ATV

Category: Lajme

  • Putin pranon ndalimin e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt

    Putin pranon ndalimin e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt

    Kremlini njofton se presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar të ndalojë sulmet ndaj qyteteve ukrainase deri më 1 shkurt.

    Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se “mund të them se presidenti Trump i kërkoi personalisht presidentit Putin të ndalojë sulmet ndaj Kievit për një javë, për të krijuar kushte të favorshme për negociata. Kjo është çfarë mund të them për këtë çështje”.

    Kur u pyet nëse Putin kishte pranuar këtë propozim, Peskov shtoi se “Po, sigurisht. Ishte një kërkesë personale nga presidenti Trump”, raporton skynews.

    Sipas Trump, gjatë një takimi të kabinetit, ai i kishte kërkuar Putinit të ndalojë sulmet që ndërpresin energjinë elektrike dhe ngrohjen në Ukrainë, ku temperaturat mund të bien deri në -30°C.

    Presidenti amerikan tha se Putin “kishte pranuar të bëjë këtë”.

    Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nuk ka asgjë të miratuar zyrtarisht.

  • Tragjike në Itali: Makina përplaset me kamionin, vdesin dy të rinj shqiptarë

    Tragjike në Itali: Makina përplaset me kamionin, vdesin dy të rinj shqiptarë

    Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën pas një aksidenti të rëndë rrugor të regjistruar pasditen e së enjtes në Itali.

    Aksidentim siç shkruan Euronewsal, ndodhi në zonën e Cuneos, në Savigliano.

    Makina tip “Jeep Avengers” më të cilën udhëtonin dy të rinjtë dhe një person i tretë u përplas ballë për ballë me një kamion, transmeton Klankosova.tv.

    Viktimat janë rreth të njëzetave ndërsa nga kjo ngjarje janë plagosur edhe dy persona të tjerë. Ata po marrin ndihmë mjekësore në spitalet në Savigliano dhe Cuneo.

    Dy viktimat u nxorën nga automjeti nga shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit.

  • Kurti: Për formimin e institucioneve na duhet bashkëpunimi i opozitës

    Kurti: Për formimin e institucioneve na duhet bashkëpunimi i opozitës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm dhe i interesuar për bashkëpunim institucional, por theksoi se mbetet të shihet në muajin shkurt nëse ekziston gatishmëri edhe nga opozita për një raport të ri Qeveri–Opozitë.

    Gjatë një vizite në Odën e Mjekëve të Kosovës, Kurti tha se duhet parë në Kuvend nëse ka atmosferë për një bashkëpunim të ri politik, duke nënvizuar se kjo është e domosdoshme për çështje të rëndësishme shtetërore që kërkojnë dy të tretat e votave të deputetëve.

    “Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Nuk mund ta them këtë paraprakisht, por muaji shkurt do të na tregojë nëse mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona”, tha Kurti.

    Ai theksoi se populli i ka dhënë një mbështetje të madhe Lëvizjes Vetëvendosje, gjë që përbën një përgjegjësi të lartë për formimin e Qeverisë së re, por shtoi se për marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes nevojitet bashkëpunimi i opozitës.

    Kurti konfirmoi gjithashtu se ka qenë në komunikim dhe takim me presidenten Vjosa Osmani, por theksoi se ky proces vjen vetëm pasi të përmbushen disa hapa paraprakë institucionalë, përfshirë certifikimin e rezultateve zgjedhore, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

    Ai shtoi se ndër prioritetet e menjëhershme janë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej mbi 882 milionë euro.

    Në fund, Kurti përsëriti se gatishmëria për bashkëpunim nga ana e tij ekziston dhe se muaji shkurt do të jetë përcaktues për raportet e ardhshme politike në Kuvend.

  • Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson sukseset e Shërbimit Korrektues të Kosovës

    Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson sukseset e Shërbimit Korrektues të Kosovës

    Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti në një takim Kyle Conahanin, zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së nga zyra për kundërterrorizëm.

    Gjatë takimit, drejtori Dibrani i informoi për zhvillimet, të arriturat dhe sukseset e Shërbimit Korrektues të Kosovës, si në nivelin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtare, me theks të veçantë në rolin dhe avancimin e Njësisë së inteligjencës së SHKK-së.

    Po ashtu, drejtori Dibrani falënderoi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se falë përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, e në veçanti Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Shërbimi Korrektues i Kosovës sot është lider në rajon, si për nga trajtimi ashtu edhe për nga siguria, e po ashtu edhe shembull i suksesit dhe model për t’u ndjekur nga vendet e rajonit.

    Në takim u diskutua edhe për çështjet që lidhen me kundërterrorizmin, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe forcimin e sigurisë.

