ATV

Category: Lajme

  • French Business Day, Kosova prezantohet si vend mikpritës për investime franceze

    French Business Day, Kosova prezantohet si vend mikpritës për investime franceze

    Këshilli i Investitorëve Europian ka organizuar eventin, “French Business Day”, qw synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës.

    Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomacisë franceze dhe komunitetit të biznesit, ndërsa u theksua rëndësia e krijimit të partneriteteve afatgjata, rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi duhet të ndërtohet mbi besimin.

    “Dhe nëse ka një fjalë që duhet të përkufizojë bashkëpunimin tonë sot, ajo është besimi. Sepse besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri. Kur rregullat janë të qarta dhe zbatohen me drejtësi, kompanitë e mira sigurtë rriten, investitorët planifikojnë afatgjatë dhe shoqëritë fitojnë besim në të ardhmen”, tha ai.

    Ai shtoi se Kosova është e gatshme për projekte të mëdha dhe zgjerim të bashkëpunimit tregtar.

    “Sot dua të ndaj me ju tri mesazhe. Së pari, Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Së dyti, Kosova është e hapur për investime serioze. Dhe së treti, Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, me rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe po, tash e kemi edhe stabilitetin institucional, i cili dëshirohet aq shumë prej bizneseve. Meqenëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, tha ai.

    Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se platforma ishte përgatitur përmes një procesi të gjatë konsultimesh.

    “Kjo nismë u nis në korrik të vitit të kaluar, pas një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës përgatitor. Gjatë kësaj periudhe, u angazhuam në konsultime me institucionet përkatëse franceze, si dhe me Qeverinë e Kosovës dhe përfaqësues të sektorit privat, me qëllim që kjo platformë të pasqyrojë prioritetet e përbashkëta, nevojat reale të tregut dhe interesat strategjike afatgjata. Ambicia jonë është të nxisim lidhje domethënëse, të promovojmë investime dhe mundësi, si dhe të inkurajojmë inovacionin në këta sektorë, nga financat dhe energjia deri te infrastruktura, mobiliteti dhe teknologjia. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, mund t’i shndërrojmë interesat e përbashkëta në projekte konkrete”, tha ai.

    Ujkani u shpreh se kompanitë franceze janë të mirëpritura në Kosovë.

    “Gjithashtu dëshiroj t’u shpreh një mirëseardhje të veçantë të gjitha kompanive franceze të pranishme sot me ne, që po eksplorojnë mundësi në vendin tonë të bukur, Republikën e Kosovës. Interesimi dhe angazhimi juaj janë jetikë për forcimin e lidhjeve ekonomike, nxitjen e inovacionit dhe mbështetjen e rritjes së qëndrueshme në rajonin tonë. Presim me padurim të ndërtojmë partneritete afatgjata dhe të krijojmë së bashku sukses të përbashkët”, tha ai.

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, theksoi se interesi i kompanive franceze dëshmon atraktivitetin e vendit.

    “Mirëpo dy konstatime imponohen shumë qartë: së pari, marrja e këtij rreziku ishte një zgjedhje e mirë, dhe së dyti, Kosova është një vend tërheqës për kompanitë franceze. Dhe këtyre kompanive franceze të pranishme sot, e veçanërisht atyre që po e zbulojnë Kosovën, dua t’u them disa gjëra thjesht: faleminderit, faleminderit që po bëni bastin e zbulimit, sepse ka shumë gjëra për t’u zbuluar në këtë vend të bukur. Shumë energji, shumë rini, shumë dëshirë për të ndërmarrë. Dhe ata e ato që patën mundësinë dje ose këtë mëngjes të shëtisin nëpër Prishtinë, mund ta shohin këtë me sytë e tyre. Vendi po transformohet, po zhvillohet, po ndërtohet, po modernizohet, po investon”, tha ai.

    Ai shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Kosovës janë të forta.

    “Është gjithashtu një vend me të cilin Franca mban një marrëdhënie shumë, shumë pozitive, një partner, por edhe më tepër një vend mik. Kjo marrëdhënie mbështetet në lidhje njerëzore me diasporën e cila është padyshim e dukshme mes nesh dhe në lidhje kulturore”, tha ai.

  • Miliarderi Bill Gates, thyen heshtjen: “Pendohem për çdo minutë që kalova me Jeffrey Epstein”

    Miliarderi Bill Gates, thyen heshtjen: “Pendohem për çdo minutë që kalova me Jeffrey Epstein”

    Bill Gates po flet më në fund për lidhjen e tij kontraverse me Jeffrey Epstein dhe nuk po kursen fjalët. Miliarderi i Microsoft ka pranuar se pendohet thellësisht për “çdo minutë” që kaloi me financierin e diskredituar, ndërsa publikimi i “Dosjeve Epstein” ka ndezur zemërim global.

