ATV

Category: Lajme

  • Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, është duke u intervistuar në Prokurorinë Speciale në cilësinë e të pandehurit, njoftoi zëdhënësja e këtij institucioni, Arbnora Luta për Tëvë1.

    Sipas Lutës, Peci po merret në pyetje për ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë gjatë kohës kur ai udhëhiqte këtë dikaster qeveritar.

    “Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, deklaroi Luta.

    Hetimet për këtë çështje janë ende në zhvillim dhe Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje të tjera mbi hetimin.

  • Manipulimet me vota në Obiliq, Prokuroria fillon hetimet

    Manipulimet me vota në Obiliq, Prokuroria fillon hetimet

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se po e ndjek me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Në këtë drejtim, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe përcaktimit nëse ka pasur shkelje të mundshme ligjore nga persona përgjegjës.

    “Prokuroria Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se po ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit.

    Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Kurti në Bordin e Paqes: Kosova është e gatshme të marrë pjesë në çdo iniciativë paqeruajtëse

    Kurti në Bordin e Paqes: Kosova është e gatshme të marrë pjesë në çdo iniciativë paqeruajtëse

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot para gazetarëve është deklaruar lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Ai theksoi se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe kudo që të ketë nevojë.

    “Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën ndërkombëtare stabilizuese për Gaza dhe aty unë e di që Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha në Katar nga gjenerallejtënant, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari. Pra, ne kemi shprehur si Republikë e Kosovës gatishmërinë tonë që të marrim pjesë në këtë Forcën stabilizuese ndërkombëtare, ku natyrisht FSK është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe deminim, por jo vetëm…”, tha ai.

    Kurti tutje shtoi se meqenëse do të marrin pjesë në Forcën Stabilizuese ndërkombëtar, kanë qenë të interesuar që të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike për atë Forcë stabilizuese ndërkombëtare.

    ” Unë jam kryeministër në detyrë, unë ende nuk jam në mandatin tim të tretë, por kudo që ka nevojë për paqe në botë ne dëshirojmë të kontribuojmë sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare, andaj tash duam që të marrim pjesë me forcat dhe kapacitetet tona edhe në paqe në vendet të ndryshme…”, u shpreh ai.

    Tutje, kryeministri në detyrë rikujtoi se për Gazën kanë ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe se ky proces do të vazhdojë edhe më tutje.

  • Refuzohet padia e KOSTT ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Gjykatës Komerciale

    Refuzohet padia e KOSTT ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Gjykatës Komerciale

    Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 26 janar 2026, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës – KOSTT Sh.A., kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Kërkesa e KOSTT-it ishte parashtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Dytë, të datës 8 nëntor 2024, lidhur me anulimin e aktit administrativ V_1739_2023 të ZRRE-së, të datës 5 maj 2023.

    Gjykata Supreme vlerësoi se aktgjykimet e instancave më të ulëta janë marrë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore në fuqi, duke theksuar se arsyetimi i Gjykatës Komerciale ka qenë i qartë, i plotë dhe i bazuar në analizë të drejtë të fakteve dhe legjislacionit përkatës.

    Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme konstatoi se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT-it, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore.

    Sipas gjykatës, nga provat e administruara rezulton se ZRRE ka vepruar brenda përgjegjësive të saj ligjore për të siguruar funksionimin efikas të tregut të energjisë elektrike, përfshirë zhvillimin e hetimeve lidhur me shkeljet e mundshme të kryera nga KOSTT në proceset e blerjes së energjisë elektrike, pagesave dhe nominimeve.

    Gjykata Supreme vlerësoi se me rastin e shqiptimit të gjobës ndaj KOSTT-it, në vlerë prej 439,405 euro, janë zbatuar drejtë dispozitat procedurale dhe materiale, andaj kërkesëpadia e paditësit u refuzua në tërësi si e pabazuar.

  • Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin me burg për Ilir Metën

    Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin me burg për Ilir Metën

    Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ilir Metën.

    Gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Meta, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gylsen Zhllima, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, raporton Euronewsal, transmeton Klankosova.tv.

    “Me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Meta, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gylsen Zhllima, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ankimi kishte të bënte me kundërshtimin e vendimit nr. 40/863, datë 05.01.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë. Ndaj vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë”, thuhet në njoftimi ne Apelit të GJKKO.

    Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kreu i PL u hetua nga SPAK për tre çështje: CEZ-DIA, lobimi i LSI-së në SHBA dhe hetimi pasuror. Dosja e tij është dërguar për gjykim, ndërsa Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

  • Paralajmërimi i shtrenjtimit të energjisë elektrike, Hoti: Fatura më të larta dhe standard më i ulët jetese

    Paralajmërimi i shtrenjtimit të energjisë elektrike, Hoti: Fatura më të larta dhe standard më i ulët jetese

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike në 23%.

