ATV

Category: Lajme

  • Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se nga dita e enjte, duke filluar nga ora 09:00, do të nisë një aksion për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, aksioni do të përfshijë largimin e të gjitha shtyllave metalike anti-parking (kunjave) që janë vendosur pa leje nga organet kompetente.

    Drejtoria e Inspekcionit ka bërë të ditur se të gjithë subjektet afariste dhe personat fizikë të cilët kanë vendosur pengesa të tilla pa autorizim janë të obliguar që deri më 5 shkurt 2026 t’i largojnë vetë ato nga hapësirat publike.

    “Në rast të mosrespektimit të këtij afati, inspektorët komunalë do të ndërmarrin veprime ligjore ndëshkuese, ndërsa pengesat do të hiqen me forcë nga institucionet komunale”, thuhet në njoftim.

    Qëllimi i këtij aksioni, sipas komunës, është lirimi i hapësirave publike dhe parkingjeve në mënyrë që ato të jenë në shërbim të qytetarëve dhe banorëve të zonave përkatëse.

  • Mashtronte bankat dhe shtetin zviceran, dënohet kosovari Sheh që shtirej si biznesmen

    Mashtronte bankat dhe shtetin zviceran, dënohet kosovari Sheh që shtirej si biznesmen

    120 vetura, vila me qira 24 mijë franga në muaj, targa speciale, 1,5 milionë franga dëm, kredi të papaguara. Një sheh nga Kosova përfshiu familjen e tij prej gjashtë anëtarësh, si dhe dy ndihmës, në mashtrime sistematike. Nga një gjykatë zvicerane ai u dënua me 3 vjet e gjysmë burg – dhe 3 vjet ndalimhyrje në Zvicër.

    Një skemë mashtrimi në Zvicër ka marrë epilog në Gjykatën e Dietikonit afër Zürichut, duke zbuluar prapaskenat e një jete përrallore të ndërtuar mbi gënjeshtra, mashtrime dhe keqpërdorime të shtetit zviceran.

    Në qendër të këtij skandali është një 57-vjeçar nga Kosova, i cili njihet si “sheh-imam” dhe pretendon se udhëheq rreth 8000 besimtarë dervishë, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. Ai akuzohet se ka organizuar një sistem kriminal familjar duke shkaktuar një dëm total prej 1,5 milion frangash zvicerane.

    Hetimet e policisë kishin nisur me një bastisje në një vilë luksoze afër Zürichut, për të cilën shehu paguante qira marramendëse prej 24 mijë frangash në muaj. Gjatë operacionit, hetuesit konfiskuan dokumente dhe pajisje elektronike; po ashtu u zbulua një sistem kompleks i firmave fiktive që shërbenin si mbulesë për pasurimin e paligjshëm.

    Sipas prokurorisë, ky sheh luante rolin e një sipërmarrësi të patundshmërive, duke mashtruar bankat dhe shtetin zviceran me bilance të falsifikuara, veçanërisht duke përfituar mbi gjysmë milioni franga nga kreditë emergjente të Covid-19 (pandemia e koronës).

    Ajo që ka lënë pa fjalë opinionin publik është luksi i shfrenuar që familja shfaqte me paratë e vjedhura. Ndonëse para zyrave të shtetit shehu deklaronte se ishte i varfër, familja kishte në pronësi një flotë prej 120 automjetesh. Mes tyre bien në sy vetura të tipit Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury. Si merakli i veturave shehu shpenzoi rreth 100 mijë franga vetëm për blerjen e tri tabelave të regjistrimit me numra të veçantë, të cilat në Zvicër shiten në ankand si simbole prestigji.

    Gjatë procesit gjyqësor, i cili zgjati gjashtë ditë, i akuzuari kryesor u dënua me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm nga territori i Zvicrës për një periudhë prej 3 vitesh. Prokuroria kishte kërkuar 15 vjet dëbim nga Zvicra.