    Në një intervistë të sinqertë, Gates e quajti lidhjen me Epstein “një gabim serioz”, duke thënë se në atë kohë besonte se takimet mund të çonin në financime filantropike për shëndetin global. Në vend të kësaj, ai tani thotë se ato takime ishin “një keqgjykim total” që do të donte të mos kishin ndodhur kurrë.

    Raportohet se Gates u takua me Epstein disa herë mes viteve 2011 dhe 2014, vite pas dënimit të Epstein për krime seksuale. Ky detaj ka nxitur kritika të reja, sidomos tani që miliona faqe nga “Dosjet Epstein” po bëhen publike dhe përmendin figura të fuqishme që kanë pasur kontakte me të.

    “Pendohem thellë,” tha Gates, duke shtuar se premtimet e Epstein për lidhje bamirësie nuk u realizuan kurrë. Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë përfshirje në krimet e Epstein, se nuk ka vizituar kurrë ishullin e tij privat dhe se nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet të paligjshëm.

    Zbulimet kanë rihapur edhe plagë personale. Ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, ka deklaruar më parë se Epstein luajti rol në prishjen e martesës së tyre dhe i ka përshkruar lidhjet e Gates me të si “jashtëzakonisht shqetësuese”.

    Edhe pse përmendja e një emri në “Dosjet Epstein” nuk nënkupton fajësi, pranimi i drejtpërdrejtë i Gates ka bërë bujë në mbarë botën dhe ka ngritur pyetje të vështira mbi arsyen pse kaq shumë njerëz të fuqishëm vazhduan të lidhen me Epstein edhe pasi krimet e tij ishin të njohura.

    Ndërsa vëmendja publike shtohet, deklarata e Gates po shihet si një nga shprehjet më të forta të pendesës nga një figurë e njohur e lidhur me Epstein, por për shumë kritikë, ky reflektim vjen tepër vonë.

  • Prej 10 Janarit – Vijojnë kërkimet për gjetjen e Jurgen Karajt, FSK me dron në Liqen të Ulzës

    Prej 10 Janarit – Vijojnë kërkimet për gjetjen e Jurgen Karajt, FSK me dron në Liqen të Ulzës

    Prej 26 ditësh po kërkohet për gjetjen e trupit të 30 vjeçarit Jurgen Karaj nga fshati Fullqet i Klosit i cili dyshohet të jetë rrëmbyer nga rrjedha e ujit të zallit të Darsit në datën 10 Janar.

    Që prej asaj dite kërkimet në rrjedhën e lumit Mat janë bërë pa ndërprerje ku çdo ditë në terren kanë qenë dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë të Jurgenit e struktura të tjera.

    Ndërkohë, që prej datës 29 Janar, kërkimeve ju është bashkuar edhe një grup i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Mbi 11 persona janë çdo ditë në kërkime krah forcave tona të armatosura.

    E gjithë vija lumore e lumit të Matit është kontrolluar disa herë, por pa mundur të gjejnë trupin e 30 vjeçarit apo ndonjë shenjë të tij. Sakaq, kërkime po bëhen edhe në basenin ujor të liqenit të Ulzës.

    Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë lëshuar dronin nënujor në hyrje të liqenit duke bërë të mundur kontrollin edhe në thellësi të tij. Deri në datën 3 Shkurt, nuk është gjetur asnjë shenjë e 30 vjeçarit Jurgen Karaj.

    Kërkimet do të vijojnë ndërsa prurjet e lumit Mat kanë rënë ndjeshëm ditët e fundit, duke krijuar më shumë mundësi kontrolli nga grupet e angazhuara në terren.

  • AUV paralajmëron ndëshkime për shitjen dhe therjet ilegale të kafshëve

    AUV paralajmëron ndëshkime për shitjen dhe therjet ilegale të kafshëve

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Policia e Kosovës dhe Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Prishtinës kanë mbajtur sot një takim të përbashkët lidhur me ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara kundër shitjes dhe therjeve ilegale të kafshëve dhe shpezëve, duke vlerësuar se kjo veprimtari paraqet rrezik serioz për shëndetin publik.

    Sipas njoftimit, institucionet janë dakorduar që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe të zbatojnë masa të menjëhershme, të koordinuara dhe pa tolerancë ndaj çdo individi apo biznesi që ushtron veprimtari të paligjshme në këtë fushë.

