ATV

Category: Lajme

  • Aksident te “Grandi” në Prishtinë: Motoristi nuk i ndalet policit, e godet dhe ikë nga vendi i ngjarjes

    Aksident te “Grandi” në Prishtinë: Motoristi nuk i ndalet policit, e godet dhe ikë nga vendi i ngjarjes

    Rreth orës 11:30, në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime, ku janë përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtar policor.

    Sipas Policisë së Kosovës, gjatë tentativës për ndalim, motoçiklisti e ka goditur zyrtarin policor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Zyrtari ka marrë tretman mjekësor, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitet relevante.

    “Rreth orës 11:30 ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rrugën Garibaldi në Prishtinë. Në aksident janë të përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtarë policor. Gjatë përpjekjeve për ta ndaluar, motoçiklisti ka goditur zyrtarin policor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet relevante.”, ka thënë zëdhënësi i policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës Enis Pllana.

  • Hyn në fuqi marrëveshja Kosovë–Itali për eliminimin e tatimit të dyfishtë

    Hyn në fuqi marrëveshja Kosovë–Itali për eliminimin e tatimit të dyfishtë

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali ka informuar qytetarët dhe komunitetin e biznesit se ka hyrë në fuqi Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë, parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies së tij.

    Sipas një njoftimi të ambasadës së Kosovës në Itali thuhet se bazuar në këtë marrëveshje nuk tatoheni dy herë për të njëjtat të ardhura (në Kosovë dhe në Itali).

    “Tatimi i paguar njihet si kredit tatimor në shtetin tjetër (sipas rregullave përkatëse), rregulla të qarta për paga, profesione të lira dhe biznese, pensionet tatohen vetëm në shtetin e rezidencës, punësimi afatshkurtër (deri 183 ditë): të ardhurat tatohen vetëm në shtetin e rezidencës (kur plotësohen kushtet e marrëveshjes), përjashtime për studentë dhe praktikantë që qëndrojnë për studim/trajnim, norma më të favorshme për dividendë, interesa dhe honorare, më shumë siguri juridike për qytetarët dhe investitorët”.

  • Haradinaj: Viktimat e Mitrovicës u ekzekutuan para syve të forcave ndërkombëtare

    Haradinaj: Viktimat e Mitrovicës u ekzekutuan para syve të forcave ndërkombëtare

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar viktimat e datës 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 të masakrës në Mitrovicë.

    Haradinaj ka përmendur emrat të cilët u vranë nga strukturat paralele serbe në Mitrovicë.

    “Shqipe e Nezir Voca, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Nerimane Xhaka, Remzije Canhasi, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Muharrem Sokoli dhe Nderim Ajeti, ishin viktimat e para të strukturave paralele serbe në Mitrovicë. Ata u ekzekutuan para syve të forcave ndërkombëtare të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj.

  • Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës në botë

    Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës në botë

    Spanja ka shënuar një moment historik në mjekësinë botërore, duke realizuar për herë të parë një transplant fytyre duke përdorur inde nga një dhurues, i cili kishte marrë ndihmë mjekësore gjatë vdekjes, procedurë e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021.

    Ky operacion u krye në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë dhe konsiderohet një hap i madh përpara në fushën e transplantologjisë dhe kirurgjisë rindërtuese, raportoi “Euronews”.

    Operacioni u krye nga një ekip prej rreth 100 profesionistësh shëndetësorë dhe u aplikua te një paciente që kishte pësuar dëmtime të rënda të indeve të fytyrës si pasojë e një infeksioni serioz.

    Këto dëmtime kanë cenuar funksione jetike si frymëmarrja, ushqyerja dhe të folurit.

    Falë transplantit, u bë e mundur rindërtimi i pjesshëm i fytyrës dhe nisja e rikuperimit funksional të pacientes.

    Donatorja kishte dhënë më parë pëlqimin e saj për dhurimin e organeve dhe indeve pas procedurës së vdekjes së asistuar mjekësisht. Ky pëlqim u lejoi ekipeve mjekësore të përgatiteshin me kujdes për ndërhyrjen komplekse, përfshirë përputhjen dhe përgatitjen e saktë të indeve të fytyrës

    Operacioni u drejtua nga doktor Joan Pere Barret, shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron.

