ATV

Category: Lajme

  • Peci: Mitrovica do të bëhet me spital të ri, projekti nis pas formimit të Qeverisë Kurti 3

    Peci: Mitrovica do të bëhet me spital të ri, projekti nis pas formimit të Qeverisë Kurti 3

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se qyteti do të bëhet me spital të ri, pas një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Peci ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për sektorin e shëndetësisë dhe projektet që Ministria e Shëndetësisë planifikon t’i realizojë në Mitrovicë, me theks të veçantë në ecurinë dhe dinamikën e projektit për ndërtimin e spitalit të ri.

    “Mitrovica do të bëhet me spital të ri. Sot mirëprita në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia, me të cilin diskutuam për projektet që do të realizohen në Mitrovicë dhe për ecurinë e ndërtimit të spitalit”, ka shkruar Peci.

    Sipas tij, spitali i ri do të ndërtohet me hapësira moderne dhe do të ofrojë të gjitha shërbimet shëndetësore të nevojshme për qytetarët.

    “Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo të formohet Qeveria Kurti 3”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.

    Në kuadër të takimit është diskutuar edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

    Peci ka garantuar se Komuna e Mitrovicës do të përmbushë të gjitha obligimet e saj për realizimin e këtij projekti madhor.

    “Komuna e Mitrovicës do t’i kryejë të gjitha obligimet që i përkasin, në mënyrë që ky projekt të jetësohet sa më parë”, ka deklaruar ai.

  • Dobësohet dollari amerikan, euroja arrin nivel rekord që nga viti 2021

    Dobësohet dollari amerikan, euroja arrin nivel rekord që nga viti 2021

    Dollari i SHBA-së po vazhdon të humbasë vlerën kundrejt monedhave të tjera të rëndësishme duke ndjekur kësisoj tendencën e vitit 2025. Vitin e kaluar monedha amerikane shënoi humbjen më të fuqishme që prej gati një dekade.

    Minusi kundrejt një grupi monedhash të tjera më 2025 përbënte rreth 10 për qind. Që nga fillimi i vitit 2026 rënia ka qenë edhe me minus 2,6 për qind të tjera.

    Humbja e vlerës së dollarit ka pasoja ndaj euros dhe monedhave të tjera. Monedha e përbashkët evropiane për herë të parë që nga viti 2021 ka arritur vlerën 1,20 dollarë të SHBA-së. Edhe funta britanike dhe yeni japonez janë rritur kundrejt dollarit në nivelet më të larta.

    Disa ekonomistë dhe analistë i shpjegojnë humbjet e vazhdueshme të vlerës së dollarit me mungesën e besimit të investitorëve tek monedha e SHBA-së, sepse paparashikueshmëria e politikës së presidentit amerikan, Donald Trump vazhdon të japë shkas për shqetësime.

    Ka edhe një tjetër këndvështrim, sipas të cilit vet Trump dhe shumë pjesëtar të ekipit të tij për ekonominë e dëshirojnë një humbje vlere të dollarit, me shpresën, që eksportet nga SHBA të jenë me çmime më të favorshme dhe në këtë mënyrë të rritet aftësia e konkurrencës.

    Trump nuk është përpjekur ta hedhë poshtë këtë hamendësim. Përkundrazi, kur e pyetën këtë javë, nëse shqetësohet për dollarin e dobët, ai u përgjigj: “Jo, kështu është shumë mirë.”

    Stephen Miran, ish-kryetar i shtabit të këshilltarëve ekonomik të Trumpit dhe tani anëtar i këshillit administrativ të Bankës së Rezervave të SHBA-së, Fed, në nëntor 2024 publikoi një “Udhëzues për ristrukturimin e sistemit global të tregtisë”. Doganat dhe zhvleftësimi i dollarit u paraqitën si instrumenta të rëndësishme, për ta ulur deficitin tregtar të SHBA-së.

    Përse e prek kjo Evropën?