    Sa i përket anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, gjykata vendosi t’i lirojë nga akuzat ose t’i dënojë me gjoba minimale. Arsyetimi i gjykatës ishte se brenda familjes mbretëronte një strukturë strikte patriarkale ku shehu vendoste për çdo gjë. Fëmijët dëshmuan se kishin nënshkruar dokumente verbërisht për shkak të besimit ndaj babait dhe nuk kishin njohuri për financat. Madje, për shkak të muajve të kaluar në paraburgim, vajza dhe njëri nga djemtë e tij do të dëmshpërblehen me rreth 70 mijë franga nga shteti, pasi gjykata vlerësoi se nuk mund të ketë “përgjegjësi kolektive” për mëkatet e kryefamiljarit.

    Gjatë procesit, shehu kërkoi falje duke u arsyetuar se si prijës fetar nuk dëshironte të figuronte publikisht si pronar biznesesh, andaj përdori anëtarët e familjes. Gjykatësja ishte e bindur se energjia kriminale e shehut kosovar ishte rritur me kalimin e kohës dhe dënimet e mëparshme me gjoba nuk kishin pasur asnjë efekt reflektimi tek ai. Njëri ndihmës i shehut u dënua me kusht, aktgjykimi për tjetrin do të pasojë më vonë.

  • Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojnë për Epstein, pas presionit të Kongresit!

    Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojnë për Epstein, pas presionit të Kongresit!

    Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e shtetit Hillary Clinton kanë rënë dakord të dëshmojnë para një komiteti të Kongresit amerikan si pjesë e hetimit mbi financierin dhe pastaj i akuzuar si predator seksual Jeffrey Epstein, një zyrtar i çiftit konfirmoi të hënën.

    Vendimi i tyre vjen vetëm ditë para një votimi të planifikuar në “Dhomën e Përfaqësuesve”, të udhëhequr nga republikanët, për të konsideruar ngritjen e akuzave për mosbindje ndaj Kongresit kundër të dyve pasi kishin refuzuar të paraqiteshin më parë për dëshmi.

    Ajo që e bën situatën edhe më të nxehtë është se vendimi i tyre thuhet se vjen pikërisht në momentin kur Kongresi po përgatitej të shtynte përpara akuza për “mosbindje ndaj Kongresit”, pasi kishte pretendime se më parë ata kishin refuzuar të paraqiteshin. Me pak fjalë: presioni po rritej me shpejtësi dhe tani Clintonët po reagojnë.

    Në një deklaratë publike, një përfaqësues i Clintonëve tha se çifti dëshiron të bashkëpunojë dhe beson se rregullat duhet të vlejnë njësoj për të gjithë, duke shtuar se ata janë të gatshëm të ulen përballë komitetit. Megjithatë, negociatat për detajet, përfshirë formën dhe kohën e dëshmisë, thuhet se janë ende në proces.

    Hetimi vetë është kthyer në një çështje tepër politike, ku kritikët i akuzojnë Clintonët se po përpiqen t’i shmangen vëmendjes, ndërsa mbështetësit thonë se gjithçka po përdoret si armë politike. Sido që të jetë, situata është e ndërlikuar.

    Edhe pse Clintonët kanë mohuar vazhdimisht çdo përfshirje apo dijeni për krimet e Epstein, fakti që tani pritet të dëshmojnë i vendos ata drejtpërdrejt në qendër të një prej skandaleve më shpërthyese që përfshin elitën e pasur dhe të fuqishme.

  • Fushë Kosovë: Katër të rinj përfundojnë në arrest, dyshohen për lëndim të rëndë trupor

    Fushë Kosovë: Katër të rinj përfundojnë në arrest, dyshohen për lëndim të rëndë trupor

    Katër të rinj janë arrestuar nga Policia e Fushë Kosovës nën dyshimin për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur ditën e diel, më 1 shkurt 2026, rreth orës 20:00, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.

    Gjatë incidentit, një nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e goditjes me një mjet të mprehtë, ndërsa personat e tjerë janë lënduar gjatë një përleshjeje.

    Pas veprimeve hetimore, policia ka identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuar, të gjithë 18-vjeçarë dhe shtetas të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë hetimore dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Incidenti familjar eskalon në përleshje në Ferizaj, lëndohen tre persona – konfiskohet edhe armë

    Incidenti familjar eskalon në përleshje në Ferizaj, lëndohen tre persona – konfiskohet edhe armë

    Një rast i dhunës në familje ka eskaluar në përleshje mes disa personave mbrëmjen e së hënës në Ferizaj, duke rezultuar me disa të lënduar dhe një person të arrestuar.

