ATV

Category: Lajme

  • Istog: Mësimdhënësit, pensionistët, fermerët dhe OVL e UÇK-së mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Istog: Mësimdhënësit, pensionistët, fermerët dhe OVL e UÇK-së mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë qëndruar sot në Komunën e Istogut, ku kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të disa kategorive në këtë komunë, me ç’rast kanë kanë prezantuar aktivitetet në kuadër të platformës.

    Ata kanë marrë mbështetje nga mësimdhënësit, pensionistët, fermerët dhe OVL e UÇK-së në Istog, për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    “Hoxha dhe Tasholli u shprehën mirënjohës për përkrahjen e parezervë nga këto kategori, duke theksuar se ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, thuhet në njoftim.

  • Koci sqaron largimin nga organizimi i protestës kundër rritjes së çmimit të rrymës

    Koci sqaron largimin nga organizimi i protestës kundër rritjes së çmimit të rrymës

    Avokati Arianit Koci ka sqaruar vendimin e tij për t`u tërhequr nga organizimi i protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

    Ai ka treguar arsyeje pse e ka ndërmarr një veprim të tillë

    Në profilin e tij në “Facebook”, Koci ka shkruar se është tërhequr nga roli i organizatorit të protestës në mënyrë që të mos dëmtohet kauza nga sulme personale apo dyshime për konflikt interesi

    “U tërhoqa nga roli i organizatorit të protestës për shtrenjtimin e rrymës, që kauza të mos dëmtohet nga sulme personale apo dyshime për konflikt interesi. Jam avokat prej një kohe të gjatë dhe kam përfaqësu klientë të ndryshëm. Kam edhe rreth të gjerë shoqëror. Pas një analize, vlerësova se mund të krijohej përshtypje për konflikt interesi – nëse jo ligjor, atëherë moral e politik. Në një situatë të tillë, vëmendja do të largohej nga çështja te personi”, ka shkruar Koci

  • Osmani konsultohet me avokatë gjermanë për deklaratat e gazetarit të FAZ

    Osmani konsultohet me avokatë gjermanë për deklaratat e gazetarit të FAZ

    Këshilltari i presidentes së Kosovës, Rinor Nuhiu, ka thënë se shefja e shteit, Vjosa Osmani, është duke u konsultuar me avokatë në Gjermani për deklarimet e gazetarit gjerman të FAZ, Michael Martens.

    Nuhiu ka shkruar në “X” se “shpifjet, përgojimi, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e rreme” të Martens bien nën përgjegjësinë civile dhe penale bazuar në ligjin gjerman.

    “Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit”, ka shkruar ai.

    “Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe vendit që ajo drejton”, ka shtuar Nuhiu.

  • Suspendohet një polic në Fushë-Kosovë, dyshohet për një rast sulmi jashtë detyrës zyrtare

    Suspendohet një polic në Fushë-Kosovë, dyshohet për një rast sulmi jashtë detyrës zyrtare

    Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor të Stacionit në Fushë-Kosovë.

    Suspendimi i tij vjen pas hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Sulm”.

    Incidenti raportohet të ketë ndodhur pas mesnatës në Fushë-Kosovë kurse zyrtari policor i përfshirë si i dyshuar në këtë rast ka qenë jashtë detyrës zyrtare.

    “Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet në njoftim.

  • Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Automjete, MPB informon 38 komunat e Kosovës

    Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Automjete, MPB informon 38 komunat e Kosovës

    Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur sot në Prishtinë një sesion informues me përfaqësuesit e zyrave të gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

    Sipas njoftimit të MPB-së, takimi kishte për qëllim informimin dhe koordinimin ndërinstitucional, si dhe diskutimin e çështjeve praktike që ndërlidhen me kompetencat e gjendjes civile, veçanërisht procedurat për shtetasit e huaj dhe zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.

    Gjatë sesionit, Shefja e Kabinetit në MPB, Jeta Tela, theksoi se përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete, lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe proceset e tjera integruese. Ajo vlerësoi se zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

    Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm që kanë zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat për zbatimin korrekt të obligimeve ligjore që burojnë nga këto dy ligje. Në këtë kontekst, u nënvizua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera relevante, për shkëmbim të informatave dhe adresim të sfidave që mund të paraqiten gjatë punës në terren.

    Nga MPB u bë e ditur se ky sesion informues është pjesë e një fushate intensive, përmes së cilës synohet përfshirja e të gjithë akterëve relevantë dhe sigurimi që informacionet të arrijnë te qytetarët, shtetasit e huaj dhe vizitorët, përmes formave të ndryshme të komunikimit.

    Fushata informuese, sipas njoftimit, do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me qëllim të lehtësimit të qasjes në informata dhe sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.

  • Kushtetuesja publikon Aktgjykimin me të cilin konstatoi se zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, ishte antikushtetuese

    Kushtetuesja publikon Aktgjykimin me të cilin konstatoi se zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, ishte antikushtetuese

    Gjykata Kushtetuese e ka publikuar Aktgjykimin lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

    Sipas Kushtetueses, zgjedhja e Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, më 10 tetor 2025, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “TË KONSTATOJË, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [nr. 09-V071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në Aktgjykim.

    https://drive.google.com/file/d/1ghsvQQDzSHC7PxVsHjpOWYnec-Woj7U9/view?usp=sharing

    Sipas aktgjykimit, e drejta për të propozuar kandidatin i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb dhe kjo nuk ishte respektuar.

    “Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse”.

    Gjykata vlerësoi se mekanizmat e debllokimit, përfshirë shortin, janë përdorur në mënyrë të gabuar.

    Megjithatë, për shkak të parimit të sigurisë juridike, vendimi nuk ka efekt prapaveprues

    “Marrë parasysh rrethanat e lartcekura, Gjykata nuk mund të konstatojë se në rrethanat e rastit konkret, mekanizmi debllokues sipas paragrafit 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, respektivisht, procedura e shortit është përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilën e njëjta është paraparë. Kjo për arsye se zbatimi i këtij mekanizmi në një mënyrë që do të çonte në rrethana ku shumica e deputetëve të Kuvendit përcakton se kush do të jetë përfaqësuesi i një komuniteti që nuk është shumicë pa propozimin e këtyre të fundit, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

    Nenad Rashiq, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 10 tetor 2025, duke marrë 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.

    Nëntë kandidatët e tjerë të komunitetit serb nga Lista Serbe nuk i morën votat e mjaftueshme, duke i hapur rrugë kështu Rashiqit të propozohet dhe votohet.

  • Apeli vërteton dënimin me 24 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Klinë

    Apeli vërteton dënimin me 24 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Klinë

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e ka dënuar Jon Hotin me 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë në Klinë.

    I akuzuari Hoti ishte shpallur fajtor nga Themelorja në Pejë më 30 maj 2025 dhe ishte dënuar me dënim unik prej 24 vite e gjysëm burgim për vrasje të dyfshitë më 13 nëntor 2024 në Klinë.

    Kundër vendimit të Themelores, aneksë kishin parashtruar të dëmtuarit R.Sh., dhe S.Sh., për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim më të lartë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Jeton Maqedonci, kishte parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që të anulohet aktgjykimi i Themelores dhe të akuzuarit t’i zbutet dënimi përshtatshmërisht me rrethanat lehtësuese ose çështja t’i kthehet shkallës së parë në rivendosje.

    Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet ankesa e të dëmtuareve, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet sa i përket vendimit lidhur me saksonin penal dhe të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim me i lartë, kurse ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar.

    Seanca për shqyrtimin e këtyre ankesave në Apel u mbajt më 2 tetor 2025.

    Gjykata e Apelit konstaton se pretendimet e dëmtuarve për një dënim më të ashpër dhe e mbrojtësit për një dënim më të butë, nuk janë të bazuara.

    Sipas Apelit, shkalla e parë me rastin e caktimit të dënimit i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit. Si rrethana lehtësuese ka vlerësuar pranimin e fajësisë të cilin pranim i pandehuri e ka bërë edhe në fazën e procedurës paraprake, shprehjen e pendimit për veprat e kryera, faktin se më parë i pandehuri nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale, si dhe moshën e re të të pandehurit, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i moshës 19-vjeçare.

    Ndërsa, si rrethana rënduese i ka vlerësuar shkallën e lartë të dashjes për të kryer veprën penale të vrasje së rëndë, ku i pandehuri pasi paraprakisht i kërkon shtëpitë e viktimave dhe lëvizë në drejtim te tyre, më pas kontakton viktimën A.Sh., dhe lë takim me të. Po ashtu, rrethanë rënduese, thuhet se është marrë pabesia e shprehur nga i pandehuri, pasi që i njëjti e ka kontaktuar viktimën A.Sh. përmes video-call, në Messenger dhe pasi që tani të ndjerit shkojnë në lokal dhe flasin për dorë me të pandehurin e ulen në të njëjtën tavolinë, më pas Hoti ngritet në këmbë dhe përshëndet dëshmitarin Q.H.

