ATV

Category: Lajme

  • “Turistët snajperistë” në Sarajevë, Italia po heton një 80-vjeçar

    “Turistët snajperistë” në Sarajevë, Italia po heton një 80-vjeçar

    Prokurorët në Milano po hetojnë një burrë të moshuar si pjesë e një investigimi mbi të ashtuquajturin “turizëm snajperësh” në Sarajevë gjatë viteve 1990.

    Reuters raporton me burime se individi i parë që është identifikuar në hetimin që filloi vitin e kaluar, është një ish-shofer kamioni 80-vjeçar që jeton pranë qytetit verior italian Pordenone.

    Prokurorët po hetojnë pretendime se të huaj ishin paguar për të qëlluar mbi civilë gjatë rrethimit të Sarajevës.

    Ai përballet me akuza për disa vepra të vrasjes me paramendim për shkak të motiveve të ulëta.

    Nuk është sqaruar nëse ai dyshohet se ka kryer vetë vrasjet apo ka ndihmuar me transportin dhe logjistikën për klientët.

    Ai mbetet i lirë dhe është thirrur nga prokurorët për t’u marrë në pyetje më 9 shkurt.

    Prokurorët në Milano hapen hetimin pasi gazetari Ezio Gavazzeni, deponoi kallëzim penal mbi pretendimet se italianë dhe të huaj të tjerë kishin paguar anëtarë të forcave serbe boshnjake për t’i lejuar të merrnin pjesë në ekskursione për të gjuajtur me armë, të cilat disa i quanin “turizëm snajperi”.

    Gavazzeni tha se u frymëzua të hetonte këto pretendime pas shikimit të dokumentarit të vitit 2022 “Sarajevo Safari” nga regjisori slloven Miran Zupanic.

    Gavazzeni tha se të huajt e pasur paguanin shuma të mëdha parash për të marrë pjesë. Ai tha se italianët zakonisht takoheshin në qytetin e Triestes para se të udhëtonin drejt Beogradit, ku ushtarët serbë boshnjakë i shoqëronin ata në kodrat që shikonin mbi Sarajevë.

    Hapja e hetimit italian në nëntor 2025 rriti shpresat e të mbijetuarve që përgjegjësit të dënoheshin.

  • Hoxhaj në ShBA takon deputetin ukrainas: Njohja dhe forcimi i marrëdhënieve diplomatike, prioritet për shtetet tona

    Hoxhaj në ShBA takon deputetin ukrainas: Njohja dhe forcimi i marrëdhënieve diplomatike, prioritet për shtetet tona

    Gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C., në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me deputetin ukrainas Dmytro Razumkov, ish-kryetar i Parlamentit të Ukrainës.

    Në një status të publikuar në rrjete sociale, Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

    “Në Washington D.C. takova edhe deputetin Dmytro Razumkov, ish-kryetar i Parlamentit të Ukrainës”, ka shkruar Hoxhaj.Ai ka nënvizuar se diplomacia mbetet kyçe për të ardhmen e përbashkët.

    “Njohja dhe forcimi i marrëdhënieve diplomatike mbeten prioritet për popujt dhe shtetet tona”, ka theksuar Hoxhaj.Kujtojmë që Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit të tij në Washington, ka mbajtur një fjalim në Kongresin Amerikan, ku ka kërkuar hapur që Kosova të anëtarësohet në NATO.

  • Ish-presidentit Thaçi s’i ndalet përgjimi prej afër 4 vjetësh, Prokuroria mblodhi 35 orë incizime

    Ish-presidentit Thaçi s’i ndalet përgjimi prej afër 4 vjetësh, Prokuroria mblodhi 35 orë incizime

    Ish-presidentit të Kosovës që po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë gjatë gjithë kohës i përgjohen bisedat me vizitorë.

    Në gjyqin e dytë ndaj Hashim Thaçit, Prokuroria e Specializuar, i ka dorëzuar 35 orë audio-incizime si prova, njofton Klan Kosova.

    Rëndimi që po i bëhet mbrojtjes me mbi 5 mijë faqe transkripte nuk është ankesa e vetme e avokatëve të Thaçit dhe të tjerëve, të cilët kanë gjetur se Prokuroria po i ndryshon edhe versionet e përkthimeve të pjesëve ku pretendohet se ish-presidenti u mundua të jap udhëzime për dëshmitarë.

    Kujtojmë se deklaratat përmbyllëse në çështjen kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt.

    Ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

    Sipas njoftimit, parashihet që fillimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar të mbajë deklaratën përmbyllëse më 9 shkurt. Një ditë më pas, radha do të jetë e mbrojtësit të viktimave.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Fillimisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

    Ndërkaq, Thaçi po përballet edhe një rast tjetër për pengim të drejtësisë dhe gjykimi për këtë çështje është caktuar të nisë më 24 shkurt të këtij viti.

