte të shtrihesha.”

    Guerriau ka thënë se po kalonte një periudhë të vështirë shëndetësore dhe vuante nga depresioni. Ai ka pretenduar se kishte marrë drogën një natë më parë dhe se aksidentalisht ia kishte hedhur Jossos. “Me pak fjalë, jam një idiot,” ka thënë ai, duke shtuar: “Ndjej keqardhje. Jam i neveritur nga vetja, nga pakujdesia dhe budallallëku im.”

    Ai ka shprehur gjithashtu dëshirën për të folur publikisht për rreziqet e drogave, duke theksuar se “nuk flitet mjaftueshëm për efektet e këtyre substancave”. Ish-senatori ka shtuar se nuk mban mend të ketë bërë kërkime në internet për ekstazin dhe se mendimet e tij ishin spontane, duke kërkuar më shumë vëmendje nga qeveria për ngjarje të tilla.

    Pas ngjarjes, Jossos u detyrua të marrë gjashtë muaj pushim nga puna dhe i janë nxjerrë katër dhëmbë për shkak të shtrëngimit të nofullës nga stresi. Prokurori Benjamin Coulon ka theksuar se Guerriau kishte votuar vetë ligjin që e bën vepër penale administrimin e një substance të dëmshme me qëllim kryerjen e përdhunimit apo sulmit seksual.

    “Ajo që kam përjetuar është ende shumë e dhimbshme,” ka thënë Jossos. “Trauma psikologjike është sikur të jesh e ngrirë në kohë… trembem për gjënë më të vogël. Jam bërë shumë e ndjeshme.”

  • Mbrohen në heshtje katër të akuzuarit për fajde

    Mbrohen në heshtje katër të akuzuarit për fajde

    Në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Istog në seancën e së mërkurës në gjykimin për fajde, katër të akuzuarit Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi dhe Isuf Thaqi shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje.

    Më pas, sipas procesverbalit, prokurorja Sadije Muriqi dhe mbrojtja e të akuzuarve deklaruan se nuk kanë mundur të përgatiten për fjalën përfundimtare dhe një ndër arsyet ka qenë mospajisja me procesverbalin e seancës së kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Andaj, ata kërkuan që dhënia e fjalës përfundimtare të shtyhet për një ditë tjetër.

    Në këto rrethana, seanca u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet në muajin shkurt.

    Sipas procesverbalit, mbrojtësja e Isuf Thaqit, avokatja Majlinda Kollçaku, ua dorëzoi palëve autorizimin e kredisë në emër të të mbrojturit të tij.

    Administrimin e kësaj prove e kundërshtoi prokurorja Sadije Muriqi, me arsyetimin se nuk është kontestuese fakti që i akuzuari Thaqi ka marrë kredi, por kjo provë nuk e arsyeton nëse i akuzuari këtë shumë të të hollave e ka marrë kredi me qëllim që t’ia japë borxh të dëmtuarit.

    Prokurorja po ashtu kundërshtoi administrimin si provë aktvendimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, të dorëzuar nga mbrojtësja e të akuzuarit Xhevdet Cacaj, avokatja Venera Gashi-Selmanaj, me të cilin tha se është hudhur poshtë kallëzimi penal ndaj të mbrojturit të saj, me të cilin pretendohej se ai kishte kanosur Rifat Jasiqin dhe Sh.J.

    Sipas prokurores, vetë i dëmtuari ka deklaruar se nuk ka mundur ta arsyetojë me ndonjë provë kanosjen, ngase ka qenë vetëm dhe s’ka pasur kamera.

    Më pas, gjykatësi Petrit Nrecaj aprovoi propozimet e mbrojtjes së Thaqit dhe asaj të Cacajt.

    Ndryshe, edhe në këtë seancë mungoi i dëmtuari Rifat Jasiq, i cili meqenëse nuk e ka obligim pjesëmarrjen, në seancat e kaluara kishte deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm, por do të përfaqësohet nga përfaqësuesja e tij, avokatja Xhevahire Kloopner.

    Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq. Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale dhe i njëjti është dënuar me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për “Fajde”. Ai po ashtu obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në afat prej 30 ditësh t’ia kompensojë të dëmtuarit Jasiq 16 mijë e 650 euro.

