ATV

Category: Lajme

  • Operacion antidrogë në Mitrovicë: Arrestohen tre persona, sekuestrohen rreth 50 qese me substanca narkotike

    Operacion antidrogë në Mitrovicë: Arrestohen tre persona, sekuestrohen rreth 50 qese me substanca narkotike

    Policia në Mitrovicë të Jugut, gjatë ditës së sotme ka arrestuar tre persona, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Sipas organeve kompetente, arrestimi ndodhi në orët e para të së mërkurës, derisa prangosja e të dyshuarve është realizuar në dy lokacione në Mitrovicë.

    Gjatë kontrollit, sipas policisë, tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar 47 qese me substancë të dyshuar narkotike, me peshë të përgjithshme prej 40.84 gram.

    “Me aktvendim të prokurorit kompetent, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor , ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga njësia përkatëse e DHTN-së”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Ekspozitë për krimet ndaj shqiptarëve në veri hapet në Mitrovicë

    Ekspozitë për krimet ndaj shqiptarëve në veri hapet në Mitrovicë

    Në 26-vjetorin e “Natës së Tmerrit”, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka hapur një ekspozitë me fotografi që dokumentojnë krimet e kryera ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit gjatë dhe pas luftës, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë aktivitet përkujtimor, kryetari i komunës, Faton Peci, ka kërkuar që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë të veprojnë sa më shpejt ndaj, siç u shpreh ai, organizatorëve dhe protagonistëve të këtyre krimeve. “Atëherë, në vazhdën e aktiviteteve në shënim të datës 3 dhe 4 shkurt, që njihet në Mitrovicë po besoj edhe në të gjitha trojet shqiptare si ‘Nata e Tmerrit’, ne po vazhdojmë me aktivitete që e pasqyrojnë gjithë pjesën e krimeve të llahtarshme që kanë ndodhur në Mitrovicë gjatë viteve të 90-ta, gjatë luftës dhe pas luftës. Unë mendoj që institucionet e rendit dhe drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet që sa më parë aktorët të cilët kanë qenë organizatorë dhe protagonistë të këtyre krimeve të llahtarshme, sa më parë të jenë para sistemit të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ai.

    Ai shtoi se aktivitetet e shënimit të datave 3 dhe 4 shkurt po vazhdojnë për të pasqyruar krimet e rënda të ndodhura në Mitrovicë në vitet ’90, gjatë luftës dhe pas saj, duke theksuar se autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. “Gjithë këto fotografi që ne i pamë në ekspozitë, në këtë ekspozitë, për shkak se për herë të parë kemi aktivitete të këtij niveli: nga pllaka, ekspozita, po edhe aktivitete të tjera me qytetarë shqiptarë në veri, në shtëpitë e tyre, po edhe në fund ndezja e qirinjve. Unë mendoj që çdoherë është obligim institucional, nga niveli komunal edhe niveli qendror – për çka tashmë e kanë dëshmu me angazhim – që qytetarët shqiptarë po edhe secila etni tjetër në veri të jetojë në rrethana të lira dhe normale. Thjesht të përkujtojmë këto krime në mënyrë që asnjëherë të mos harrojmë”, tha ai.

    Peci theksoi se qytetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës janë vrarë, plagosur dhe dëbuar gjatë planit famëkeq të spastrimit etnik në pjesën veriore të qytetit. Ai shtoi se shqiptarët, që asnjëherë nuk duhet harruar se kanë qenë shumicë edhe para luftës në Kosovë, kanë pësuar dhunë të papërshkrueshme: vrasje të civilëve të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. “Kështu që krimi i realizuar ndaj qytetarëve civilë, të pafajshëm, ndaj grave, fëmijëve, ndaj pleqve, po edhe secilit qytetar, duhet minimalisht të kujtohet e më pas nga mekanizmat e drejtësisë duhet ta japin verdiktin dhe përgjigjen e merituar”, shtoi ai.

    Ai gjithashtu përmendi procesin e rikthimit të shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre në veri, të cilin e lidhi me suksesin e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. “Unë di dhimbje prej kësaj perspektive që gjithë qytetarët shqiptarë të veriut, të cilët kanë qenë të detyruar që të shpërngulen nga pjesa veriore, një numër i konsiderueshëm i tyre kanë qenë të detyruar që të shesin pronat, banesat dhe shtëpitë e tyre. Sot kemi një trend totalisht ndryshe. Prej depërtimit edhe dëbimit të rreth 12 mijë qytetarëve, tash ka filluar procesi i rikthimit në shtëpitë, banesat dhe në pronat e tyre. Kjo për shkak të këmbëngulësisë, vizionit dhe patriotizmit të pashoq të Kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij”, tha ai.