  • Në Malishevë u përkujtua 36-vjetori i Masakrës së vitit 1990

    Në Malishevë u përkujtua 36-vjetori i Masakrës së vitit 1990

    Në 36-vjetorin e Masakrës së Malishevës, sot u përkujtua me nderim dhe respekt vrasja e dy qytetarëve të kësaj komune, Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, si dhe plagosja e dhjetëra qytetarëve të tjerë.

    Me këtë rast, u bënë homazhe pranë varrezave të dy dëshmorëve, duke rikujtuar njërën nga ngjarjet më të rënda dhe më të dhimbshme në historinë e Malishevës, e cila kishte ndodhur më 30 janar 1990.

    Në homazhe morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fatmir Ademaj, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët me praninë e tyre nderuan sakrificën dhe kujtimin e të rënëve.

    Gjatë fjalëve përkujtimore, 30 janari i vitit 1990 u cilësua si dita më e rëndë për Malishevën, kur protestat paqësore të qytetarëve shqiptarë u shtypën me dhunë nga pushteti i atëhershëm, duke lënë pas të vrarë, të plagosur dhe shumë qytetarë të maltretuar.

    “Krahas dhimbjes së madhe që kjo ngjarje mbart, ajo përfaqëson edhe krenarinë tonë si Malishevë, sepse institucionet lokale të asaj kohe, të prira nga kryetari i komunës, Daut Krasniqi, me bashkëpunëtorë, shënuan një kthesë të rëndësishme historike. Për herë të parë, reagimi institucional ndaj kësaj masakre u artikulua zyrtarisht, madje edhe në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

    Ai theksoi se Komuna e Malishevës do të vazhdojë t’i përkujtojë dhe t’i nderojë vlerat dhe kontributin e dëshmorëve, si dhe të gjithë qytetarëve që u sakrifikuan për liri, duke ruajtur gjallë kujtesën për ngjarjet e viteve ’90, të cilat më pas kulmuan me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • 68 raste të dhunës në familje brenda një jave

    68 raste të dhunës në familje brenda një jave

    Gjatë periudhës njëjavore të punës në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 78 raste të reja të paraqitura.

    Prej tyre:

    68 raste – dhunë në familje
    1 rast – trafikim i mundshëm
    1 rast – trafikim
    2 raste – dhunim
    2 raste – sulm seksual
    1 rast – vrasje e rëndë
    1 rast – intoksikim i personit tjetër me narkotikë
    1 rast – shkelje e detyrimeve familjare
    1 rast – bashkëjetesë nën moshën 16-vjeçare
    8 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) të parashtruara në gjykatë
    17 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME)
    2 kërkesa për urdhër mbrojtje të përkohshëm emergjente
    1 kërkesë për vazhdim të UM-së
    1 kërkesa për ndryshim të UM-së
    2 kërkesa për ndërprerje të UM-së
    21 aktvendime të aprovuara
    4 aktvendime të tërhequra
    82 seanca gjyqësore
    13 seanca në prokurori
    86 këshilla juridike
    17 aktgjykime dënuese
    1 aktgjykim lirues
    1 aktgjykim refuzues
    7 përpilime të parashtresave të ndryshme
    5 përfaqësime të rastit në polici
    2 referime të rastit në polici
    1 përfaqësim i rastit në strehimore
    1 kërkesë për kompensim nga fondi i viktimave

  • Netanyahu thërret takim urgjent sigurie për shkak të Iranit

    Netanyahu thërret takim urgjent sigurie për shkak të Iranit

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti konsultime sigurie me këshilltarët e lartë dhe zyrtarët ushtarakë mbi një “temë konfidenciale” mbrëmë, dhe fokusi, siç ka mësuar Times of Israel, është mbi Iranin dhe veprimin e mundshëm ushtarak të SHBA-së kundër vendit.

    Sipas raportimeve nga Channel 12 i Izraelit, bisedimet u përqendruan në vlerësimin e një sulmi të mundshëm të SHBA-së ndaj objektivave iraniane, duke përfshirë aftësitë bërthamore dhe raketore, duke treguar se një sulm i kufizuar, sipas mendimit të zyrtarëve, nuk do ta rrëzonte regjimin në Teheran.

    Siç ka mësuar Channel 12 nga burime ushtarake, Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet të lëshojë një direktivë mbi një sulm të mundshëm ndaj Iranit në ditët në vijim, pasi të gjitha aftësitë ushtarake të SHBA-së të kenë mbërritur në rajon.

    Zyrtarët izraelitë thuhet se besojnë se edhe një sulm i kufizuar mund të provokojë një përgjigje të rëndësishme iraniane ndaj Izraelit, ndaj të cilit Tel Avivi do të reagonte fuqishëm.

    U theksua gjithashtu se presioni nga Arabia Saudite, Turqia, Katari dhe Omani mbi Uashingtonin po rritet në mënyrë që këto vende të mund të ndihmojnë në ndërmjetësimin midis SHBA-së dhe Iranit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje diplomatike.