    Po ashtu, u është bërë thirrje publike të gjithë individëve dhe subjekteve ekonomike që merren me shitjen dhe therjen ilegale të kafshëve dhe shpezëve që t’i ndërpresin menjëherë këto veprimtari.

    “Çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ndaj shkelësve do të merren masa të rrepta ligjore. Gjithashtu, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të kësaj veprimtarie ilegale”, thuhet në njoftim.

  • ​A u skadon afati fondeve të BE-së për Kosovën?

    ​A u skadon afati fondeve të BE-së për Kosovën?

    Janari iku, e shkurtit i erdhi edhe dita e pestë, por në Kosovë ende nuk është finalizuar procesi zgjedhor, si kusht për themelimin e institucioneve të reja.

    Në këso rrethana, rreth 900 milionë euro, fonde të Bashkimit Evropian, po presin edhe më tej aminin e deputetëve për t’u disbursuar për Kosovën.

    Nga Bashkimi Evropian thonë se pavarësisht vonesave, Kosova mbetet ende e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes.

    Sipas tyre, vonesat po ndodhin për shkak të mosformimit të institucioneve në Kosovë pas dy proceseve zgjedhore vitin e kaluar.

    E, në qeverinë në detyrë, thonë se pas formimit të institucioneve të reja prioritet është votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave edhe Plani i Rritjes.

    Në ekzekutiv deklarojnë se, pavarësisht se mjetet nuk janë ndarë, po vazhdojnë punën drejt realizimit të agjendës së reformave të dakorduara me BE-në mbi këtë ujdi.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, thotë për KosovaPress se është në interes të Kosovës që ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të ndodhë sa më shpejt për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes.

    Sipas saj, pa marrjen e dritës së gjelbër të këtyre ujdive, Kosova nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë në kuadër të reformave.

    “Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave të kërkuar nga Plani i Rritjes së BE-së, i cili u miratua nga Komisioni Evropian në tetor 2024. Prandaj, Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro fonde në kuadër të Planit të Rritjes, në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve lidhur me Facilitetin për Reforma dhe Rritje, si dhe të gjitha kushteve të tjera për pagesë.

    Për shkak të vonesës në formimin e institucioneve, marrëveshjet lidhur me Facilitetin për Reforma dhe Rritje ende nuk kanë hyrë në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritje. Faciliteti për Reforma dhe Rritje është një instrument me kohë të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes, për të mirën e popullsisë së saj”, thuhet në përgjigjet e saj për KosovaPress.

    Në anën tjetër, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë se vonesat e alokimit të mjeteve të BE-së për Kosovën ndodhin për shkak të mosgatishmërisë së partive opozitare për t’i kaluar në legjislaturën e kaluar.

    Sipas tij, pavarësisht se mjetet nuk janë disbursuar për Kosovën, qeveria në detyrë po punon në realizimin e reformave të dakorduara me BE-në mbi Planin e Rritjes.

    “Qeveria në detyrë, në ndërkohë që Kuvendi ishte i formuar, para zgjedhjeve të parakohshme, propozoi votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave edhe Planin e Rritjes, nga i cili Kosova do të përfitojë rreth 882 milionë euro dhe parafinancimin fillestar prej mbi 60 milionë eurosh. Opozita refuzoi ta votojë atë, duke mbajtur peng miratimin e marrëveshjes dhe fillimin e lirimit të fondeve nga BE për Kosovën. Po të mos kishte bllokim të palogjikshëm nga ana e opozitës, Kosova sot do ta kishte marrë shumën e parafinancimit. Me të formuar institucionet e reja, përsëri do të jetë prioritet votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave edhe Plani i Rritjes. Në ndërkohë, qeveria vazhdon punën drejt realizimit të agjendës së reformave të dakorduara me BE mbi Planin e Rritjes, për të cilën raportojmë edhe drejt Unionit në baza të rregullta rreth vazhdimësisë dhe avancimit të reformave”, deklaron Kadiu në përgjigjen për KosovaPress.

    Por, pavarësisht se Kosova është vonë në ratifikimin e marrëveshjeve me BE-në, sipas profesorit të integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, këtyre ujdive, ende s’u ka skaduar afati.

    Sipas tij, vetëm 65 milionë eurot janë të sigurta si mjete të parafinancimit, ndërsa pjesa tjetër duhet të dëshmohet përmes realizimit të reformave.

