ATV

Category: Lajme

  • Prishtina radhitet si kryeqyteti më i lirë në Evropë

    Prishtina radhitet si kryeqyteti më i lirë në Evropë

    Prishtina renditet si kryeqyteti më i lirë në Evropë sa i përket kostos së jetesës, qirave, çmimeve të ushqimeve dhe në restorante.

    Megjithatë, edhe fuqia blerëse është ndër më të ulëtat, duke lënë prapa vetëm Athinën, Shkupin, Beogradin, Lisbonën, Kievin, Kishinjevin dhe Tiranën.

    Shifrat tregojnë koston e jetesës në qytete të ndryshme, krahasuar me Nju Jorkun.

    Kur një indeks ka vlerën 80, ai qytet është më i lirë se Nju Jorku për 20 për qind. Nëse indeksi ka vlerën 120, qyteti është më i shtrenjtë se Nju Jorku për 20 për qind./REL

  • KRU Hidrodrini paralajmëron konsumatorët rreth faturave të papaguara

    KRU Hidrodrini paralajmëron konsumatorët rreth faturave të papaguara

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” SH.A. ka njoftuar se ka hapur një afat për shlyerjen e borxheve të akumuluara apo riprogramimin e tyre përmes kësteve, si dhe për nënshkrimin e kontratave për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

    Sipas njoftimit, thirrja vlen për konsumatorët shtëpiakë, komercialë dhe industrialë në zonën e mbulueshmërisë së kompanisë, përkatësisht në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik. Afati i fundit për pagesë ose riprogramim të borxheve është data 18 shkurt 2026.

    Nga KRU Hidrodrini bëhet e ditur se pas këtij afati, kompania do të jetë e detyruar që, në kuadër të obligimeve për arkëtimin e borxheve të akumuluara, të ndërmarrë masa ligjore, të cilat përfshijnë shkyçje individuale të konsumatorëve borxhlinj, dërgim të lëndëve tek përmbaruesi, si dhe forma të tjera ligjore.

    Kompania rikujton se gjatë kësaj periudhe, konsumatorëve borxhlinj u ofrohet mundësia e riprogramimit të borxhit në mënyrë lehtësuese, përmes pagesës me këste.

    Në fund të njoftimit, KRU Hidrodrini ka falënderuar konsumatorët e rregullt, të cilët vazhdimisht po i përmbushin obligimet financiare ndaj kompanisë për shërbimet e ujësjellësit.

    Njoftimi është lëshuar më 3 shkurt 2026 nga Zyra për Media e KRU Hidrodrini në Pejë.

  • Afera Epstein, Aliu: Do të analizojmë informacionet për trutë e njerëzve të dërguar nga Maqedonia në SHBA

    Afera Epstein, Aliu: Do të analizojmë informacionet për trutë e njerëzve të dërguar nga Maqedonia në SHBA

    Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, ka folur për dosjen “Epstein”, në të cilin përmendej edhe Maqedonia e Veriut si burim për tru të njerëzve, të cilët janë dërguar për eksperiment në SHBA.

    Aliu për Gazetën Koha, tha se si ministër ka iniciuar një grup punues i cili do të shqyrtojë këtë situatë në aspektin administrativ. Aliu tha se pasi të përfundohet analiza e kësaj situate do t’i informojë qytetarët në konferencë për shtyp.

    “Kam pasur takim në ministri me sektorë të ndryshëm, kemi krijuar grup punues që do të ndjek në aspekt administrativ për periudhën që përmendet nëse ka pasur ndonjë memorandum për kërkime shkencore ose analiza. Për momentin është në suaza të spekulimeve, por do ta shqyrtojmë.

    “Ministria e Shëndetësisë dhe shëndeti në përgjithësi në gjithë botën është temë shumë sensitive. Çdo informatë që vjen tek ne, qoftë formale ose jo formale, ne jemi të detyruar ta analizojmë, ta shohim nëse ka të vërtetë ose jo. Dhe për hir të transparencës dhe besimit që duam ta krijojmë tek qytetarët, ne i informojmë ata”, tha Aliu.

