ATV

Category: Lajme

  • Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për Jeffrey Epstein

    Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për Jeffrey Epstein

    Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton dhe gruaja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për autorin e ndjerë të krimit seksual Jeffrey Epstein.

    Kjo vjen disa ditë para një votimi nëse çifti do të akuzohet për “shpërfillje penale” për refuzimin e paraqitjes para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve pas një bllokimi disamujor.

    Bill Clinton ishte i njohur me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar të ketë qenë në dijeni të kryerjes së tij të ndonjë krimi seksual dhe thotë se ai i ka ndërprerë kontaktet dy dekada më parë, shkruajnë mediat e huaja.

    Nuk është e qartë se kur do të zhvillohen dëshmitë, por do të jetë hera e parë që një ish-president i SHBA-së dëshmon para një paneli të Kongresit që kur Gerald Ford e bëri këtë në vitin 1983.

    Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, miratoi masën për të akuzuar familjen Clinton për shpërfillje në fund të muajit të kaluar, me mbështetjen e disa demokratëve.

    Të hënën në mbrëmje, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, postoi në X duke konfirmuar se çifti do të paraqitej para panelit.

    “Ata negociuan me mirëbesim”, shkroi Ureña në një postim drejtuar Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve. “Ju nuk e bëtë”.

    “Ata ju thanë nën betim atë që dinë, por juve nuk ju intereson. Por ish-presidenti dhe ish-Sekretarja e Shtetit do të jenë atje. Ata mezi presin të krijojnë një precedent që vlen për të gjithë”.

    Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për shkelje nga të mbijetuarit e abuzimit të Epstein dhe ka mohuar të ketë dijeni për ofendimin e tij seksual.

    Regjistrat e aeroplanit privat të Epstein tregojnë se Clinton bëri katër fluturime ndërkombëtare në 2002 dhe 2003.

    Ish-presidenti shfaqet gjithashtu në pronën e financierit të ndjerë në foto që ishin midis një grupi të dhënash të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë për t’u përputhur me një ligj të miratuar nga Kongresi që urdhëron zbulimin e të gjithë materialit hetimor në lidhje me pedofilin e dënuar të ndjerë.

    Një fotografi tregon ish-presidentin duke notuar në një pishinë dhe një tjetër e tregon atë të shtrirë në shpinë me duart pas kokës në atë që duket të jetë një vaskë e nxehtë.

    Ureña, zëdhënësi i Clinton, tha në atë kohë se fotot ishin dekada të vjetra dhe Clinton kishte ndaluar së shoqëruari me Epstein përpara se krimet e tij të dilnin në dritë.

  • KEDS tregon zonat ku ndërpritet rryma sot nga ora 09:00

    KEDS tregon zonat ku ndërpritet rryma sot nga ora 09:00

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të martën do të kryhen punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik.

    Si pasojë, në disa zona do të ketë ndërprerje të përkohshme të rrymës.

    Orari sipas rajoneve:

    Prishtinë:

    • TS 110/10 kV Prishtina 5 – Dalja Xhamia e Llapit II: 11:00–12:00, Rr. Bedri Gjini. Arsyeja: Kontrollimi dhe testimi i Mbrotjes Rele.
    • NS 110/35/10 kV Fushë Kosova – Dalja Vragolia: 10:30–15:30, Vragoli, Miradi e Ulët (pjesërisht), Batusa, Henci, Pompen FAM GAS, bizneset përgjatë rrugës Vragoli-Sllatinë. Arsyeja: Vendosja e shtyllave të reja.
    • NS 110/10(20) kV Prishtina 3 – Dalja Drini i Bardh-Furra-J21: 09:00–11:00, Bulevardi Bill Klinton. Arsyeja: Premontim i shtyllës 0.4 kV.
    • NS 220/35/10 kV Podujeva – TS Bajqinë Shkolla: 10:30–13:00, Bajqinë Shkolla. Arsyeja: Demontim i shtyllave 0.4 kV.
    • NS 220/35/10 kV Podujeva – Dalja Ballovci: 11:00–13:00, Surkishi, Lladofci, Sfeqel, Dumoshi, Shajkovci, Surdulli, Hertica, Drazhnje, Rakenica, Turuqica. Arsyeja: Demontim i shtyllave 10 kV.

