ATV

Category: Lajme

  • Selmanaj: Është vlerë e madhe e LDK-së që Hoti të jetë në krye të partisë

    Selmanaj: Është vlerë e madhe e LDK-së që Hoti të jetë në krye të partisë

    Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se partia ka reflektuar çdo herë që është përballur me sfida për zgjedhjen e kryetarit, një proces që do të zhvillohet edhe sot.

    Ai ka theksuar se çdo vendim lidhur me kryetarin është në vlerësimin e secilit individ brenda Kryesisë. I pyetur për kandidaturën e Avdullah Hotit, Selmanaj ka thënë se ai do të përbënte një vlerë për partinë.

    “Është vlerë e madhe e LDK që Hoti të jetë në krye të LDK-së, por nuk përjashtohen edhe kandidaturat tjera”, ka thënë Selmanaj.

    Ai gjithashtu ka cilësuar si shenjë jo të mirë paqartësinë lidhur me agjendën e Kryesisë për sot.

    “Pavarësisht se sot nuk e kemi të qartë krejtësisht agjendën, kjo nuk është shenjë e mirë. Ishte dashur mbrëmë ta kishim të qartë nëse do votohet për votëbesim apo do kemi shqyrtim të dorëheqjes. Qëndrimet dhe qartësia e delegatëve do të jenë epilogu në çfarëdo procesi”, ka shtuar ai.

  • Një muaj paraburgim për 54-vjeçarin që dyshohet për dhunimin e 13-vjeçares në Istog

    Një muaj paraburgim për 54-vjeçarin që dyshohet për dhunimin e 13-vjeçares në Istog

    Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit T.P., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda.

    Masa e paraburgimit është vendosur për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

    “Paraburgimi i është caktuar nga data 29.01.2026, ora 14:30, dhe do të zgjasë deri më 28.02.2026, ora 16:00”, thuhet në njoftim të gjykatës.

  • E dhimbshme: Vdes ish-luftëtari i UÇK-së, Muhamet Bushi

    E dhimbshme: Vdes ish-luftëtari i UÇK-së, Muhamet Bushi

    Ka ndërruar jetë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamet Bushi.

    Kështu ka njoftuar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega Hani i Elezit.

    Varrimi i të ndjerit do të bëhet pas namazit të ikindisë, në varrezat e lagjes Meliq.

  • Shembja e murit mbi automjetin në Han të Elezit, detyroi evakuimin e banorëve

    Shembja e murit mbi automjetin në Han të Elezit, detyroi evakuimin e banorëve

    Policia është deklaruar lidhur me rastin e rëndë në Han të Elezit, ku një shofer, fatmirësisht, u shpëtua mbrëmë pasi një mur zuri automjetin në të cilin ndodhej.

    Sipas raportit 24-orësh, si pasojë e incidentit, banorët përreth janë detyruar të evakuohen me rekomandimin e prokurorit dhe AME-së, ndërsa një patrullë policore mbetet në sigurim të vendit të ngjarjes deri në zhvillimet e radhës.

    Lidhur me rastin ishte deklaruar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    Sipas tij, një mur mbrojtës ishte shembur dhe kishte rënë mbi një veturë pasagjerësh, ku ndodhej vetëm shoferi.

    Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e Emergjencës dhe njësia e Zjarrfikësve nga Hani i Elezit, të cilët kanë filluar ndërhyrjen për nxjerrjen e personit të bllokuar në veturë.

    Sipas Veselit, shoferi ka qenë me vetëdije, por i ngujuar brenda veturës.

    “Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Han të Elezit. Rreth orës 22:00, nga njësia e zjarrfikësve personi është nxjerrë nga vetura, i cili kishte pësuar lëndime trupore, por ka qenë me vetëdije dhe nga njësia emergjente është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit”, tha ai.

    Për veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar “Shënim zyrtar” për veprime tjera hetimore.

  • Vetura godet 7-vjeçaren në Podujevë, trajtohet në QKUK

    Vetura godet 7-vjeçaren në Podujevë, trajtohet në QKUK

    Në fshatin Surkish të Podujevës ka ndodhur një aksident trafiku, ku një veturë ka goditur një këmbësore të mitur 7-vjeçare.