  • Komuna e Kamenicës diskuton me Bankën Botërore për projektet e energjisë nga dielli dhe era

    Komuna e Kamenicës diskuton me Bankën Botërore për projektet e energjisë nga dielli dhe era

    Komuna e Kamenicës ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Grupit të Bankës Botërore, ku janë diskutuar projektet për gjenerimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, konkretisht nga dielli dhe era.

    Në këtë takim, Drejtori i Urbanizmit, Uran Berisha, së bashku me Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, Edon Dërmaku, dhe zyrtaren e kësaj drejtorie, Qëndresa Kastrati, kanë pritur përfaqësuesit e Bankës Botërore, Kerstin Schopohl dhe Alban Imeri.

    Qëllimi i takimit ishte diskutimi i rolit të Komunës së Kamenicës në procedurat për dhënien e lejeve komunale dhe ndarjen e tokës për realizimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme. Në fokus të diskutimeve ishin edhe planet e zhvillimit komunal dhe mundësitë për vënien në dispozicion të parcelave komunale për investitorët potencialë.

    Drejtori i Urbanizmit, Uran Berisha, ka prezantuar Planin Zhvillimor të Komunës, duke theksuar kapacitetet ekzistuese për shfrytëzimin e pronave komunale në funksion të projekteve energjetike. Ai ka bërë të ditur se Komuna e Kamenicës ka potencial të konsiderueshëm për shfrytëzimin e energjisë së erës dhe asaj diellore.

    Ndërkohë, Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Edon Dërmaku, ka vënë në pah rëndësinë e projekteve për gjenerimin e energjisë elektrike, duke përmendur edhe interesimin e disa investitorëve potencialë që kanë dorëzuar kërkesa për zhvillimin e projekteve solare. Sipas tij, këto projekte duhet të zbatohen në përputhje me Planin Zhvillimor Komunal.

    Nga ana e saj, përfaqësuesja e Grupit të Bankës Botërore, Kerstin Schopohl, ka theksuar rëndësinë e vënies në dispozicion të parcelave për investitorët privatë, me qëllim zhvillimin e projekteve energjetike. Ajo ka theksuar se krijimi i mundësive për dhënien e pronave edhe jashtë parcelave të përfshira në Planin Zhvillimor do të mundësonte përfitime për komunën dhe qytetarët nga projektet e gjenerimit të energjisë.

    Në përfundim të takimit, palët janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe diskutimet për hapat e mëtejmë, me synimin e shfrytëzimit të projekteve energjetike në dobi të qytetarëve të Komunës së Kamenicës.

  • Azemi paralajmëron ndërprerje pune për kompanitë që nuk zbatojnë pagën minimale

    Azemi paralajmëron ndërprerje pune për kompanitë që nuk zbatojnë pagën minimale

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se nga 1 janari i këtij viti paga minimale në Kosovë duhet të jetë 425 euro, në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke paralajmëruar masa sindikale ndaj kompanive që nuk e zbatojnë këtë vendim

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi tha se gjatë muajit dhjetor dhe deri në mesin e janarit, sindikata ka paralajmëruar të gjitha kompanitë dhe institucionet që pagat nën 425 euro duhet të rregullohen në përputhje me vendimin qeveritar.

    “Ne gjatë muajit dhjetor po edhe deri në mesin e muajit janar, kemi paralajmëruar të gjitha kompanitë dhe të gjitha institucionet të cilat e kanë pagën nën 425 euro, kemi paralajmëruar se pagat tona me 1 janar duhet të jenë pagë me 425 euro konform vendimit të Qeverisë së Kosovës. Ju e dini që paga minimale tani që nga 1 janari deri më 1 korrik është 425 euro dhe që nga 1 korriku është 500 euro që në njëfarë forme po themi nuk jemi dakorduar por është nxjerrë një vendim që duhet respektuar”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se aktualisht vetëm një kompani ka shkelur këtë vendim, ndërsa për kompanitë e tjera tha se ende është herët të flitet.

