ATV

Category: Lajme

  • ‘Shi me baltë’: Cikloni nga Atlantiku vjen në Kosovë këtë javë

    ‘Shi me baltë’: Cikloni nga Atlantiku vjen në Kosovë këtë javë

    Edhe gjatë kësaj jave, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, si pasojë e cikloneve të vazhdueshme nga Oqeani Atlantik. Kjo paqëndrueshmëri do të shoqërohet edhe me depërtimin e masave më të ngrohta ajrore, të cilat do të ndikojnë në ngritje të ndjeshme të temperaturave gjatë ditëve vijuese

    Nën këto kushte, dita e hënë u karakterizua nga vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurtra me diell, ndërsa lokalisht pati reshje bore.

    Nga dita e martë pritet depërtimi i masave më të ngrohta ajrore, me ç’rast moti do të karakterizohet nga vranësira dhe intervale me diell. Në disa rajone, kryesisht në perëndim të vendit, nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara.

    Të mërkurën pritet shtim i theksuar i vranësirave, ndërsa vonë pasdite dhe në orët e mbrëmjes parashihen reshje lokale shiu. Në zonat e larta malore priten reshje bore. Rajoni i Prishtinës pritet të jetë më i rrezikuari nga era, ku në momente të caktuara shpejtësia mund të arrijë deri në 70 km/h.

    Gjatë kësaj periudhe pritet edhe depërtimi i grimcave të pluhurit saharian, me ç’rast reshjet e shiut do të jenë të përziera me baltë, ndërsa në zonat malore mund të bie e ashtuquajtura “borë e kuqe”.

    Edhe të enjten moti do të vijojë të jetë kryesisht i vranët, herë pas here me reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara pritet të paraqiten në formë rrebeshi, sidomos gjatë orëve të para të 24-orëshit. Në zonat e larta malore parashihen reshje të dendura bore.

    Të premten moti do të mbetet kryesisht i vranët, me reshje të pakta dhe lokale shiu.

    Të shtunën parashihet mot me diell dhe vranësira, me mundësi për reshje të pakta lokale.

    Të dielën pritet depërtimi i një presioni të ulët ajror, i cili do të sjellë shtim të vranësirave, intensifikim të reshjeve të shiut dhe ulje të temperaturave. Në zonat malore reshje bore.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 15°C.

  • Arrin në 30 numri i të vdekurve nga bora e madhe në Japoni

    Arrin në 30 numri i të vdekurve nga bora e madhe në Japoni

    Zyrtarët thanë sot se reshjet e dëborës në Japoni kanë shkaktuar 30 vdekje në dy javët e fundit, përfshirë një grua 91-vjeçare të gjetur nën një grumbull tre metrash jashtë shtëpisë së saj.

    Qeveria qendrore ka vendosur trupa për të ndihmuar banorët në Aomori, rajoni më i prekur ku deri në 4.5 metra (15 këmbë) dëborë mbetet në tokë në zonat e largëta.

    Kryeministri Sanae Takaichi mbajti një takim të posaçëm në nivel kabineti sot në mëngjes për të udhëzuar ministrat të bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar vdekjet dhe aksidentet.

    Një masë e fuqishme ajri e ftohtë ka rezultuar në reshje të mëdha dëbore përgjatë bregdetit të Detit të Japonisë në javët e fundit, me disa zona që kanë parë më shumë se dyfishin e vëllimeve të zakonshme.

    Që nga 20 janari deri më sot, 30 persona kanë vdekur si pasojë e reshjeve të mëdha dëbore, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive.

    Midis tyre ishte Kina Jin, 91 vjeç, trupi i së cilës u gjet nën një grumbull dëbore në shtëpinë e saj në Ajigasawa, Aomori, tha një zyrtar i policisë lokale për AFP në kushte anonimiteti.

    Policia beson se dëbora nga çatia e saj ra mbi të. Shkaku i vdekjes së saj ishte mbytja, tha zyrtari. Një lopatë alumini u gjet pranë trupit të saj.

    “Ndërsa bëhet më ngrohtë, bora e akumuluar shkrihet dhe bie. Varet nga vëllimi i borës dhe temperatura. Nën çati është një vend i rrezikshëm”, tha zyrtari për AFP.

