ATV

Category: Lajme

  • Kamionë humanitarë hyjnë në Gaza pas rihapjes së kalimit kufitar në Rafah

    Kamionë humanitarë hyjnë në Gaza pas rihapjes së kalimit kufitar në Rafah

    Një kolona e kufizuar kamionësh me ndihma humanitare ka hyrë në Rripin e Gazës të martën, më 3 shkurt, pas rihapjes së Kalimit Kufitar të Rafah. Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza njoftojnë se rreth 22,000 pacientë presin ende rihapjen e plotë të kalimit për trajtime mjekësore.

    Kalimi kufitar i Rafah ishte pushtuar nga Izraeli në maj 2024, në kuadër të konfliktit të ashpër në Rripin e Gazës, që nga tetori 2023 ka shkaktuar më shumë se 71,000 viktima dhe mbi 171,000 të plagosur.

    Terminali pritej të rihapej në tetor si pjesë e fazës së parë të një marrëveshjeje armëpushimi, por Izraeli kishte vonuar hapjen deri pas lirimit të të burgosurve të fundit nga Gaza, një proces që u përmbyll javën e kaluar.

    Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, sulmet izraelite kanë vazhduar, duke shkaktuar 524 të vdekur dhe 1,360 të plagosur që nga 10 tetori, sipas zyrës së medias së Gazës.

  • Pas Kosovës dhe Shqipërisë, shteti belg kthen sytë kah Estonia për burgje me qira

    Pas Kosovës dhe Shqipërisë, shteti belg kthen sytë kah Estonia për burgje me qira

    Pas vizitave eksploruese në Kosovë dhe Shqipëri, shteti belg ka nisur të interesohet për marrjen me qira të qelive në shtetin estonez.

    Ministrja daneze e Drejtësisë, Annelies Verlinden dhe ajo e azilit dhe migracionit, Anneleen Van Bossuyt, po qëndrojnë në Estoni për një vizitë dy ditore për këtë çështje.

    Siç raportojnë mediat belge, kjo gjë po bëhet meqë po tentohet të luftohet mbipopullimi i burgjeve belge, shkruan Gazeta Express.

    “Nëse njerëzit e dënuar këtu që nuk kanë të drejtë qëndrimi mund ta vuajnë dënimin e tyre në vendin e tyre të origjinës ose në qendrat e paraburgimit jashtë vendit, kjo do të thotë si një ekzekutim i duhur i dënimit ashtu edhe, në të njëjtën kohë, një rritje e konsiderueshme e efikasitetit për sistemin tonë të burgjeve. Kjo gjithashtu do të na lejojë të investojmë më mirë dhe më shumë në programe mbështetëse për të burgosurit që të gjejnë vendin e tyre në shoqërinë tonë pas dënimit”, ka thënë Verlinden.

  • Polonia zbulon spiunin rus brenda Ministrisë së Mbrojtjes: E kemi ndjekur prej muajsh, provat janë shumë të forta

    Polonia zbulon spiunin rus brenda Ministrisë së Mbrojtjes: E kemi ndjekur prej muajsh, provat janë shumë të forta

    Ministria e Mbrojtjes e Polonisë njoftoi se një nga punonjësit e saj është ndaluar dhe akuzuar për bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjence.

    Faqja e lajmeve Onet raportoi më herët se një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes ishte ndaluar për bashkëpunim me inteligjencën ruse.

    “Shërbimet kanë monitoruar aktivitetet e këtij personi për shumë muaj. Veprimet e tij janë dokumentuar dhe analizuar në mënyrë të detajuar. Prandaj, provat e mbledhura ndaj tij janë shumë të forta. Ky është një nga sukseset tona më të mëdha”, i tha Onet një burim i njohur me operacionin.

  • Lajçak pasi i dolën mesazhet në dosjen Epstein: U ndjeva si idiot

    Lajçak pasi i dolën mesazhet në dosjen Epstein: U ndjeva si idiot

    Miroslav Lajçak dha një intervistë për transmetuesin publik Rádio Slovensko pasi emri i tij u shfaq në publikimin e fundit të dosjeve të Jeffrey Epstein të premten, ndërsa të nesërmen dha dorëheqje si këshilltar i kryeministrit Robert Fico.

    Deri tani ai kishte shmangur të fliste me mediat, duke u mbështetur vetëm në deklarata me shkrim. Në transmetim, ai kryesisht i qëndroi linjës së paraqitur në reagimin e tij të së shtunës.