    Sipas raportit të policisë, rreth orës 21:30 është raportuar një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se fillimisht kishte sulmuar fizikisht një viktimë femër kosovare.

    Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Hetimet për manipulim votash zgjerohen edhe në Gjilan

    Hetimet për manipulim votash zgjerohen edhe në Gjilan

    Sot, Prokuroria e Gjilanit është duke kanë zhvilluar një aksion kundër keqpërdorimeve të votave në kuadër të hetimeve për falsifikim dhe manipulim të rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, merr vesh Gazeta Sinjali.

    Ky aksion është pjesë e një vale hetimesh dhe ndalimesh që ka përfshirë dhjetëra komisionerë, kryesues qendrash të numërimit dhe persona të tjerë të dyshuar në shumë komuna të Kosovës – përfshirë Prizren, Malishevë, Podujevë, Mitrovicë dhe vende të tjera.

    Autoritetet kanë ndaluar dhjetëra të dyshuar për falsifikim të voteve, ndërhyrje në rezultatin zgjedhor dhe shkelje të të drejtës së votës.

    Sipas Prokurorisë, hetimet janë zgjeruar edhe në Gjilan, ku policia dhe prokuroria po mbledhin informacione dhe po kryejnë veprime hetimore për dyshimet e manipulimit të votave dhe shkelje të procesit zgjedhor në këtë komunë.

    Këto veprime vijnë në vijim të një procesi të rinumërimit të votave në të gjithë vendin dhe një operacioni kombëtar për të adresuar çdo shkelje të mundshme që minon integritetin e votës së qytetarëve kosovarë.

    Institucionet kanë bërë me dije se do të vazhdojnë aksionet dhe se çdo person i përfshirë në manipulime votash do të përballet me ndëshkime ligjore në përputhje me Kodin Penal të Kosovës.

  • Trumpi kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Harvardi

    Trumpi kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Harvardi

    Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Universiteti i Harvardit në konfliktin e vazhdueshëm të administratës së tij me institucionin.

    Lajmi vjen pasi New York Times raportoi se administrata e presidentit amerikan u detyrua të tërhiqej nga kërkesa e saj për një pagesë prej 200 milionë dollarësh në negociatat me universitetin.

    Trumpi e përmendi historinë në një postim në Truth Social të hënën vonë, duke fajësuar Harvardin për “ushqyerjen me shumë budallallëqe” të New York Times.

    Zyrtarët e Trumpit e kanë akuzuar Harvardin se nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin gjatë protestave pro-palestineze. Harvardi e ka hedhur poshtë akuzën.

    Harvardi ka qenë një objektiv qendror në fushatën e Shtëpisë së Bardhë për të zhdukur atë që i quan ideologji “të zgjuara” dhe “të majta radikale” në kampuset amerikane, raporton BBC.

    Në prill të vitit të kaluar, Trumpi revokoi rreth 2 miliardë dollarë grante kërkimore për Harvardin dhe ngriu fondet federale.

    Universiteti paditi administratën Trump për këtë veprim, duke thënë se asnjë qeveri “nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë mund të pranojnë dhe punësojnë dhe cilat fusha studimi dhe hetimi mund të ndjekin”.

    Një gjykatë federale amerikane më vonë rrëzoi shkurtimet prej miliarda dollarësh në fonde, duke vendosur se qeveria kishte shkelur të drejtat e lirisë së fjalës së universitetit.

    Shtëpia e Bardhë u zotua të kundërshtonte menjëherë “vendimin e shëmtuar”, duke thënë se Harvard mbetet “i papërshtatshëm për grante në të ardhmen”.

    Para njoftimit të së hënës, qeveria kishte qenë në diskutime me Harvardin mbi një marrëveshje të mundshme për të zhbllokuar fondet federale.

    “Ne tani po kërkojmë një miliard dollarë dëmshpërblim dhe nuk duam të bëjmë asgjë më tej në të ardhmen me Universitetin e Harvardit”, shkroi Trump të hënën.

    Ai akuzoi Harvardin për “paligjshmëri serioze dhe të tmerrshme”, por nuk sqaroi se si besonte se kishte shkelur ligjin.