    Kurse, për të akuzuarin Shërbim Berisha pocedura është veçuar më 28 tetor 2025. Ndërkaq, për të akuzuarin Arbër Gashi, proceduar u veçua në seancën e 27 janarit 2026.

    Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.

    Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.

    Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.

    I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.

    I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.

    I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.

    I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.

    I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.

    I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.

    I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.

    Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.

    Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës.

  • A duhet Kosova të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 16 vjeç? Sogojeva: Duhet të bëhet një analizë

    A duhet Kosova të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 16 vjeç? Sogojeva: Duhet të bëhet një analizë

    Ndonëse u sugjerua që edhe Kosova të veprojë ngjashëm sikurse Franca dhe Australia që të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16-vjecare, por që fillimisht parapëlqehet që bëhet një analizë e thuktë dhe jo të dihet nëse po bëhet mirë apo keq në ndalim, raporton Ekonomia Online.

    Krenare Sogojeva-Dermaku, kominisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësisë e pyetur rreth kësaj në një diskutim që organizuar FOL në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e ku temë e diskutimit ishte: “Edukimi i të rinjve dhe informimi publik: Sfidat dhe mundësitë në mbrojtjen e të dhënave personale”, tha se në parim ndalimi i teknologjisë nuk bën nder.

    “Në parim ndalimi i teknologjisë nuk është se na bën nder neve si Kosovë dhe kjo nuk na bën nder dhe këtë nuk e shoh në kuptimin e asaj që ne nuk kemi mundësi me përdor internetin. Në kuptimin e sigurisë së vendit duke pasur parasysh mungesën e domenit zyrtar në Kosovë dhe mundësisë së jashtëzakonshme të ofruesve të shërbimeve të internetit nga vendet fqinje, që një nga ta është armiku jonë. Prandaj në këtë aspekt jam shumë skeptike të jap një përgjigje duhet apo nuk duhet, sepse qytetari është i prirë që dëshirën dhe rutinën që e ka krijuar në përdorimin e rrjeteve sociale ta kërkojë një zgjidhje diku tjetër dhe shumë lehtë e merr një ofrues shërbimesh nga shteti fqinj e që aty dy herë rrezikon veten e vet. Këtë e them vetëm në parim. Se si mund të trajtohet kjo, unë mendoj se ka zgjidhje dhe duhet të bëhet një analizë. Sa i përket moshës, dhe jemi përballë TikTok-ut si kompani dhe kemi arritur si Agjenci në komunikimet tona me përfaqësues të TikTok-ut që nga 13 që e ka pasur, në Kosovë të bëhet 16”, tha ajo.

    Sogojeva – Dermaku tha se çdo vendim mund të atakojë dhe mund të ketë ndikim në përditshmërinë e njerëzve.

    “Në çdo vendim që atakojë, mund të ketë ndikim në përditshmërinë e njerëzve dhe të rinjve, duhet të bëhet një analizë e thuktë: a po bëjmë mirë që e ndalim, apo po bëjmë keq, apo cili është mesi i artë i cili do të mund të jetë i përshtatshëm pa rreziku fëmijët tanë”, tha ajo.

  • Mediat sociale dhe fëmijët, kërkohet qasje e kujdesshme para çdo ndalimi

    Mediat sociale dhe fëmijët, kërkohet qasje e kujdesshme para çdo ndalimi

    Sugjerimet që Kosova të ndalojë përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, sipas shembullit të disa vendeve evropiane, kërkojnë një analizë të thellë dhe të kujdesshme para se të merret një vendim i tillë.

    Kështu ka deklaruar Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionere në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, gjatë një diskutimi të organizuar nga FOL në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

    Ajo theksoi se ndalimi i teknologjisë në parim nuk është zgjidhje, duke paralajmëruar për rreziqet që mund të sjellë orientimi i qytetarëve drejt ofruesve të huaj të shërbimeve digjitale.

    Sogojeva-Dermaku shtoi se çdo vendim që ndikon në përditshmërinë e fëmijëve dhe të rinjve duhet të bazohet në një analizë të qartë për të gjetur “mesin e artë” që mbron fëmijët pa krijuar rreziqe të reja.