    Dobësimi i dollarit ka efekt jo vetëm ndaj ekonomisë së SHBA-së, por ka edhe pasoja për ekonominë e eurozonës dhe për euron. Monedha e përbashkët në 2025 ka fituar 13 për qind vlerë kundrejt dollarit – rritja më e fuqishme që nga viti 2017.

    Forcimi i euros luan “një rol të rëndësishëm për rendimentin ekonomik, tregun e punës dhe gjendjen financiare të buxheteve” në BE, thotë Jack Allen-Reynolds, zëvendës-kryeekonomist për eurozonën në Capital Economics.

    “Një euro më e fuqishme ul aftësinë konkurruese të eksporteve, gjë që dëmton prodhuesit në rajon”, thotë për DW Allen-Reynolds. “Nga ana tjetër importet janë më të lira, gjë çon në uljen e çmimeve për konsumatorët.”

    Ricardo Amaro, kryeekonomist për eurozonën në Oxford Economic tërheq vëmendjen, se një rritje e mëtejshme e euros kundrejt dollarit mund të prekë gjithnjë e më shumë aftësinë e konkurrencës të sipërmarrjeve evropiane, të cilat eksportojnë në SHBA.

    Kjo vërtetë kompensohet nga çmimi i favorshëm i produkteve të SHBA-së në Evropë, sipas Amaros. Por në përgjithësi kursi aktual i këmbimit, nëse mbetet kështu, do të kishte efekt negativ ndaj rritjes ekonomike në Evropë.

    “Sipas llogarive tona produkti bruto në vend i eurozonës sivjet do të ishte rreth 0,2 përqind më i ulët, nëse kursi i këmbimit euro-dollar mbetet në nivelin aktual (1,20 USD), në vend të normës 1,16 dollar, që ka shërbyer si pikë reference në marrëveshjen e tregtisë BE-SHBA në fund të korrikut”, thotë Amaro për DW.

    A duhet të ndërhyjë BQE?

    Rritja e euros kundrejt dollarit ka nxitur spekulimet, nëse është e nevojshme ndërhyrja e Bankës Qendrore Evropiane.

    Martin Kocher, guvernator i Bankës Qendrore të Austrisë e konsideron rritjen aktuale të euros si të “moderuar”. Nëse vlera e euros do të vazhdojë të rritet, duhet të ndërhyjë BQE-ja.

    Qysh tani BQE përpiqet të influencojë pritshmëritë e tregut, kur përfaqësuesit e nivelit të lartë të BQE-së deklarojnë, se “po e vëzhgojnë situatën, dhe shprehin rezerva lidhur me zhvillimet e fundit”, thotë Ricardo Amaro. “Kjo shtron temën e uljes së interesave për të frenuar rritjen e euros.”

    Edhe Jack Allen-Reynolds mendon, se nuk është e nevojshme ndërhyrja me nivelin aktual të ndryshimeve në kurset e këmbimit. Por ai beson, se ndryshime të mëtejshme mund ta venë në lëvizje BQE-në që gjatë vitit të ulë interesat.

    Ndërsa Zsolt Darvas argumenton, se pasojat aktuale lidhur me inflacionin janë gati zero dhe asnjë sektor nuk është veçanërisht i ndjeshëm. “Kurset e këmbimit dekadat e fundit kanë pasur luhatje të fuqishme. Sipërmarrjet janë përgatitur për të përballuar luhatje edhe më të forta se këto që shohim aktualisht”, vlerëson Darvas.

  • Dy mësimdhënës në Ferizaj përleshen fizikisht gjatë pushimit të gjatë, rrahja ndodhi në sy të nxënësve

    Dy mësimdhënës në Ferizaj përleshen fizikisht gjatë pushimit të gjatë, rrahja ndodhi në sy të nxënësve

    Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj janë përfshirë në një përleshje fizike të enjten, gjatë pushimit të gjatë në sy të nxënësve dhe drejtoreshës së shkollës.

    Për rastin e përleshjes së mësimdhënësve, një nxënës e kishte njoftuar Policinë Rajonale të Ferizajt.

