ATV

Category: Lajme

  • David Rush thyen rekordin Guinness duke mbajtur shkallën në mjekër për 19 minuta

    David Rush thyen rekordin Guinness duke mbajtur shkallën në mjekër për 19 minuta

    David Rush, mbajtësi i më së shumti titujve të njëkohshëm të Rekordeve Botërore Guinness, ka vendosur një rekord të ri të jashtëzakonshëm duke balancuar një shkallë në mjekër për 19 minuta e 11 sekonda.

    Me këtë arritje, Rush ka rimarrë një nga rekordet e tij më të hershme, të cilin e kishte vendosur për herë të parë në vitin 2016, kur shkalla kishte qëndruar në mjekrën e tij për 5 minuta e 31 sekonda. Ky rekord kishte shënuar atëkohë titullin e tij të dhjetë Guinness.

    Rush vazhdon të njihet për sfidat e pazakonta dhe përkushtimin e tij ndaj thyerjes së rekordeve botërore, duke shtuar vazhdimisht emrin e tij në librin e Guinness-it me arritje unike dhe mbresëlënëse.

    Ai e theu rekordin përsëri në vitin 2018 me një kohë prej 11 minutash, por titulli u mor më vonë nga dikush tjetër me një kohë prej gati 18 minutash.

    Rush tani e ka rimarrë rekordin me një kohë prej 18 minutash e 11 sekondash, transmeton Telegrafi.

    “Ironikisht, kronometri i përdorur kishte një gabim të vogël, dhe koha e vërtetë duhet të kishte treguar 19 minuta e 13 sekonda. Për shkak të kësaj, teknikisht humba dy sekonda në letër”, shkroi Rush në internet.

    Ai tha se rekordi është një nga më të dhimbshmit për t’u stërvitur dhe për t’u përpjekur.

    “Nëse e rris peshën ose kohëzgjatjen shumë agresivisht, rrezikoj ta tendos pjesën e poshtme të shpinës dhe të detyrohem të marr javë ose edhe muaj pushim. Ky rekord kërkon durim, përparim dhe respekt”, shkroi ai. /Telegrafi/

  • Porositi vrasje për gjakmarrje, 34-vjeçari dënohet me 25 vite burg

    Porositi vrasje për gjakmarrje, 34-vjeçari dënohet me 25 vite burg

    Gjykata e Fierit ka dënuar me 25 vite burg një 34-vjeçar, i cili akuzohet se ka porositur një vrasje të mbetur në tentativë për motive gjakmarrjeje.

    Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Fier ekzekutuan vendimin e gjykatës ndaj shtetasit L. H., 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë, i shpallur fajtor për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë.

    Sipas hetimeve, L. H. ndodhej më parë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohej se në vitin 2023 kishte porositur vrasjen e shtetasit M. H.

    Hetimi ka zbuluar se ai kishte paguar shtetasin M. M., 31 vjeç, i cili aktualisht është i dënuar, për të kryer atentatin. M. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me synim vrasjen e M. H.

    Si pasojë e të shtënave me armë, mbeti e plagosur shtetasja B. S., e cila ndodhej në të njëjtin automjet me M. H.

  • Trump tjetër paralajmërim për Iranin: “Gjëra të këqija” do të ndodhin nëse s’arrihet një marrëveshje me SHBA

    Trump tjetër paralajmërim për Iranin: “Gjëra të këqija” do të ndodhin nëse s’arrihet një marrëveshje me SHBA

    Presidenti Donald Trump paralajmëroi të hënën se “gjëra të këqija” do të ndodhin nëse Irani nuk arrin të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

    “Tani për tani po flasim me ta, po flasim me Iranin dhe nëse mund të gjejmë një zgjidhje, kjo do të ishte shumë mirë. Dhe nëse nuk mundemi, ndoshta do të ndodhin gjëra të këqija”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, shkruajnë mediat e huaja.

    Me tensionet në rritje, Trump refuzoi të diskutonte ndonjë veprim të mundshëm ushtarak kundër Iranit, por përsëriti se “forca e jashtëzakonshme”, përfshirë një aeroplanmbajtëse që ai ka dërguar në Lindjen e Mesme, do të mbërrijë së shpejti në rajon.

    Trump ka mbajtur qëndrimin se shpreson që Uashingtoni do të “gjejë një zgjidhje” me Iranin, por gjithashtu paralajmëroi të hënën se “gjëra të këqija do të ndodhin” nëse nuk arrihet një marrëveshje.

    Trump kishte paralajmëruar se “koha po mbaron” që Irani të arrijë një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, të cilin Perëndimi beson se synon të bëjë një bombë atomike, një pretendim që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.

    Në një intervistë me CNN të dielën, Abbas Araghchi, ministër i Punëve të Jashtme të Iranit tha: “Presidenti Trump tha jo armë bërthamore dhe ne pajtohemi plotësisht. Ne pajtohemi plotësisht me këtë. Kjo mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë”, duke shtuar se, “në këmbim, ne presim heqjen e sanksioneve”.

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, theksoi më herët të hënën se Teherani po punonte për një metodë dhe kornizë për negociata që do të ishin gati në ditët në vijim, me mesazhe midis dy palëve të transmetuara përmes aktorëve rajonalë.
    Turqia ka udhëhequr një përpjekje diplomatike për të ulur tensionet, me Araghchi që vizitoi Stambollin javën e kaluar dhe foli me homologë të tjerë rajonalë, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Jordaninë.

    E diplomati më i lartë i Jordanisë, Ayman Safadi, e siguroi Araghchi të hënën se mbretëria “nuk do të jetë një fushë beteje në asnjë konflikt rajonal ose një platformë nisjeje për ndonjë veprim ushtarak kundër Iranit”.

    Në anën tjetër, autoritetet iraniane, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei, kanë paralajmëruar se çdo sulm i SHBA-së do të shkaktonte një “luftë rajonale”.

  • Deputetja Ymeri: Kosova gjatë vitit 2025 importoi rrymë nga Serbia mbi 3.2 milionë euro

    Deputetja Ymeri: Kosova gjatë vitit 2025 importoi rrymë nga Serbia mbi 3.2 milionë euro

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri tha sot se Kosova gjatë vitit 2025 ka importuar mesatarisht çdo ditë 8.860 euro për rrymë nga Serbia.

    Ymeri kështu u shpreh përmes një postimi në Facebook.

    “Për një vit, 2025, Kosova ka importuar rrymë nga Serbia 3,234,127.98 euro ose mbi 3.2 milionë euro. (Dogana e Kosovës).

    Mesatarisht çdo ditë, 8,860 euro para për rrymë për Serbinë.

    Tash këta filmat me konferenca e zvarritje të proceseve se kinse Kuti e paria e tij po e mbron Kosovën nga Serbia i rikujtoni vet, në ndërkohë që ne i paguanim Serbisë para për rrymë, e për çfarë jo tjetër”, shkruan Ymeri.

  • Dokumentet e reja të FBI-së: Jeffrey Epstein përshkruhej si “menaxher i pasurisë” së Vladimir Putinit

    Dokumentet e reja të FBI-së: Jeffrey Epstein përshkruhej si “menaxher i pasurisë” së Vladimir Putinit

    Dokumente të sapo publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbulojnë se financieri amerikan i ndjerë dhe i dënuar për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein, në dosjet e FBI-së përshkruhej si “menaxher i pasurisë” së presidentit rus Vladimir Putin.

    Sipas këtyre dokumenteve, Epstein kishte tentuar në disa raste të organizonte takime me Putinin, megjithëse nuk ka konfirmim nëse ndonjë prej tyre është realizuar ndonjëherë.

    Materialet e publikuara përfshijnë mbi 3 milionë faqe dokumentesh, rreth 180 mijë fotografi, 2 mijë video si dhe qindra letra dhe e-mailë personalë të Epstein. Ministria e Drejtësisë amerikane bëri të ditur se publikimi është pjesë e një hetimi afatgjatë mbi aktivitetet kriminale të Epstein.

    Media e pavarur ruse Agentstvo, e cila ka shqyrtuar dokumentet, raporton se emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1.000 herë, ndërsa Rusia afro 5.900 herë.

    Përpjekje të shumta për takime me Putinin
    Korrespondenca elektronike tregon se Epstein ka eksploruar vazhdimisht mundësinë e një takimi me presidentin rus. Në një e-mail të tetorit 2010 ai pyeste: “A ka qenë Putini në jahtin tënd?” ndërsa gjatë aplikimit për vizë ruse shkruante: “A më duhet vizë? Kam një mik të Putinit, a duhet ta pyes?”

    Në vitet pasuese, Epstein përmend disa herë takime të mundshme me Putinin, përfshirë edhe një të planifikuar në vitin 2014, i cili duket se u anulua pas rrëzimit të avionit të Malaysia Airlines mbi Ukrainë, ku humbën jetën 298 persona.

    Lidhje me zyrtarë rusë dhe shërbimet sekrete
    Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Epstein ka komunikuar me Sergei Belyakov, ish-zëvendësministër rus i zhvillimit ekonomik dhe ish-anëtar i shërbimit sekret rus FSB. Në një e-mail të vitit 2015, Epstein përmend “miqtë e tij në FSB” dhe diskuton raste shantazhi që lidhen me biznesmenë të fuqishëm në SHBA.

    Autoritetet amerikane dyshojnë se Epstein kishte lidhje afatgjata me krimin e organizuar rus, gjë që, sipas tyre, mund të shpjegojë lehtësinë me të cilën ai sillte vajza nga Rusia.

    Ofertë për Kremlinin dhe interes për Trumpin
    Dokumente të tjera tregojnë se Epstein pretendonte se mund t’i ofronte Kremlinit informacione të vlefshme për Donald Trumpin, përpara samitit Trump–Putin në Helsinki në vitin 2018. Ai komunikonte me ish-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, duke sugjeruar se mund të ndihmonte në kuptimin e qëndrimeve të presidentit amerikan.

    Dyshime për lidhje me Mossadin

    Një raport i FBI-së përmend dyshime se Epstein mund të ketë qenë i lidhur me shërbimin sekret izraelit Mossad. Një burim i FBI-së ka deklaruar se Epstein kishte marrëdhënie të afërta me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe se ishte trajnuar për aktivitete spiunazhi.

    Në një e-mail drejtuar Barakut në vitin 2013, Epstein përmend riorganizime në rrethin e ngushtë të Putinit, duke sugjeruar se kishte informacione të ndjeshme.

    Raporti i FBI-së: “Menaxher i pasurisë” së Putinit
    Në një raport të FBI-së të datës 27 nëntor 2017, bazuar në një burim konfidencial, thuhet se Epstein ishte “menaxher i pasurisë së presidentit Vladimir Putin” dhe se kishte ofruar shërbime të ngjashme edhe për ish-presidentin e Zimbabvesë, Robert Mugabe.

    Epstein u gjet i vdekur në një burg të Nju Jorkut në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për akuza federale për trafikim njerëzor me qëllim shfrytëzimi seksual. Rasti vazhdon të ngjallë interes të madh publik, veçanërisht për shkak të dyshimeve për një rrjet të gjerë abuzimi që përfshinte figura të fuqishme politike dhe ekonomike në nivel global.

  • Raportohet e zhdukur një femër në Ferizaj, nga 30 janari nuk dihet vendndodhja e saj

    Raportohet e zhdukur një femër në Ferizaj, nga 30 janari nuk dihet vendndodhja e saj

    Një femër është raportuar e zhdukur në Ferizaj.

    Ajo sipas raportimit është larguar nga shtëpia që nga data 30 janar dhe nuk dihet për vendodhjen e saj.

    “Ferizaj / 30.01.2026 – 17:00. Me 02.02.2026 është raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe dihet për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, ka njoftuar PK.