    Gjakovë:

    • NS 35/10 kV Gjakova I – Dalja Mulliri: 10:00–11:30, 5 konsumatorë komercial në rrugën Nënë Tereza. Arsyeja: Vendosja e transformatorit toroidal.
    • NS 35/10 kV Gjakova I – Dalja Jatex: 12:30–14:00, 1 konsumator komercial në rrugën Nënë Tereza. Arsyeja: Projekte investive, zhvendosja e daljeve sipas projektit.
    • NS 35/10 kV Malishevë – Dalja J08 Dragobili: 10:30–15:30, fshatrat Astrazub, Dragobil, Drenoc, Guriq, Janqishtë, Kërvasari, Marali, Maxharrë, Pagarushë, Shkozë dhe disa rrugë të qytetit. Arsyeja: Vendosja e ndarësit linjor.

    Gjilan:

    • NS 35/10 kV Gjilan 1 – Dalja Uglari: 10:30–15:00, fshatrat Bilincë, Inatoc (pjesërisht), Llovcë, Malishevë, Malishevë e Poshtme, Pograjë, Sllubicë (pjesërisht), Stublinë, Uglar, Zabeli i Sahit Agës. Arsyeja: Vendosja e ndarësit linjor.
    • NS 35/10 kV Kllokoti – NS Lladova: 11:00–13:00, Budrikë e Epërme, Budrikë (pjesërisht), Cërnicë, Livoç i Ulët (pjesërisht), Nasalë, Partesh, Çelik (pjesërisht), Demiraj, Dunav (pjesërisht), Goden (pjesërisht), Haxhaj, Lladrovë, Llashticë, Pidiç, Selishtë, Shurdhan, Stançiq, Zhegër, Burincë (pjesërisht), Lipovicë, Muçibabë, Pasjan. Arsyeja: Ndërrimi i izolatorëve mbajtës në anën 35 kV.

    Ndryshe, Korportata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se Njësia A5 është ndalur nga operimi për shkak të një rrjedhjeje në sistemin gypor.

    Megjithatë në njoftim, KEK-u ka thënë se operimi po vazhdon me katër njësitë e tjera: A3, A4, B1 dhe B2.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia A5 është ndalur nga operimi rreth orës 20:25, si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet (sistemi gypor), në kuotën 10–15 metra. Aktualisht, KEK sh.a. vazhdon operimin sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike, me katër (4) njësi prodhuese në operim: A3, A4, B1 dhe B2”, thuhet në njoftim.

    Njësia A5 sipas KEK-ut është ndalur me qëllim të parandalimit të ndonjë defekti me përmasa të mëdha dhe gjithashtu edhe për të mundësuar kryerjen e sanimeve të nevojshme.

  • Lirohen dhjetë të dyshuar për manipulim votash në Mitrovicë

    Lirohen dhjetë të dyshuar për manipulim votash në Mitrovicë

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim për lirimin e dhjetë të dyshuarve për manipulim të numërimit me vota në rajonin e Mitrovicës.

    Kjo gjykatë ka liruar duke mos ngarkuar me asnjë masë të dyshuarit, për të cilët sot është mbajtur seancë.

    “Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë dje kishte paraqitur kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë personave të dyshuar për manipulim të numërimit me vota gjatë procesit të numërimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

    Ndërkohë, Prokuroria kishte intervistuar të shtunën 43 kryesuesë të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, derisa 34 prej tyre ishin dërguar në mbajtje 48-orë.

  • KEK ndal Njësinë A5 për sanim, operimi vazhdon me katër njësi prodhuese

    KEK ndal Njësinë A5 për sanim, operimi vazhdon me katër njësi prodhuese

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se Njësia A5 është ndalur nga operimi mbrëmjen e sotme, për shkak të një rrjedhjeje të evidentuar në sistemin gypor.