  • Bie çmimi i naftës para bisedimeve ShBA-Iran

    Bie çmimi i naftës para bisedimeve ShBA-Iran

    Çmimet e naftës ranë rreth 2 për qind të enjten, pasi SHBA-ja dhe Irani ranë dakord të zhvillojnë bisedime të premten, duke zbutur shqetësimet se një konflikt i mundshëm ushtarak mes tyre mund të ndikonte në furnizimet nga rajoni kyç prodhues i Lindjes së Mesme.

    Çmimi i naftës së papërpunuar ra për 2.07 për qind, raporton “Al Jazeera”.

    Të mërkurën, çmimet e naftës ishin rritur rreth 3 për qind pas një raportimi mediatik se bisedimet e planifikuara mes ShBA-së dhe Iranit të premten mund të dështonin.

  • Vazhdon rënia e Bitcoin-it

    Vazhdon rënia e Bitcoin-it

    Bitcoin ka vijuar rënien e fortë, duke zbritur nën nivelin e 71 mijë dollarëve dhe duke humbur rreth 20 për qind të vlerës që nga fillimi i vitit 2026.

    Vetëm gjatë së enjtes, kriptomonedha më e madhe në botë ra mbi 7 për qind.

    Rënia ka fshirë të gjitha fitimet e regjistruara pas rizgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump, kur pritshmëritë për lehtësim të rregullimit të tregut kripto kishin nxitur rritje të ndjeshme të çmimeve, raporton “Al Jazeera”.

    Megjithëse Bitcoin kishte arritur rekord historik mbi 127 mijë dollarë në tetor, pasiguria rreth rregullimit ligjor në ShBA dhe bllokimi i një projektligji për kriptomonedhat në Senat kanë shtuar presionin mbi tregun.

    Humbje janë shënuar edhe në tregjet globale të aksioneve dhe mallrave, duke reflektuar një rritje të pasigurisë tek investitorët.

  • Gjendet i vdekur një i moshuar në Rahovec, nisin hetimet

    Gjendet i vdekur një i moshuar në Rahovec, nisin hetimet

    Një 86-vjeçar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Rahovec, mëngjesin e djeshëm.

    Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Ai tha se lidhur me rastin kanë nisur hetimet dhe se trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    “Më datën 04.02.2026, rreth orës 08:35, është raportuar se një mashkull kosovar, i lindur në vitin 1940, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Rahovec. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion si dhe është iniciuar rast “Hetim i vdekjes””, ka deklaruar Elezaj

  • Në Leposaviq raportohet një rast i mashtrimit, Policia apelon te qytetarët që të kenë kujdes

    Në Leposaviq raportohet një rast i mashtrimit, Policia apelon te qytetarët që të kenë kujdes

    Më datë 04.02.2026, rreth orës 17:15, në Stacionin Policor Leposaviq është raportuar një rast i mashtrimit. Sipas hetimeve fillestare, rasti ka ndodhur më 03.02.2026, ku ankuesi dyshohet se është mashtruar nga i dyshuari (shoku i tij), i cili me pretekst të rremë ka arritur të sigurojë kartelën bankare të ankuesit, duke pretenduar se babai i tij do t’ia kryente një obligim kreditor që kishte ndaj bankës. Më pas, pa dijeninë dhe pëlqimin e ankuesit, i dyshuari ka tërhequr nga llogaria bankare shumën prej 600 euro.

    Në lidhje me rastin, në stacionin policor është intervistuar i dyshuari D.S.,(2003). Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit është liruar, ndërsa i njëjti do të hetohet për veprën penale “Mashtrim”.

    Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve, duke qenë të kujdesshëm në dhënien e të dhënave personale dhe bankare. Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes:

    📞 192 – numri emergjent

    📞 0800 19 999 – linjë pa pagesë

    📞 038/504 504 4800 – linjë pa pagesë

    📞 038/504 504 4801 – linjë pa pagesë

    📞 045/960-572

    📱 Aplikacioni “Lajmëro Policinë”

  • Organizatorët e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk është protestë partiake

    Organizatorët e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk është protestë partiake

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike e cila do të fillojë nesër në ora 13:00 para KEDS, e për ta përfunduar atë para Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online lidhur me këtë protestë, aktivistja Qëndresa Hyseni ka bërë të ditur se protesta do të zgjasë dy orë dhe ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kundërshtimit të shtrenjtimit të rrymës.

    “Po, protesta do të mbahet të premten prej orës 13:00. Fillon te ndërtesa e KEDS-it dhe vazhdon deri te Qeveria. Sa i përket përkrahjes, për secilin qytetar e qytetare është shumë e rëndësishme që faturat e rrymës mos me u rritë, kështu që kushdo që e sheh të arsyeshme edhe esenciale mos rritjen e faturave të rrymës edhe çmimit të rrymës, ish dash me u bashku në protestë,” ka deklaruar Hyseni.

    Ajo ka theksuar se kundërshtimi qytetar ndaj këtij vendimi është i domosdoshëm, pasi rritja e çmimit të energjisë ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme.