    “…dhe posa dëshmitari niset për të dal nga lokali, i pandehuri duke qenë i kthyer me shpinë kah viktimat, e nxjerrë armën nga brendia e xhaketës, e repeton e më pas kthehet në drejtim të viktimave duke shtënë kështu në drejtim të viktimave, pastaj moshën e viktimave ne këtë rast viktimat kanë qenë te moshës, 21 dhe 23 vjeçare”, thuhet në vendim.

    Bazuar në këto rrethana, Apeli vlerëson se Themelorja shqiptoi dënimin prej 24 vjet e gjysmë burgim, me bindje se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit, i cili konsiston në parandalimin e të pandehurit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

    Apeli thekson se e pranon një vlerësim të këtillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm dhe gjen se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.

    “…ndërsa pretendimet e të dëmtareve se dënimi i shqiptuar në është butë, duke marrë parasysh numrin e viktimave si dhe mënyrën e kryerjes së kësaj vepre penale, për kundër pasojës se rendë marrë për bazë rrethanat lehtësuese veçanërisht moshën e re të akuzuarit pranim e fajësisë në të gjitha fazat e procedurës premtimin e tij, rezultojnë të jenë të pa bazuara, ndërsa disa nga rrethanat në të cilat thirret mbrojtësi i të akuzuari se nuk janë vlerësuar rrethanat posaçërisht lehtësuese si mosha e re, në raport me peshën e veprës penale dhe pasoje e shkaktuar, gjithashtu janë pretendime të pa bazuar dhe nuk legjitimojnë një dënim me të butë”, thuhet në vendim.

    Sipas Apelit, të gjitha këto rrethana japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit nga gjykata e shkallës së parë si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.

    “Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nga ana e Gjykatës së shkallës se parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë së veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe më intensitetin e rrezikimit apo pasojave të
    shkaktuara dhe se më të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në vendim.

  • Nën ndikimin e alkoolit kanosi vajzën dhe gruan, mitrovicasi dënohet me dy vjet burgim

    Nën ndikimin e alkoolit kanosi vajzën dhe gruan, mitrovicasi dënohet me dy vjet burgim

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykimin përmes ndaj të pandehurit M.F., i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit të këtij qyteti, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetësh.

    Në njoftim bëhet e ditur se i pandehuri është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të datës 05.08.2024.

    “Ngjarja ka ndodhur më datë 03.06.2024, në banesën e përbashkët familjare në Mitrovicë, ku i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur seriozisht viktimën e ndjeshme – vajzën e tij, duke i shkaktuar frikë dhe ankth për jetën dhe sigurinë e saj. Po ashtu, se në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, me dashje dhe përmes fjalëve dhe veprimeve kërcënuese, ka kanosur seriozisht edhe bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e saj.”

    I akuzuari ndodhet në paraburgim nga 3 qershori i vitit 2024.

  • “Zhbllokohet” Tiktoku, platforma hapet në Shqipëri pas një viti pezullim

    “Zhbllokohet” Tiktoku, platforma hapet në Shqipëri pas një viti pezullim

    Me vendim të qeverisë, është hapur zyrtarisht Tiktok në Shqipëri.

    Vendimi është marrë këtë të mërkurë gjatë mbledhjes së qeverisë.

    “Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.”

    Tiktok u pezullua më 6 mars të vitit të kaluar.

  • Mall i padeklaruar, ndalohen katalizatorë në vlerë rreth 8 mijë euro në Vërmicë

    Mall i padeklaruar, ndalohen katalizatorë në vlerë rreth 8 mijë euro në Vërmicë

    Dogana e Kosovës ka ndaluar 102 kilogramë katalizatorë të bluar të padeklaruar në Pikëkalimin Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve të rregullta doganore.

    Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është ndaluar për kontroll të detajuar, ku është zbuluar mall i padeklaruar.

    “Në automjet janë gjetur dhe sekuestruar katalizatorë të bluar me peshë totale prej 102.10 kilogramësh, me vlerë të përafërt rreth 8 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

    Autoritetet bëjnë të ditur se rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e masave të kontrollit, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme në pikat kufitare”, theksohet më tej në njoftim.

    Dogana ka ritheksuar angazhimin e saj për forcimin e kontrolleve dhe mbrojtjen e tregut nga mallrat e padeklaruara.