    Trumpi më parë ka kërcënuar të revokojë statusin e përjashtimit nga taksat të Harvardit dhe të marrë kontrollin e patentave të universitetit që rrjedhin nga kërkimet e financuara nga federalisht.

    Tre universitete të tjera të Ivy League, Columbia, Penn dhe Brown, arritën marrëveshje me Trump për të ruajtur fondet që ishin në rrezik për shkak të pretendimeve të ngjashme nga administrata, në vend që të shkonin në gjykatë.

  • Fundi i “armëpushimit”: Rusia qëllon raketa balistike drejt Kievit, temperatura ngrin në minus 20 gradë Celsius

    Fundi i “armëpushimit”: Rusia qëllon raketa balistike drejt Kievit, temperatura ngrin në minus 20 gradë Celsius

    Rusia qëlloi me raketa balistike kryeqytetin ukrainas, Kiev, të martën herët, thanë autoritetet lokale, pas një pauze në sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kryesore të dakordësuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa Ukraina përballet me një rënie të ndjeshme të temperaturave të dimrit.

    Reporterët e CNN në Kiev raportuan se dëgjuan disa shpërthime të forta në qytet.

    Presidenti rus Vladimir Putin ra dakord javën e kaluar të ndalojë sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kryesore të Ukrainës deri të dielën, pas një “kërkese personale” nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, tha Kremlini.

    Pauza pasoi gjithashtu bisedimet trepalëshe midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Abu Dhabi, bisedimet e para të tilla që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.

    Sulmet e fundit thuhet se dëmtuan disa ndërtesa të larta apartamentesh dhe një kopsht fëmijësh, shkroi në Telegram Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit.

    Forcat ajrore të Ukrainës thanë se qyteti lindor i Dniprosë u godit gjithashtu nga raketat balistike. Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv, u shënjestrua gjithashtu nga sulmet ruse me raketa dhe dronë, konfirmoi në Telegram kryetari i bashkisë, Ihor Terekhov.

    Ndërsa nuk ka pasur sulme të raportuara ndaj objekteve energjetike apo qyteteve të mëdha që nga e enjtja e kaluar, sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka vazhduar të godasë rrugët logjistike dhe infrastrukturën e transportit gjatë asaj periudhe, me pasoja vdekjeprurëse.

    Kremlini konfirmoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë, do të zhvillohet në Abu Dhabi të mërkurën dhe të enjten.

    “Në të ftohtin e acartë, rusët kanë vendosur të nisin një tjetër sulm masiv ndaj Kievit”, tha Tkachenko pas sulmeve të mëngjesit të hershëm të së martës.

    Përpara bisedimeve të Abu Dhabit, Rusia ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke lënë pjesë të mëdha të vendit të përballen me mungesa të energjisë dhe ndërprerje të furnizimit në mes të dimrit.

    Në orët e para të mëngjesit të së martës sipas kohës lokale, temperatura në Kiev ishte minus 20 gradë Celsius.

  • Çmimet e arit dhe argjendit kolapsojnë: A duhet të blini apo të shisni?

    Çmimet e arit dhe argjendit kolapsojnë: A duhet të blini apo të shisni?

    Ari ka qenë në qendër të vëmendjes për rritje të shpejta çmimesh gjatë javëve të fundit – por gjatë fundjavës dhe deri të hënën, si ai ashtu edhe metali tjetër i çmuar, argjendi, kanë pësuar rënie të forta.

    Pasi ari theu pragun e 5,000 dollarëve javën e kaluar, më shumë investitorë u hodhën drejt tij, ndërsa pasiguria gjeopolitike vazhdonte.

    Por deri të hënën në mëngjes, çmimi ra deri në 4,500 dollarë për ons – masa standarde, përpara se të rikuperohej pak.

    Ndërkohë, shitja e argjendit ka qenë edhe më e thellë. Pas një rritjeje prej mbi 150 për qind gjatë vitit të kaluar, kontratat e ardhshme të argjendit ranë nga 120 dollarë të enjten e javës së kaluar në nën 74 dollarë të hënën në mëngjes – një rënie jashtë orarit tregtar prej më shumë se 30 për qind gjatë fundjavës.