    Peci theksoi se Komuna do të vazhdojë të organizojë aktivitete përkujtimore edhe në të ardhmen në mënyrë që sakrifica e shqiptarëve për liri të mos harrohet. “Ne si komunë këto aktivitete synojmë që vitet e ardhshme vetëm se të pasurohen. Jo vetëm që do të ketë përkujtim, por do të pasurohen me ngjarje dhe aktivitete të ndryshme të cilat e shënojnë sakrificën edhe gjakun e derdhur të shqiptarëve që e kanë paguar edhe pas çlirimit edhe prezencës së KFOR-it në veri, që fatkeqësisht në prezencën e tyre u realizuan këto krime. Kështu që jo vetëm që do t’i trajtojmë, po edhe familjarët, edhe secila familje e veriut do të trajtohet edhe nga komuna – flas për komunën të cilën e drejtojmë ne – po njëkohësisht në koordinim me qeverinë, sikurse ka qenë edhe procesi i rindërtimit të shtëpive. Ne do të vazhdojmë koordinimin dhe të gjitha kërkesat e tyre të cilat ata me të drejtë i adresojnë, do të gjejnë përkrahje edhe në komunë edhe në qeveri”, tha ai.

    26 vjet më parë, ngjarja e njohur si ‘Rojat e urës’ pati pasoja tragjike: u vranë dhjetë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, u plagosën të tjerë dhe rreth 12 mijë shqiptarë u detyruan të largohen nga pjesa veriore duke lënë pas shtëpitë e tyre të djegura dhe pronat e braktisura.

  • Kush ishte gruaja enigmatike në jetën e Epstein, personi i fundit që bisedoi me të para vdekjes

    Kush ishte gruaja enigmatike në jetën e Epstein, personi i fundit që bisedoi me të para vdekjes

    Rasti i i Jeffrey Epstein po vazhdon të zbulojë detaje tronditëse.

    Dokumente të reja po dalin në dritë, por një figurë mbetet e mbuluar me mister – Karyna Shuliak, e dashura e tij e fundit zyrtare. Gruaja që ishte pranë tij deri në fund dhe së cilës financieri i dënuar për abuzim seksuali la një pasuri që përfshin një ishull privat famëkeq, prona luksoze në të gjithë botën dhe dhjetëra miliona dollarë në para të gatshme vetëm dy ditë para vdekjes së tij.

    Dokumentet gjyqësore të publikuara së fundmi hedhin dritë të re mbi gruan bjelloruse që ishte në qendër të jetës së Epstein për vite me radhë, por arriti të mbetej pothuajse plotësisht e padukshme për publikun. Karyna Shuliak lindi në Bjellorusi në vitin 1989 dhe mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 2009 si një 20-vjeçare. Ajo hyri shpejt në rrethin e Epstein, jo shumë kohë pasi ai vuajti dënimin e tij të parë me burg në Florida. Marrëdhënia e tyre zgjati midis tetë dhe dhjetë vjetësh, dhe ndërkohë ajo u bë një nga shoqet e tij më të ngushta. Epstein, sipas informacionit të disponueshëm, pagoi gjithashtu për studimet e saj të shtrenjta të stomatologjisë në Universitetin prestigjioz të Kolumbias. Edhe pse më vonë u regjistrua si dentiste në Florida dhe Kaliforni, duket se ajo nuk e ushtroi kurrë aktivisht këtë profesion, përcjell gazeta online Reporteri.

    Ata që e njihnin e përshkruajnë në mënyra krejtësisht të kundërta. Disa pretendojnë se ajo ishte e qetë dhe e tërhequr, pothuajse e padukshme në shoqëri. Të tjerë, megjithatë, pohojnë se ajo fitoi nofkën “Inspektori” midis bashkëpunëtorëve të Epstein për shkak të xhelozisë së saj të supozuar dhe tendencës për të kontrolluar vazhdimisht se me kë ishte në kontakt Epstein dhe çfarë po bënte ai.