    “Nuk i mbaj mend sinqerisht ato mesazhe,” i tha diplomati sllovak radios, duke iu referuar shkëmbimeve që përfshinin vajza. “Nuk mund t’i konfirmoj, por as t’i mohoj.”

    Pasi i lexoi sërish mesazhet, ai shtoi se ishte ndier “si idiot”.

    “Por kjo nuk më përjashton nga përgjegjësia,” tha ai. “Kam treguar gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse ego mashkullore në veprim — muhabet i vetëkënaqur mashkullor.”

    Lajçak shpjegoi se kishte mbërritur në New York në vitin 2017 për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe se ishte prezantuar me Epstein nga një diplomat i lartë i huaj. Sipas tij, Epstein ishte gjerësisht i njohur dhe takonte figura të shumta biznesi dhe politike nga SHBA-ja dhe jashtë saj.

    Lajçak tha se nuk shihte arsye për të mos e takuar, duke argumentuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij. “Pse të mos e pranoja unë, një djalë nga Sllovakia?” tha ai. “Ishte një kontakt i vlefshëm.”

    Ai tha se më vonë ishte bërë i vetëdijshëm për dënimin e Epsteinit në vitin 2008 për një vepër seksuale, por theksoi se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të edhe pas kësaj. Kjo, sipas tij, e bëri të besonte se nuk kishte problem të vepronte njësoj.

    “Marrëdhënia ime me të ishte me fjalë, jo me veprime. Sot po paguaj çmimin për komunikimin me të dhe njohjen e tij,” tha Lajçak, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epstein-it në vitin 2019.

    Ai konfirmoi gjithashtu se kishte vizituar banesën e Epsteinit, por tha se aty ishin të pranishëm edhe figura të tjera biznesi dhe politike. “Nuk kishte vajza,” këmbënguli ai. “Kjo pjesë e jetës së Epsteinit ishte jashtë dijes sime. Ai nuk fliste për të, dhe unë nuk pyesja.” Ai shtoi: “Ndërgjegjja ime është e pastër.”

    Lajçak mohoi gjithashtu se ish-strategu kryesor i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon, i cili kërkonte të bashkonte populistët evropianë në vitin 2018, ishte takuar me Robert Ficon, pavarësisht mesazheve të publikuara që sugjeronin një takim të mundshëm. Kryeministri sllovak nuk ka konfirmuar nëse një takim i tillë ka ndodhur ndonjëherë.

    “Nuk e dua Lavrovin,” tha Lajçak, duke pranuar se ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan dhe ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov kishin qenë dikur modele profesionale për të. “E ndryshova mendimin për Lavrovin kur ai u bë fytyra dhe zëri i agresorit në Ukrainë.” Në një nga mesazhet, Lajçak kishte shkruar se e donte Lavrovin.

  • Hetimet për parregullsi zgjedhore, dhjetëra komisionerë në Viti në pyetje nga policia

    Hetimet për parregullsi zgjedhore, dhjetëra komisionerë në Viti në pyetje nga policia

    Të paktën 65 komisionerë nga komuna e Vitisë janë duke u intervistuar nga autoritetet, nën dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Lajmi është konfirmuar nga burime të afërta me hetimet, të cilat bëjnë të ditur se intervistimet po zhvillohen në kuadër të një procesi hetimor për parregullsi të mundshme në administrimin dhe numërimin e votave.

    Sipas informatave zyrtare, hetimet ndodhen ende në fazën fillestare dhe aktualisht nuk ka të dhëna për arrestime në këtë komunë. Autoritetet po mbledhin prova dhe po analizojnë dokumentacionin zgjedhor për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të ligjit.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjetjet fillestare lidhur me rastin tashmë i janë dorëzuar Prokurorisë. Policia ka theksuar se veprimet e mëtejme do të ndërmerren vetëm pas udhëzimeve nga ana e organit të akuzës.

    Ndërkohë, në komunat e tjera të vendit janë shënuar zhvillime të ngjashme. Deri më tani, komisionerë zgjedhorë janë arrestuar dhe ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë për dyshime të njëjta. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë prova edhe në Podujevë, Pejë dhe Obiliq, në kuadër të hetimeve për keqpërdorim të votës.

  • ZRRE: Vendimi për tarifat e rrymës ende në shqyrtim, nuk ka konfirmim për çmimin final

    ZRRE: Vendimi për tarifat e rrymës ende në shqyrtim, nuk ka konfirmim për çmimin final

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka sqaruar se informacionet e publikuara së fundmi në lidhje me mosshtrenjtimin e energjisë elektrike nuk kanë të bëjnë me tarifat përfundimtare për të gjithë konsumatorët. Në një deklaratë për RTV21, ZRRE theksoi se këto lajme lidhen vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të energjisë elektrike, ku realizohet shitblerja e rrymës nga Kosova dhe bizneset.

