ATV

Category: Lajme

  • ATV-ja shënon pesëvjetorin e transmetimit

    ATV-ja shënon pesëvjetorin e transmetimit

    Pesë vjet më parë, u shënua fillimi i një epoke të re, skemës mediale iu shtua ATV.

    Me investimin më të madh në media në Kosovë, në më shumë se një dekadë, një ekip i përzgjedhur i profesionistëve, më 31 janar 2021, me lajmet e orës 19:00, filloi rrugëtimin që sot e vazhdojnë me krenari.

    Bashkë, gazetarë, kameramanë, redaktorë, producentë e regjisorë, arritën që ATV-në, në kohë rekord, ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së secilit qytetar në vend, përfshirë edhe diasporën.

    Duke i ditur kërkesat e shikuesve në kohën që po jetojmë, vëmendje e posaçme iu kushtua pranisë online. Kjo rezultoi me qindra miliona shikime në rrjetet sociale, në të cilat ATV-ja prin bindshëm.

    Gazetarët vazhdojnë të jenë kudo e kurdo, në çdo ngjarje e zhvillim, duke bërë që ata t’i sprovojnë edhe situatat ekstreme.

    Veç angazhimit maksimal në vend, ATV-ja raportoi edhe nga jashtë. Në saje të profesionalizmit të lartë, pamjet e ATV-së u cituan edhe në mediat botërore.

    ATV-ja u bë platformë e besueshme ku flasin të gjithë.

    Gjithashtu, edhe adresë duke u bërë pjesë e çdo familjeje përmes emisioneve, kronikave e informacioneve të fundit, duke ruajtur standardet më të larta profesionale.

    Për më tepër, produksioni i ATV-së veç emisioneve prodhon edhe dokumentarë e reportazhe, duke mbizotëruar edhe me serialin më të shikuar në vend, 3 Vllaznit.
    Duke dashur të jemi afër shikuesve e larg konkurrencës, planet për të ardhmen janë ambicioze, po ashtu.

    Live apo në xhirim, në televizor, telefon, apo pajisje të tjera. Në rrjete sociale apo në youtube, ATV do të mbetet i pari, KUDO!

  • Rinumërohen mbi 99% e kutive, Kurti në mesin e katër kandidatëve të VV-së me humbjen më të madhe të votave

    Rinumërohen mbi 99% e kutive, Kurti në mesin e katër kandidatëve të VV-së me humbjen më të madhe të votave

    Rinumërimi i votave po shkon drejt përfundimit. Deri më tani janë rinumëruar 99.18 për qind e vendvotimeve, ndërsa procesi pritet të përmbyllet gjatë mbrëmjes së sotme.

    Sipas rezultateve të përpunuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është në mesin e katër kandidatëve të kësaj partie me diferencën më të madhe të votave pas rinumërimit.

    Kurti nga ky proces ka rezultuar me 498 vota më pak.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje janë mbi 25 kandidatë që kanë diferencë negative mbi 100 vota pas rinumërimit.

    Me humbjen më të madhe të votave prin Taulant Kelmendi me 921 vota më pak, i ndjekur nga Arbër Rexhaj me 623, Rea Krasniqi me 537, Albin Kurti me 498 dhe Dafina Alishani me 437 vota më pak.

    Më poshtë është lista e disa kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë mbi 100 vota minus pas rinumërimit:

    Taulant Kelmendi – 921 vota

    Arbër Rexhaj – 623  vota

    Rea Krasniqi – 536 vota

    Albin Kurti – 498 vota

    Dafina Alishani – 437 vota

    Valon Hoti – 422 vota

    Skender Thaqi – 414 vota

    Vendenis Lahu – 387 vota

    Ali Dula – 361 vota

    Filiz Mustafa – 348 vota

    Valon Ramadani – 341 vota

    Gazmend Krasniqi – 335 vota

    Arsim Berisha – 310 vota

    Gramos Agusholli – 297 vota

    Mytaher Haskuka – 259 vota

    Artan Abrashi – 248 vota

    Avni Dehari – 241 vota

    Gani Krasniqi – 222 vota

    Adelina Stublla – 212 vota

    Agon Batusha – 209 vota

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të bëhet nesër, duke filluar nga ora 10:00.

  • I dyshuari për dhunimin e të miturës në Istog ndalohet për 48 orë, Prokuroria do të kërkojë paraburgimin e tij

    I dyshuari për dhunimin e të miturës në Istog ndalohet për 48 orë, Prokuroria do të kërkojë paraburgimin e tij

    Një ndërhyrje urgjente policore ka zbuluar një rast tronditës në Dubravë të Istogut, ku një burrë është kapur në një objekt motelesh bashkë me një vajzë 13-vjeçare dhe tashmë dyshohet për veprën penale të dhunimit.

    Pas arrestimit, të dyshuarit, siç mësoi emrin e të dyshuarit ekskluzivisht Sinjali, Tomo Prekajt i është caktuar ndalim 48 orësh me vendim të prokurorit.

    Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se për 54-vjeçarin, prokurori i rastit është duke përgatitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme nga Policia e Kosovës:

    “Dje Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë një person duke kryer veprën kriminale dhunimi ndaj një të miture, me ç’rast në vendin e ngjarjes ishin edhe prokurori i shtetit, mbrojtësi i viktimave dhe të gjitha organet relevante, përfshirë edhe institucionet tjera. Personi i përfshirë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe njëkohësisht po përgatitet kërkesa për masën e paraburgimit për veprën penale dhunimi”, theksoi Nikçi.

  • OKB-ja në rrezik të ”kolapsit financiar”, paralajmëron Guterres

    OKB-ja në rrezik të ”kolapsit financiar”, paralajmëron Guterres

    Shefi i Kombeve të Bashkuara u ka thënë shteteve anëtare se organizata po përballet me rrezikun e një “kolapsi të menjëhershëm financiar”, duke përmendur pagesat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron OKB-në të kthejë mjetet e pashpenzuara.

    Kështu thuhet në një letër që Reuters ka parë të premten.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur shpesh për përkeqësimin e krizës së likuiditetit, por ky është paralajmërimi i tij më i ashpër deri tani, në një kohë kur kontribuesi kryesor – ShBA-ja – është tërhequr nga multilateralizmi në disa fronte.

    “Kriza po thellohet, duke rrezikuar zbatimin e programeve dhe duke kërcënuar me kolaps financiar. Dhe situata do të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen e afërt”, shkruan Guterres në letrën drejtuar ambasadorëve, të datës 28 janar.

    ShBA-ja ka shkurtuar financimin vullnetar për agjencitë e OKB-së dhe ka refuzuar të kryejë pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes. Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar OKB-në si një organizatë me “potencial të madh”, por që sipas tij nuk po e përmbush atë, ndërsa ka nisur një nismë të quajtur “Board of Peace”, e cila, sipas kritikëve, mund të minojë strukturat ekzistuese ndërkombëtare.

    OKB-ja, e themeluar në vitin 1945, ka 193 shtete anëtare dhe punon për ruajtjen e paqes e sigurisë ndërkombëtare, promovimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin social e ekonomik dhe koordinimin e ndihmave humanitare.

    Në letrën e tij, Guterres shkruan se “vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt tani janë shpallur zyrtarisht”. Ai nuk ka treguar se cilat shtete ka pasur parasysh, ndërsa zëdhënësi i OKB-së nuk ishte i disponueshëm për koment.

    Sipas rregullave të OKB-së, kontributet përcaktohen sipas madhësisë së ekonomisë së secilit shtet anëtar. ShBA-ja mbulon 22% të buxhetit kryesor, e ndjekur nga Kina me 20%.

    Por në fund të vitit 2025, Guterres thotë se ka pasur 1.57 miliardë dollarë borxhe të papaguara, pa i përmendur shtetet përkatëse.

    “O të gjitha shtetet anëtare i respektojnë detyrimet dhe paguajnë plotësisht e me kohë, ose shtetet duhet të rishikojnë në mënyrë thelbësore rregullat tona financiare për të shmangur një kolaps të afërt financiar”, thekson ai.

    Guterres vitin e kaluar nisi një grup reformash, të njohur si UN80, që synon uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit. Në këtë kuadër, shtetet u dakorduan të ulin buxhetin e vitit 2026 me rreth 7%, duke e çuar atë në 3.45 miliardë dollarë.

    Megjithatë, Guterres paralajmëron se organizata mund të mbetet pa para deri në korrik.

    Një nga problemet kryesore është një rregull që sot konsiderohet i vjetëruar, sipas të cilit OKB-ja duhet t’u kthejë shteteve qindra miliona dollarë fonde të pashpenzuara çdo vit.

     

  • Ushtarët gjermanë të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës

    Ushtarët gjermanë të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës

    Ushtarët gjermanë nga Komanda Rajonale Lindje (RC-E) e KFOR, po vazhdojnë patrullimet e rregullta në disa komuna në veriun e Kosovës, në kuadër të zonës së tyre të përgjegjësisë.

    Përmes këtyre aktiviteteve, personeli i KFOR-it ruan vetëdijen situacionale dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në rajon, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të saj, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

    Në ushtrimin e detyrave të saj, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e tij si reagues i sigurisë./Telegrafi/

  • Policia e Kosovës viziton kufirin SHBA–Meksikë, njihet me praktikat moderne të sigurisë

    Policia e Kosovës viziton kufirin SHBA–Meksikë, njihet me praktikat moderne të sigurisë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës, ka realizuar vizitën e parë zyrtare të PK-së në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, raporton KosovaPress.

    Vizita u zhvillua më 23 janar, ku delegacioni kosovar pati mundësinë të vëzhgojë nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, një nga pikat më të ngarkuara kufitare të SHBA-së. Aktivitetet u zhvilluan në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të Shteteve të Bashkuara, si dhe me zyrtarë të tjerë kufitarë amerikanë.