    Sipas Barretit, ky lloj transplanti përfshin transplantimin e lëkurës, muskujve, nervave dhe strukturave kockore, si dhe përdorimin e vazhdueshëm të barnave imunosupresive për të parandaluar refuzimin e indeve.

  • Shefi i NATO-s në Kiev, mesazh i fortë mbështetjeje për Ukrainën

    Shefi i NATO-s në Kiev, mesazh i fortë mbështetjeje për Ukrainën

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbërritur në Kiev dhe po takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

    Kështu deklaroi një korrespondent i Financial Times në një postim në X.

    Vizita e raportuar e Rutte vjen pasi Rusia sulmoi Ukrainën me 450 dronë dhe mbi 60 raketa gjatë natës.

    Ndryshe, Rusia dhe Ukraina thanë javën e kaluar se ndaluan sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës, por nuk ranë dakord për afatin kohor për armëpushimin.

  • “Nuk kam qenë pjesë e asnjë zhvillimi të tillë” – Behgjet Pacolli flet pasi iu përmend emri në dosjen “Epstein”

    “Nuk kam qenë pjesë e asnjë zhvillimi të tillë” – Behgjet Pacolli flet pasi iu përmend emri në dosjen “Epstein”

    Behgjet Pacolli, ish-Presidenti dhe ish-zv.kryeministri i Kosovës, një nga personazhet më të njohura në trevat shqiptare edhe si pasojë e qënies si sipëmarrësi më i famshëm, ka folur në një intervistë për TemA, menjëherë pas daljes së emrit të tij në të ashtuquajturat dosje Epsteian.

    Pacolli, në një intervistë flet edhe për çështjen e polemikave për aeroportit të Vlorës, si dhe për çështjet politike të brendshme dhe rajonale….

    Zoti President, ka dy ditë që është përfolur në lidhje me rastin Epstein de ju keni folur, ku natyrisht i keni kundërshtuar, por si mendoni ju pse ndodh ku sulm ndaj jush?

    Lidhur me aludimet që po qarkullojnë në media, dua të jem i qartë: nuk kam pasur asnjë dijeni dhe asnjë përfshirje në çështje që lidhen me persona apo raste të përmendura së fundmi. Nuk kam asnjë informacion konkret dhe nuk kam qenë pjesë e asnjë zhvillimi të tillë. Qe dikush i ka thene dikujt “shiqo kush eshte BP” kete nuk kam mund, nuk mundem dhe nuk do te mundem asnjëherë ta evitoj.

    Tashmë telenovela e aeroportit të Vlorës e ka humbur shkëlqimin mediatik, por ama ka ende qasje të rëndësishme politik që ja vlen t kthehemi. Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e fundvitit se “Fjalët janë thyer tashmë, po shpresojnë të respektohen afatet ligjore”. Doja t’ju pyesja çfarë ka ndodhur ndërmjet jush dhe kryeministrit?

    Sa i përket aeroportit, nuk kam premtuar asnjëherë asgjë që bie në kundërshtim me afatet e përcaktuara në kontratën që MABCO ka me shtetin shqiptar. Si kompani ndërkombëtare, MABCO shquhet pikërisht për përpikmërinë dhe respektimin rigoroz të çdo afati ligjor dhe kontraktual. Kjo ka qenë dhe mbetet qasja jonë në çdo projekt që realizojmë. E nese rrugës dikush do të pengojë duke shfrytëzuar institucionet, prapë unë nuk mund të bëhem magjik!

    Zoti Pacolli Presidenti Trump e ka thirrur Kosovën por dhe Shqipërinë në Bordin e Paqes, si e konsideroni ju këtë zhvillim, duke pasur parasysh dhe frekuentimet tuaja në mjedisin e Presidentit të SHBA?

