ATV

Category: Lajme

  • Përfundon restaurimi i ish Mejtepit Ruzhdije në Gjakovë

    Përfundon restaurimi i ish Mejtepit Ruzhdije në Gjakovë

    Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka përfunduar restaurimi i shkollës së vjetër të muzikës, e njohur si ish Mejtepi Ruzhdije, projekt i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Çeku ka bërë të ditur se paralelisht po ecin drejt përfundimit edhe punimet në objekte të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

    “Ka përfunduar restaurimi i shkollës së vjetër të muzikës – ish Mejtepi Ruzhdije, projekt i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës”, ka deklaruar Çeku.

    Ai ka shtuar se punimet po vazhdojnë edhe në monumente të tjera me vlerë historike.

    “Ndërkohë, drejt përfundimit po shkojnë punimet në kullën e Sylejman Vokshit, ndërsa në kullën e Tohsun Beut ka përfunduar faza e parë”, ka theksuar ministri në detyrë.

    Sipas Çekut, këto projekte janë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm institucional për trashëgiminë kulturore të vendit.

    “Angazhim i vazhdueshëm për ruajtjen, mbrojtjen dhe rikthimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

  • Sot në Prishtinë mbahet ‘Dita e Biznesit Francez në Kosovë’

    Sot në Prishtinë mbahet ‘Dita e Biznesit Francez në Kosovë’

    Këshilli i Investitorëve Evropian, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, sot (e enjte) do të organizojë French Business Day in Kosovo (Dita e Biznesit Francez në Kosovë), edicionin e parë të një forumi të nivelit të lartë kushtuar fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të mundësive të investimit midis Kosovës dhe Francës.

    Kjo ngjarje është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Këshillit të Investitorëve Evropian dhe Ambasadës së Francës në Kosovë dhe synon të shërbejë si një platformë e vazhdueshme për dialog dhe bashkëpunim ekonomik.

    Forumi do të hapet me fjalë hyrëse nga Emrush Ujkani, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, dhe Olivier Guérot, Ambasador i Francës në Kosovë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve qeveritare.

    Gjatë ditës do të zhvillohen panele tematike që analizojnë potencialin e sektorit financiar në Kosovë për mbështetjen e investimeve, tranzicionin energjetik dhe agjendën e gjelbër, partneritetet publiko-private në sektorë strategjikë, si dhe zhvillimin e ekosistemit të teknologjisë dhe inovacionit. Në diskutime do të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Banka Qendrore e Kosovës, Banka Botërore, BERZH-i, AFD – Agjencia Franceze për Zhvillim, si dhe investitorë dhe kompani franceze, ndërkombëtare dhe vendore.

    Ngjarja do të përmbyllet me sesione të dedikuara rrjetëzimi, si mundësi konkrete për bashkëpunim ndërmjet institucioneve, investitorëve dhe bizneseve aktive nga Kosova, Franca dhe rajoni.

    “French Business Day in Kosovo (Dita e Biznesit Francez në Kosovë) synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës”, njofton Ambasada e Francës në Kosovë.

  • MPB lanson linjën pa pagesë për informim rreth zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete

    MPB lanson linjën pa pagesë për informim rreth zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete

    Ministria e Punëve të Brendshme nga sot ka vënë në dispozicion linjën telefonike pa pagesë – 0800, në kuadër të periudhës informuese rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete shkruan Reporteri.net.

    Numri i kësaj linje është: 0800 46 757. Duke telefonuar në këtë numër, pa kosto të shërbimit telefonik, palët e interesuara mund të informohen lidhur me përcaktimet e Ligjit për të huajt dhe Ligjit për Automjete.

    “Kjo linjë pa pagesë do të ju ofrojë informacionet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze”, thuhet në njoftim.

    MPB ka thënë se përmes kësaj linje do të ofrohen informacionet e nevojshme me qëllim të lehtësimit të qëndrimit të vizitorëve dhe të huajve në Republikën e Kosovës, dhe për qarkullimin e automjeteve të regjistruara në vendin e huaj.

    “Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi”, theksohet në njoftim.

  • PDK zhvillon sot aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë

    PDK zhvillon sot aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të zhvillojë sot një aksion simbolik para ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, shkruan Reporteri.net.

    Sipas njoftimit, ky aksion do të mbahet në orën 14:00.

    Ndryshe, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar dje se Kosova do të përballet me sfida në furnizimin me energji elektrike edhe këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm, për shkak të ndaljes së blloqeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si rezultat i investimeve në modernizim dhe rehabilitim të termocentraleve.

    Deklarata e saj erdhi pasi kompania KESCO ka paraqitur kërkesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 21 për qind. Pikërisht atë ditë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qytetarët në vend i mbajnë dhomat më të ngrohta sesa normalja

    Rizvanolli ka theksuar se ende nuk ka një vendim për rritjen e tarifave, por ka shtuar se disa zhvillime objektive në sektorin e energjisë mund të kenë ndikim në këtë drejtim.

    “Kjo është një sakrificë e domosdoshme për ne dhe për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Rizvanolli.

  • Prokuroria e Pejës paralajmëron intervistimin e mbi 200 komisionerëve për manipulim me vota, procesi vazhdon sot

    Prokuroria e Pejës paralajmëron intervistimin e mbi 200 komisionerëve për manipulim me vota, procesi vazhdon sot

    Prokuroria Themelore e Pejës ka deklaruar se do të intervistojë mbi 200 komisionerë nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore të 28 dhjetorit.

    Ditën e djeshme janë intervistuar rreth 30 persona lidhur me dyshimet për manipulim me vota në Deçan dhe Junik, teksa për sot është paralajmëruar intervistimi i të tjerëve. Më pas do të vazhdohet me kryesuesit.

    Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka deklaruar se të gjithë po intervistohen në cilësinë e të dyshuarve.

    “Janë intervistuar deri me tani rreth 30 persona, kryesisht nga komuna e Deçanit dhe Junikut të cilët kanë qenë komisonerë, në cilësinë e personave të dyshuar ndërkaq do të procedohen tutje edhe komisonerë të tjerë nga këto dy komuna për ditën e nesërme, për të pasuar me pas për intervistimin e kryesuesve. Ne kemi kompetencë territoriale në pesë komuna dhe në të gjitha këto kemi grumbulluar prova të cilat dyshohet për manipulim të votave edhe jemi duke ndërmarrë veprime hetimore. Fillimisht intervistohen komisonerët si persona të dyshuar, janë diku mbi 200 komisionerë që do të intervistohen me autorizimin e prokurorit të shtetit nga hetuesit e hetimeve rajonale te drejtorisë së policisë në Pejë”, ka deklaruar ai.

    Ai deklaroi po grumbullohen edhe prova materiale, dhe pas intervistimit të komisionerëve dhe kryesuesve do të merren masat ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale.

    I pyetur nëse do të përfshihet edhe komuna e Pejës, zëdhënësi u shpreh se Prokuroria në Pejë po ndërmerr veprime hetimore, duke shtuar se puna më voluminoze do të jetë pikërisht në këtë komunë.

    Sa u përket kandidatëve për deputetë, Nikçi tha se “çdo provë që na çon drejt personae që kanë përgjegjësi penale, do të merren masa ligjore”.

    Ndryshe, deri tash, nëpër aksione nëpër rajone të vendit janë arrestuar qindar persona nën këto dyshime.

    Mospërputhja në vota u evidentua pas procesit të rinumërimit, ku pati kandidatë që dolën rreth 7 mijë vota diferencë.

  • Musk arrin rekordin historik – pasuri neto mbi 800 miliardë dollarë

    Musk arrin rekordin historik – pasuri neto mbi 800 miliardë dollarë

    Elon Musk u bë personi i parë në histori me pasuri neto që tejkalon 800 miliardë dollarë.

    Ky është një moment historik jo vetëm për miliarderin, por edhe për historinë e pasurisë dhe teknologjisë, duke e vendosur atë në një nivel krejtësisht të ri në botën e miliarderëve.

    Ky rekord erdhi pas një lëvizjeje të rëndësishme biznesi: SpaceX, kompania hapësinore e Musk, bleu xAI, që përfshin edhe X (ish-Twitter).

    Vlerësimi i kompanisë së kombinuar pas kësaj marrëveshjeje arriti rreth 1.25 trilion dollarë, një shifër astronomike që tregon ndikimin e jashtëzakonshëm të këtyre kompanive teknologjike në ekonominë globale, shkruan forbes.

    Vetëm kjo marrëveshje i shtoi rreth 84 miliardë dollarë pasurisë së Musk, duke e shtyrë atë përtej pragut historik të 850 miliardë dollarëve.

    Për ta vendosur këtë në perspektivë, personi i dytë më i pasur në botë, Larry Page, themeluesi i Google, ka një pasuri neto rreth 280 miliardë dollarë – që do të thotë se Musk ka mbi 570 miliardë dollarë më shumë se ai.

    Kjo diferencë masive tregon jo vetëm fuqinë financiare të Muskut, por edhe ndikimin e jashtëzakonshëm në industrinë e teknologjisë dhe hapësirës, duke i dhënë atij një rol që pak njerëz në histori e kanë arritur.

  • Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës

    Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës

    Muri ilegal në veri të Mitrovicës afër Urës së Ibrit është rrënuar përfundimisht më 5 shkurt 2017.

    Dy ekskavatorëve iu kanë dashur vetëm një orë për ta rrënuar murin e ndërtuar në Mitrovicën e veriut.

    E para që doli për t’i vëzhguar punimet ishte shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostollova, e cila tha se ky është një moment i rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, derisa ka pati deklaruar se “së shpejti do të formohet edhe Asociacioni i Komunave Serbe”.

    Muri ndarës qëndroi në këtë pjesë të qytetit për dy muaj radhazi.

  • Tragjedi në një familje shqiptare në Itali, vdesin të katër anëtarët nga rrjedhja e gazit

    Tragjedi në një familje shqiptare në Itali, vdesin të katër anëtarët nga rrjedhja e gazit

    Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një familje shqiptare në Itali, ku të katër anëtarët kanë vdekur për shkak të një rrjedhjeje monoksidi karboni, e shkaktuar me shumë gjasa nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre në zonën e Piana di Lucca , raporton “Corriere Della Sera”.