  • Policia e Kosovës realizon vizitën e parë në kufirin SHBA–Meksikë në Portin e Hyrjes Laredo

    Policia e Kosovës realizon vizitën e parë në kufirin SHBA–Meksikë në Portin e Hyrjes Laredo

    Më 23 janar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë nga PK, realizoi vizitën e parë zyrtare të Policisë së Kosovës në kufirin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.

    Sipas një njoftimi bëhet e ditur se delegacioni vëzhgoi nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së dhe zyrtarët kufitarë.

    “Vizita u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë përmes DOJ-ICITAP. Kjo vizitë historike shënoi herën e parë që zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vëzhguar drejtpërdrejt procedurat operative në disa pika të kalimit kufitar SHBA–Meksikë. Delegacioni shprehu vlerësim të lartë për mundësinë për t’u njohur nga afër me praktikat e sofistikuara të CBP-së dhe Patrullës Kufitare të menaxhimit kufitar, përdorimin e teknologjive moderne dhe qasjet e koordinuara të zbatimit të ligjit të përdorura në një nga pikat më të ngarkuara të hyrjes në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim gjatë vizitës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës ndoqën operacionet në kohë reale, përfshirë procedurat e inspektimit, metodat e kontrollit të bazuara në vlerësimin e rrezikut, si dhe integrimin e teknologjisë për forcimin e sigurisë kufitare, njëkohësisht duke lehtësuar tregtinë dhe lirinë udhëtimin e ligjshëm.

    “Këto përvoja u vlerësuan lartë si në aspektin e njohurive praktike dhe janë mësime të vlefshme që mund të përshtaten për forcimin e operacioneve të sigurisë kufitare në Kosovë. Policia e Kosovës vlerëson shumë lartë vizitën, njohuritë dhe përvojat e fituara do të kontribuojnë në planifikimin e ardhshëm dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve, përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për avancimin e standardeve të sigurisë kufitare dhe rritjen e efektivitetit operacional”.

    Kjo vizitë nënvizon partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe pasqyron përkushtimin e përbashkët ndaj sigurisë kufitare, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për ushtrimin e FSK-së në dy lokacione

    Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për ushtrimin e FSK-së në dy lokacione

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se gjatë fillimit të muajit shkurt do të zhvillohen dy aktivitete trajnuese nga kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe rrethinës.

    Sipas njoftimit, më 3 shkurt 2026, në zonën e Badovcit, Qendra Studimore Universitare e FSK-së do të realizojë një trajnim në terren për navigim tokësor me emërtimin “Rruga e Heronjve”.

    Ndërkaq, më 6 dhe 7 shkurt 2026, në zonën e Koliqit, Qendra Studimore Universitare e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së do të zhvillojë një vlerësim praktik për operacione mbrojtëse në terren.

    Nga Komuna e Prishtinës është theksuar se ushtrime dhe trajnime të ngjashme janë realizuar edhe më herët nga kadetët e FSK-së dhe se ato kanë karakter profesional dhe edukativ.

    Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve, duke bërë të ditur se për çdo informatë shtesë do të ketë njoftime me kohë.

  • PDK: Tendenca për rishkrimin e historisë në shkolla, e papranueshme, Specialja ka devijuar nga misioni

    PDK: Tendenca për rishkrimin e historisë në shkolla, e papranueshme, Specialja ka devijuar nga misioni

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, mbajti sot një konferencë për media ku shprehu shqetësimin e thellë të PDK-së lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.

    Sipas Grudës, incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.

    “Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

    Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda. Ai paralajmëroi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk po sulmohet më vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të futet edhe në bankat shkollore.

    “Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.

    Deputeti i PDK-së theksoi se shqetësimi i partisë është shumëdimensional. Ai përmendi rrezikun e indoktrinimit të nxënësve, përpjekjet për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.

    “Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar.

    Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.

    Ai shtoi se kjo Gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar.

    “Ajo është dashur të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në heqjen e njollave ndaj UÇK-së, por është shndërruar në një mekanizëm që tenton të rishkruajë historinë”, u shpreh ai. PDK kërkon sqarim urgjent se kush është përgjegjës për këto ligjërata dhe si ka ndodhur që prezantime të paraqitura si ligjërata për të drejtat e fëmijëve të shndërrohen në mesazhe politike. “Kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve në shkollat e Kosovës, pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standard profesional,” theksoi Gruda.

    Në këtë kontekst, ai tha se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, është një reagim i natyrshëm në momentin kur procesi në Hagë ka hyrë në fazën finale. Në përmbyllje, Gruda theksoi qëndrimin e palëkundur të PDK-së. “Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme çlirimtare. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim.

    PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, në mbrojtje të UÇK-së dhe në mbrojtje të së vërtetës për Kosovën”, tha Gruda.