    Sipas KEK-ut, rrjedhja është konstatuar në ekranet e njësisë, në kuotën 10 -15 metra, ndërsa ndalja është bërë në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë.

    “Njësia A5 është ndalur nga operimi si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet (sistemi gypor), ndërsa ndalja është realizuar me qëllim të parandalimit të defekteve të mundshme dhe kryerjes së sanimeve të nevojshme”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    KEK bën të ditur se, pavarësisht ndaljes së Njësisë A5, prodhimi i energjisë elektrike po vazhdon sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike, me katër njësi prodhuese në operim: A3, A4, B1 dhe B2.

    “Në kushte të zakonshme operimi, KEK funksionon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave me kërkesë të rritur ka angazhuar maksimalisht edhe njësinë e pestë”, thekson korporata.

    Në njoftim theksohet se gjatë këtij viti KEK ka arritur një nivel të lartë operimi, duke funksionuar njëkohësisht me pesë njësi prodhuese për më shumë se 25 ditë.

    “Ky nivel i operimit përfaqëson arritjen më të lartë operative të regjistruar që nga viti 2006, duke reflektuar stabilitet teknik, mirëmbajtje të avancuar dhe angazhim maksimal profesional,” thuhet më tej në njoftim.

    KEK njofton se menjëherë pas përfundimit të sanimit, Njësia A5 do të rikthehet në operim, me synimin për të vazhduar prodhimin me kapacitet maksimal dhe në përputhje të plotë me standardet e sigurisë.

    “Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe efikas të kapaciteteve prodhuese, në funksion të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të vendit”, përfundon njoftimi.

  • Aeroporti i Prishtinës shënon rritje të fuqishme të udhëtarëve gjatë vitit 2025

    Aeroporti i Prishtinës shënon rritje të fuqishme të udhëtarëve gjatë vitit 2025

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka shërbyer mbi 4.6 milionë pasagjerë, ndërsa janë realizuar gjithsej 29,962 fluturime hyrje-dalje.

    Sipas njoftimit zyrtar të aeroportit, këto të dhëna dëshmojnë një rritje të konsiderueshme si të numrit të udhëtarëve, ashtu edhe të fluturimeve, krahasuar me vitin paraprak.

    “Mbi 4.6 milionë pasagjerë dhe 29,962 fluturime (vajtje/ardhje) përfaqësojnë një rritje të ndjeshme në raport me vitin e kaluar dhe pasqyrojnë besimin e vazhdueshëm të pasagjerëve tanë. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë”, thuhet në njoftimin e Aeroportit të Prishtines.

  • KE: Nga Plani i Rritjes më së shumti përfituan Shqipëria dhe Serbia, Kosova rrezikon t’i humbasë mjetet

    KE: Nga Plani i Rritjes më së shumti përfituan Shqipëria dhe Serbia, Kosova rrezikon t’i humbasë mjetet

    Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha e Kosova vazhdon të mos arrijë të përfitojë mjete nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për shkak të mos ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas zëdhënësit të Komisionit të vetmet shtete që nuk kanë përfituar nga Plani i Rritjes vazhdojnë të mbesin Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, ndonëse Bosnja është bllokuar nga Republika Serbe, Kosova u bllokua nga vet subjektet politike si shkak i bllokadës politike. Komisioni ngriti alarmin për rrezikun që ka Kosova t’i humbasë mjetet e BE-së.

    “Komisioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat e pa përmbushura, duke siguruar përmbushjen e tyre brenda periudhës së tolerancës. Periudha e tolerancës për hapat që duhej të përmbusheshin në fund të vitit 2024 përfundon në fund të vitit 2026, ndërsa për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025 përfundon në mesin e vitit 2026”.

    “Për këtë arsye, ne po u bëjmë thirrje partnerëve që të intensifikojnë përpjekjet për zbatimin në kohë të reformave, përpara periudhave të ardhshme të raportimit. Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, në mënyrë që të shfrytëzojnë maksimalisht atë që Plani i Rritjes u ofron atyre”.