    Pra, ku qëndrojnë tani këto metale dhe si mund t’i blini ose shisni?

    Sa lart u rrit çmimi i arit?

    Ari u tregtua mbi 5,500 dollarë në një moment javën e kaluar, me shumë ekspertë që ende sugjerojnë se barriera e 6,000 dollarëve do të tejkalohet në një moment gjatë këtij viti.

    Edhe pas rënies, ai është ende mbi 10 për qind më lart gjatë muajit të fundit dhe mbi 70 për qind më lart gjatë vitit të fundit. Që nga fillimi i vitit 2024, ari ka vazhduar të rritet me ritëm më të shpejtë, duke vendosur vazhdimisht rekorde të reja historike.

    Argjendi, ndërkohë, është rritur me 125 për qind vetëm në gjashtë muaj, përfshirë edhe shitjen e fundjavës.

    Pse ranë kaq fort shumë dhe argjendi?

    Gjithmonë ka disa arsye pse tregjet shesin, por në këtë rast të veçantë dallohen disa faktorë.

    Së pari, meqë të dy metalet ishin rritur shumë shpejt, marrja e fitimeve është normale, veçanërisht nëse investitorët kërkonin të rialokonin pjesë të portofolit të tyre.

    Për më tepër, pati një reagim të tregut ndaj përzgjedhjes së Kevin Warsh si kandidati i mundshëm për udhëheqës të ri të Rezervës Federale.

    Së fundi, disa analistë kanë theksuar se pozicione të tregtimeve më të specializuara duhej të shiteshin për të mbuluar pozicionet e tyre, gjë që e përkeqësoi rënien.

    “Rënia e fortë e arit duket më shumë si një ngjarje likuiditeti dhe pozicionimi sesa një ndryshim në argumentin afatgjatë për këtë aset. Pas një rritjeje të fuqishme të nxitur nga strategjitë e momentit, shtrëngimet e pozicioneve të shkurtra dhe blerjet me levë, i njëjti pozicionim u zhbë me shpejtësi, duke përforcuar lëvizjet në rënie,” shpjegoi John Wyn-Evans, drejtues i analizës së tregjeve në Rathbones.

    Pse të blesh ar dhe a duhet që të gjithë të kenë pak?

    Ari është parë prej kohësh si një “strehë e sigurt” – pra, një vend ku investitorët vendosin paratë e tyre kur ka pasiguri në fusha të tjera, si obligacionet qeveritare apo tregu i aksioneve.

    Metali i çmuar zakonisht nuk është kaq i paqëndrueshëm dhe, në periudha të gjata, mund të rritet në vlerë.

    Megjithatë, ndryshe nga asetet e tjera si aksionet e një kompanie (përmes dividendëve) apo paratë në bankë (me interes), ai nuk “paguhet” me asgjë, që do të thotë se në periudha pa rritje çmimi, mund të mbetet pas mënyrave të tjera të rritjes së pasurisë.

    Ndryshe nga metalet e tjera, si argjendi apo platini, ari nuk përdoret gjerësisht në prodhim dhe industri, ndaj vlera e tij kufizohet kryesisht në rolin e tij si ruajtës i vlerës.

    Për më tepër, tregjet e aksioneve (ose pjesë të tyre) mund të rriten me shpejtësi kur kushtet janë të favorshme, që do të thotë se një ekspozim i tepërt ndaj arit mund të bëjë që të humbisni mundësi kur metali nuk është më në favor.

    Ekspertët zakonisht rekomandojnë që jo më shumë se 5–10 për qind e një portofoli të larmishëm investimesh të alokohet në ar, por shuma reale varet nga shumë faktorë specifikë për ju: afati kohor, shuma, toleranca ndaj rrezikut, nëse jeni të fokusuar në ruajtjen apo rritjen e pasurisë, dhe shumë të tjerë.

    Çfarë thonë ekspertët?

    Shumica e analistëve dhe kompanive që ndjekin mallrat – si nafta apo bakri, si dhe ari apo argjendi – mendojnë se ka ende hapësirë për rritje, megjithëse askush nuk e di se kur mund të kthehet trendi apo sa do të zgjasë.