    “Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, policia ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj, dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike”- ka konfirmuar më 30.01.2026 për KALLXO. zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25 në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës”- ka shtuar ai.

    Rastin e ka konfirmuar nëpërmjet telefonit edhe drejtoresha e gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, e cila ishte e pranishme në momentin e përleshjes fizike të mësimdhënësve të shkollës.

    Nebihu e ka përshkruar vetëm si “shtyrje” përleshjen, megjithëse e ka pranuar se njëri prej mësimdhënësve ka rënë përtokë.

    “Nuk ka ndodhur rrahje, incident ka pasë, nuk mundem me mohu, e ka rrëzu, e ka shty, e ka rrëzu njoni tjetrin”- ka thënë Nebihu.

    “Unë kam qëllu aty, edhe u çu i njëjti profesor e ka kapë me e çu. Nuk ka pasë kështu grushte mes vete, por e ka shtyrë mbrapa në shpinë t’u dalë, me qëllim, jo pahiri”, ka shtuar ajo.

    Nebihu ka thënë se menjëherë u ka kërkuar mësimdhënësve që të shkojnë në shtëpi dhe se ka informuar edhe Drejtorinë Komunale të Arsimit të Komunës së Ferizajt.

  • Transportuesit nga Serbia dhe Bosnja vazhdojnë bllokadat në pika kufitare për të pestën ditë

    Transportuesit nga Serbia dhe Bosnja vazhdojnë bllokadat në pika kufitare për të pestën ditë

    Transportuesit nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina po i vazhdojnë bllokadat në pikat kufitare me Bashkimin Evropian për të pestën ditë me radhë.

    Ndërkohë, kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë hequr dorë prej këtyre masave më 29 janar, pasi Komisioni Evropian bëri të ditur se po punon në një strategji të re për viza që parasheh zgjidhjen e problemit të ditëve të kufizuara për punëtorët e vendeve të treta që duhet të hyjnë në Zonën Schengen.

    Terminalet për mallra janë bllokuar në 22 pika dalëse dhe 19 pika hyrëse vetëm në Serbi.

    Transportuesit e mallrave janë duke protestuar kundër atyre që i konsiderojnë procedura të ashpra për të hyrë në Zonën Schengen, të cilat, sipas tyre, ua kanë shkurtuar kohën e qëndrimit në shtetet e Bashkimit Evropian.

    Ata kërkojnë që periudha e qëndrimit të zgjatet nga tre në katër muaj brenda një periudhe gjashtëmujore.

    Çka është sistemi EES?

    I njohur si EES (Entry/Exit System), ky sistem u vendos në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe nisi të zbatohej gradualisht më 12 tetor 2025.

    Ai pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.

    Rregulli i ashtuquajtur “90/180 ditë” parasheh që transportuesit nga vendet jashtë Schengenit mund të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

    Paralajmërimet fillestare ishin që bllokadat të zgjasnin për të paktën shtatë ditë, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

    Presidenti i Dhomës së Tregtisë në Serbi, Marko Çadezh, ka thënë në ditën e parë të bllokadave se dëmi direkt ditor që u shkaktohet ekonomive të Ballkanit Perëndimor shkon në rreth 100 milionë euro.

    Strategjia e re e vizave, që është miratuar nga Komisioni Evropian më 29 janar parasheh që institucioni të punojë nga afër me vendet anëtare për të gjetur “zgjidhje pragmatike” dhe të miratojë zgjatje të qëndrimit për disa kategori të shtetasve që vijnë nga shtetet e treta.

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të premten se mirëpret heqjen e bllokadave nga kompanitë transportuese të rajonit, referencë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

    “Ky është një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit për bizneset kosovare, pasi këto bllokada shkaktuan vonesa të konsiderueshme në import dhe eksport, rritje të kostove operative për kompanitë dhe pasiguri për sektorë të tërë ekonomikë në vend”, ka thënë mes tjerash Dhoma e Tregtisë e Kosovës përmes një komunikate për media.