    Kjo vizitë u organizua me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, përmes programit DOJ-ICITAP. Gjatë qëndrimit, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës u njohën me praktikat e avancuara të menaxhimit kufitar, si dhe me përdorimin e teknologjive moderne në parandalimin dhe zbulimin e krimeve ndërkufitare.

    Vizita synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë kufitare.

  • Komuna e Prishtinës njofton se janë shtyrë afatet për pagesën e tatimit në pronë

    Komuna e Prishtinës njofton se janë shtyrë afatet për pagesën e tatimit në pronë

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar e Ministria e Financave ka vendosur për të shtyrë afatet e pagesës së tatimit në pronë për vitin 2026.

    Afati për lëshimin e faturave është shtyrë deri me datë 31 mars 2026 derisa afati për pagesën e këstit të parë deri më 30 qershor.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur të shtyjë afatet për tatimin në pronë për vitin 2026: Afati për lëshimin e faturave: deri më 31 mars 2026, Afati për pagesën e këstit të parë: deri më 30 qershor 2026.

    Ky vendim siguron më shumë kohë për përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë”, thuhet në njoftim.

  • Ndalohet importi i deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut

    Ndalohet importi i deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka ndaluar importin e deleve dhe dhive në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.

    Në një njoftim, AUV thekson se deri te vendimi erdhi pas raporteve zyrtare të ADIS dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), se në Maqedoni të Veriut është konfirmuar prania e sëmundjes Lija e dhenve dhe dhive në zonën MKD – Lipkovo.

    “Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, ndalohet importi i kafshëve të gjalla të llojit të deleve dhe dhive, si dhe i nënprodukteve të tyre (lëkura dhe leshi), përfshirë edhe produktet me origjinë nga këto kafshë që nuk janë të trajtuara termikisht ose që kanë origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

    Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare, si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës.

    Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual”, thuhet në vendim.

  • Paris Guri i reagon Faton Pecit i cili paralajmëroi kallëzim penal ndaj tij: Mezi e pres përballjen me ty në gjykatë

    Paris Guri i reagon Faton Pecit i cili paralajmëroi kallëzim penal ndaj tij: Mezi e pres përballjen me ty në gjykatë

    Deputeti i LDK-së, Paris Guri, i është përgjigjur kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i cili sot pas intervistimit nga Prokuroria Speciale si i pandehur për disa grante të Ministrisë së Bujqësisë, akuzoi Gurin se “kallëzimi i rrejshëm penal” i tij e çoi atë në Prokurori.

    “E përshëndes veprimin e Prokurorisë së Kosovës për intervistimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pas kallëzimit penal që ia kemi bërë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit. Shpresoj që ky intervistim të mos mbetet me kaq, por të vazhdohet deri në dënimin e merituar për të dhe për të gjithë ata që i kanë futur duart në buxhetin e shtetit. E mirëpres edhe kallëzimin penal të tij ndaj meje për kinse fushatë të orkestruar kundër tij. I vetmi orkestrim në atë rast ka qenë orkestrimi i tij për të shpërndarë paratë e buxhetit te familjarët e eksponentëve të VV-së”, ka shkruar Guri.

    Në reagimin e tij, Peci tha se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj Gurit për, siç tha ai, shpifjen ndaj tij.

    Për këtë Guri tha se mezi e pret përballjen me të në gjykatë.

    “Mezi po e pres ftesën e Prokurorisë dhe përballjen me ty në gjykatë. S’ka me u ndale asnjëherë duke i denoncu të gjitha hajnitë që i keni bërë”.

    Përveç kësaj, Peci e akuzoi Gurin se fitoi ulëse në Kuvend me vota të vjedhura.

    Edhe për këtë çështje Guri u përgjigj duke i renditur votat e minusuara për disa kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë kryetarin Albin Kurti, nga procesi i rinumërimit të KQZ-së, i cili nxori në pah vjedhje masive të votave.

    “Sa i përket vjedhjes së votave, vetëm një rikujtim për Pecin:

    Taulant Kelmendi – 918 vota të vjedhura

    Arbër Rexhaj – 623 vota të vjedhura

    Rea Krasniqi – 540 vota të vjedhura

    Albin Kurti – 485 vota të vjedhura

    Dafina Elshani – 433 vota të vjedhura

    Paris Guri – 564 vota të hequra deri më tash”.

  • Çmimi i arit bie ndjeshëm, argjendi humb 15 për qind të vlerës

    Çmimi i arit bie ndjeshëm, argjendi humb 15 për qind të vlerës

    Çmimet e arit dhe argjendit kanë shënuar sot një rënie të fortë, duke nxitur një valë shitjesh në tregjet globale dhe duke goditur aksionet e kompanive minerare si edhe fondet e lidhura me metalet e çmuara.

    Në orët e para të tregtimit në SHBA, çmimi i argjendit u ul me rreth 15 për qind, duke zbritur në afërsisht 98.66 dollarë për ons dhe duke rënë sërish nën kufirin psikologjik prej 100 dollarësh.

    Ndërkohë, ari humbi rreth 7 për qind të vlerës, duke u tregtuar në nivelin 5,009.46 dollarë për ons.