    Sa i përket zhvillimeve ndërkombëtare, e konsideroj nismën e Presidentit Trump si një përpjekje serioze për të adresuar sfida të mëdha globale përmes dialogut dhe qasjeve pragmatike. Megjithatë, duhet pranuar se vende si Kosova dhe Shqipëria kanë kapacitete të kufizuara ekonomike dhe nuk mund të mbajnë barrë financiare që tejkalojnë realitetin e tyre ekonomik. Kontributi i tyre duhet parë në kontekstin e rolit politik, diplomatik dhe human, jo përmes pritshmërive jorealiste financiare.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov deklaroi para disa ditësh se kërkojmë nga SHBA se së bashku me paketën e paqes në Ukrainë do të duhet të diskutojmë edhe për Ballkanin. Ju si një njohës i mjediseve në Rusi, ngaqë keni punuar dhe frekuentuar disa nga qarqet, si e konsideroni, a mud të prekë kjo Kosovën?

    Në lidhje me Ballkanin, mbështes qartë orientimin euro-atlantik të rajonit. Perëndimi mbetet garancia kryesore për stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë afatgjatë. Çdo forcim i bashkëpunimit me partnerët perëndimorë sjell avantazhe konkrete për paqen dhe investimet, ndërsa çdo alternativë tjetër historikisht ka prodhuar pasiguri dhe stagnim.

    Ju jeni një sipërmarrës i sukseshëm dhe shqiptari më i famshëm në botë në historinë e biznesit. A e shikoni të mundshme rikthimin në politikë?

    Sa i përket Kosovës, unë kam besuar gjithmonë se kontributi më i qëndrueshëm për vendin tim vjen nga ndërtimi i vlerës ekonomike dhe nga suksesi në sipërmarrje. Një biznesmen i suksesshëm krijon punësim, besueshmëri ndërkombëtare dhe ura bashkëpunimi që shpesh politika nuk arrin t’i ndërtojë. Mbështetja ime për Kosovën ka qenë dhe mbetet e vazhdueshme, e bazuar në veprime reale qe motivojne zhvillim real dhe jo në deklarata boshe me të cilat qytetarët janë ngopur. Vetëm me dëshirë, kreativitet dhe guxim të madh për të vepruar ( punuar) arrin të ndryshosh çdo gjë për të mirë.

  • Basha: Përkujtimi i 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës, thirrje për drejtësi dhe zotim

    Basha: Përkujtimi i 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës, thirrje për drejtësi dhe zotim

    Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përkujtuar 26 vjetorin e masakrës ndaj shqiptarëve të veriut të Mitrovicës dhe dëbimin e dhjetëra mijëra qytetarëve nga ajo anë.

    Basha kujtoi se në veri të Mitrovicës më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 u krye një akt i rëndë dhune ndaj qytetarëve shqiptarë të paarmatosur, një fushatë e organizuar frike dhe dëbimi që synonte ndryshimin me forcë të realitetit etnik në atë pjesë të qytetit.

    “Strukturat kriminale serbe, të njohura si ‘Rojat e Urës’, sulmuan familje të pafajshme, duke vrarë 10 shqiptarë, mes tyre një fëmijë 13-vjeçar dhe një grua 65-vjeçare. Dhjetëra të tjerë u plagosën e u torturuan, ndërsa mbi 11 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, duke lënë pas jetët dhe pronat e tyre. Këto krime u kryen në sy të pranisë ndërkombëtare, ndërsa pasojat e tyre ndryshuan thellësisht strukturën demografike dhe jetën shoqërore të veriut të Mitrovicës”, ka thënë Basha.

    Kreu i Kuvendit ka potencuar se sot pas 26 vitesh veriu i vendit nuk është më hapësira e pasigurisë dhe e sundimit të bandave që ishte dikur.

    “Shtrirja e sundimit të ligjit, veprimi i institucioneve të sigurisë dhe çmontimi i strukturave kriminale kanë krijuar një realitet të ri. Rendi dhe siguria janë forcuar, ndërsa kushtet për jetë normale po përmirësohen për të gjithë qytetarët të të gjitha komuniteve. Me kthimin e sigurisë po kthehen edhe familjet në shtëpitë dhe pronat e tyre të uzurpuara dikur, duke rifituar të drejtën për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre”, ka potencuar kryeparlamentari, duke shtuar se pa drejtësi të plotë për viktimat, pa përgjegjësi për krimet, plagët e asaj kohe nuk mbyllen plotësisht.