    Trashëgimtarja më e madhe e pasurisë së tij

    Një detaj interesant nga jeta e saj është martesa e saj në vitin 2013 me Jennifer Kalin, një grua tjetër e lidhur me Epstein. Spekulohet se kjo ishte një “martesë e rreme” që Shuliak e përdori vetëm për të marrë shtetësinë amerikane. Vlen të përmendet se ata u divorcuan në korrik 2019, vetëm pak javë para arrestimit dhe vdekjes së Epstein. Vetëm dy ditë para se të gjendej i vdekur në qelinë e tij të burgut në Manhattan më 10 gusht 2019, Jeffrey Epstein nënshkroi testamentin e tij. Dokumentet tregojnë se ai planifikonte të ndante pasurinë e tij, e vlerësuar në qindra miliona dollarë, midis të paktën 44 përfituesve, por Karyna Shuliak ishte trashëgimtarja më e madhe.

    Lista e asaj që ai kishte ndërmend për të është vërtet e habitshme. Sipas testamentit, Shuliak do të trashëgonte 50 milion dollarë në para të gatshme. Por ky ishte vetëm fillimi. Epstein gjithashtu kishte ndërmend për të një unazë spektakolare diamanti që peshonte pothuajse 33 karat, të zbukuruar me diamante më të vegjël dhe të vendosur në platin. Në një shënim të shkruar me dorë në margjinën e dokumentit, Epstein deklaroi se unaza iu dha “në pritje të martesës”, duke sugjeruar se ai planifikonte të martohej me të. Përveç parave dhe bizhuterive, ajo do të bëhej pronare e gjithë perandorisë së tij të pasurive të patundshme.

    Biseda e fundit

    Këtu përfshihet ishulli i tij famëkeq privat në Ishujt Virgjër të SHBA-së, Little Saint James. Përveç kësaj, lista përfshinte edhe ndërtesën e tij luksoze me apartamente shumëkatëshe në Upper East Side në New York, fermën e madhe Zorro në New Mexico dhe prona të vlefshme në Paris dhe Palm Beach, Florida. Sa e rëndësishme ishte Karyna Shuliak në jetën e tij konfirmohet nga fakti se ajo ishte personi i fundit me të cilin ai foli në telefon.

    Natën para vetëvrasjes së tij, ata kaluan njëzet minuta në një bisedë, përmbajtja e së cilës ndoshta nuk do të dihet kurrë për publikun. Pavarësisht planeve madhështore në testamentin e tij, Shuliak përfundoi duke mos marrë pothuajse asgjë nga ato që u përmendën. Pas vdekjes së Epstein, e gjithë pasuria e tij u transferua në një fondacion të veçantë, Programin e Kompensimit të Viktimave të Epstein, i krijuar për të paguar kompensim për viktimat e tij të shumta. Deri më sot, më shumë se 120 milionë dollarë janë paguar përmes këtij programi.

    Pjesa e mbetur e pronës, e vlerësuar në rreth 127 milionë dollarë, mbetet e lidhur në një proces gjyqësor kompleks në Ishujt Virgjër të SHBA-së. Megjithatë, spekulohet se Shuliak, si përfituese e njërit prej fondeve sekrete të krijuara nga Epstein, arriti ta mbante një pjesë të pasurisë larg publikut dhe gjykatave. Deri më sot, ajo nuk e ka njoftuar lidhjen e saj afatgjatë dhe është parë për herë të fundit në publik në maj 2024 në Nju Jork.

    Ishulli ishte në pronësi të Jeffrey Epstein nga viti 1998 deri në vdekjen e tij në vitin 2019. Gjatë kohës që Epstein ishte në pronësi të tij, ishulli mori nofka të tilla si “Ishulli i Mëkatit” dhe “Ishulli i Pedofilëve”.

  • Intervistohen disa të dyshuar për falsifikim të rezultateve në Obiliq

    Intervistohen disa të dyshuar për falsifikim të rezultateve në Obiliq

    Prokuroria e Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervstimin e disa personave të dyshuar lidhur për falsifiko të rezultatit zgjedhor edhe në Obiliq.

    Më 4 shkurt sipas njoftimit janë intervistuar disa të dyshuar, të cilët janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Me datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në komunikatë.

  • Osmani takohet me presidenten e Tanzanisë dhe shefin e diplomacisë në Arabinë Saudite

    Osmani takohet me presidenten e Tanzanisë dhe shefin e diplomacisë në Arabinë Saudite

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron me ftesë zyrtare në Arabinë Saudite, është takuar me homologen e saj të Tanzanisë, Samia Suluhu dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Mahmoud Thabit Kombo në Samitin Botëror të Qeverisjes.