    “Për ne është shumë e rëndësishme që mos me u ndalë si qytetare dhe qytetarë me kërku që mos me u marrë vendimi për shtrenjtim të rrymës, për shkak se kjo automatikisht ndikon në cilësinë e jetës edhe koston e jetës që ka me u rritë nëse rritet 20% fatura e rrymës,” ka thënë ajo.

    Sipas Hysenit, protesta e së premtes është vetëm fillimi i veprimeve të tjera qytetare.

    “Kjo protestë ka me qenë si nisje e aksioneve të tjera deri në realizim të kërkesave tona edhe pezullim të vendimit. Protesta është për të gjithë qytetarët edhe qytetaret, edhe secili ka të drejtën me protestu në mënyrën qysh e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme,” ka theksuar Hyseni.

    Ajo ka sqaruar gjithashtu se protesta nuk ka karakter partiak dhe organizohet nga shoqëria civile.

    “Protesta është e organizuar prej një grupi të aktivistëve e aktivisteve të shoqërisë civile. Nuk është protestë partiake, kështu që nuk presim e as nuk bashkëpunojmë me akterë të partive politike,” është shprehur ajo.

    Hyseni ka folur edhe për pritjet sa i përket pjesëmarrjes qytetare në protestë.

    “Duke e pa reagimin qytetar, konsiderohet që ka me qenë një numër i mjaftueshëm, po kjo le të mbetet të shihet të premten kur bashkohen krejt njerëzit që kishin dash me protestu kundër shtrenjtimit të rrymës. Protesta do të zgjasë prej orës 13:00 deri në orën 15:00,” ka deklaruar Hyseni.

  • Dogana sekuestron barna të kontrabanduara në Ferizaj, vlera rreth 30 mijë euro

    Dogana sekuestron barna të kontrabanduara në Ferizaj, vlera rreth 30 mijë euro

    Dogana e Kosovës ka vazhduar me kontrollet e saj kundër kontrabandës me mallra.

    Së fundmi njësit e antikontrabandës zhvilluan një aksion në Ferizaj ku në një barnatore kanë sekuestruar barna në vlerë 30 mijë euro.

    “Gjatë një operacioni kundër kontrabandës, njësit e antikontrabandes kanë konfiskuar një sasi barnash të dyshuara si të kontrabanduara dhe kanë zbuluar një hapësirë të fshehtë (bunker) të përshtatur për fshehjen e tyre”, ka njoftuar Dogana.

  • Eksportet turke të automjeteve shënojnë performancën më të mirë të janarit me mbi 3 miliardë dollarë

    Eksportet turke të automjeteve shënojnë performancën më të mirë të janarit me mbi 3 miliardë dollarë

    Eksportet e industrisë automobilistike të Turqisë kapërcyen 3 miliardë dollarë (rreth 2.59 miliardë euro) muajin e kaluar.

    Me këtë edhe është regjistruar performanca më e lartë ndonjëherë për muajin janar, sipas një raporti të publikuar të mërkurën, bazuar në të dhënat e Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), shkruajnë mediat turke, përcjell Telegrafi.

    Sipas tyre, sektori automobilistik turk e nisi fuqishëm vitin 2026, me eksporte që arritën në 3.06 miliardë dollarë (afërsisht 2.59 miliardë euro) gjatë muajit janar.

    Dhe kjo rritje i është atribuar rimëkëmbjes graduale të kërkesës globale dhe shtimit të porosive nga Evropa.

    Të dhënat tregojnë se industria automobilistike turke eksportoi mallra në vlerë 41.5 miliardë dollarë (rreth 35.1 miliardë euro) gjatë vitit 2025, duke mbetur edhe një herë grupi kryesor eksportues i vendit.

    Në janar 2026, eksportet e automjeteve u rritën me 2.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa pesha e sektorit në totalin e eksporteve arriti në 17.4 për qind.

    Gjermania kryesoi listën e vendeve me vëllimin më të lartë të eksporteve të industrisë automobilistike turke në janar 2026, me 490 milionë dollarë (rreth 414.5 milionë euro), e ndjekur nga Franca me 311 milionë dollarë (263 milionë euro), Spanja me 291.7 milionë dollarë (246.6 milionë euro), Mbretëria e Bashkuar me 283.3 milionë dollarë (239.6 milionë euro) dhe Italia me 267.9 milionë dollarë (226.7 milionë euro).

    Rritjen më të madhe të eksporteve ndër destinacionet e huaja e regjistroi Polonia, me një shtesë prej 58.7 milionë dollarësh (49.7 milionë euro), e ndjekur nga Italia me 36.5 milionë dollarë (30.9 milionë euro), Spanja me 36.2 milionë dollarë (30.6 milionë euro), Gjermania me 28.2 milionë dollarë (23.9 milionë euro) dhe Austria me 19.3 milionë dollarë (16.3 milionë euro).