    Streset gjeopolitike mund të ndryshojnë në çdo moment, por më shumë se një studiues ka vendosur objektivin prej 6,000 dollarësh për arin para se të mbyllet viti 2026.

    Lale Akoner, analiste globale e tregjeve për eToro, shtoi se ari po zëvendëson obligacionet afatgjata si aset mbrojtës krahas investimeve të tjera. “Ari po përdoret gjithnjë e më shumë nga investitorët si një mbrojtje ndaj rrezikut të aksioneve dhe, në shumë portofolë, po fillon të zëvendësojë obligacionet qeveritare afatgjata si aseti mbrojtës i preferuar. Ky ndryshim pasqyron një prishje strukturore të marrëdhënies tradicionale mes aksioneve dhe obligacioneve.

    “Që nga viti 2022, korrelacionet kanë qëndruar rreth zeros, gjë që ka ulur efektivitetin e obligacioneve si mjet diversifikimi.

    “Ari, përkundrazi, ka qëndruar më mirë si aset mbrojtës. Nëse korrelacioni mes obligacioneve dhe aksioneve mbetet i paqëndrueshëm, roli i arit si zbutës i paqëndrueshmërisë mund të bëhet edhe më i fortë, duke riformësuar mënyrën se si portofolët mbrohen nga rreziqet në rënie gjatë ciklit ekonomik.”

    Firma e kërkimeve të tregut Yardeni thotë se perspektiva për arin do ta çojë çmimin edhe më lart. “Ne vazhdojmë të synojmë 6,000 dollarë deri në fund të këtij viti dhe 10,000 dollarë deri në fund të vitit 2029,” thanë ata.

  • Fillon shqyrtimi i ankesave në PZAP

    Fillon shqyrtimi i ankesave në PZAP

    Me përfundimin e afatit për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është bërë e ditur se janë dorëzuar 7 sosh lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.

    Ky institucion ka në dispozicion 96 orë për t’i shqyrtuar, pesë ankesa nga subjektet politike dhe dy të tjera nga një kandidat për deputet.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të ketë 96 orë në dispozicion për t’i shqyrtuar 7 ankesa, që i janë adresuar këtij institucioni, mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit.

    Në një përgjigje me shkrim, nënvizohet se pesë ankesa janë nga subjektet politike dhe dy të tjera nga një kandidat për deputet të Kuvendit, për legjislaturën e ardhshme.

    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, ka deponuar dy ankesa. Njëra prej tyre ka të bëjë me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend, ndërsa tjetra lidhet me parregullsi të pretenduara gjatë numërimit të votave me postë.

    Ndërkohë që 5 ankesa të tjera vijnë nga subjekte politike në radhët e pakicave. Dy ankesa i ka parashtruar Lidhja e Re Demokratike që ndërlidhen me pretendime për parregullsi me vota, konkretisht me fletëvotimet.

    Një ankesë për parregullsi në votim kanë paraqitur edhe Koalicioni PAI, PDAK, LPB, si dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

    E Lista Serbe ka dorëzuar ankesë ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj. Në mbledhjen e fundjavës, kur KQZ-ja shpalli rezultatet e zgjedhjeve, anëtarët e Vetëvendosjes votuan kundër e ata të Partisë Demokratike abstenuan.

    “Lufta politike, beteja politike është legjitime, por a duhet në proceset të cilat janë edhe emergjente, të veprohet kështu, është çështje që duhet adresuar pikërisht këtyre subjekteve politike, në këtë rast atyre që votuan kundër dhe atyre që abstenuan. Pra, nuk duhet as dramatizuar, por as minimizuar, por thjeshtë është një betejë politike që subjektet politike e bëjnë në momente të caktuara, për qëllimet e tyre politike”, ka thënë Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike.

    Në Vetëvendosje folën për votimin kundër, ndërsa anëtarët e PDK-së që abstenuan, nuk u deklaruan.

    Edhe Misioni i OSBE-së në vend, në reagimin e vet ka nënvizuar se po i monitoron nga afër zhvillimet, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit, duke miratuar listat përbërëse të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe.

    Misioni thekson nevojën për respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve zgjedhore, si një mjet për të siguruar siguri juridike dhe trajtim të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë.