ATV

Category: Lajme

  • Prokuroria në Ferizaj kërkon paraburgim për të dyshuarin për shitblerje narkotikësh

    Prokuroria në Ferizaj kërkon paraburgim për të dyshuarin për shitblerje narkotikësh

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.H., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 03.02.2026, rreth orës 19:14, në rrugën “Brahim Ademi”, tek rrethi afër FSK-së në Ferizaj, i pandehuri pa autorizim ka poseduar, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substanca psikotrope, analoge apo preparate që me ligj janë shpallur si narkotikë.

    Sipas dosjes së rastit, pas ndaljes dhe kontrollimit të veturës “Renault Clio” nga hetuesit e DHTN-së në Ferizaj, në kroskotin e veturës nga ana e pasagjerit është gjetur një qese najloni (dozë) me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 206.90 gram.

    Më pas, DHTN-Ferizaj, në bashkëpunim me DHTN-Prizren, kanë kryer kontroll-bastisje në shtëpinë pronë e babait të të dyshuarit në Prizren. Gjatë këtij kontrolli janë gjetur dy (2) qese najloni (doza) me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 8.15 gram, të cilat ishin të vendosura në dhomën e tij. Të gjitha këto janë sekuestruar nga ana e policisë.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri do të kishte kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri F.H., që nga data 03 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.

  • Bill Gates thotë se pendohet për “çdo minutë që ka kaluar” me Jeffrey Epstein

    Bill Gates thotë se pendohet për “çdo minutë që ka kaluar” me Jeffrey Epstein

    Bill Gates ka thënë se ishte “budalla” që kaloi kohë me Jeffrey Epstein, se pendohet që e ka takuar ndonjëherë dhe e ka hedhur poshtë një email të përfshirë në publikimin e fundit të dosjeve, duke e cilësuar si “të rremë”.

    Në një intervistë në Australi, miliarderi tha: “Me sa duket, Jeffrey i shkroi një email vetes. Ai email nuk u dërgua kurrë, emaili ishte i rremë. Kështu që nuk e di se çfarë mendonte ai aty”.

    Ai shtoi: “Më kujton se çdo minutë që kam kaluar me të pendohem dhe kërkoj falje që e bëra këtë”.

    Gates duket se po i referohet një emaili të drejtuar me fjalët “i dashur Bill”, të cilin Epstein ia dërgoi vetes në korrik të vitit 2013, shkruajnë mediat e huaja, Telegrafi.

    Në email, Epstein ankohet se Gates kishte “zgjedhur të shpërfillte miqësinë tonë” dhe i referohet një “sëmundjeje seksuale”.

    Epstein gjithashtu e akuzon Gatesin se i kishte kërkuar atij “të siguronte antibiotikë që mund t’ia jepte fshehurazi Melindës”, duke nënkuptuar ish-gruan e tij, Melinda French Gates.

    Gates foli për marrëdhënien e tij me Epstein në intervistën për 9 News Australia.

    “Ishte faktikisht e vërtetë që unë isha vetëm në darka. Nuk shkova kurrë në Ishull, nuk takova kurrë asnjë grua…”, tha ai.

    Bill Gates drejton Fondacionin Gates, një organizatë filantropike që punon për të zvogëluar sëmundjet dhe varfërinë në mbarë botën.

  • Rizvanolli sqarohet për importin e rrymës, për kërkesën për rritje të çmimit të energjisë thotë të pritet raporti i ZRRE-së

    Rizvanolli sqarohet për importin e rrymës, për kërkesën për rritje të çmimit të energjisë thotë të pritet raporti i ZRRE-së

    Janë përuruar masat e efiçiencës së energjisë në Shkollën e Ekonomisë “Isa Boletini” në Podujevë, ku përveç ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Aty, Kurti u pyet për kërkesën e KESCO-s për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21.3 për qind, por përgjigjen në vend të tij e dha ministrja Rizvanolli, e cila tha se fillimisht duhet të pritet raporti i ZRRE-së, e më pas të jepen komentet, raporton Ekonomia Online.

    “Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual, ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, ne do ta shohim raportin konsultativ kur ZRRE ta publikojë. Në këtë fazë nuk mund të themi asgjë. ZRRE i vlerëson këto shpenzime që llogariten dhe që ata i konsiderojnë të arsyeshme, dhe ne, si çdo vit, do t’i analizojmë dhe do t’i japim komentet tona sa i përket kësaj”, tha Rizvanolli.

    Po aty, ajo u ndal edhe te importi i rrymës, duke mos e anashkaluar faktin se importi i energjisë elektrike do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm, ndërsa theksoi se investimet që po bëhen në KEK janë të tilla që, sipas saj, nuk kanë ndodhur për 40 vjet.

    “Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve të tjerë. Nuk ka ende një vendim. Ndërsa duhet të kemi parasysh disa zhvillime objektive në sektorin e energjisë që mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Siç e kemi theksuar dhe siç jeni të informuar, në KEK vitin e kaluar kanë filluar modernizimi dhe rehabilitimi që nuk janë bërë për 40 vite, që nga fillimi i punës së TC Kosova B dhe 60 vite në TC Kosova A”, tha ajo.

    Sipas Rizvanollit, kjo nënkupton një periudhë sfiduese për vitin e kaluar, këtë vit dhe vitin e ardhshëm, pasi blloqet duhet të ndalen për disa muaj në mënyrë që investimet të realizohen.

    “Kjo është një sakrificë që duhet ta bëjmë për ne dhe për gjeneratat e ardhshme, fatkeqësisht nuk është bërë më herët. Është investimi më i madh dhe më serioz që po bëhet në KEK. Megjithëse në KEK janë investuar rreth 1 miliard euro, sipas shifrave zyrtare deri në vitin 2020, nuk ka pasur rritje të kapaciteteve, të efiçiencës dhe as rritje të jetëgjatësisë. Investimet që po bëhen tani i përmirësojnë të gjitha këto aspekte”, u shpreh ajo.

    Ajo theksoi se po investohet për rritjen e jetëgjatësisë së termocentraleve për 20 vjet, për uljen e ndotjes përmes vendosjes së filtrave për oksidet e azotit dhe pluhurin, si dhe për rritjen e kapacitetit për së paku 35 megavat në secilin bllok të termocentralit Kosova B.

    Rizvanolli iu përgjigj edhe kritikave në lidhje me importin e energjisë, duke tentuar të japë arsyetime, ndonëse po vazhdonte të përgjigjej në pyetjen që i ishte drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    “Përveç kësaj, siguria do të rritet ndjeshëm. Rëniet e blloqeve që i kemi ndodhin sepse nuk ka pasur investime për 40 vitet e fundit. Siguria e sistemit elektroenergjetik duhet të rritet dukshëm, duke qenë se termocentralet do të jenë në dispozicion 85 për qind të kohës gjatë vitit dhe nuk do të kemi ndalje të paparashikuara në masën që i kemi pasur deri më tani”, tha ajo.

    Sipas saj, kjo ka ndikuar që vitin e kaluar të ketë import më të madh të energjisë elektrike dhe se importi pritet të mbetet i lartë edhe vitin e ardhshëm.

    “Por kjo duhet ndarë nga një faktor tjetër që ka të bëjë me mënyrën se si blihet energjia, si transportohet energjia, me procedurat dhe çështje të tjera që ZRRE duhet t’i mbikëqyrë me vigjilencë. Aty ku ka hapësirë për hetime, ato duhet të bëhen dhe duhet të jenë plotësisht transparente. Nëse duam të kemi një diskutim të hapur për politikat energjetike dhe planet për të ardhmen, duhet t’i dallojmë këta faktorë dhe të flasim në mënyrë të sinqertë për këtë”, shtoi Rizvanolli.

  • Armë nga Kosova drejt Shqipërisë, caktohet masa e paraburgimit ndaj 4 të dyshuarve

    Armë nga Kosova drejt Shqipërisë, caktohet masa e paraburgimit ndaj 4 të dyshuarve

    Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 4 personave të arrestuar të shtunën nga operacioni “Lockdown”, të dyshuar për trafikimin e armëve nga Kosova dhe tregtimin e tyre në Shqipëri.

    Në qeli u lanë Gloris Nezaj, Renato Rumi, Klevin Caushi e Ardjan Caushi.

    Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë, raporton A2.

    Në operacion u sekuestruan edhe 8 armë zjarri, municion, radio policie, jelek multifunksional dhe celularë.

  • Japonezët gjejnë thesar të vërtetë në një thellësi prej 6,000 metrash, mostra të mineraleve të rralla

    Japonezët gjejnë thesar të vërtetë në një thellësi prej 6,000 metrash, mostra të mineraleve të rralla

    Sedimentet që përmbajnë minerale të rralla u nxorën nga thellësitë e oqeanit prej 6,000 metrash në një mision testimi japonez, tha qeveria më 2 shkurt, ndërsa kërkon të frenojë varësinë nga Kina për mineralet e vlefshme, shkruan Le Monde.

    Japonia thotë se misioni ishte përpjekja e parë në botë për të nxjerrë minerale të rralla në det të thellë në një thellësi të tillë.

    “Detajet do të analizohen, duke përfshirë saktësisht se sa shumë minerale të rralla përmbahen” në mostër, tha zëdhënësi i qeverisë Kei Sato, duke e quajtur atë “një arritje domethënëse si në aspektin e sigurisë ekonomike ashtu edhe të zhvillimit gjithëpërfshirës detar”.

    Mostra u mblodh nga një anije shpimi shkencore në det të thellë e quajtur Chikyu që u nis muajin e kaluar për në ishullin e largët Minami Torishima në Paqësor, ku besohet se ujërat përreth përmbajnë një thesar të pasur me minerale të vlefshme.

    Kjo vjen ndërsa Kina – deri tani furnizuesi më i madh në botë i mineraleve të rralla – rrit presionin mbi fqinjin e saj pasi kryeministri Sanae Takaichi sugjeroi në nëntor se Tokio mund të reagojë ushtarakisht ndaj një sulmi ndaj Tajvanit, të cilin Pekini është zotuar ta marrë kontrollin me forcë nëse është e nevojshme.

    Pekini ka bllokuar eksportet në Japoni të artikujve “me përdorim të dyfishtë” me përdorime të mundshme ushtarake, duke nxitur shqetësimet në Japoni se Pekini mund të mbyt furnizimet me metale të rralla, disa prej të cilave përfshihen në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë të Kinës.

    Metalet e rralla – 17 metale të vështira për t’u nxjerrë nga korja e Tokës – përdoren në gjithçka, nga automjetet elektrike te disqet e forta, turbinat me erë dhe raketat.

    Zona përreth Minami Torishima, e cila ndodhet në ujërat ekonomike të Japonisë, vlerësohet të përmbajë më shumë se 16 milionë ton metale të rralla, të cilat gazeta e përditshme e biznesit Nikkei thotë se janë rezerva e tretë më e madhe në nivel global.

    Këto depozita të pasura përmbajnë rreth 730 vjet disprosium, i përdorur në magnete me forcë të lartë në telefona dhe makina elektrike, dhe 780 vjet itrium, i përdorur në laserë, tha Nikkei.

  • Kurti optimist për zgjidhjen e çështjes së postit të presidentit apo presidentes

    Kurti optimist për zgjidhjen e çështjes së postit të presidentit apo presidentes

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga Podujeva, ka deklaruar se kabineti i tij qeveritar do t’i ketë pothuajse të njëjtët emra që i kishte prezantuar më herët ai dhe Glauk Konjufca, ndonëse jo identikë, pasi ata nuk kishin marrë votat e mjaftueshme.

    Ai foli edhe për çështjen e postit të presidentit apo presidentes, për të cilën u shpreh optimist se procesi do të ecë mirë.

    Kurti ka theksuar rëndësinë që institucionet e vendit të formohen sa më shpejt, në mënyrë që Kuvendi të mund të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare me Bankën Botërore, Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, si dhe buxhetin e Kosovës. Sa i përket buxhetit, ai theksoi se nuk mund të vazhdohet me financimin 1/12 edhe gjatë muajit mars.

    “Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë. Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë qeverinë, sepse, siç e dini, kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi edhe Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, që është 882.6 milionë euro dhe që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Republikës, pa harruar që kemi më së shumti përgjegjësi, obligim, por do të thosha edhe preferencë, e ky është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që me 1/12 qeveria në detyrë mund të vazhdojë vetëm edhe për muajin shkurt, ndërsa për muajin mars nuk mund të vazhdohet kësisoj. Andaj, në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit”, tha Kurti.

    Sa i përket postit të presidentes apo presidentit, Kurti theksoi se fillimisht duhet të përmbyllen tri çështjet e lartpërmendura.

    “Njëherë këta tre hapa do t’i përmbyllim, pastaj edhe te hapi i katërt do të ecim mbarë e mirë”, u shpreh ai.

  • ​Vitia viziton Onkologjinë: MSh do të vazhdojë të ketë në fokus sëmundjet malinje

    ​Vitia viziton Onkologjinë: MSh do të vazhdojë të ketë në fokus sëmundjet malinje

    Mbi 408 mijë shërbime janë kryer në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit të kaluar, ka thënë drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.

    Gjatë prezantimit të punës, para ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ai ka thënë se numri rasteve me kancer në tetë vitet e fundit ka qenë mbi 14 mijë.

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia vizitoi Klinikën e Onkologjisë në Ditën Botërore Kundër Kancerit.

    “Në tri katër vitet e fundit, numri i të diagnostifikuarve me sëmundje të kancerit të gjirit ka kaluar 50 përqindshin që janë në fazën e parë të sëmundjes”, u shpreh ai.

    Ai u zotua se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të ketë në fokus sëmundjet malinje dhe me target terapi apo edhe modernizimin që ka akoma nevojë te pjesa e farmacisë”, tha ai.

    Vizita e Vitisë në Onkologji erdhi në Ditën Botërore Kundër Kancerit.

  • Studimi i ri: 40% e rasteve të kancerit mund të parandalohen në botë

    Studimi i ri: 40% e rasteve të kancerit mund të parandalohen në botë

    Pothuajse 40 përqind e rasteve të reja të kancerit në nivel global ka të ngjarë të parandalohen, sipas një studimi të ri.

    Studimi zbuloi se pirja e duhanit kontribuoi në më shumë raste të kancerit në nivel global sesa çdo faktor tjetër rreziku, e ndjekur nga infeksionet dhe përdorimi i alkoolit.

    Hulumtimi u botua në Nature Medicine të martën, një ditë para Ditës Botërore të Kancerit.

    Studimi mori në konsideratë 36 lloje kanceresh në 185 vende, nga të dhënat e rasteve në mbarë botën në vitin 2022.

    Gjithashtu, u shqyrtuan 30 faktorë të modifikueshëm të rrezikut të kancerit, të cilët mund të kontrollohen, ndryshohen ose menaxhohen për të ulur shanset e prekjes nga sëmundja.

    Aktualisht, pirja e duhanit, infeksionet dhe pirja e alkoolit janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në rastet e kancerit në nivel global, që do të thotë se kontrollimi i tyre mund të ulë potencialisht rrezikun e sëmundjes.

    Duke përdorur të dhëna nga viti 2012, studiuesit shqyrtuan gjithashtu ekspozimin në nivel popullate ndaj secilit faktor rreziku, duke zbuluar numrin e rasteve të lidhura drejtpërdrejt me secilin kontribues.

    Më parë, shumica e studimeve mbi kancerin janë përqendruar në faktorë të vetëm rreziku dhe në numrin e vdekjeve, në vend të numrit të përgjithshëm të rasteve.

    Pirja e duhanit dhe infeksionet shkaqet kryesore të rasteve të kancerit të parandalueshme

    Nga gjithsej 18.7 milionë raste të reja të kancerit në nivel global në vitin 2022, rreth 7.1 milionë, ose 38 përqind, ishin të lidhura me shkaqe të parandalueshme. Kanceri i stomakut, mushkërive dhe qafës së mitrës përbënte pothuajse gjysmën e rasteve të kancerit të parandalueshme.

    Rreth 15 përqind e rasteve të parandalueshme ishin për shkak të pirjes së duhanit, i cili ishte faktori kryesor i rrezikut, ndërsa 10 përqind ishin për shkak të infeksioneve. Konsumi i alkoolit shkaktoi 3 përqind të këtyre rasteve.

    Midis 9.2 milionë rasteve të reja tek gratë, afërsisht 30 përqind u konsideruan të shmangshme, me mbi 11 përqind të këtyre të përkeqësuara nga infeksione të tilla si papillomavirusi njerëzor (HPV).

    Rajonet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, si Afrika Sub-Sahariane, kanë shumicën e këtyre rasteve. Kanceri i qafës së mitrës, në veçanti, ishte veçanërisht i përhapur në këto zona.

    Nga ana tjetër, në rajonet me të ardhura të larta si pjesa më e madhe e Evropës dhe Amerikës së Veriut, pirja e duhanit kontribuoi në numrin më të madh të rasteve të kancerit tek gratë.

    Pirja e duhanit ishte gjithashtu kontribuesi më i madh në rastet globale të kancerit tek burrat, si në rajonet me të ardhura të ulëta ashtu edhe në ato me të ardhura të larta, përgjegjës për gati 25 përqind të 4.3 milion rasteve të kancerit të shmangshme. Shkaku i dytë kryesor tek burrat ishin infeksionet, të cilat ishin më të zakonshme në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut, shkruan Euronews.al.

    Ky studim i fundit synon ta bëjë më të lehtë zhvillimin e strategjive të parandalimit të kancerit duke marrë në konsideratë rajone të ndryshme dhe faktorët e tyre më të mëdhenj të rrezikut, në vend që të miratohet një qasje “një masë i përshtatet të gjithëve.

  • PDK-ja mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë” dhe nis mobilizimin për pjesëmarrje më 17 shkurt në Prishtinë

    PDK-ja mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë” dhe nis mobilizimin për pjesëmarrje më 17 shkurt në Prishtinë

    Partia Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e saj për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mobilizimin e saj në të gjitha strukturat partiake, anembanë Kosovës, me qëllim të angazhimit sa më të gjerë të qytetarëve për pjesëmarrje masive në këtë marsh qytetar.

    PDK-ja vlerëson se ky marsh është thirrje e ligjshme dhe paqësore për drejtësi të paanshme, në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të luftëtarëve të lirisë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë. Në këtë periudhë kur procesi ka hyrë në fazën përmbyllëse, PDK-ja kërkon drejtësi të plotë, të barabartë dhe larg çdo ndikimi politik.

    Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare, e lindur nga nevoja për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të vërtetë historike përbën padrejtësi ndaj sakrificës së popullit të Kosovës.

    Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët që në frymën e unitetit dhe respektit institucional, të bashkohen, më 17 shkurt në Prishtinë për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

    Drejtësi, jo politikë!

  • “Të bashkuar nga e veçanta”, shënohet Dita Botërore e Kancerit

    “Të bashkuar nga e veçanta”, shënohet Dita Botërore e Kancerit

    Në Ditën Botërore të Kacerit, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se në 2024-ën janë raportuar gjithsej 4 mijë e 620 raste me kancer prej të cilave 2,546 raste te vajzat/gratë dhe 2,074 raste te djemtë/burrat. Gjatë po këtij viti janë regjistruar 3,644 raste të reja, prej të cilave 1,866 te vajzat/gratë dhe 1,758 te djemtë/burrat.

    “Me moton “Të bashkuar nga e veçanta”, sot shënohet Dita Botërore e Kancerit, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e një angazhimi të përbashkët institucional dhe shoqëror për parandalimin, zbulimin e hershëm, si dhe përmirësimin e trajtimit dhe shërbimeve shëndetësore për personat e prekur nga kanceri. Kanceri është një sëmundje që shfaqet kur qelizat e trupit rriten dhe shumohen në mënyrë të pakontrolluar, duke dëmtuar indet dhe organet. Llojet më të shpeshta të kancerit përfshijnë kancerin e gjirit, të mushkërive, të zorrës së trashë dhe të prostatës.

    Faktorët kryesorë të rrezikut lidhen me stilin e jetesës, infeksionet dhe ndotjen e mjedisit. Parandalimi, skriningu, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi efektiv janë thelbësore për uljen e barrës së kancerit, ndërsa kujdesi paliativ është i domosdoshëm për përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve në fazat e avancuara të sëmundjes. Në nivel global, kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjes, duke shkaktuar rreth 10 milionë vdekje në vitin 2020, ose afërsisht një në gjashtë vdekje.

    Rreth një e treta e vdekjeve nga kanceri lidhen me përdorimin e duhanit, indeksin e lartë të masës trupore, konsumimin e alkoolit, marrjen e ulët të frutave dhe perimeve, si dhe mungesën e aktivitetit fizik. Ndotja e ajrit përbën gjithashtu një faktor të rëndësishëm rreziku për kancerin e mushkërive, ndërsa infeksionet që shkaktojnë kancer, si virusi i papillomës humane (HPV) dhe hepatitet, janë përgjegjëse për rreth 30% të rasteve të kancerit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, thuhet në shkrimin e MSH-së.

    Sipas të dhënave për vitin 2024, në Kosovë janë raportuar gjithsej 4,620 raste me kancer, prej të cilave 2,546 raste te vajzat/gratë dhe 2,074 raste te djemtë/burrat. Gjatë po këtij viti janë regjistruar 3,644 raste të reja, prej të cilave 1,866 te vajzat/gratë dhe 1,758 te djemtë/burrat.

    Më qëllim të parandalimit dhe kontrollit të kancerit, Ministria thotë ta kenë mundësuar zgjerimin e kalendarit të rregullt të vaksinimit me tri vaksina të reja, ndër to edhe vaksinën kundër HPV-së, ka hartuar dhe aprovuar urdherrefyesinklinike për trajtimin e kancerit, si dhe hartimin dhe aprovimine e planeve të veprimit për skriningun e kancerit të gjirit, kancerit të qafës së mitrës dhe kancerit kolorektal.

    “Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në trajtimin e kancerit, por edhe në parandalim, duke mbuluar 90% të terapisë onkologjike, si dhe duke decentralizuar shërbimin tabletar onkologjik edhe në Prizren. Po ashtu, nga mungesa e plotë e akseleratorëve, sot Klinika e Onkologjisë ka në dispozicion tre akseleratorë dhe është transformuar në një klinikë shumë moderne”thuhet në shkrimin e MSH-së.