    “Tani për tani kemi vetëm një kompani e cila e ka thyer këtë vendim, sepse për kompani të tjera është herët të flasim sepse ne duhet ta presim datën 5 eventualisht 6 shkurt dhe të shohim se sa kompani janë duke respektuar këtë vendim dhe sa nuk janë duke e respektuar. Ne i kemi paralajmëruar dhe tani e kemi deri në hapur se të gjitha ato kompani që nuk e bëjnë pagesën konform vendimit të ish-kryeministrit po e quaj kështu, sigurisht se na e kanë lënë derën hapur që të reagojmë dhe ne të gjitha ato kompani që nuk e bëjnë këtë pagesë, do t’ju japim afat një javë ditë, në të kundërtën normal që neve jemi të obliguar në bazë të vendimit të kryeministrit që të ndërprejmë punën përderisa mos të bëhet pagesa shtesë, gjegjësisht pagesa prej 396 euro që i bie pagë neto për secilin punëtor”, tha ai.

    Duke folur për nivelin e pagës minimale, ai theksoi se, sipas kalkulimeve të sindikatës, kjo pagë nuk i mbulon shpenzimet minimale jetësore të një familjeje.

    “Realisht sipas një kalkulimi që ne e kemi bërë, domethënë pagë minimale sepse paga minimale përcaktohet shpenzimet minimale të katër anëtarëve të familjes, e cila me këtë pagë faktikisht domethënë gjithçka që mbetet nën pagën 800 euro, pagë minimale nuk mund të mbulohen ato po themi kërkesat minimale, por megjithatë qeveria ka marrë një vendim të njëanshëm sepse ne kemi para, ne kemi dhënë versionin tonë, së paku duhet të jetë një fazë kalimtare duke filluar nga 600 euro, por megjithatë është kjo që është dhe ne duhet ta respektojmë po them deri në një ndryshim tjetër”, tha ai.

  • Rasti i çatisë së komunës së Prishtinës ku u lëndua një vajzë, Apeli ua ul dënimin dy të dënuarve

    Rasti i çatisë së komunës së Prishtinës ku u lëndua një vajzë, Apeli ua ul dënimin dy të dënuarve

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ua ulur dënimin dy të akuzuarve lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare. Me këtë vendim, i akuzuari Ylber Jashari u dënua me 2 vjet burgim, ndërkaq dënimi me gjobë prej 5 mijë euro mbeti i pandryshuar. Ndërkaq, ndaj Bekim Baftijarajt u shqiptua dënim me 1 vit burgim.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 shkurt 2025, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj Bekim Baftijarajt i akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme. Jashari ishte dënuar me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Baftijaraj me 2 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Sevdali Zejnullahu, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, si dhe vendimit mbi sanksionin penal. Ai ka propozuar që Apeli ta ndryshojë vendimin e shkallës së parë sa i përket dënimit ose ta kthejë rastin në rigjykim.

    Kurse, mbrojtësja e Batijarajt, avokatja Besijana Ismajli kishte parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozim që Apeli ta anulojë aktgjykimin e Themelores dhe rastin ta kthejë në rigjykim, ose që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me gjobë sipas marrëveshjes për pranim fajësie deri në 4 mijë e 500 euro ose dënim me kusht.

    Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtjes, kurse aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

    Përmes vendimit të marrë më 17 nëntor 2025, Apeli konstaton se pretendimet e mbrojtjes së Jasharit për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk qëndrojnë, të cilat do të kushtëzonin anulimin e vendimit të shkallës së parë.

    Të paqëndrueshëm, Apeli e vlerëson edhe pretendimin se i akuzuari Jashari nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit te fajësisë, ngase mbrojtësi i tij kishte deklaruar se kjo marrëveshje është në përputhje me dispozitat ligjore dhe është arritur pas konsultimit me të akuzuarin. E që, edhe vetë Jashari e kishte mbështetur deklarimin e avokatit.