    “Ne veçse jemi vonë. Ne jemi vonë më shumë se një vit në ratifikimin e dy marrëveshjeve me Bashkimin Evropian, por kjo nuk është e tëra. Është paraparë një shumë, një parapërcaktim i 61 milionë eurove për të filluar reformat. Ne ende s’kemi filluar reformat dhe kjo paradhënie e parë varet nga ratifikimi i dy marrëveshjeve për të filluar reformat. Çdo mjet tjetër për t’u alokuar në qeveri duhet të dëshmohet se reformat e ndërmarra kanë përfunduar. Nuk është aq e thjeshtë me i marrë ato fonde, pasi ne po mendojmë se 880 milionë euro do t’i marrim menjëherë, mirëpo jo. Vetëm 61 milionë i marrim menjëherë dhe të tjerat duhet të dëshmohet, evidentohet dhe faktohet se reforma është aprovuar. Edhe nëse sot do ta kishim qeverinë, do të duhej të punonim me shpejtësi të dritës dhe t’i arrinim reformat me kohë”, potencoi ai.

    Disbursimi i mjeteve të parafinancimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të moskonstituimit të legjislaturës së dhjetë, ende nuk ka ndodhur.

    Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

    AUV paralajmëron ndëshkime për shitjen dhe therjet ilegale të kafshëve
    Read more

  • Tejkaloi kolonën nëpër trotuar, policia gjobit shoferin me 200 euro, 2 pikë negative dhe tre muaj pa leje

    Tejkaloi kolonën nëpër trotuar, policia gjobit shoferin me 200 euro, 2 pikë negative dhe tre muaj pa leje

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka ndërmarrë masa ndaj një vozitësi, i cili është identifikuar duke bërë tejkalim të kolonës së automjeteve në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar trotuarin.

    Pas identifikimit nga zyrtarët policorë, ndaj vozitësit janë shqiptuar masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi, konkretisht:

    • gjobë në vlerë prej 200 euro,

    • 2 pikë negative,

    • dhe ndalesë e patentë-shoferit për tre (3) muaj.

    Policia e Kosovës apeloi te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që “të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit rrugor, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për sigurinë e këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik”.

  • Sulmoi fizikisht tre zyrtarë policorë, arrestohet një person në Mitrovicë

    Sulmoi fizikisht tre zyrtarë policorë, arrestohet një person në Mitrovicë

    Një person është arrestuar në Mitrovicë të Jugut, pasi që të njëjtit në veturën e tij i është gjetur një thikë.

    Në raportin 24-orësh, thuhet tutje se në stacionin policor, i dyshuari ka sulmuar po ashtu tre zyrtar policor.

    “Zyrtarët policor kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Prizren, rasti po hetohet

    Gjendet pa shenja jete një person në Prizren, rasti po hetohet

    Një person është gjetur pa shenja jete.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 11:35, në Prizren.

    Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës iu është liruar familjarëve për ceremoni mortore.

    “Raportohet se në banesën e tij viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës iu është liruar familjarëve për ceremoni mortore”, thuhet në raport.

  • “Rrugëtimi i Kosovës nga paslufta drejt një shteti ku sundon ligji”, Osmani publikon fjalimin në kuadër të Samitit Botëror

    “Rrugëtimi i Kosovës nga paslufta drejt një shteti ku sundon ligji”, Osmani publikon fjalimin në kuadër të Samitit Botëror

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e tretë në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes trajtoi rrugëtimin e Kosovës nga rindërtimi pas luftës drejt një shteti që në themel ka sundimin e ligjit, forcimin e të drejtave dhe vendosjen e dinjitetit njerëzor në qendër të inovacionit.

    E para e vendit poashtu ka njoftuar për një serë takimesh me liderë të shteteve të ndryshme gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe.

  • Kryeprokurori Isufaj takon kongresistë amerikanë, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit

    Kryeprokurori Isufaj takon kongresistë amerikanë, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit

    Në kuadër të vizitës zyrtare në ShBA, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe prokurori special Naim Abazi, janë pritur në takime pune nga anëtarë të Kongresit Amerikan, përkatësisht nga Pat Fallon, Zach Nunn, Robert Aderholt dhe John Moolenaar.

    Gjatë këtyre takimeve, siç njofton PSRK, Isufaj dhe Abazi, të shoqëruar nga Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, thuhet se kanë riafirmuar përkushtimin institucional të Republikës së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

    Gjatë takimeve është diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë, rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe në ngritjen e kapaciteteve”.

    “Kongresistët amerikanë shprehën mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe përkrahjen konkrete në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u tha në njoftimin e PSRK-së.