    Përkujtimi i 3 dhe 4 shkurtit, sipas kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm kthim pas në histori, por thirrje për drejtësi dhe zotim që shteti ynë të mos lejojë kurrë më që qytetarët e tij të përballen me dhunë dhe dëbim për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

  • Prishtina radhitet si kryeqyteti më i lirë në Evropë

    Prishtina radhitet si kryeqyteti më i lirë në Evropë

    Prishtina renditet si kryeqyteti më i lirë në Evropë sa i përket kostos së jetesës, qirave, çmimeve të ushqimeve dhe në restorante.

    Megjithatë, edhe fuqia blerëse është ndër më të ulëtat, duke lënë prapa vetëm Athinën, Shkupin, Beogradin, Lisbonën, Kievin, Kishinjevin dhe Tiranën.

    Shifrat tregojnë koston e jetesës në qytete të ndryshme, krahasuar me Nju Jorkun.

    Kur një indeks ka vlerën 80, ai qytet është më i lirë se Nju Jorku për 20 për qind. Nëse indeksi ka vlerën 120, qyteti është më i shtrenjtë se Nju Jorku për 20 për qind./REL

  • KRU Hidrodrini paralajmëron konsumatorët rreth faturave të papaguara

    KRU Hidrodrini paralajmëron konsumatorët rreth faturave të papaguara

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” SH.A. ka njoftuar se ka hapur një afat për shlyerjen e borxheve të akumuluara apo riprogramimin e tyre përmes kësteve, si dhe për nënshkrimin e kontratave për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

    Sipas njoftimit, thirrja vlen për konsumatorët shtëpiakë, komercialë dhe industrialë në zonën e mbulueshmërisë së kompanisë, përkatësisht në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik. Afati i fundit për pagesë ose riprogramim të borxheve është data 18 shkurt 2026.

    Nga KRU Hidrodrini bëhet e ditur se pas këtij afati, kompania do të jetë e detyruar që, në kuadër të obligimeve për arkëtimin e borxheve të akumuluara, të ndërmarrë masa ligjore, të cilat përfshijnë shkyçje individuale të konsumatorëve borxhlinj, dërgim të lëndëve tek përmbaruesi, si dhe forma të tjera ligjore.

    Kompania rikujton se gjatë kësaj periudhe, konsumatorëve borxhlinj u ofrohet mundësia e riprogramimit të borxhit në mënyrë lehtësuese, përmes pagesës me këste.

    Në fund të njoftimit, KRU Hidrodrini ka falënderuar konsumatorët e rregullt, të cilët vazhdimisht po i përmbushin obligimet financiare ndaj kompanisë për shërbimet e ujësjellësit.

    Njoftimi është lëshuar më 3 shkurt 2026 nga Zyra për Media e KRU Hidrodrini në Pejë.

  • Afera Epstein, Aliu: Do të analizojmë informacionet për trutë e njerëzve të dërguar nga Maqedonia në SHBA

    Afera Epstein, Aliu: Do të analizojmë informacionet për trutë e njerëzve të dërguar nga Maqedonia në SHBA

    Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, ka folur për dosjen “Epstein”, në të cilin përmendej edhe Maqedonia e Veriut si burim për tru të njerëzve, të cilët janë dërguar për eksperiment në SHBA.

    Aliu për Gazetën Koha, tha se si ministër ka iniciuar një grup punues i cili do të shqyrtojë këtë situatë në aspektin administrativ. Aliu tha se pasi të përfundohet analiza e kësaj situate do t’i informojë qytetarët në konferencë për shtyp.

    “Kam pasur takim në ministri me sektorë të ndryshëm, kemi krijuar grup punues që do të ndjek në aspekt administrativ për periudhën që përmendet nëse ka pasur ndonjë memorandum për kërkime shkencore ose analiza. Për momentin është në suaza të spekulimeve, por do ta shqyrtojmë.

    “Ministria e Shëndetësisë dhe shëndeti në përgjithësi në gjithë botën është temë shumë sensitive. Çdo informatë që vjen tek ne, qoftë formale ose jo formale, ne jemi të detyruar ta analizojmë, ta shohim nëse ka të vërtetë ose jo. Dhe për hir të transparencës dhe besimit që duam ta krijojmë tek qytetarët, ne i informojmë ata”, tha Aliu.