    Në përgjigjen e Komisioni Evropian për RTV21, thuhet se nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm katër prej tyre kanë përfituar mjete nga Plani i rritjes. Ndërsa më së shumti nga plani i rritjes deri më tani vlerësohet se ka përfituar shteti i Serbisë.

    Që nga maji i vitit 2024, Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor ka sjellë përfitime konkrete për rajonin dhe qytetarët e tij. Ne po avancojmë reformat kyçe, duke hapur rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Plani i Rritjes tani është plotësisht në zbatim.

    Deri më sot, janë miratuar 6 Agjenda Reformash dhe 4 përfitues nga Ballkani Perëndimor kanë marrë parapagimin. Më konkretisht: • Shqipëria: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 99.3 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 64.5 milionë eurosh në formë parapagimi. • Mali i Zi: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 18.3 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 26.8 milionë eurosh në formë parapagimi. • Maqedonia e Veriut: në kuadër të kërkesës së parë dhe të dytë për pagesë ka marrë 27.7 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 52.5 milionë eurosh në formë parapagimi. • Serbia: në kuadër të kërkesës së parë për pagesë ka marrë 56.5 milionë euro, si dhe një shumë shtesë prej 111.0 milionë eurosh në formë parapagimi. • Kosova: Kosova ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet për Fondin dhe Huamarrjen, prandaj ende nuk janë disbursuar pagesa. • Bosnje dhe Hercegovinë: BiH ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet për Fondin dhe Huamarrjen, prandaj ende nuk janë disbursuar pagesa.

  • Federata Sindikale denoncon moszbatimin e pagës minimale në QKMF-në e Klinës

    Federata Sindikale denoncon moszbatimin e pagës minimale në QKMF-në e Klinës

    Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka reaguar lidhur me moszbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale ndaj punëtorëve teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

    Sipas reagimit të Federatës, punëtorët teknikë në këtë institucion nuk janë paguar në përputhje me vendimin e Kryeministrit të Kosovës në detyrë për pagën minimale.

    Vendimi, i marrë më 31 tetor 2025 me numër 10/273, parasheh që nga data 1 janar 2026 paga minimale të mos jetë më e ulët se 425 euro, ndërsa nga korriku i vitit 2026 ajo të rritet në 500 euro.

    Megjithatë, Federata bën të ditur se punëtorët teknikë në QKMF-në e Klinës kanë marrë pagë mujore në vlerë prej 350 eurosh, çka sipas saj përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit qeveritar.

    Për këto shkelje, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka paralajmëruar se do të njoftojë Inspektoratin e Punës dhe, nëse vlerësohet e nevojshme, edhe Gjykatën, me qëllim të adresimit institucional të rastit.

  • Vuçiç paralajmëron ushtrinë e robotëve, kërkon mbështetje nga Kina

    Vuçiç paralajmëron ushtrinë e robotëve, kërkon mbështetje nga Kina

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thelluar bashkëpunimin me Kinën, këtë herë në fushën e teknologjisë ushtarake dhe robotikës, duke prezantuar idenë e përdorimit të robotëve humanoid për forcimin e ushtrisë serbe.

    Vuçiç deklaroi se ushtria serbe pritet të fuqizohet së shpejti me rekrutë të rinj, të cilët nuk do të jenë njerëz, por robotë humanoid të armatosur. Sipas tij, Serbia planifikon të prezantojë mijëra robotë në paradën e ardhshme ushtarake, ndërsa prodhimi i tyre pritet të nisë që këtë vit, shkruan A2 CNN.

    Presidenti serb tha se për këtë projekt do të kërkojë mbështetje nga Kina, konkretisht nga presidenti kinez Xi Jinping, duke theksuar se këta robotë do të kenë kapacitete të avancuara teknologjike.

    “Ata mund të mbajnë deri në 30 kilogramë, që do të thotë se mund të mbajnë kamera dhe pajisje të ndryshme. Mund të kryejnë detyra që tashmë realizohen në Kinë, si kontrolle kufitare. Mund të lëvizin mbi rrota ose pa rrota, të kërcejnë dhe të kryejnë operacione të ndryshme, si dhe të armatosen”, u shpreh Vuçiç.