    Gjithashtu, shkalla e dytë thekson se nuk ka kufizim apo ndalesë që gjykata të shqiptojë dënim jashtë atij të propozuar me marrëveshje për pranim fajësie, në rastet kur vlerëson se me dënimin e propozuar me marrëveshje nuk do të arrihet qëllimi i përgjithshëm i dënimit, por në këtë rast pala vetëm e fiton të drejtën e paraqitjes së ankesës së këtij vendimi. Andaj, edhe për këtë pjesë, Apeli gjen se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara.

    Për Apelin, nuk është e pranueshme që për të akuzuarin Ylber Jashari si rrethanë rënduese të vlerësohet se me rastin e kryerjes së veprës penale ka keqpërdorur pozitën zyrtare, e që si pasojë e këtyre veprimeve i është shkaktuar dëmi substancial buxhetit të shtetit.

    “…pasi që keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare është element konstituiv i figurës se vëprës penale, dëmin në rastin konkret ligjvënësi e ka paraparë si rrethanë kualifikuese të veprës penale, ndërsa rrethanat tjera të konstatuara në aktgjykimin e gjykatës se shkallës së parë i pranon edhe kjo gjykatë si të drejta dhe të ligjshme pasi që gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit (përveç rrethanave te cekura me larte me te cilat nuk pajtohet kolegji penal i Gjykatës se Apelit)”, thuhet në vendim.

    Sipas kolegjit të Apelit, shkalla e parë drejt i ka konstatuar rrethanat lehtësuese të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, por sipas kësaj Gjykate, Themelorja nuk ua ka kushtuar rëndësinë e duhur këtyre rrethanave lehtësuese, sikurse është marrëveshja për pranim fajësie dhe fakti se të akuzuarit për herë të parë kanë kryer vepër penale.

    “…pastaj duke vlerësuar edhe rrethanat tjera lehtësuese te paraqitura ne ankesat e mbrojtësve te akuzuarve, për te akuzuarin Ylber Jashari, si rrethanat personale, se i njëjti është i martuar, është baba i tre fëmijëve të mitur, se është i vetmi mbajtës i familjes, andaj mbi këtë baze Gjykata e Apelit ne aplikim te dispozitës se nenit 71 par.1 nenpar. 1.3 te KPP-se, te akuzuarit Ylber Jashari , kjo gjykate i ka shqiptuar dënimin me burgim nen minimumin e parapare te dënimit për këtë vepër penale”, thuhet në vendim.

    Në anën tjetër, për të akuzuarin Baftijaraj thuhet se ka bashkëpunuar me Prokurorinë gjatë marrëveshjes për pranimin e fajësisë, bashkëpunimi i tij ka qenë vullnetar në hetim dhe ndjekje penale, ka pasur sjellje të mira korrekte para Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës, andaj, këto rrethana sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, japin bazë të mjaftueshme për arsyetimin e shqiptimit të dënimit si në dispozitiv të aktgjykimit nga kjo gjykatë.

    Andaj, Apeli vlerëson se dënimet e shqiptuara nga kjo Gjykatë për dy të akuzuarit, janë në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave të kryera penale, shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me këto dënime do të mund të parandalohen të akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.

    Po ashtu, Apeli vlerëson se me një dënim të tillë do të arrihet qëllim i dënimit, se të pandehurit në të ardhmen do të përmbahet nga veprimet e paligjshme dhe do të bëhet rehabilitimi i tyre, pasi që njëra nga qëllimet e dënimit është të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, në parandalimin e personave të tjerë në kryerjen e veprave penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

    Të akuzuarit Bafijaraj, në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 janar 2025, Ylber Jashari akuzohej se nga 11 gushti 2023 deri më 18 janar 2024 në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e menaxherit të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, në vlerë totale prej 386 mijë e 96 euro e 20 centë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kalon kompetencat e tij, duke i mundësuar të përfitojë kundërligjshëm materialisht kompanisë “NBT ING” Sh.p.k dhe duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në shumë 36 mijë e 450 euro e 29 centë.

