ATV

Category: Lajme

  • Maqedonia këtë vit do të blejë 42 “Stryker” nga SHBA-të

    Maqedonia këtë vit do të blejë 42 “Stryker” nga SHBA-të

    Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski tha se 42 automjete luftarake Stryker duhet të mbërrijnë në vend këtë vit, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar me Shtetet e Bashkuara. Duke shpjeguar informacionin, Misajllovski theksoi se bëhet fjalë për një ndryshim teknik.

    Ai thekson se 17 automjete janë tashmë në portin e Greqisë dhe nevojitet një marrëveshje teknike që të miratohet me kërkesë të Shteteve të Bashkuara si një amendament për instalimin e të gjitha pajisjeve që mbërrijnë.

    “Është një marrëveshje teknike, domethënë, ky është një amendament teknik sepse e dini që është nënshkruar një marrëveshje për 42 automjete luftarake të tipit “Stryker” me Shtetet e Bashkuara. Këtë vit të gjitha po mbërrijnë. Tashmë janë 17 në portin e Greqisë dhe nevojitet një amendament teknik që të miratohet me kërkesë të Shteteve të Bashkuara si një amendament për instalimin e të gjitha pajisjeve që mbërrijnë, etj. Përdoruesi përfundimtar është Ministria e Mbrojtjes dhe duhet të bëhet trajnimi i plotë.

    Ky është një (amendament) teknik, siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara, për të bërë një marrëveshje që të gjithë ata t’i marrin më pas dhe të mbeten plotësisht me Ushtrinë. Nuk ka asgjë shtesë, Marrëveshja është në rregull. Këtë vit të gjitha do të mbërrijnë”, tha Misajllovski.

  • Nis qarkullimi i maunave dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë

    Nis qarkullimi i maunave dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se ka filluar qarkullimi i mauneve dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë, i cili ishte i bllokuar që nga data 26.01.2026.

    Edhe Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi një ditë më parë tha se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për mallra me Bashkimin Evropian, e cila ka prekur edhe bizneset në Kosovë.

    Ndryshe, ditë më parë shoferët kanë bllokuar terminalet për mallra për shkak të ashpërsimit të procedurave për të hyrë në Zonën Schengen.

    Ata kishin thënë se procedurat tani janë më të komplikuara dhe mund t’ua shkurtojnë kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian.

    Ata kërkonin që qëndrimi i tyre në Bashkimin Evropian të rritet në katër muaj, në krahasim me tre që është tani, brenda gjashtë muajve.

  • Arrestohet zyrtari i dyshuar për keqpërdorim në prokurim publik

    Arrestohet zyrtari i dyshuar për keqpërdorim në prokurim publik

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë i dyshuari B.Sh, që po hetohet për keqpërdorim në prokurim publik.

    Sipas njoftimit, i njëjti dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    B.Sh., është arrestuar në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të prokurimit.

  • Policia arreston pesë të dyshuar për disa raste vjedhjeje në Suharekë

    Policia arreston pesë të dyshuar për disa raste vjedhjeje në Suharekë

    Policia e Kosovës ka identifikuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjeje në territorin e Suharekës.

    Gjatë kësaj jave, Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor të Suharekës, përmes hetimeve intensive dhe bashkëpunimit të ngushtë me stacionet policore të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ka arritur të identifikojë pesë persona të dyshuar për vepra penale të vjedhjes dhe vjedhjes së rëndë.

    Në një nga rastet, është intervistuar i dyshuari E.B. nga Fushë-Kosova, i cili në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar plotësisht kryerjen e veprës penale.

    Po ashtu, në një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, hetuesit policor kanë identifikuar dy të dyshuarit O.S. dhe A.D. Të njëjtit, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, kanë pranuar përgjegjësinë për veprën e kryer.

    Ndërkohë, për një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, janë identifikuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar, për të cilët hetimet janë në vazhdim.

    “Policia e Kosovës, po dëshmon se është e vendosur dhe e palëkundur në luftën kundër krimit. Me profesionalizëm dhe përkushtim, hetuesit policor po punojnë pa u lodhur për të identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar kryesit e veprave penale – sidomos ata që kryejnë vjedhje dhe vjedhje të rëndë, një sfidë e madhe për rendin dhe sigurinë publike“, thuhet në njoftim.

  • Faton Peci deklarohet për marrjen në pyetje nga Prokuroria Speciale

    Faton Peci deklarohet për marrjen në pyetje nga Prokuroria Speciale

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka treguar se në Prokurorinë Speciale është përgjigjur në lidhje me një kallëzim penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputeti Paris Guri e që ka të bëjë me procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, pra në kohën sa ai ushtronte këtë pozitë.

    Për këtë ai thotë se së shpejti do t’iu dorëzohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penale kundër siç thotë kallëzimit të rrejshëm.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Permes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri.

    Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Shumë shpejt, do t’iu drejtohem organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallximit të rrejshëm penal ndaj ish deputetit me vota të vjedhura të mërgatës.

    Sepse ai permes orkestrimit udhëhoqi një fushate, shpifjesh e insinuatash të paqena, që çuan deri te një kallëzim i rrejshëm penal kundër meje si minister.

    Për fund, dua të përsëris dhe t’ju siguroj se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet e përpjekja për baltosjen e emrit tim, nuk më ndalin nga punët e mira e punët e mëdha për Kosovën!

    Vazhdojmë!

  • MASHTI nis rishikimin e kurrikulave, Nagavci fton mësimdhënësit të përfshihen në proces

    MASHTI nis rishikimin e kurrikulave, Nagavci fton mësimdhënësit të përfshihen në proces

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të kontribuojnë në procesin e rishikimit të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për klasat nga 1 deri në 9.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit më 28 janar ka marrë vendim për rishikimin e kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët.

