ATV

Category: Lajme

  • Osmani kujton Elfete e Mentor Humollin: Guximi i tyre na frymëzon përjetësisht

    Osmani kujton Elfete e Mentor Humollin: Guximi i tyre na frymëzon përjetësisht

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Elfete Humollin në përvjetorin e vrasjes së saj, duke e cilësuar si simbol të guximit dhe dashurisë për atdheun.

    “Në moshën vetëm 16 vjeçare, Elfete Humolli u ngrit kundër shtypjes dhe dhunës së regjimit kriminal serb, duke na treguar se guximi dhe dashuria për atdheun nuk kanë çmim. Në përvjetorin e vrasjes së saj, vizituam familjen Humolli në Lupç të Poshtëm, vendosëm kurorë lulesh dhe nderuam kujtimin e vëllait, Mentorit, i cili ra dëshmor në Koshare në mars 1999. Motra dhe vëllai u bashkuan në të njëjtën kauzë të shenjtë për lirinë e vendit. Kosova, sot është e lirë, ndërsa guximi i Elfetës dhe Mentorit na frymëzojnë përjetësisht!”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

  • Vdes një i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë, u gjet i varur

    Vdes një i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë, u gjet i varur

    Një i burgosur i dënuar për dy raste dhunimi është gjetur i vdekur në Burgun e Sigurisë së Lartë.

    Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, E.G. është gjetur i varur në dhomën e tij.

    I burgosuri ishte pranuar më 15 gusht 2024, ndërsa lirimi i tij ishte parashikuar për 1 mars 2048.

    Rasti është njoftuar te Policia dhe prokurori kompetent, ndërsa hetimet dhe procedurat administrative për sqarimin e plotë të rrethanave janë duke u zhvilluar.

    “Menjëherë ka reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit. Pavarësisht përpjekjeve për ofrimin e ndihmës mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë. I ndjeri ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit. Ai ishte pranuar në institucion më 15.08.2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë më 01.03.2048”, thuhet në njoftim.

  • Vdes një grua në QKUK, Policia po e trajton rastin si shtytje në vetëvrasje

    Vdes një grua në QKUK, Policia po e trajton rastin si shtytje në vetëvrasje

    Policia ka nisur hetimet lidhur me një rast ku një femër kosovare ndërroi jetë gjatë trajtimit në QKUK. Ngjarja është regjistruar si shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje.

    Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është bërë e ditur se një femër kosovare, e cila po trajtohej në institucionin shëndetësor, pësoi keqësim të gjendjes dhe ndërroi jetë.

    Rasti është regjistruar nga autoritetet si shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

    Hetimet për rrethanat e ngjarjes janë duke vazhduar, raporton RTK.

  • Skandali “Epstein”: Jep dorëheqjen Miroslav Lajçak, publikohen mesazhet tronditëse për “vashat ruse” dhe takimet në SHBA

    Skandali “Epstein”: Jep dorëheqjen Miroslav Lajçak, publikohen mesazhet tronditëse për “vashat ruse” dhe takimet në SHBA

    Ish-emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është larguar nga pozita e këshilltarit të Kryeministrit sllovak, Robert Fico. Dorëheqja vjen pas publikimit të mbi 3 milionë dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, ku zbardhet komunikimi i tij me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

    Oferta për gra dhe motrat e tyre: “Nuk e dinë si jam në aksion”

    Dokumentet gjyqësore të publikuara të premten në SHBA shpërfaqin një marrëdhënie jashtëzakonisht të afërt mes Lajçakut dhe Epstein. Sipas mesazheve të vitit 2018 të publikuara nga gazeta Dnevnik N, komunikimi mes tyre kalonte përtej diplomacisë.
    Në një prej shkëmbimeve, Epstein i ofronte Lajçakut gra, duke ironizuar se ato mund të ishin shumë të reja për të (nën moshën 30-vjeçare). Përgjigjja e Lajçakut, sipas dosjes, ishte: “Mos u bë i keq. Nuk e dinë si jam në aksion.”

    Bisedat e tjera përfshijnë komente për vajza në Kiev dhe Moskë. Për një foto nga Rusia, Epstein shkruante se ato janë “eksporti më i mirë rus”, ndërsa Lajçaku i përgjigjej me shaka: “Pas naftës”, shkruan Dnevnik N.

    Emri i Lajçakut përmendet qindra herë

    Përkundër mohimeve të Lajçakut, dokumentet e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së tregojnë se kontakti nuk ishte sporadik. Ai identifikohet me emrin e afërt “Miro”, ndërsa bisedat datojnë kryesisht nga koha kur ai shërbente si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Dosja përmban të dhëna për:

    Takime dhe dërgesa të përbashkëta.

    Vizita të mundshme në rezidencën e Epstein në Florida, vendi ku u abuzuan vajza të mitura.

    Mbi 180 mijë fotografi dhe 2 mijë regjistrime video që janë pjesë e grupit të ri të dokumenteve.

    Fico pranon dorëheqjen, sulmon opozitën

    Kryeministri sllovak, Robert Fico, njoftoi se e ka pranuar ofertën e Lajçakut për të ndërprerë bashkëpunimin, ndonëse e cilësoi atë si një “humbje të një burimi të jashtëzakonshëm përvoje”. Në një deklaratë të transmetuar nga Dnevnik N, Fico sulmoi kundërshtarët politikë:

    “Miro e ka dëshmuar veten si një diplomat i shkëlqyer… Është e çuditshme që media dhe opozita nuk shënjestrojnë liderin e opozitës Simecek, i cili paraqet rrezik më të madh se Lajçaku,” deklaroi Fico.