    Hoti ka thënë se katër herë në katër vite është shtrajtuar energjia elektrike.

    Ai u shpreh se bilanci i qeverisjes është fatura më të larta, standard më të ulët të jeteses dhe zero llogaridhënie.

    “4 herë në 4 vite u shtrenjtua energjia elektrike. 2 projekte madhore për prodhim të energjisë u anuluan: Kosova e Re dhe projekti i gazit. Dhe tallja me qytetarët vazhdon – se nuk kanë ditur sa kanë paguar për energji, se po i mbajnë shtëpitë shumë të nxehta e kështu me radhë. Mijëra familje blejnë dru me çmim dyfish më të shtrenjtë, sepse nuk mund të instalojnë ngrohjen me energji elektrike. Bilanci i qeverisjes është ky: fatura më të larta, standard më i ulët jetese, zero llogaridhënie”, ka shkruar Hoti.

  • Arben Vitia intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Arben Vitia intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pohuar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale.

    Në një prononcim për media, Vitia tha se për momentin nuk mund të japë detaje lidhur me këtë çështje, por theksoi se shumë shpejt gjithçka do të sqarohet si nga Prokuroria Speciale, ashtu edhe nga ana e tij.

    “Nuk muj të flas njëherë, por besoj se shumë shpejt kjo çështje do të sqarohet edhe nga Prokuroria Speciale, edhe nga ana ime”, tha Vitia.

  • Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” në Podujevë, mbështeten nga Bulliqi për marshin e 17 shkurtit

    Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” në Podujevë, mbështeten nga Bulliqi për marshin e 17 shkurtit

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, po qëndrojnë sot në Podujevë, ku janë pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

    Siç bëhet e ditur në një njoftim, Bulliqi iu ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

    Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kreun e Podujevës me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.

    “Marshi “Drejtësi, jo politikë” është një mesazh i fuqishëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, tha Hoxha.

    Kryetari i Podujevës, nga ana tjetër u zotua se kjo komunë dhe qytetarët e saj do të mobilizohen për pjesëmarrje masive në këtë Marsh.

    “Angazhimi ynë si komunë është i qartë. Ne do ta përkrahim këtë iniciativë, sepse besojmë se vetëm me solidaritet dhe pjesëmarrje masive mund të mbrojmë idealet që na kanë sjellë lirinë”, është shprehur Bulliqi.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

  • Fillojnë punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Pozhar të Deçanit

    Fillojnë punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Pozhar të Deçanit

    Kanë filluar punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në fshatin Pozhar, një projekt i komunës së Deçanit për ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerave të luftës çlirimtare.

    Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka theksuar rëndësinë e këtij investimi: “Ky lapidar do të jetë simbol i përhershëm i sakrificës sublime të dëshmorëve tanë, që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e vendit”.

    “Përmes këtij investimi, ne jo vetëm nderojmë të kaluarën, por edhe edukojmë brezat e rinj me vlerat e lirisë, guximit dhe atdhedashurisë”.

    Ai gjithashtu shtoi se: “Komuna mbetet e përkushtuar që kujtesa për dëshmorët të ruhet dhe të respektohet me dinjitetin që ata meritojnë”.

    Punimet për ndërtimin e lapidarit janë pjesë e angazhimit institucional për të nderuar dëshmorët dhe për të afirmuar historinë dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit.

  • Rasti i dronit “Skifter”, Kurti shmang komentet e detajuara

    Rasti i dronit “Skifter”, Kurti shmang komentet e detajuara

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me pretendimet për mashtrim nga një kompani nga Gjilani në lidhje me dronin “Skifter”, duke u shprehur i rezervuar për të dhënë komente të detajuara mbi këtë çështje.

    Para mediave, gjatë një vizite në Odën e Mjekëve të Kosovës, Kurti tha se ka vizituar shumë kompani përgjatë mandatit të tij dhe se nuk është e mundur të njohë hollësitë teknike dhe profesionale të secilës prej tyre.

    “Unë kam vizituar me qindra kompani anë e mbanë Kosovës gjatë këtij katërvjeçari. Nuk mund të them se mund t’i di hollësitë e secilës kompani, por jam i hapur t’i dëgjoj kritikat atëherë kur diçka nuk ka qenë ashtu siç më është prezantuar”, deklaroi Kurti.

    Ai theksoi se, kur bëhet fjalë për aspekte të thelluara teknike dhe profesionale, nuk mund të ketë njohuri paraprake për secilën kompani individualisht.