    Sipas raportit policor 24-orësh, si pasojë e aksidentit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “I dyshuari është ndaluar përkohësisht në stacion policor”, njoftoi Policia.

  • Më shumë se 200 të vdekur në shembjen e një miniere në Kongo

    Më shumë se 200 të vdekur në shembjen e një miniere në Kongo

    Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën këtë javë pas një shembjeje të minierës në Republikën Demokratike Lindore të Kongos.

    Kështu bëri të ditur për Reuters, Lumumba Kambere Muyisa, zëdhënës i guvernatorit të emëruar nga rebelët të provincës ku ndodhet miniera.

    Miniera e Rubaya prodhon rreth 15% të koltanit në botë, i cili përpunohet në tantal – një metal rezistent ndaj nxehtësisë dhe shumë i kërkuar nga prodhuesit e telefonave celularë, kompjuterëve, komponentëve hapësinorë dhe turbinave me gaz. Vendi, ku vendasit gërmojnë manualisht për disa dollarë në ditë, ka qenë nën kontrollin e grupit rebel AFC/M23 që nga viti 2024.

    Shembja ndodhi të mërkurën, ndërsa numri i saktë i viktimave ishte ende i paqartë deri të premten në mbrëmje.

    “Më shumë se 200 persona ishin viktima të kësaj rrëshqitjeje dheu, përfshirë minatorë, fëmijë dhe gra. Disa njerëz u shpëtuan pikërisht në kohë dhe kanë lëndime serioze,” tha Muyisa. Ai shtoi se rreth 20 persona të plagosur po trajtohen aktualisht në mjediset shëndetësore.

    Një këshilltar i guvernatorit tha se numri i të vdekurve të konfirmuar është të paktën 227. Ai foli në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të informonte median.

  • Pavarësisht marrëveshjes së financimit, qeveria amerikane mbyllet pjesërisht

    Pavarësisht marrëveshjes së financimit, qeveria amerikane mbyllet pjesërisht

    Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara ka hyrë pjesërisht në mbyllje (shutdown), pavarësisht një marrëveshjeje të minutës së fundit për financim që u miratua nga Senati amerikan.

    Ndërprerja e financimit ka nisur zyrtarisht në mesnatë, sipas orës lindore të SHBA-së, të shtunën, vetëm disa orë pasi senatorët ranë dakord të financojnë shumicën e agjencive deri në muajin shtator. Megjithatë, ligji përjashton për një periudhë dyjavore Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), i cili mbikëqyr agjencitë e zbatimit të ligjit për emigracionin.

    Projektligji ende nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila aktualisht nuk është në seancë.

    Presidenti Donald Trump e arriti marrëveshjen me demokratët pasi ata refuzuan të japin fonde shtesë për zbatimin e ligjit të emigracionit, pas vrasjes fatale të dy shtetasve amerikanë në Minneapolis nga agjentë federalë, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Kjo është mbyllja e dytë e qeverisë brenda një viti dhe ndodh vetëm 11 javë pas përfundimit të bllokimit të mëparshëm buxhetor, i cili zgjati 43 ditë – më i gjati në historinë e SHBA-së.

    Mbyllja e vitit 2025, që zgjati nga 1 tetori deri më 14 nëntor, pati pasoja të gjera në shërbimet thelbësore qeveritare, përfshirë trafikun ajror, dhe la qindra mijëra punonjës federalë pa paga për javë të tëra.

    Megjithatë, kjo mbyllje pritet të mos jetë aq e gjatë apo aq e përhapur, pasi Dhoma e Përfaqësuesve pritet të rikthehet në seancë të hënën.

    Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, ka udhëzuar disa agjenci, përfshirë Departamentin e Transportit, Arsimit dhe Mbrojtjes, që të zbatojnë planet e mbylljes.

    “Punonjësit duhet të paraqiten në punë për turnin e tyre të radhës për të kryer aktivitetet e mbylljes së rregullt”, thuhet në një memorandum të Shtëpisë së Bardhë drejtuar agjencive. “Shpresa jonë është që kjo ndërprerje të jetë e shkurtër.”