    Mohimi i Lajçakut

    Miroslav Lajçak ka mohuar kategorikisht interpretimet e mesazheve, duke thënë se kurrë nuk ka komunikuar me Epstein për gra. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka specifikuar se publikimi i këtyre dokumenteve (shumë prej të cilave raporte të paverifikuara) nuk do të thotë domosdoshmërisht konfirmim i vërtetësisë së çdo pretendimi.

    Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për trafikim seksual. Vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje.

  • Policia apelon për kujdes në trafik për shkak të motit

    Policia apelon për kujdes në trafik për shkak të motit

    Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë ngasjes, për shkak të ndryshimeve të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut që po shkakton vështirësi në qarkullimin rrugor.

    Sipas Policisë, reshjet e shiut mund të rrisin rrezikun e aksidenteve.

    Shoferëve u është rekomanduar të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të ngadalësojnë lëvizjen në rrugë të lagështa nga reshjet, ku mund të ketë rrëshqitje.

    “Siguria e shoferëve dhe e pjesëmarrësve të tjerë në trafik është prioritet. Kujdesi i shtuar në këto kushte ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës,” thuhet në thirrjen e policisë.

  • 43 kryesues të QNR-ve në Mitrovicë do të intervistohen pas dyshimeve për manipulim me vota

    43 kryesues të QNR-ve në Mitrovicë do të intervistohen pas dyshimeve për manipulim me vota

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar Hetimet Rajonale që të intervistohen 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit të Komunave Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Kjo për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit nëpër këto komuna.

    Rinumërimi i plotë i votave ka zbuluar manipulime të mijëra votave të kandidatëve për deputetë dhe ka vënë prapa grilave të paraburgimit dhjetëra zyrtarë. Hetimet janë zgjeruar në disa komuna, por ato ende nuk kanë prekur kandidatët për deputetë. Prokurorja Laura Pula ka paralajmëruar se edhe ata mund të jenë objekt hetimi.

    Provat e siguruara deri më tani kanë treguar se për manipulimin e rezultatit zgjedhor, përveç ryshfetit, është përdorur edhe kanosja.

  • Abdixhiku: Përgjegjësia për rezultatin e zgjedhjeve është e imja

    Abdixhiku: Përgjegjësia për rezultatin e zgjedhjeve është e imja

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pranuar se përgjegjësi kryesore për rezultatin e 28 dhjetorit është e tij.

    Në fillim të adresimit të tij, para delegatëve të Kuvendit të LDK-së, ai ka thënë se vendimmarrja për të ardhmen e LDK-së do të vendoset ë këtë Kuvend.

    Ai ka bërë me dije se askush tjetër nuk do të mund të vendos për fatin e LDK-së.

    “Më lejoni t’i heq të gjitha dyshimet, dhe të them po, se përgjegjësia është e imja. Dhe se po, vendimmarrja do t’u kthehet juve. Nuk lejoj askush tjetër të vendos për fatin e LDK-së, përveç Kuvendit”, ka thënë Abdixhiku.

  • Grabiten një mijë euro në një këmbimore në Pejë, kapen dy të dyshuarit

    Grabiten një mijë euro në një këmbimore në Pejë, kapen dy të dyshuarit

    Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “grabitje” në Pejë.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti kishte ndodhur më 28.01.2026, rreth orës 15:45 në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.

    Policia i është përgjigjur menjëherë rastit dhe, pas arritjes në vendngjarje, nga deklarata e viktimës – e cila ndodhej në orarin e punës – ka kuptuar se dy persona të maskuar kishin hyrë në lokal dhe, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), kishin arritur t’i marrin viktimës para në shumë prej një mijë (1000) eurosh, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.

    Pas një pune intensive hetimore nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime, në bashkëpunim me njësitet e Stacionit Policor në Istog, më 30 janar 2026, rreth orës 23:00, zyrtarët policorë kanë arritur t’i lokalizojnë dhe t’i arrestojnë dy të dyshuarit në bjeshkët e Istogut, lidhur me grabitjen e ndodhur më 28 janar.

    Pas intervistimit nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime, me urdhër të prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Të njëjtit dyshohen gjithashtu edhe për një grabitje tjetër, e cila ka ndodhur më 21 dhjetor 2025, në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë.

  • Osmani e Kurti bëjnë homazhe për Zahir Pajazitin dhe bashkëluftëtarët në 29-vjetorin e rënies

    Osmani e Kurti bëjnë homazhe për Zahir Pajazitin dhe bashkëluftëtarët në 29-vjetorin e rënies

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Dimal Bash dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te shtatorja e Heroit të Kombit Zahir Pajaziti në sheshin që mban emrin e tij, me rastin e shënimit të 29-vjetorit të rënies së tij dhe të bashkëluftëtarëve Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, raporton Ekonomia Online.

    Në kuadër të kësaj dite përkujtimore, Kurti pritet të marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera të organizuara në nderim të heronjve. Sipas agjendës, në orën 11:30 do të bëhen homazhe te kulla e Heroit të Kombit Zahir Pajaziti në Orllan, ndërsa në orën 12:00 homazhet do të vazhdojnë te kompleksi “Hakif Zejnullahu” në Lladoc.

    Më pas, në orën 12:30, janë paraparë homazhe pranë shtatoreve të katër heronjve në Podujevë, ndërsa në orën 13:00 do të mbahet Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit” në Teatrin “Avdush Hasani”, po ashtu në Podujevë.

  • Dy persona ndalohen për kalim ilegal të kufirit në Leposaviq

    Dy persona ndalohen për kalim ilegal të kufirit në Leposaviq

    Dy persona janë ndaluar në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, pasi dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin me veturë.

    Sipas forcave të rendit, ngjarja ka ndodhur në fshatin Qirkoviq të Leposaviqit.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar.

    Më pas, ky rast ka shkuar në procedurë të rregullt.