ATV

Category: Lajme

  • Dallaveret me vota, Kryeprokurori i Gjakovës mban konferencë për media në ora 15:00

    Dallaveret me vota, Kryeprokurori i Gjakovës mban konferencë për media në ora 15:00

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me aksionin e ndërmarrë për dyshimet mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore në Komunën e Malishevës.

    Sipas njoftimit zyrtar, konferenca do të mbahet më 28 janar 2026, në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, në katin e parë, në Sallën e Konferencave.

    Në këtë konferencë do të flasë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, z. Enis Gashi, i cili pritet të japë detaje lidhur me aksionin e Prokurorisë. Ai do të informojë për hetimet që kanë të bëjnë me falsifikimin e rezultateve zgjedhore gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Aksioni lidhet konkretisht me procesin e numërimit të votave në Komunën e Malishevës, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se informacione shtesë do të bëhen publike gjatë konferencës.

  • Dy të vrarë në Kiev teksa Rusia i vazhdon bombardimet në Ukrainë

    Dy të vrarë në Kiev teksa Rusia i vazhdon bombardimet në Ukrainë

    Rusia e ka bombarduar Ukrainën me dronë dhe raketa gjatë natës, duke i vrarë dy njerëz në rajonin e Kievit, ndërsa qyteti jugor i Odesës u sulmua për natën e dytë radhazi, thanë zyrtarët të mërkurën.

    Një burrë dhe një grua u vranë në rajonin e Kievit dhe katër njerëz të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kërkuan ndihmë mjekësore, tha guvernatori Mykola Kalashnyk në aplikacionin Telegram.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi një raketë balistike Iskander-M dhe 146 dronë gjatë natës, 103 prej tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, një ndërtesë banimi 17-katëshe u godit, duke pësuar dëme të lehta në çati dhe në dritare në katet e sipërme, thanë shërbimet e emergjencës.

    Në Odesa – e cila shpalli një ditë zie pasi një sulm me dronë vrau tre njerëz të martën – tre persona u plagosën, tha kreu i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Lysak.

    Infrastruktura e portit në rajonin përreth, ku ndodhen portet e Ukrainës në Detin e Zi, u dëmtua gjithashtu, tha guvernatori rajonal.

    Në qytetin qendror ukrainas të Krivi Rih, dy persona u plagosën nga një sulm me raketa gjatë natës, tha kreu i administratës ushtarake, Oleksandr Vilkul.

    Sulmi dëmtoi gjithashtu një objekt infrastrukture dhe afro 700 ndërtesa mbetën pa ngrohje, shtoi ai.

    Në agim, Rusia sulmoi gjithashtu qytetin juglindor të Zaporizhjas, raportoi në Telegram guvernatori Ivan Fedorov.

    Katër persona u plagosën nga sulmi, i cili dëmtoi gjithashtu të paktën 12 ndërtesa banimi, duke ndërprerë pjesërisht energjinë elektrike për disa prej tyre, tha ai.

    Qyteti, i cili ndodhet pranë vijës së frontit, është bombarduar rregullisht nga Rusia që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022./REL

  • Çfarë është virusi Nipah dhe cilat janë simptomat?

    Çfarë është virusi Nipah dhe cilat janë simptomat?

    Autoritetet shëndetësore në Indi po ndërmarrin masa për të frenuar një shpërthim të virusit Nipah në shtetin lindor të Bengalit Perëndimor, pasi janë konfirmuar pesë raste, përfshirë edhe personel mjekësor. Dhjetëra persona janë vendosur në karantinë, ndërsa pacientët po trajtohen në spitale në dhe përreth Kolkatës.

    Virusi Nipah është një patogjen me rrezik të lartë, i listuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), dhe karakterizohet nga shkallë e lartë vdekshmërie.

    Aktualisht nuk ka vaksinë dhe as trajtim specifik për këtë infeksion, shkruan Indepedent.uk

    Simptomat

    Infeksioni zakonisht nis me simptoma të përgjithshme, të ngjashme me gripin, si:

    temperaturë,

    dhimbje koke,

    dhimbje muskujsh,

    lodhje.

    Në disa raste shfaqen edhe probleme respiratore, përfshirë kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Komplikimi më i rëndë është encefaliti (inflamacioni i trurit), i cili mund të shkaktojë konfuzion, kriza epileptike, humbje të vetëdijes apo komë. Periudha e inkubacionit varion nga 4 deri në 21 ditë.

    Sa vdekjeprurës është?

    Sipas të dhënave ndërkombëtare, shkalla e vdekshmërisë nga virusi Nipah varion nga 40 deri në 75 për qind, në varësi të shpërthimit dhe variantit të virusit. Disa të mbijetuar mund të përjetojnë pasoja afatgjata neurologjike.

    Si përhapet?