    Sipas ZRRE-së, procesi i shqyrtimit të aplikacioneve për rritje të tarifave nga operatorët energjetikë – KOSTT, KEDS dhe KESCO – është ende në zhvillim. Rregullatori bëri të ditur se informacioni i publikuar ka të bëjë konkretisht me kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX), për të cilin tarifat për vitin 2026 do të mbeten të pandryshuara krahasuar me periudhën e kaluar.

    “Ky vendim nuk ndërlidhet me tarifat e operatorëve të tjerë energjetikë, të cilat janë ende subjekt i rishikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve për të hyrat e lejuara maksimale”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.

    Vendimi përfundimtar nëse do të ketë apo jo shtrenjtim të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët pritet të merret gjatë muajit mars. Në rast të miratimit të tarifave të reja, ato do të aplikohen në faturat e energjisë duke filluar nga muaji prill.

    Ditë më parë, është bërë e ditur se kompania KESCO ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21 për qind, duke arsyetuar kërkesën me rritjen e kostove operative, përfshirë edhe rritjen e pagës minimale nga 425 në 500 euro.

  • “Përdorimi i drogës nga të miturit është rritur” – Blakaj tregon cilat lloje të drogave po përdoren

    “Përdorimi i drogës nga të miturit është rritur” – Blakaj tregon cilat lloje të drogave po përdoren

    Përdorimi i drogave në Kosovë po shënon një trend gjithnjë e më shqetësues, me ulje të ndjeshme të moshës së përdoruesve, veçanërisht tek të miturit.

    Drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, në emisionin “COMPASS” në ATV, ka deklaruar se mosha mesatare e personave që kërkojnë trajtim për varësi nga drogat ka rënë në 16 vjeç.

    Sipas Blakajt, ky ndryshim është alarmues krahasuar me periudhën e pasluftës, kur në dekadën e parë mosha mesatare e pacientëve që paraqiteshin për trajtim ishte mbi 21 vjeç.

    Ai theksoi se ky fenomen tregon për nevojën urgjente të ndërhyrjes institucionale, rritjes së vetëdijes në familje dhe forcimit të programeve parandaluese në shkolla, me qëllim mbrojtjen e shëndetit mendor të të rinjve.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kosovarët investuan rreth 330 milionë euro vitin e kaluar jashtë vendit, kryesisht në Shqipëri

    Kosovarët investuan rreth 330 milionë euro vitin e kaluar jashtë vendit, kryesisht në Shqipëri

    Kosovarët kanë investuar hiç më pak se 327.7 milionë euro jashtë vendit vetëm gjatë periudhës njëmbëdhjetë mujore (janar-nëntor 2025), raporton FrontOnline.

    Sipas BQK-së, investimet direkte jashtë Kosovës janë rritur për 66.6% gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2025, në krahasim me periudhë e njëjtë të vitit paraprak.

    Përndryshe, bizneset kosovare janë radhitur në krye të listës së investitorëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit 2025.

    Derisa investimet direkte jashtë Kosovës janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, investimet direkte në Kosovë kanë shënuar një rritje më të ulët.

    Sipas BQK-së, investimet direkte në Kosovë deri në fund të nëntorit 2025 ishin 934.3 milionë euro që paraqet një rritje prej 28.29%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

  • Arrestohet një person në Gjakovë për posedim të narkotikëve

    Arrestohet një person në Gjakovë për posedim të narkotikëve

    Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për posedim të substancave narkotike, pas një bastisjeje të realizuar nga Policia në një shtëpi private.

    Rasti ka ndodhur të hënën, rreth orës 11:00, në rrugën “Zymer Nimani”.
    Sipas policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Sasia e konfiskuar peshonte gjithsej 1.80 gram.

    Pas përfundimit të veprimeve policore dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

  • Kuvendi i Prishtinës të premten mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për buxhetin për vitin 2026

    Kuvendi i Prishtinës të premten mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për buxhetin për vitin 2026

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupia, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të premten, ku në rend të ditës është miratimi i buxhetit për vitin 2026.

    Seanca është thirrur për në orën 10:00.

    Seanca është thirrur në kohën kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk e ka prezantuar ende kabinetin e tij qeverisës për mandatin e dytë, megjithëse kanë më shumë se dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.