  • “Iu ka pri serbëve në Izbicë”, familjari i zhgënjyer me dënimin e Muhamet Alidemajt

    “Iu ka pri serbëve në Izbicë”, familjari i zhgënjyer me dënimin e Muhamet Alidemajt

    Familjari i viktimave, Islam Doni, pas përfundimit të seancës gjyqësore, tha se vendimi i gjykatës për dënimin e Muhamet Alidemajt është i ulët dhe se familjarët do të paraqesin ankesë ndaj aktgjykimit, duke shtuar se mbetet të shihet nëse do ta arrijnë qëllimin e tyre në instancat më të larta, raporton Ekonomia Online.

    Doni tha se personalisht nuk ka parë që Alidemaj të ketë vrarë dikë me duart e tij, por sipas tij e ka parë atë duke u prirë forcave serbe për të hyrë në fshatin Izbicë, duke shtuar se nuk mund të pohojë për veprime që nuk i ka parë drejtpërdrejt.

    Ai përshkroi se atë ditë në Izbicë nuk kishte pasur dasmë, por ishin dëgjuar krisma të armëve të rënda dhe të lehta, ndërsa sipas tij ishin masakruar 137 persona, si dhe më pas në dy raste të tjera ishin vrarë nga dy deri në trembëdhjetë banorë.

    Doni tha se fshati ishte djegur dhe plaçkitur, ndërsa sipas tij dy persona të paralizuar ishin djegur në prokolica traktorësh.

    “Vendimi na duket shumë i ulët, mirëpo gjykata ka marrë vendim edhe çka kemi na me thënë përtej gjykatës. Më anku kemi me u anku, sa kena me arrit qëllimin tonë, mbetet me u pa.. Kodi penal i Jugosllavisë e përcakton kështu, bie në maksimum. Se për neve edhe 15 vjet normalisht që është pak… Unë personalisht nuk e kam parë që e ka vrarë askënd. Unë e kam parë që iu ka prirë serbëve me hy në fshatin Izbicë. Çka s’e kam parë nuk mundem me thanë që e kam parë duke vrarë. Mirëpo atë ditë në Izbicë nuk ka pasë dasmë. Atë ditë janë ndjerë krisma të tekave, topave, kallashave, pushkëve edhe janë masakruar 137. Edhe dy herë masandej na janë vrarë ka dy-trembëdhjetë. Edhe u djeg krejt fshati Izbicë, edhe u plaçkit. Janë djeg dy të paralizuar në prokolica të traktorit. Nuk mundet me iu ikë ky prej përgjegjësie, as s’mundet me thënë që s’kam qenë unë. Normalisht, familjet që i kanë ndarë, gratë i kanë ndarë, iu ka shtirë thikën në fyt, i ka plaçkitur, i ka rrahur. Kanë dëshmuar këto në gjyq”, tha ai pas procesit gjyqësor.

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026.

    Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesl Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

  • Misioni i FMN-së do të zhvillojë vizitë në Kosovë

    Misioni i FMN-së do të zhvillojë vizitë në Kosovë

    Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të zhvillojnë vizitë në Kosovë nga 3- 13 shkurt.

    Qëllimi i vizitës sipas njoftimit është zhvillimi i konsultave vjetore dhe vlerësim të të zhvillimeve të fundit makroekonomike.

    “Një mision i FMN-së, i udhëhequr nga David Amaglobeli, do të vizitojë Kosovën gjatë periudhës 3–13 shkurt 2026, për të zhvilluar konsultimin vjetor sipas Nenit IV me Republikën e Kosovës.¹ Qëllimi i këtij misioni mbikëqyrës është të bëjë një vlerësim të zhvillimeve të fundit makroekonomike, të analizojë perspektivën dhe rreziqet, si dhe të diskutojë prioritetet e politikave ekonomike dhe reformave me autoritetet dhe palët e tjera kyçe të interesit. Misioni planifikon të publikojë një komunikatë përfundimtare për shtyp dhe të mbajë një konferencë për media”, thuhet në njoftim.