ATV

Category: Lajme

  • Prezantohet statuja e shkrimtarit Ismail Kadare aty ku zakonisht e pinte kafenë e mëngjesit në Shqipëri

    Prezantohet statuja e shkrimtarit Ismail Kadare aty ku zakonisht e pinte kafenë e mëngjesit në Shqipëri

    U prezantua sot mes dashamirëve statuja e shkrimtarit Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes.

    Statuja u prezantua sot në ceremoninë e mbajtur në Bar Juvenilja, aty ku statuja do të hijeshojë mjedisin për të gjithë dashamirësit e shkrimtarit.

    Shkrimtari ka një histori të veçantë me Bar Juvenilia, aty ai konsumonte kafenë e mëngjesit, kur ishte në Shqipëri, zakonisht në shoqërinë e botuesit të Onufrit, Bujar Hudhri.

    E pranishme në ceremoni ishte dhe zonja e Ismail Kadare, Helena Kadare si dhe personalitete të kulturës dhe artit.

    Në ceremoni u recituan dhe poezi të Ismailit. Dihet që ai, përpara se të bëhej romancier e filloi karrierën si poet. Ai ka disa vëllime me poezi si “Kristal” dhe “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.

    Ismail Kadare njihet për kryeveprat që i ka lënë gjuhës shqipe si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” apo “Dimri i vetmisë së madhe”.

    Ai u nda nga jeta korrikun e vitit 2024, por ai do të mbesë përherë në kujtesën dhe në zemrat e shqiptarëve. A.K./TemA

  • Aksion policor në Gjilan, një i arrestuar për trafikim me njerëz

    Aksion policor në Gjilan, një i arrestuar për trafikim me njerëz

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të trafikimit me njerëz.

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti ka ndodhur më 22 janar, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i dyshuari është ndaluar dhe intervistuar nga autoritetet kompetente.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

  • Policia zgjeron hetimet për zgjedhjet në Malishevë, 18 komisionerë në ndalim

    Policia zgjeron hetimet për zgjedhjet në Malishevë, 18 komisionerë në ndalim

    Në kuadër të hetimeve për dyshime për manipulim të rezultatit zgjedhor në komunën e Malishevës, Policia e Kosovës ka ndaluar deri më tani 18 komisionerë zgjedhorë për një periudhë prej 48 orësh.

    Në stacionin policor në Gjakovë po vazhdon marrja në pyetje e rreth 50 komisionerëve, të cilët dyshohen për përfshirje në manipulimin e rezultateve zgjedhore.

    Aksioni policor është zhvilluar gjatë ditës së sotme në Malishevë dhe pritet që hetimet të vazhdojnë edhe në orët në vijim, ndërsa numri i të intervistuarve mund të rritet.

    Kujtojmë se për një rast të ngjashëm të manipulimit të rezultatit zgjedhor në Prizren, gjatë javës së kaluar, janë ndaluar 109 persona, prej të cilëve 28 janë dërguar në paraburgim.

  • Mostra gjaku për identifikim, intensifikohen veprimet për 104 personat e pagjetur në Mitrovicë

    Mostra gjaku për identifikim, intensifikohen veprimet për 104 personat e pagjetur në Mitrovicë

    Drejtori për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, Ramadan Beshiri, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Personave të Pagjetur në Mitrovicë dhe zyrtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur (KQPZHK), me qëllim të koordinimit të veprimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

    Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, nga Departamenti për Krime Lufte, si dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët prezantuan informacione lidhur me procedurat aktuale të identifikimit.

    Gjatë takimit, drejtori Beshiri njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë marrë mostra gjaku nga familjarët, me qëllim të identifikimit dhe krahasimit me mbetjet mortore që ndodhen në morg.

    Po ashtu, u bë e ditur se sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Komunës së Mitrovicës figurojnë 104 persona të pagjetur, ndërsa në nivel të Kosovës numri i personave të zhdukur arrin në 1,571.

    “Bashkëndjejmë dhimbjen dhe shpresën me familjet e personave të pagjetur”, ka theksuar drejtori Beshiri, duke ritheksuar përkushtimin institucional për vazhdimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të fatit të tyre.

  • Mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku për 24-orë, Policia njofton për disa të arrestuar

    Mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku për 24-orë, Policia njofton për disa të arrestuar

    Policia e Kosovës, në raportin e saj ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, janë shqiptuar mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet edhe se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur mbi 30 aksidente.

    Përveç kësaj, nga Policia theksohet edhe se janë arrestuar 12 persona.

  • Kallas thotë se NATO-ja duhet të bëhet ‘më evropiane’ për të ruajtur forcën

    Kallas thotë se NATO-ja duhet të bëhet ‘më evropiane’ për të ruajtur forcën

    Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një fjalimi në Agjencinë e Mbrojtjes Evropiane, ka deklaruar se Evropa duhet të forcojë mbrojtjen dhe se NATO duhet të bëhet më evropiane, transmeton The Guardian.

    “Le ta pranojmë, Evropa mund të jetë e ngadaltë. Unanimiteti do të thotë se nuk mund të veprojmë gjithmonë me shpejtësinë që kërkon momenti. Sigurisht që ka dallime politike mes shteteve anëtare. Kjo është e natyrshme, por unanimiteti përdoret nga disa edhe si mjet pazari. Dhe nuk mund të ndodhë që vetoja e një vendi të përcaktojë politikën për të tjerët,” tha Kallas.

    Ajo bëri thirrje për më shumë angazhim evropian brenda NATO-s: “NATO duhet të bëhet më evropiane për të ruajtur forcën e saj, dhe për këtë Evropa duhet të veprojë. Për shembull, duhet të sigurohemi që nismat tona për siguri dhe mbrojtje të mbeten plotësuese me NATO-n.”

    Kallas shtoi se për këtë bashkëpunim është i domosdoshëm dialogu me NATO-n: “Për këtë, topi është edhe në fushën e NATO-s. Nëse doni të përdorni instrumentet e BE-së, si fuqinë tonë buxhetore dhe rregullatore, për të mbështetur dhe fuqizuar NATO-n, ne duhet të dimë se cilat janë këto nevoja dhe objektiva. Sa më shumë informacion të ofrojë NATO, aq më mirë mund të përafrohemi.”

    Në përfundim, Kallas theksoi rëndësinë e koordinimit dhe ndarjes së barrës në kontinent.

    “Me pak fjalë, duhet të sinkronizojmë përpjekjet tona me NATO-n, në mënyrë që të plotësojmë njëra-tjetrën dhe të tregojmë se si shtylla evropiane e dallueshme sjell vlerë të shtuar përmes ndarjes më të madhe të barrës dhe forcimit ushtarak në kontinentin tonë.”

  • MAShTI merr vendim për rishikim të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për klasat nga 1 deri 9

    MAShTI merr vendim për rishikim të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për klasat nga 1 deri 9

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për të rishikuar kurrikulat lëndore/programeve mësimore për arsimin fillor (1-5) dhe të mesëm të ulët (6-9).

    Raporti final dhe rekomandimet duhet të dorëzohen më së largu deri më 30 prill të këtij viti.

    “Po fillojmë procesin e rishikimit të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për arsimin fillor (klasat 1–5) dhe arsimin e mesëm të ulët (klasat 6–9). Me këtë proces të përditësimit dhe modernizimit në përputhje me Kornizën Kurrikulare dhe kurrikulat bërthamë, synojmë ngritjen e rezultateve të nxënësve, zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të tyre”, ka shkruar ministrja në detyrë e MASHT-it, Arbërie Nagavci në një postim në “Facebook”.

    Ajo ka thënë se rishikimi i kurrikulave dhe programeve mësimore po bëhet me qëllim për të rritur cilësinë e tyre dhe harmonizuar me dokumente strategjike.

    Ajo ka thënë se ky proces do të ndihmojë edhe lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe të peshës së çantës.

    “Ky proces do të mundësojë edhe zhvillimin dhe ofrimin e teksteve shkollore cilësore, burimeve të tjera mësimore që mbështesin procesin e të nxënit, lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe peshës së çantës. Mbesim të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit përmes politikave të qëndrueshme, zhvillimit të kurrikulave bashkëkohore dhe ofrimit të teksteve shkollore cilësore, me qëllim krijimin e një sistemi arsimor që i përgjigjet nevojave të nxënësve, mësimdhënësve dhe zhvillimit afatgjatë të shoqërisë sonë”, ka shkruar Nagavci.