    Guvernatori i Aomorit, Soichiro Miyashita, tha të hënën se i kishte kërkuar ushtrisë japoneze të ofronte ndihmë në rast katastrofe.

    Ai tha se u kërkoi trupave të ndihmonin të moshuarit e rajonit që jetojnë vetëm dhe kanë nevojë për ndihmë për pastrimin e borës.

    Mure bore deri në 1.8 metra të larta janë në tokën e kryeqytetit rajonal të qytetit të Aomorit, tha guvernatori, duke shtuar se punëtorët vendas që pastrojnë borën nga rrugët dhe shtëpitë ishin të mbingarkuar.

    “Rreziku i incidenteve kërcënuese për jetën, të tilla si aksidente fatale për shkak të rënies së borës nga çatitë ose shembjes së ndërtesave, është i afërt”, tha ai në konferencën për shtyp.

  • Portugalia planifikon të ndalojë rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç

    Portugalia planifikon të ndalojë rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç

    Pas shembujve të Australisë dhe Francës, Portugalia mund të ndalojë mediat sociale për individët nën 16 vjeç, sipas një projektligji të paraqitur në parlamentin portugez këtë të hënë.

    Projektligji përcakton se moshën e pavarur të aksesit në platformat dhe shërbimet dixhitale do ta ketë 16 vjeç, ndërsa adoleshentët mes 13 dhe 16 vjeç mund të përdorin rrjetet sociale vetëm me miratimin e prindërve. Po ashtu, platformat do të duhet të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës dhe autorizimi prindëror, në përputhje me softuerin e përdorur nga qeveria portugeze.

    Ligjvënësit e partisë qeverisëse të qendrës së djathtë (PSD) argumentojnë se përdorimi i hershëm i rrjeteve sociale mund të dëmtojë zhvillimin social dhe njohës të fëmijëve, duke e bërë këtë një çështje gjithnjë e më të rëndësishme dhe problematike.

    Debati mbi kufizimet për moshën e përdoruesve të medieve sociale është intensifikuar në Evropë, pas vendimit të Australisë në dhjetor dhe votimit të Francës javën e kaluar për të ndaluar përdorimin e mediave sociale për ata nën 15 vjeç. Po ashtu, Danimarka, Greqia dhe Spanja po shtyjnë për një ndalim të ngjashëm në të gjithë Bashkimin Evropian.

  • 26 vjet nga nata e tmerrit në veri të Mitrovicës ku u vranë 10 shqiptarë

    26 vjet nga nata e tmerrit në veri të Mitrovicës ku u vranë 10 shqiptarë

    Sot shënohet 26-vjetori i masakrës së natës mes 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës.

    ‘Rojat e urës’ patën vrarë dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq. U plagosën edhe shumë të tjerë, teksa u dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

    KMLDNJ pati thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.

    Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

    Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MPB e Serbisë, në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë.

    Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 pati shpallur fajtor Ivanoviq me nëntë vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

  • Fondi Monetar Ndërkombëtar nis konsultimet vjetore për ekonominë e Kosovës

    Fondi Monetar Ndërkombëtar nis konsultimet vjetore për ekonominë e Kosovës

    Përfaqësuesi Rajonal Rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa, ka njoftuar se një delegacion i FMN-së do të vizitojë Kosovën nga sot deri më 13 shkurt për të realizuar konsultimet vjetore në kuadër të Nenit IV me Republikën e Kosovës.

    Sipas njoftimit, misioni do të drejtohet nga David Amaglobeli dhe ka si qëllim analizimin e zhvillimeve makroekonomike të fundit në vend, vlerësimin e perspektivës ekonomike dhe rreziqeve të mundshme, si dhe diskutimin e politikave ekonomike dhe prioriteteteve të reformave me autoritetet vendore dhe palët kyçe të interesit.

    FMN ka njoftuar se pas përfundimit të vizitës, misioni do të publikojë një komunikatë për media dhe do të mbajë një konferencë për të paraqitur gjetjet dhe vlerësimet kryesore të konsultimeve.

  • Gjykimi për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë, sot seanca e radhës

    Gjykimi për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë, sot seanca e radhës

    Sot pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Endrit Nikës, i cili po akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij, shtetases argjentinase M.K.U.