    E para e shtetit ka bërë të ditur se me të dy palët ka pasur një diskutim të hapur dhe miqësor, duke theksuar vazhdën e marrëdhënieve të mira në mes Kosovës dhe Tanzanisë.

    “Me Presidenten e Tanzanisë, Samia Suluhu dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Mahmoud Thabit Kombo në Samitin Botëror të Qeverisjes. Diskutim i hapur dhe miqësor, në vazhdën e marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Tanzanisë”, ka njoftuar presidentja.

  • Ish-shefi i AKI-së deklarohet i pafajshëm për rastin e “Gylenistëve

    Ish-shefi i AKI-së deklarohet i pafajshëm për rastin e “Gylenistëve

    Ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, është deklaruar i pafajshëm për akuzat në rastin e njohur si “Gylenistët”.

    Në rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, meqë pati ndryshim në përbërjen e anëtarëve të trupit gjykues, kryetarja Violeta Namani Hajra, i pyeti palët nëse qëndrojnë në tërësi pranë deklarimeve të fjalëve hyrëse. Palët deklaruan se qëndrojnë në tërësi.

    Në vend të anëtarëve, Arben Hoti dhe Ngadhnjim Arrni, janë gjyqtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.

    Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani Hajra mori vendim që të mbyllet seanca për publikun meqë do të lexohen deklarata e ish-inspektorit të AKI-së, Shkelzen Sopjani, meqë prokurorja speciale Habibe Salihu konsideroi që deklarata e dhënë e dëshmitarit Sopjani është konfidenciale dhe nuk duhet të jetë e hapur për publikun.

    Në dhjetor të 2025-ës, në ditën kur duhej të shpallej aktgjykimi, Themelorja vendosi të rihapë shqyrtimin gjyqësor meqë ka konstatuar se duhet të grumbullohen dokumente shtesë për të arritur një aktgjykim për rastin.

    Driton Gashi ishte dënuar më 2023 me katër vjet e tetë muaj burgim, porse në fund të vitit 2024, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim sa i përket pikës 1 të dispozitivit, ndërsa e ka vërtetuar lirimin e dy të akuzuarve të tjerë.

    Nga aktakuza asokohe u patën liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

    Prokuroria Speciale pretendon se Gashi duke tejkaluar detyrën e tij zyrtare u përfshi në dëbim, përfshirë edhe në aspektet që kanë të bëjnë me dërgimin e të dëmtuarve në Turqi. Sipas aktakuzës, Gashi i paraqiti si rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës shtetasit turq, ndërkohë që ata nuk ishin të tillë.

    Dëbimin e gjashtë shtetasve turq e pati kritikuar bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që atë e pati përgëzuar Turqia, e cila i akuzoi ata si pjesëtarë të organizatës së Fethullah Gylenit, që në këtë vend konsiderohet terroriste.

    Gjashtë shtetasit turq janë dënuar si pjesë e lëvizjes politike të Fethuhllah Gulenit, tashmë i ndjerë. Burgimet e tyre sillen nga 7 vjet e gjysmë deri në 15 vjet.

  • “U vra në shtëpinë e tij nga katër sulmues të maskuar”, dalin detaje nga vrasja e djalit të Gaddafit

    “U vra në shtëpinë e tij nga katër sulmues të maskuar”, dalin detaje nga vrasja e djalit të Gaddafit

    Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-udhëheqësit libian Moammar Gaddafi, është vrarë mbrëmë në një attentat në shtëpinë e tij në qytetin Zintan, në veriperëndim të Libisë, raporton CNN.

    Ai ishte 53-vjeçar. Saif al-Islam Gaddafi dikur shihej si trashëgimtari i mundshëm i babait të tij diktator – i cili u ekzekutua pasi regjimi i tij u rrëzua në kulmin e protestave të Pranverës Arabe në vitin 2011 – dhe vitet e fundit ai ishte përpjekur të rikthehej në politikën libiane.

    Siç raporton CNN, katër sulmues të maskuar hynë me forcë në rezidencën e Saif al-Islam Gaddafit dhe çaktivizuan kamerat e sigurisë përpara se ta qëllonin për vdekje në një sulm “tradhtar dhe frikacak”, tha këshilltari i tij politik, Abdullah Othman, në një deklaratë në rrjetet sociale.

    Nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet libiane dhe nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila prej kohësh ka kërkuar arrestimin e Gaddafit të ri me akuza për krime kundër njerëzimit.

    I lindur më 25 qershor 1972 në Tripoli, kryeqytetin e Libisë, Saif al-Islam Gaddafi ishte djali i dytë i Moammar Gaddafit, i cili sundoi Libinë nga viti 1969 deri në rrëzimin dhe vdekjen e tij në 2011.

    I rrjedhshëm në anglisht dhe i arsimuar jashtë vendit, përfshirë në London School of Economics, Saif al-Islam Gaddafi shihej gjerësisht si një figurë potencialisht më progresive se babai i tij, i cili sundoi Libinë për dekada me dorë të hekurt.

    Por më 21 shkurt 2011, teksa protestat përhapen në të gjithë Libinë, Saif al-Islam Gaddafi mbajti një fjalim televiziv ku paralajmëroi për luftë civile, kaos dhe varfëri nëse kryengritja do të vazhdonte. Ky fjalim shënoi një ndarje të qartë nga imazhi i tij reformist dhe e vendosi publikisht në krah të shtypjes së dhunshme të demonstruesve nga regjimi.

    Në qershor 2011, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për Saif al-Islam Gaddafi dhe babanë e tij për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë shtypjes së kryengritjes.

  • Ulutas: Operacionet me dron, vetëm me leje zyrtare nga KFOR-i

    Ulutas: Operacionet me dron, vetëm me leje zyrtare nga KFOR-i

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas është pyetur edhe për dronët që tashmë ka vënë në dispozicion Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Ai ka thënë se përgjegjës menaxhimi i hapësirës ajrore mbi Kosovës është nën përgjegjësinë e KFOR-it.

    Kreu i KFOR-it ka thënë se cilido operacion me mjete ajrore pa pilot, kërkon njoftim paraprak të aprovim të qartë nga KFOR-i. Ulutas gjithashtu ka deklaruar se FSK në Veri mund të veprojë vetëm me pëlqimin e tij si komandant i KFOR-it.

    “Menaxhimi i hapësirës ajrore mbi Kosovën është nën përgjegjësinë e Komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Gjatë viteve, Komandantët e KFOR-it e kanë kryer me sukses këtë rol të rëndësishëm, ndër të tjera falë bashkëpunimit të mirë me institucionet në Kosovë, i cili ka mundësuar harmonizimin e përdorimit ushtarak dhe civil të hapësirës ajrore. Përdorimi i të gjitha kategorive të mjeteve ajrore pa pilot i nënshtrohet rregullave të rrepta dhe zonave të lëvizjes së kufizuar. Çdo operacion me mjete ajrore pa pilot kërkon njoftim paraprak dhe miratim të qartë nga KFOR-i. Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me angazhimet ekzistuese midis NATO-s dhe Prishtinës, FSK-ja mund të veprojë në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të Komandantit të KFOR-it”, ka thënë ai në një intervistë për KO.

  • Kosova dhe Austria nënshkruajnë planin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes

    Kosova dhe Austria nënshkruajnë planin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes

    Mistria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se ka nënshkruar plan vjetor të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës Federale të Austrisë.

    Siç bëhet e ditur në nioftim, marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Ministrisë në Kosovë, ndërmjet kolonelit Ahmet Ajeti dhe gjeneralit të brigadës, Nikoluas Rottenberge, njofton Dukagjini.

    “Gjatë qëndrimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni austriak u takua gjithashtu me drejtorin e Politikave të Mbrojtjes, Faruk Gecin, ku u diskutua progresi i bashkëpunimit ekzistues, si dhe objektivat dhe prioritetet e përbashkëta për të ardhmen. Republika Federale e Austrisë mbetet një partnere dhe kontribuuese e rëndësishme në zhvillimin dhe stabilitetin e Republikës së Kosovës dhe të rajonit, ndërsa bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve po shënon zhvillim të vazhdueshëm” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

  • MAShTI cakton datat e provimit të maturës shtetërore

    MAShTI cakton datat e provimit të maturës shtetërore

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim lidhur me organizimin e provimit të maturës shtetërore për këtë vit.

    Sipas vendimit të MAShTI-t, afati i parë i provimit të maturës shtetërore do të mbahet më 20 qershor, ndërsa afati i dytë është caktuar për datën 29 gusht.

    Ministria u ka bërë thirrje nxënësve që të përgatiten me kohë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për detaje shtesë rreth organizimit të provimit.