    Presidenti Trump u ka bërë thirrje republikanëve, të cilët mbajnë shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, që të votojnë pro marrëveshjes.

    Ligjvënësit planifikojnë ta shfrytëzojnë periudhën dyjavore të financimit të DHS-së për të negociuar një marrëveshje më të gjerë. Demokratët kërkojnë që kjo marrëveshje të përfshijë politika të reja për agjentët e zbatimit të ligjit të emigracionit.

    “Duhet ta frenojmë ICE-in dhe t’i japim fund dhunës”, tha lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer, duke iu referuar Agjencisë për Imigracion dhe Dogana (ICE).

    “Kjo nënkupton ndalimin e patrullimeve endacake. Nënkupton vendosjen e rregullave, mbikëqyrjes dhe urdhrave gjyqësorë… Maskat duhet të hiqen, kamerat të qëndrojnë ndezur dhe oficerët të kenë identifikim të dukshëm. Nuk duhet të ketë polici sekrete.”

    Si ligjvënësit republikanë ashtu edhe ata demokratë kanë kritikuar ashpër taktikat e përdorura nga agjentët e emigracionit pas vrasjes fatale të Alex Pretti-t në Minneapolis fundjavën e kaluar.

    Pretti, infermier i kujdesit intensiv, u qëllua nga një agjent i Patrullës Kufitare të SHBA-së pas një përplasjeje, gjatë së cilës disa agjentë tentuan ta ndalonin.

    Të premten, Departamenti i Drejtësisë nisi një hetim për të drejtat civile lidhur me këtë rast.

  • Ditë vendimtare për LDK-në: Abdixhiku vazhdon apo zgjidhet kryetar i ri?

    Ditë vendimtare për LDK-në: Abdixhiku vazhdon apo zgjidhet kryetar i ri?

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot, për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, një mbledhje që pritet të përcaktojë të ardhmen e udhëheqjes së partisë.

    Kuvendarët e LDK-së do të përballen me vendimin nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, do të vazhdojë në detyrë apo do të zgjidhet një kryetar i ri.

    Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku kishte njoftuar se do të ofronte dorëheqjen e tij në Kuvend, duke lënë vendim për pranimin e saj te kuvendarët.

    Megjithatë, anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, ka cilësuar dorëheqjen si akt të kryer dhe ka shpallur kandidaturën për kryetar.

    Disa anëtarë të partisë kanë shprehur publikisht mbështetjen për Abdixhikun, ndërsa të tjerë i kanë kërkuar dorëheqjen, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, e cila dha dorëheqje nga pozita e nënkryetares.

    Kuvendi i Punës, i thirrur nga LDK-ja, do të nisë punimet nga ora 12:00. Sipas njoftimit zyrtar, mediat do të lejohen të përcjellin fjalën e Abdixhikut, ndërsa më pas Kuvendi do të mbahet i mbyllur për diskutime dhe vendime të brendshme.

  • 29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

    29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

    Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

    Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët e tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë.

    Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan. Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake.

    Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në vitin 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

    Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

    Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

    Për të gjithë aktivitetin e tij ndihmën më të madhe ia ka dhënë kushëriri i tij Fadil Pajaziti i cili ishte një biznesmen dhe pothuajse të gjithë financimin e ka pasur nga ai.

    Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.

    Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo.

    Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

    Hakif Zejnullahu ka një kontradiktë mes heshtjes së tij dhe punës së bërë prej tij. Nëse heshtjen e ka të jashtëzakonshme, punën e ka po ashtu të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

    Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme.

  • Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024 në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe (VBA).

    Sipas Hoxhës, njëri nga tre të arrestuarit është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në këtë shërbim.

    “Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, tha Hoxha për RTK.

    Drejtori i Policisë ka shtuar se nga terreni janë mbledhur fakte të mjaftueshme, të ekzaminuara nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat tregojnë se personat e përfshirë, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer aktin terrorist.

    “Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat me krimin”, tha Hoxha.

    Ai ka folur gjithashtu edhe për situatën në veri, luftën kundër armëve ilegale, si dhe sfidat dhe sukseset e Policisë së Kosovës. Sipas raportit vjetor të policisë, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e veprave penale, veçanërisht vjedhjeve dhe grabitjeve. /rtk