    Ngjarja që kishte ndodhur në një hotel në Fushë Kosovë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Endrit Nika, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën, me dashje për ta privuar nga jeta, kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati i gjashtë.

    Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Prokuroria vazhdon të mbrojë qëndrimin se Endrit Nika e ka hedhur viktimën nga kati i gjashtë i hotelit, duke e cilësuar rastin si vrasje të kryer me dashje.

  • Numri i të huajve që jetojnë në Shqipëri shënon rekord në 2025 – mbi 6 mijë shtetas nga Kosova me leje qëndrimi

    Numri i të huajve që jetojnë në Shqipëri shënon rekord në 2025 – mbi 6 mijë shtetas nga Kosova me leje qëndrimi

    Në vitin 2025 rezulton se ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

    Deri në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 27,514 banorë sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit, duke shënuar një nivel rekord. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 65% janë për arsye pune dhe rreth 15% për bashkim familjar.

    Në raport me 2024 numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi u rrit rreth 4,800 banorë apo 22%.

    Nga totali prej 27,514 lejesh qëndrimi aktive deri në fund të vitit 2025, shumica e të huajve janë nga Kosova dhe Italia.

    Numri i shtetasve nga Kosova të pajisur me leje qëndrimi arriti në 6,076 banorë, që përbën rreth 22% të totalit. Krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 32%.

    Ndryshe nga shtetasit e tjera, banorët nga Kosova pajisen me leje qëndrimi me afat 5- vjeçar.

    Pas Kosovës numrit më të lartë të shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi është nga Italia me 3,776 persona që përbëjnë 14% të totalit të të huajave. Krahasuar me 2024 numri i tyre u rrit 75%.

    Krahas Italisë e Greqisë, që tradicionalisht kanë kryesuar për leje qëndrimi, një rritje e ndjeshme në 2025-n është shënuar nga shtetasit nga India dhe Filipinet e Egjipti, që janë ngjitur përkatësisht në vend të tretë, të katërt e të pestë.

    Numri i shtetasve nga India në 2025 arriti në 2,399 apo 47%. Shtetasit nga India përbënë 14% të totalit të huajve të pajisur me leje qëndrimi. Këta punojnë kryesisht në shërbime dhe teknologji informacioni.

    Shtetasit nga Filipinet të pajisur me leje qëndrimi në 2025 janë 2,213 persona apo 130% më tepër sesa 2024. Këta shtetas punojnë kryesisht në shërbimet shtëpiake dhe në hotele e restorante e më pak në fason.

    Për 2025 numri i shtetasve të huaj nga Egjipti ishte 2,007 persona apo rreth 2 herë më shumë sesa në 2024 dhe punojnë në sektorë të ndryshëm, deri në bujqësi. Ata përbënë 7% të totalit të të huajve në 2025.

    Numri i shtetasve nga Turqia ishte 1,862 persona apo përbënë 7% të totalit në 2025. Në raport me 2024 numri i tyre u rrit rreth 47%.

    Nga i shtetasve të huaj nga SHBA arriti në 1,128 banorë apo 164% më shumë sesa në 2024.

    Nga ana tjetër Miamare ka 445 persona (2% të totalit) apo 77% më shumë sesa në 2024.

    Numri i shtetasve nga Kina arriti 362 persona apo 42% më shumë sesa në 2024.

    Numri i shtetasve të huaj nga Nigeria arriti 184 persona për vitin 2025.

    Aplikime të reja për 2025, kryesohen nga shtetasit indianë dhe filipinas

    Gjatë vitit 2025, sipas Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, që tregon një rritje të dukshme krahasuar me 13,176 aplikime që u përpunuan gjatë vitit 2024. Krahasuar me vitin 2024 numri i tyre me 6,145 aplikime me apo 47% më shumë.

    Gjatë vitit 2025, shtetësitë kryesore që kanë aplikuar për herë të parë për leje qëndrimi është India me 2,691 aplikime, që përbën 14% të totalit, Filipinet me 2,415 aplikime (13%), Italia me 2,239 aplikime (12%), Egjipti me 2,198 aplikime (11%), Kosova me 1,813 aplikime (9%), Turqia me 1,441 aplikime (7%), SHBA me 606 aplikime (3%), Mianmar me 506 aplikime (3%), Rusia me 442 aplikime (2%) dhe Ukraina me 312 aplikime (2%).