    Kosova nuk ka marrë pjesë në protestë, mirëpo i ka vërejtur pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

    Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ditëve të fundit janë përballur me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare.

  • Prokuroria Themelore jep detaje për rastin e dhunimit të të miturës në Istog

    Prokuroria Themelore jep detaje për rastin e dhunimit të të miturës në Istog

    Një person është arrestuar të enjten në Istog, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të dhunimit ndaj një vajze.

    Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari, mashkull kosovar, është ndaluar pas raportimit të rastit dhe me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur (dhunim) ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

    Tutje poashtu për Tëvë1 për këtë rast zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka jep dhënë detaje ku, një person i rritur ka dhunuar një të mitur.

    “Policia i ka marrë të gjitha veprimet, duke arritur që ta identifikojë menjëherë rastin dhe ta arrestojë të dyshuarin, rasti ka ndodhur në një lokacion të Istogut rreth orës 14:10, ndërsa e mitura është intervistuar në prani të qendrës sociale.Personi i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Gashi.

    Tëvë1 ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka thënë se brenda afatit ligjor do të caktohet masa e paraburgimit.

    Rast i rëndë në Istog, një i rritur dyshohet se dhunoi një të mitur

    “Është ndaluar një person me urdhër të prokurorit të shtetit nën dyshimin se ka kryer veprën penale dhunimi.Prokurori i shteti brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit”, shtoi më tej Nikçi.

  • Seanca e Kuvendit të Zubin Potokut mbahet sot, në rend dite largimi nga Asociacioni i Komunave

    Seanca e Kuvendit të Zubin Potokut mbahet sot, në rend dite largimi nga Asociacioni i Komunave

    Sot, në mesditë, do të mbahet seanca e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut për këtë vit.

    Në rend dite është shqyrtimi dhe miratimi i Vendimit për largimin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, si dhe miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme.

    Po ashtu, do të zgjidhen anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe do të formohet Komiteti për Komunitete.

    Seanca do të pasojë me një mbledhje të Komitetit për Politikë dhe Financa në orën 11:00.

  • Rritet numri i ndërmarrjeve të reja, vetëm në dhjetor u regjistruan 1 mijë

    Rritet numri i ndërmarrjeve të reja, vetëm në dhjetor u regjistruan 1 mijë

    Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 1 mijë ndërmarrje të reja. Krahasuar me muajin paraprak, numri i ndërmarrjeve të regjistruara shënon rritje prej 8.8%. Ndërsa në krahasim me dhjetorin e një viti më parë  është një rritje  prej 6% e ndërmarrjeve të regjistruara.

    Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij muaji ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e mjeteve motorike dhe motoçikletave me 252 ndërmarrje (25.2%), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 120 ndërmarrje (12%), akomodimi dhe shërbimet ushqimore me 110 ndërmarrje (11%), si dhe prodhimi me 99 ndërmarrje (9.9%).

    Sa i përket madhësisë së ndërmarrjeve, dominon kategoria e mikro-ndërmarrjeve (0–9 të punësuar), me gjithsej 988 ndërmarrje të regjistruara. Në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla (10–49 të punësuar) janë regjistruar 12 ndërmarrje, ndërsa në kategoritë e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje gjatë këtij muaji.

    Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të regjioneve: Regjioni i Prishtinës prinë me 500 ndërmarrje të regjistruara (50%), Regjioni i Prizrenit me 105 (10.5%), Regjioni i Gjilanit me 99 (9.9%), Regjioni i Ferizajt me 87 (8.7%), Regjioni i Mitrovicës me 85 (8.5%), Regjioni i Gjakovës me 65 (6.5%), dhe Regjioni i Pejës me 59 (5.9%).

    Por gjatë dhjetorit të vitit që shkoi nuk pati vetëm ndërmarrjke të reja të cilat u regjistruan. Gjatë kotij viti pati dhe nga ata që u shuan. Siaps të dhënave të ASK-së në dhjetor të viit që shkoi  u shuan gjithsej 135 ndërmarrje.