  • Shtatë raste të dhunës në familje në 24-të orët e fundit

    Shtatë raste të dhunës në familje në 24-të orët e fundit

    Gjatë 24-të orëve të fundit në vendin tonë sipas raportit policor janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.Sipas raportit rastet kanë ndodhur në Graqanicë, Ferizaj, Pejë(2 raste), Deçan dhe dy raste nga Mitrovica.
    Raporti:Graqanicë/ 02.02.2026 – 19:00. Është raportuar për përleshje fizike dhe verbale mes dy të dyshuarve, një femre dhe një mashkulli kosovarë. Palët janë shoqëruar për intervistim dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ferizaj / 02.02.2026 – 21:30. Është raportuar për një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar mashkull kosovar paraprakisht kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse dy të dyshuar tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

    Pejë/ 02.02.2026 – 10:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
    Pejë/ 01.02.2026 – 15:41. Me 02.02.2026 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike duke e kanosur viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori , rasti nën hetime.

    Deçan / 02.02.2026 – 23:40. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për kryerje të veprës së lartcekur. Pas intervistimit, të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë / 02.02.2026 – 16:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Mitrovicë Veri / 02.02.2026 – 13:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka shqetësuar viktimën femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

  • Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    21 të dyshuarit për falsifikim të rezultateve të votimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në komunën e Mitrovicës, janë liruar të mbrohen në liri.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjyqtari kompetent ka refuzuar urdhrin e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj 21 të dyshuarve dhe të njëjtit janë liruar të mbrohen në liri.

    “FALSIFIKIM I REZULTATEVE TE VOTIMIT Qendra e numërimit në Mitrovicë / 29.12.2025-02-01.2026 – 08:00. Lidhur me rastin, me 02.02.2026 gjyqtari kompetent ka refuzuar urdhrin e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj 21 të dyshuarve dhe të njëjtit janë liruar të mbrohen në liri”, thuhet në raportin e policisë.

    Policia në raportin e sotëm po ashtu ka njoftuar se mbi dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Malishevë, edhe një person është prangosur ditën e djeshme.

    “Me 02.02.2026 lidhur me rastin në vazhdimësi të hetimeve është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Ditëve të kaluara janë ndaluar e paraburgosur edhe komisionerë e vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren e komuna të tjera.

  • Arrestohet në Pejë një person i dyshuar për kanosje ndaj personit zyrtar

    Arrestohet në Pejë një person i dyshuar për kanosje ndaj personit zyrtar

    Një person i shpallur në kërkim policor është arrestuar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Pejë.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, përkatësisht Stacionit Policor Pejë, rasti ka ndodhur më 2 shkurt 2026, rreth orës 08:50, gjatë patrullimit rutinë të zyrtarëve policorë. I dyshuari është vërejtur nga policia dhe, sapo ka kuptuar praninë e tyre, ka tentuar të largohet, por është kapur dhe arrestuar.

    Tutje thuhet se gjatë transportimit për në Stacionin Policor në Pejë, i dyshuari ka kanosur zyrtarët policorë. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “kanosje ndaj personit zyrtar”.

    Pas intervistimit nga hetuesit dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se nga dita e enjte, duke filluar nga ora 09:00, do të nisë një aksion për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, aksioni do të përfshijë largimin e të gjitha shtyllave metalike anti-parking (kunjave) që janë vendosur pa leje nga organet kompetente.

    Drejtoria e Inspekcionit ka bërë të ditur se të gjithë subjektet afariste dhe personat fizikë të cilët kanë vendosur pengesa të tilla pa autorizim janë të obliguar që deri më 5 shkurt 2026 t’i largojnë vetë ato nga hapësirat publike.

    “Në rast të mosrespektimit të këtij afati, inspektorët komunalë do të ndërmarrin veprime ligjore ndëshkuese, ndërsa pengesat do të hiqen me forcë nga institucionet komunale”, thuhet në njoftim.

    Qëllimi i këtij aksioni, sipas komunës, është lirimi i hapësirave publike dhe parkingjeve në mënyrë që ato të jenë në shërbim të qytetarëve dhe banorëve të zonave përkatëse.