    Me këtë, akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Kurse, Bekim Baftijaraj akuzohej se më 11 gusht 2023 e deri më 18 janar 2024, në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e përgjegjësit të kompanisë “NBT ING” Sh.p.k., i cili ishte i ngarkuar me kryerjen e punimeve, të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Baftijaraj me rastin e punimeve “Rikonstruimi i kulmit te objektit të Komunës se re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratën për sanimin e kulmit të ndërtesës, ku gjatë ekzekutimit të kësaj kontrate ka kryer punë të tjera e jo ato sikur pozicionet 2.2, 2.3, 5.1, 5.13 dhe 5.15 të kontratës se lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës nja pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës se re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U., si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër vetura të parkuara përreth.

    Me këtë, Baftijaraj ngarkohej se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” na neni 356, par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

  • Vetura del nga rruga – një person i lënduar në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, bllokohet qarkullimi

    Vetura del nga rruga – një person i lënduar në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, bllokohet qarkullimi

    Një person është lënduar në një aksident trafiku në në rajonin e Kaçanikut, te semafori i parë në drejtim të Hani i Elezit.

    Rreth orës 11:20, Policia ka bërë të ditur se si pasojë e këtij aksidenti ku një veturë ka dalë jashtë rrugës, për momentin rruga në dy korositë është e bllokuar.

    “Sot, më 03.02.2026, rreth orës 11:20, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rajonin e Kaçanikut, te semafori i parë në drejtim të Hani i Elezit. Për momentin, rruga është e mbyllur në të dy korsitë, pasi një veturë ka dalë jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë poshtë saj. Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet relevante, përfshirë Policinë, zjarrfikësit, emergjencën mjekësore si dhe njësitin e trafikut rajonal Ferizaj, të cilët janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka njoftuar për teve1.info zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    I lënduari është duruar në Emergjencën e qytetit të Ferizajt.

  • Osmani përkujton masakrën në Mitrovicë: Krimi nuk harrohet, drejtësia mbetet kërkesë

    Osmani përkujton masakrën në Mitrovicë: Krimi nuk harrohet, drejtësia mbetet kërkesë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë.

    E para e vendit ka thënë se Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj krimit i cili sipas saj nuk do të harrohet asnjëherë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme.

    Ajo ka kujtuar 10 civilët e pafajshëm të cilët u vranë nga bandat serbe dhe 25 të plagosurit e tjerë.

    “Në përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtojmë me dhimbje dhe respekt të thellë një nga plagët më të rënda të pasluftës. Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 564 familje me gjithsej 11 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”, ka shkruar presidentja.

  • Osmani udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, merr pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes

    Osmani udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, merr pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes.

    Në komunikatën e presidencës, thuhet edhe se, Osmani në këtë Samit është ftuar nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe se në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga bota.

    ”Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në komunikatë, përcjell Gazeta Express.

    Komunikata:

    Me ftesë të Presidentit të Emirateve, Presidentja Osmani udhëtoi zyrtarisht për në Emiratet e Bashkuara Arabe

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.

    Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët Presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.

    Gjatë vizitës, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore. Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.

    Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Bali Muharremaj në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Bali Muharremaj në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë vizituar Komunën e Suharekës, ku janë pritur nga kryetari Bali Muharremaj, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Në këtë takim, Hoxha dhe Tasholli kanë prezantuar aktivitetet në kuadër të platformës dhe kanë shprehur mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Suharekës.

    “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, tha Hoxha.

    “Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, shtoi Tasholli.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj u zotua se do të angazhohet maksimalisht për mobilizimin e qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin e 17 shkurtit në.

    “Këtij Marshi për çlirimtarët në Hagë duhet t’i përgjigjen me pjesëmarrje të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Muharremaj.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.