  • Trump: Evropa po shkatërrohet

    Trump: Evropa po shkatërrohet

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dërguar një paralajmërim të fortë për udhëheqësit evropianë.

    Ai ka theksuar se kontinentit i nevojitet një qasje më e mençur ndaj çështjeve të emigracionit dhe energjisë, të cilat, sipas tij, po e shkatërrojnë Evropën.

    “Evropa duhet të bëhet më e zgjuar. Ndërmjet emigracionit dhe energjisë, ata po shkatërrohen – nuk po njihet”, ka thënë 79-vjeçari në një deklaratë të fundit.

    Lideri amerikan shtoi se udhëheqësit evropianë duhet të marrin masa urgjente për të shmangur pasojat negative, duke paralajmëruar se koha për veprim është e kufizuar.

    Komentet e presidentit vijnë ndërsa shumë vende evropiane përballen me sfida të shumta ekonomike dhe sociale.

    Kriza energjetike e shkaktuar nga tensionet gjeopolitike dhe varësia nga importet e gazit dhe naftës po rëndon buxhetet kombëtare, ndërsa flukset e migratëve po krijojnë presion shtesë mbi sistemet sociale dhe infrastrukturore të disa shteteve.

  • Policia në Gjilan shqiptoi 1638 gjoba brenda një jave

    Policia në Gjilan shqiptoi 1638 gjoba brenda një jave

    Njësia rajonale e Trafikut Rrugor e policisë në Gjilan njoftoi se gjatë periudhës kohore 23.01.2026 – 29.01.2026 ka shqiptuar 1638 gjoba.

    Policia tha se gjatë kësaj periudhe në kuadër të këtyre planeve janë ndërmarrë aktivitete edhe në:

    • Hetim i tetë (8) aksidenteve të trafikut me dëme materiale,

    • Hetim i katërmbëdhjetë (14) aksidenteve të trafikut me të lënduar,

    • Shqiptuar dyzet e nëntë (49) gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë,

    • Shqiptuar dyzet e tetë (48) gjoba për përdorim të telefonit,

    • Shqiptuar tridhjetë e nëntë (39) gjoba për modifikim të automjetit (folije të errëta),

    • Shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për tridhjetë e nëntë (39) ngasës.

    Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafik, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, bëni kujdes për të siguruar sigurinë tuaj dhe të tjerëve në rrugë gjatë vozitjes në mot me mjegull dhe shi:

    • Sigurohu që dritat e makinës funksionojnë si duhet,

    • Asnjëherë mos përdor dritat e larta, sepse ato reflektojnë në mjegull dhe përkeqësojnë dukshmërinë,

    • Rrit distancën nga automjetet para,

    • Ndiq vijat anësore të rrugës,

    • Shpejtësia e ulët është thelbësore për të parandaluar aksidente,

    • Mos ndalo në rrugë

  • SHBA vlerëson avancimin dhe rolin rajonal të Shërbimit Korrektues të Kosovës

    SHBA vlerëson avancimin dhe rolin rajonal të Shërbimit Korrektues të Kosovës

    Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka pritur në takim Kyle Conahan, zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së nga Zyra për Kundërterrorizëm.

    Gjatë këtij takimi, Dibrani ka prezantuar zhvillimet, arritjet dhe sukseset e Shërbimit Korrektues të Kosovës, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, duke theksuar veçanërisht avancimin e Njësisë së Inteligjencës së SHKK-së dhe rolin e saj në rritjen e sigurisë.

    Ai ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, duke theksuar se falë kësaj përkrahjeje, Shërbimi Korrektues i Kosovës është shndërruar në një institucion lider në rajon për nga standardet e trajtimit dhe sigurisë.

    Në kuadër të takimit u diskutua gjithashtu për çështje që lidhen me kundërterrorizmin, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe forcimin e mëtejmë të sigurisë në institucionet korrektuese.