    65% e aplikimeve të reja për punësim

    Megjithatë motivi kryesor për pajisjen me leje qëndrimi në Shqipëri vijon të mbetet për çështje punësimi dhe bashkimi familjar.

    Për vitin 2025, nga totali i aplikimeve të reja 65% e tyre ishin për leje unike punësimi, e ndjekur nga aplikimet për bashkim familjar që përbënë 13% apo rreth 5% e tyre ishin për qëllime studimi. Ndërsa numri i shtetasve të huaj që aplikuan për leje të përhershme qëndrimi ishte 40 apo duke përbërë 0.2% të totalit të numrit të aplikimeve për 2025.

    Nga totali i aplikimeve për 2025, sipas të dhënave 7,049 apo 36.4% prej tyre janë aplikime nga femra dhe 12,272 apo 63.6% nga meshkuj. /Monitor

  • Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për Jeffrey Epstein

    Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për Jeffrey Epstein

    Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton dhe gruaja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për autorin e ndjerë të krimit seksual Jeffrey Epstein.

    Kjo vjen disa ditë para një votimi nëse çifti do të akuzohet për “shpërfillje penale” për refuzimin e paraqitjes para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve pas një bllokimi disamujor.

    Bill Clinton ishte i njohur me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar të ketë qenë në dijeni të kryerjes së tij të ndonjë krimi seksual dhe thotë se ai i ka ndërprerë kontaktet dy dekada më parë, shkruajnë mediat e huaja.

    Nuk është e qartë se kur do të zhvillohen dëshmitë, por do të jetë hera e parë që një ish-president i SHBA-së dëshmon para një paneli të Kongresit që kur Gerald Ford e bëri këtë në vitin 1983.

    Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, miratoi masën për të akuzuar familjen Clinton për shpërfillje në fund të muajit të kaluar, me mbështetjen e disa demokratëve.

    Të hënën në mbrëmje, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, postoi në X duke konfirmuar se çifti do të paraqitej para panelit.

    “Ata negociuan me mirëbesim”, shkroi Ureña në një postim drejtuar Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve. “Ju nuk e bëtë”.

    “Ata ju thanë nën betim atë që dinë, por juve nuk ju intereson. Por ish-presidenti dhe ish-Sekretarja e Shtetit do të jenë atje. Ata mezi presin të krijojnë një precedent që vlen për të gjithë”.

    Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për shkelje nga të mbijetuarit e abuzimit të Epstein dhe ka mohuar të ketë dijeni për ofendimin e tij seksual.

    Regjistrat e aeroplanit privat të Epstein tregojnë se Clinton bëri katër fluturime ndërkombëtare në 2002 dhe 2003.

    Ish-presidenti shfaqet gjithashtu në pronën e financierit të ndjerë në foto që ishin midis një grupi të dhënash të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë për t’u përputhur me një ligj të miratuar nga Kongresi që urdhëron zbulimin e të gjithë materialit hetimor në lidhje me pedofilin e dënuar të ndjerë.

    Një fotografi tregon ish-presidentin duke notuar në një pishinë dhe një tjetër e tregon atë të shtrirë në shpinë me duart pas kokës në atë që duket të jetë një vaskë e nxehtë.

    Ureña, zëdhënësi i Clinton, tha në atë kohë se fotot ishin dekada të vjetra dhe Clinton kishte ndaluar së shoqëruari me Epstein përpara se krimet e tij të dilnin në dritë.

  • KEDS tregon zonat ku ndërpritet rryma sot nga ora 09:00

    KEDS tregon zonat ku ndërpritet rryma sot nga ora 09:00

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të martën do të kryhen punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik.

    Si pasojë, në disa zona do të ketë ndërprerje të përkohshme të rrymës.