    Përmes një thirrjeje publike, Nagavci ka bërë të ditur se gjatë muajit të ardhshëm do të hapet një debat i gjerë dhe gjithëpërfshirës për kurrikulat lëndore, duke ftuar mësimdhënësit që të bëhen pjesë aktive e këtij procesi.

    “Të dashur mësimdhënës, gjatë muajit të ardhshëm do të hapim një debat të gjerë e gjithëpërfshirës mbi kurrikulat lëndore për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Ju ftoj të bëheni pjesë e këtij procesi dhe të jepni kontributin tuaj në mënyrë që të kemi kurrikula bashkëkohore, mësimdhënie cilësore dhe rezultate të larta për nxënësit tanë”, ka shkruar Nagavci.

    Raporti final dhe rekomandimet për kurrikulat pritet të dorëzohen më së largu deri më 30 prill të këtij viti.

  • Rritje muaj për muaj, veç gjatë dhjetorit Aeroporti i Prishtinës regjistroi mbi 380 mijë udhëtarë

    Rritje muaj për muaj, veç gjatë dhjetorit Aeroporti i Prishtinës regjistroi mbi 380 mijë udhëtarë

    Secilin muaj të vitit 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës e ka mbyllur me rritje të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve. Njëjtë ka qenë edhe gjatë dhjetorit, ku numri i udhëtarëve është rritur për mbi 20 mijë. Por, si kanë qenë shifrat që nga fillimi i vitit e deri në fund?

    Mbi 4.6 milionë udhëtarë kanë shkelur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gjatë vitit të kaluar.

    Vetëm gjatë dhjetorit, në kohë të festave e vjet edhe zgjedhjeve, ky aeroport ka regjistruar mbi 380 mijë pasagjerë.

    Sipas statistikave që ka ofruar ANP’ja për Reporteri.net, numri i udhëtarëve gjatë muajit të fundit të vitit 2025, ka qenë 383 mijë e 827 apo mbi 20 mijë më shumë se në dhjetor 2024.

    Rritje ka shënuar edhe numri i fluturimeve, ku ka pasur 2 mijë e 502 fluturime.

    Me trend të tillë pozitiv, aeroporti ka operuar përgjatë gjithë vitit.

    Gjatë nëntorit, numri i udhëtarëve ka qenë 336 mijë e 964, një rritje prej 8.09% krahasuar me një vit më parë.

    Në tetor, numri ishte akoma më i lartë ku kishte arritur në 386 mijë e 957 pasagjerë.

    Por, muajt më të suksesshëm kanë qenë gushti dhe korriku, kur edhe është koha e pushimeve të mërgimtarëve.

    Gjatë gushtit, Aeroporti shënoi rekord historik, duke arritur shifrën e mbi 500 mijë udhëtarëve për një muaj.

    Ndërkohë, në korrik ka regjistruar 458 mijë e 348 udhëtarë dhe 3 mijë e 298 fluturime.

    Sukeset e kanë përcjellë aeroportin edhe në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, ku krahasuar me muajt e vitit 2024, rritja ka qenë çdo herë mbi 11%.

    Në qershor, numri i udhëtarëve ka qenë 392 mijë e 505, në maj 336 mijë e 850, në prill 399 mijë e 348, në mars 320 mijë e 183, në shkurt 307 mijë e 418 dhe në janar 2025, kanë qenë 343 mijë e 799 udhëtarë.

    Vjet janë bërë edhe një numër i madh investimesh në përmirësimin e shërbimeve për pasagjerët.

    Tash e një vit janë funksionale pajisjet e vetë-regjistrimit (self check-in), të cilat u mundësojnë udhëtarëve që procesin e regjistrimit për fluturim ta përfundojnë brenda pak minutave.

    Është shtuar edhe një parking i ri me sipërfaqe mbi 17 mijë e 200 metra katror, e që ka kapacitet për më shumë se 750 automjete.

    Tek bagazhet, është shtuar edhe një rrip i ri për të reduktuar kohën e pritjes së udhëtarëve pas mbërritjes, si dhe dyert e ndara për nisje dhe mbërritje, për më shumë efikasitet gjatë periudhave me fluks të lartë udhëtarësh.

    Ndryshe, numri i fluturimeve që realizohen nga ky aeroport shkon deri në 100 brenda një dite. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar mbi 30 mijë fluturime.

  • Drejtori ekzekutiv i APK-së, Yll Buleshkaj, flet për korrupsionin në Kosovë

    Drejtori ekzekutiv i APK-së, Yll Buleshkaj, flet për korrupsionin në Kosovë

    Buleshkaj ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar, Agjencia ka përcjellë mbi 150 raste në prokurori, kryesisht të ndërlidhura me deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit dhe përfitimet financiare të zyrtarëve publikë. Ai theksoi se në rastet kur vërtetohet përfitim personal apo për të afërm, APK-ja është e obliguar ligjërisht të dorëzojë kallëzim penal.

  • Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, është duke u intervistuar në Prokurorinë Speciale në cilësinë e të pandehurit, njoftoi zëdhënësja e këtij institucioni, Arbnora Luta për Tëvë1.

    Sipas Lutës, Peci po merret në pyetje për ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë gjatë kohës kur ai udhëhiqte këtë dikaster qeveritar.

    “Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, deklaroi Luta.

    Hetimet për këtë çështje janë ende në zhvillim dhe Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje të tjera mbi hetimin.

  • Manipulimet me vota në Obiliq, Prokuroria fillon hetimet

    Manipulimet me vota në Obiliq, Prokuroria fillon hetimet

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se po e ndjek me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Në këtë drejtim, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe përcaktimit nëse ka pasur shkelje të mundshme ligjore nga persona përgjegjës.

    “Prokuroria Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se po ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit.

    Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.