    Virusi Nipah transmetohet nga kafshët te njerëzit dhe nga njeriu te njeriu. Rezervuari kryesor janë lakuriqët e natës që ushqehen me fruta. Infeksioni mund të ndodhë përmes konsumimit të ushqimeve të kontaminuara ose kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar dhe lëngjet e tyre trupore.

    Ku është shfaqur më parë?

    Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1999 në Malajzi dhe Singapor. Që atëherë, raste janë raportuar kryesisht në Indi dhe Bangladesh, me shpërthime të përsëritura, veçanërisht në zonat rurale.

    Parandalimi

    Meqë nuk ka vaksinë, parandalimi bazohet në:

    shmangien e konsumit të frutave të kontaminuara,

    higjienë të shtuar,

    evitimin e kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar,

    masa mbrojtëse për personelin shëndetësor.

    OBSH e konsideron virusin Nipah si një kërcënim prioritar dhe thekson nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe reagim të shpejtë shëndetësor.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dhunimin e të miturës në Dubovik të Deçanit

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dhunimin e të miturës në Dubovik të Deçanit

    Prokuroria Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Miriton Nikqit për veprën penale ‘dhunimi’.

    Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Shaqë Curri, pas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë.

    Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur edhe kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

    Paraburgimi ndaj të pandehurit llogaritet nga data e arrestimit, më 26 janar 2026, në ora 12:00, dhe do të zgjasë deri më 25 shkurt 2026, në ora 16:00.

    Për rastin ka raportuar ekskluzivisht Sinjali, ku rasti është raportuar më 25 janar 2026, rreth orës 00:00, kur në stacion policor është paraqitur viktima E.G., në shoqërim të xhaxhait të saj, ku ka deklaruar se një person, të cilin fillimisht e kishte identifikuar me emrin T. N. (pa qenë plotësisht e sigurt për identitetin), e kishte marrë me veturë dhe pas largimit disa metra nga shtëpia, pa dëshirën e saj, dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

  • Komuna e Prishtinës hap konkurs për projektimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari”

    Komuna e Prishtinës hap konkurs për projektimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari”

    Komuna e Prishtinës ka hapur konkurs publik për projektimin e Memorialit Përkujtimor kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij, për të cilin ka ndarë një buxhet prej 150 mijë eurosh.

    Sipas dosjes së konkursit, ky memorial synon të përjetësojë sakrificën unike të familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt, e cila përfaqëson një nga rastet më kulminante të gatishmërisë për sakrificë mbinjerëzore për liri.

    Rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, së bashku me 58 anëtarë të familjes së tij, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, konsiderohet si një ngjarje e veçantë në historinë e njerëzimit në emër të idealit universal të lirisë.Sipas vizionit të projektit, memoriali do të vendoset në një nga hapësirat publike me potencial në kryeqytet, me qëllim që kjo sakrificë sublime të bëhet pjesë e pandashme e jetës së përditshme urbane dhe e manifestimit të lirisë në hapësirë publike, përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me qytetarët.

    Projekti është në përputhje edhe me vizionin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për një kryeqytet bashkëkohor, gjithëpërfshirës dhe një fener të trashëgimisë kulturore.Memoriali përkujtimor i familjes Jashari pritet të kontribuojë në forcimin e identitetit kulturor dhe historik të qytetit.

    Sa i përket lokacionit, memoriali parashihet të ndërtohet në qendër të Prishtinës, mes ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Xhamisë së Gurit.Ai do të jetë pjesë e projektit për ndërlidhjen e shëtitores ekzistuese që përfundon me sheshin “Ibrahim Rugova” dhe vazhdimin e saj drejt pjesës së vjetër të qytetit, përmes nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”.

    Sipas këtij projekti urban, rruga “Agim Ramadani” do të bëhet nëntokësore, ndërsa pjesa sipër saj do të shndërrohet në pllato për këmbësorë, duke mundësuar lidhjen funksionale mes bulevardit ekzistues dhe qytetit të vjetër. Pikërisht mbi këtë pllato është paraparë dizajnimi i memorialit dhe hapësirës përreth tij, që është edhe subjekt i konkursit.

  • Pranoi dhurata të shtrenjta, ish-zonja e parë e Koresë së Jugut dënohet me 20 muaj burgim për ryshfet

    Pranoi dhurata të shtrenjta, ish-zonja e parë e Koresë së Jugut dënohet me 20 muaj burgim për ryshfet

    Një gjykatë e Koresë së Jugut dënoi ish-zonjën e parë Kim Geun-hee me 20 muaj burgim, pasi u shpall fajtore për pranim ryshfeti nga zyrtarët e kishës së unifikimit në këmbim të favoreve politike.

    Gjykata e liroi Kim nga akuzat për manipulim të çmimeve të aksioneve dhe shkelje të ligjit për financimin e partive politike. Dënimi i saj u njoftua pas burgosjes së bashkëshortit të saj, ish-presidentit Yoon Suk-yeol, i cili u shkarkua nga detyra vitin e kaluar për shkak të veprimit të tij për të shpallur gjendjen ushtarake në vitin 2024.

    “E pandehura u dënua me një vit e tetë muaj burgim”, tha gjykatësi Woo In-sung i Gjykatës së Qarkut Qendror të Seulit.

    Prokurorët kishin kërkuar një dënim me 15 vjet burgim dhe një gjobë prej 2.9 miliardë wonësh (2 milionë dollarë) për akuzat kundër saj, të cilat përfshinin pranimin e çantave luksoze Chanel dhe një gjerdan diamanti nga kisha e unifikimit në këmbim të favoreve politike.

    Gjykata vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur atë fajtore për manipulim të çmimeve të aksioneve dhe shkelje të ligjeve mbi financimin e partive politike.

    Kim i kishte mohuar të gjitha akuzat. Avokati i saj tha se ekipi i tij do ta shqyrtonte vendimin dhe do të vendoste nëse do ta apelonte dënimin për ryshfet.

  • Osmani: Kosova do të vazhdojë të ecë përpara, e palëkundur në rrugën euroatlantike

    Osmani: Kosova do të vazhdojë të ecë përpara, e palëkundur në rrugën euroatlantike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara dhe e palëkundur në rrugën e saj drejt familjes euroatlantike.

    “Javën e kaluar, në pritjen vjetore për korin diplomatik, shpreha mirënjohjen e popullit tonë ndaj miqve tanë ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme”, ka shkruar mes tjerash Osmani.

    Postimi i plotë:

    Kosova do të vazhdojë të ecë përpara, e palëkundur në rrugën e saj drejt familjes euroatlantike dhe duke ndërtuar partneritete të forta anembanë botës.

    Javën e kaluar, në pritjen vjetore për korin diplomatik, shpreha mirënjohjen e popullit tonë ndaj miqve tanë ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

  • Mbyllet për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Mbyllet për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, është mbyllur për publikun seanca e së mërkurës në rastin ku Shabani bashkë me Muharrem Qerimin akuzohen për spiunazh.

    Në këtë rast, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Avokati Berisha propozoi të mbyllet seanca për arsye se do të deklarohen ekspertët lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin Berisha.

    “Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, tha Berisha.

    Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se me shumicë votash, trupi gjykues aprovoi propozimin e Berishës, andaj seanca e sotme u mbyll.

    Ndryshe, seanca e planifikuar për 20 nëntor 2025, ishte anuluar pasi ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin Bedri Shabani.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

    Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

    Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.

    Aktakuza thotë se Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.

    Andaj, thuhet se me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së të Mollopolcit të Shtimes me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut, duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.

    Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.

    Me këto veprime, i akuzuari Qerimi thuhet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    Prandaj për këto veprime, Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

    Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024 të pandehurit Qerimi gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

    Me këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorzuar të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi/

  • Sot shënohet ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare

    Sot shënohet ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare

    Shkrimtari i shquar shqiptar u lind më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër, e vdiq më 1 korrik të vitit 2024. Kadare jetoi 88 vjet.

    Kadare u lind në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

    Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

    Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

    Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

    Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

    Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

    Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

    Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013.

  • Sukses ndërkombëtar i nxënësve nga Fushë Kosova, medalje në Inteligjencë Artificiale, Biologji dhe Matematikë

    Sukses ndërkombëtar i nxënësve nga Fushë Kosova, medalje në Inteligjencë Artificiale, Biologji dhe Matematikë

    Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, ka pritur në takim vëllezërit Gjin dhe Lum Rrahmani, nxënës të dalluar që kanë përfaqësuar vendin tonë në gara ndërkombëtare.

    Vëllezërit Rrahmani morën pjesë nga 10–16 janar në garat “Neo Science” dhe “Coding Olympiad”, të mbajtura në Orlando, Florida, SHBA, ku arritën rezultate të jashtëzakonshme:

    Medalje e artë (vendi i parë) në Inteligjencë Artificiale – Gjin dhe Lum Rrahmani;

    Medalje e artë “Best of the Best” në Biologji – Gjin Rrahmani;

    Medalje e bronztë (vendi i tretë) në Matematikë – Gjin dhe Lum Rrahmani;

    Gjin dhe Lum Rrahmani kanë përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Itali, Holandë, Egjipt, SHBA dhe Malajzi, duke fituar çmime dhe medalje të arta në matematika, shkencë, kodim, inteligjencë artificiale dhe gjuhë angleze.

    Komuna e Fushë Kosovës i ka vlerësuar lart këto arritje dhe shpreh mbështetje për sukseset e të rinjve, të cilët me përkushtim dhe dije po e përfaqësojnë denjësisht komunën dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.