    Orari sipas rajoneve:

    Prishtinë:

    • TS 110/10 kV Prishtina 5 – Dalja Xhamia e Llapit II: 11:00–12:00, Rr. Bedri Gjini. Arsyeja: Kontrollimi dhe testimi i Mbrotjes Rele.
    • NS 110/35/10 kV Fushë Kosova – Dalja Vragolia: 10:30–15:30, Vragoli, Miradi e Ulët (pjesërisht), Batusa, Henci, Pompen FAM GAS, bizneset përgjatë rrugës Vragoli-Sllatinë. Arsyeja: Vendosja e shtyllave të reja.
    • NS 110/10(20) kV Prishtina 3 – Dalja Drini i Bardh-Furra-J21: 09:00–11:00, Bulevardi Bill Klinton. Arsyeja: Premontim i shtyllës 0.4 kV.
    • NS 220/35/10 kV Podujeva – TS Bajqinë Shkolla: 10:30–13:00, Bajqinë Shkolla. Arsyeja: Demontim i shtyllave 0.4 kV.
    • NS 220/35/10 kV Podujeva – Dalja Ballovci: 11:00–13:00, Surkishi, Lladofci, Sfeqel, Dumoshi, Shajkovci, Surdulli, Hertica, Drazhnje, Rakenica, Turuqica. Arsyeja: Demontim i shtyllave 10 kV.

    Gjakovë:

    • NS 35/10 kV Gjakova I – Dalja Mulliri: 10:00–11:30, 5 konsumatorë komercial në rrugën Nënë Tereza. Arsyeja: Vendosja e transformatorit toroidal.
    • NS 35/10 kV Gjakova I – Dalja Jatex: 12:30–14:00, 1 konsumator komercial në rrugën Nënë Tereza. Arsyeja: Projekte investive, zhvendosja e daljeve sipas projektit.
    • NS 35/10 kV Malishevë – Dalja J08 Dragobili: 10:30–15:30, fshatrat Astrazub, Dragobil, Drenoc, Guriq, Janqishtë, Kërvasari, Marali, Maxharrë, Pagarushë, Shkozë dhe disa rrugë të qytetit. Arsyeja: Vendosja e ndarësit linjor.

    Gjilan:

    • NS 35/10 kV Gjilan 1 – Dalja Uglari: 10:30–15:00, fshatrat Bilincë, Inatoc (pjesërisht), Llovcë, Malishevë, Malishevë e Poshtme, Pograjë, Sllubicë (pjesërisht), Stublinë, Uglar, Zabeli i Sahit Agës. Arsyeja: Vendosja e ndarësit linjor.
    • NS 35/10 kV Kllokoti – NS Lladova: 11:00–13:00, Budrikë e Epërme, Budrikë (pjesërisht), Cërnicë, Livoç i Ulët (pjesërisht), Nasalë, Partesh, Çelik (pjesërisht), Demiraj, Dunav (pjesërisht), Goden (pjesërisht), Haxhaj, Lladrovë, Llashticë, Pidiç, Selishtë, Shurdhan, Stançiq, Zhegër, Burincë (pjesërisht), Lipovicë, Muçibabë, Pasjan. Arsyeja: Ndërrimi i izolatorëve mbajtës në anën 35 kV.

    Ndryshe, Korportata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se Njësia A5 është ndalur nga operimi për shkak të një rrjedhjeje në sistemin gypor.

    Megjithatë në njoftim, KEK-u ka thënë se operimi po vazhdon me katër njësitë e tjera: A3, A4, B1 dhe B2.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia A5 është ndalur nga operimi rreth orës 20:25, si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet (sistemi gypor), në kuotën 10–15 metra. Aktualisht, KEK sh.a. vazhdon operimin sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike, me katër (4) njësi prodhuese në operim: A3, A4, B1 dhe B2”, thuhet në njoftim.

    Njësia A5 sipas KEK-ut është ndalur me qëllim të parandalimit të ndonjë defekti me përmasa të mëdha dhe gjithashtu edhe për të mundësuar kryerjen e sanimeve të nevojshme.

  • Lirohen dhjetë të dyshuar për manipulim votash në Mitrovicë

    Lirohen dhjetë të dyshuar për manipulim votash në Mitrovicë

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim për lirimin e dhjetë të dyshuarve për manipulim të numërimit me vota në rajonin e Mitrovicës.

    Kjo gjykatë ka liruar duke mos ngarkuar me asnjë masë të dyshuarit, për të cilët sot është mbajtur seancë.

    “Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë dje kishte paraqitur kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë personave të dyshuar për manipulim të numërimit me vota gjatë procesit të numërimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

    Ndërkohë, Prokuroria kishte intervistuar të shtunën 43 kryesuesë të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, derisa 34 prej tyre ishin dërguar në mbajtje 48-orë.