    Në gjendje kritike, ndodhet një person i pestë. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit, i cili kishte shkuar në banesë pasi familjarët nuk i përgjigjeshin telefonatave.

    Viktimat janë babai 48-vjeç, bashkëshortja e tij 43-vjeçe dhe dy fëmijët, 22 dhe 15 vjeç.

    Edhe dy karabinierë, që mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, u intoksikuan lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën.

    Tragjedia ndodhi rreth orës së darkës, teksa në momentin e hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar. Karabinierët i njoftoi vëllai i kryefamiljarit. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe, ai dhe efektivët e Arma dei Carabinieri trokitën disa herë, por nuk morën asnjë përgjigje.

    Në atë moment ata e thyen derën dhe, sapo hynë brenda, u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë.

    Personi i pestë i familjes, gjithashtu për shkak të monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin nga shtëpia para se të pësonin të njëjtin fat dhe të jepnin alarmin. Ai u dërgua në spitalin e Cisanellos. Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për një tragjedi që prek të gjithë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Luccës.

  • Arrestimet për korrupsion, ish-ministrit dhe gjashtë të tjerëve paraburgimi iu zëvendësohet me arrest shtëpiak

    Arrestimet për korrupsion, ish-ministrit dhe gjashtë të tjerëve paraburgimi iu zëvendësohet me arrest shtëpiak

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ua zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llaziq. Ata dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.

    Sipas vendimit të publikuar nga “Betimi për Drejtësi“, masa e paraburgimit të dyshuarve iu llogaritet nga 2 shkurti 2026 deri më 18 mars 2026.

    Në vendimin e marrë më 2 shkurt 2026, thuhet se të pandehurit detyrohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre apo vendbanimin e tyre dhe nuk kanë të drejtë të largohen, përveç në rastet kur kjo është e nevojshme për përmbushjen e nevojave jetësore apo për shkaqe shëndetësore, dhe vetëm me leje paraprake të gjykatës- gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Po ashtu, të pandehurit njoftohen se në rast të mosrespektimit të masës së caktuar me këtë vendim, ndaj tyre do të caktohet paraburgimi.

    Obligohet Policia e Kosovës- stacionet përkatëse policore që të mbikëqyrin zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit ta njoftojnë gjykatën.

    Sipas Apelit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm, janë dhënë mjaftueshëm sqarime nga shkalla e parë.

    Gjykata ka gjetur se përveç dyshimit të bazuar, te të akuzuarit ekziston rreziku që të ndikojnë në provat që ende nuk janë siguruar. Prandaj, Apeli është pajtuar edhe me këtë gjetje të shkallës së parë.

    Ndërkaq, dy kushtet e tjera që shkalla e parë i ka konsideruar se plotësohen në rastin konkret- atë të rrezikut të ikjes dhe përsëritja e veprave, sipas Apelit, nuk qëndrojnë. Kjo për faktin se nuk ekziston asnjë dëshmi konkrete apo fakt që do të bënte të kuptohej se në rastin konkret plotësohe dy kushtet në fjalë për caktim të masës së paraburgimit.

    Tutje, sipas vendimit të Apelit, adresat e vendbanimit të të pandehurve janë të ditura dhe se ata janë shtetas të Kosovës, si dhe Prokuroria nuk ka ofruar provë konkret që dëshmon rrezikun e ikjes. Ndërkaq, për dy të pandehurit me nacionalitet serb, sipas Apelit, ata jetojnë në Kosovë dhe kanë adresat e tyre të vendbanimit dhe vetëm fakti se janë edhe shtetas të Serbisë nuk e provon rrezikun e arratisjes.

    Lidhur me kushtin tjetër- atë të përsëritjes së veprave penale, shkalla e dytë vlerëson se të dyshuarit nuk kanë të kaluar kriminale dhe se ata nuk njihen si përsëritës të veprave.

    Prandaj sipas vendimit të Apelit, që është marrë nga gjykatësit Avni Mehmeti- kryetar i Kolegjit, Afërdita Bytyqi dhe Mentor Bajraktari- anëtarë, masa e arrestit shtëpiak është masa adekuate që duhet t’iu caktohet të dyshuarve

    Aksioni ishte zhvilluar më 18 dhjetor.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklarohet se të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

    Sveçla kishte thënë se grupi dyshohet se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Të enjten, në orët e para të 24-orëshit, parashikohen reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara pritet të paraqiten në formë rrebesheve afatshkurtra. Gjatë ditës priten vranësira dhe intervale me diell, ndërsa nuk do të mungojnë reshjet e izoluara lokale, të cilat më vonë mund të intensifikohen paksa.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të jetë majft e fuqishme në rajonin e Prishtinës, me shpejtësi prej 20-60 km/h. Në mëngjes bie intensiteti në shkallë vendi.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 4 deri në 7°C dhe ato maksimale prej 10 deri në 13°C./MeteoKosova