  • Ambasada Amerikane përgëzon Kosovën për anëtarësimin në Bordin e Paqes

    Ambasada Amerikane përgëzon Kosovën për anëtarësimin në Bordin e Paqes

    Kosova ka marrë një urim të veçantë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, pas pranimit në Bordin e Paqes.

    Në postimin e shpërndarë, Ambasada shkroi thjesht: “Urime Kosovë”, por mesazhi shkon përtej fjalëve.

    Përmes emoji-ve, ajo përforcon miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

  • Dhuna në familje, raste të shumta të raportuara në gjithë Kosovën

    Dhuna në familje, raste të shumta të raportuara në gjithë Kosovën

    Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese në Kosovë. Raportet e fundit të Policisë së Kosovës tregojnë se pothuajse çdo ditë po regjistrohen raste të dhunës fizike, psikologjike, verbale, kanosjes dhe ngacmimit seksual, ndërsa në raportin e sotëm ka edhe dyshime për sulm seksual.

    Sipas njoftimeve policore, në komunat Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq janë regjistruar disa raste të dhunës në familje.

    Në Fushë Kosovë janë arrestuar dy persona të dyshuar për sulme fizike dhe kanosje, ndërsa një rast tjetër, ku viktima femër është ofenduar dhe sulmuar, vazhdon të hetohet. “…viktima femër kosovare është ofenduar dhe sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar i cili më pas është larguar në drejtim të panjohur. Rasti nën hetime”, njofton policia.

    Në Graçanicë janë raportuar raste të dhunës verbale dhe psikologjike ndaj viktimave femra, ku në njërin rast i dyshuari është dërguar në mbajtje. Ndërkohë, në Obiliq, një e dyshuar femër është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar tre persona, të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Krahas dhunës në familje, Policia ka raportuar edhe raste të kanosjes dhe sulmeve seksuale.

    Në Gjilan, një mashkull është arrestuar nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj një femre, ndërsa në Shtime është arrestuar një tjetër i dyshuar për sulm fizik ndaj një viktime femër.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu, në Zveçan është hapur hetim për një rast të ngacmimit seksual përmes rrjetit social TikTok ndaj dy viktimave femra.

    Kujtojmë, se sipas të dhënat statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2,400 raste, ku shumica dërrmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje.

  • Shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak dhe po divorcohen më shumë

    Shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak dhe po divorcohen më shumë

    Martesa në Shqipëri po humbet terren me shpejtësi, ndërsa divorci po shënon rekorde historike.

    Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, viti 2024 regjistroi vetëm 16.120 martesa, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, gati përgjysmë krahasuar me fillimin e viteve ’90.

    Rënia e martesave ka qenë e vazhdueshme që pas vitit 2004 dhe është përshpejtuar ndjeshëm pas vitit 2019, duke reflektuar ndryshime të thella demografike, emigracionin e të rinjve dhe hezitimin në rritje për të formalizuar lidhjet në martesë.

    Në të kundërt, divorci ka ndjekur një trajektore të pandalshme rritëse.

    Në vitin 2024, një në tre martesa përfundoi në divorc, ndërsa treguesi arriti në 29.8 divorce për 1.000 martesa, rekordi më i lartë i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. Ky nivel është disa herë më i lartë se ai i viteve ’90, kur divorci shihej si fenomen i rrallë dhe socialisht i stigmatizuar.

    Sociologët dhe ekspertët e familjes e shohin këtë zhvillim si shenjë të një transformimi të thellë social, raporton JOQ.

    Urbanizimi i shpejtë, presioni ekonomik, emigracioni dhe orientimi gjithnjë e më i fortë drejt mirëqenies individuale kanë ndryshuar mënyrën se si shqiptarët e konceptojnë jetën në çift.

    Ndërkohë, rritja e divorceve po shton ngarkesën mbi gjykatat dhe shërbimet sociale, veçanërisht për çështjet e kujdestarisë së fëmijëve dhe ndarjes së pasurive, duke krijuar sfida të reja për institucionet dhe politikat familjare.