ATV

Category: Lajme

  • Jepet fjala përfundimtare në gjykimin ndaj katër të akuzuarve për fajde

    Jepet fjala përfundimtare në gjykimin ndaj katër të akuzuarve për fajde

    Në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Istog, të mërkurën është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin për fajde ndaj katër të akuzuarve Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi dhe Isuf Thaqi.

    Prokurorja Sadije Muriqi, sipas procesverbalit të seancës, fjalën përfundimtare e kishte përgatitur në formë të shkruar dhe ia dorëzoi gjykatës dhe palëve. Më pas e elaboroi edhe verbalisht, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në procesverbal thuhet se përfaqësueja e të dëmtuarit Rifat Jasiqi, avokatja Xhevahire Klopner deklaroi se pajtohet me fjalën e prokurores. Tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur në formë të shkruar dhe ia dorëzoi gjykatës dhe palëve, ndërkaq e elaboroi para gjykatës.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ajet Kuqi, avokati Getuar Zekaj i caktuar sipas detyrës zyrtare, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe e elaboroi më pas verbalisht. Me fjalën e mbrojtësit u pajtua edhe vetë i akuzuari Kuqi.

    Gjithnjë sipas procesverbalit, mbrojtësja e të akuzuarit Xhevdet Cacaj, avokatja Venera Gashi-Selmanaj, e caktuar sipas detyrës zyrtare, njëjtë sikurse të tjerët, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, dhe e elaboroi verbalisht.

    Me fjalën e Gashi-Selmanajt u pajtua edhe Cacaj, i cili tha se nuk ka diçka tjetër për të shtuar.

    Më tutje, në procesverbal thuhet se edhe mbrojtësja e të akuzuarit Idriz Gashi, avokatja Shqipdona Maraj fjalën përfundimtare ia dorëzoi gjykatës me shkrim dhe më pas e elaboroi. Me fjalën e saj u pajtua i akuzuari Gashi.

    Mbrojtësja e të akuzuarit Isuf Thaqi, avokatja Majlinda Kollqaku, sipas procesverbalit, veproi ngjashëm sikur kolegët e saj, ku fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe e elaboroi verbalisht. Fjalën e saj e përkrahu i mbrojturi i saj, Thaqi.

    Gjykatësi Petrit Nrecaj shpalljen e aktgjykimit e caktoi për një datë tjetër.

    Ndryshe, edhe në këtë seancë mungoi i dëmtuari Jasiq, pasi ka njoftuar gjykatën se meqenëse nuk e ka të obliguar pjesëmarrjen, e përfaqëson mbrojtësja.

    Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq. Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale dhe i njëjti është dënuar me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për “Fajde”. Ai po ashtu obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në afat prej 30 ditësh t’ia kompensojë të dëmtuarit Jasiq 16 mijë e 650 euro.

    Kurse, për të akuzuarin Shërbim Berisha pocedura është veçuar më 28 tetor 2025. Ndërkaq, për të akuzuarin Arbër Gashi, proceduar u veçua në seancën e 27 janarit 2026.

    Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.

    Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.

    Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.

    I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.

    I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.

    I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.

    I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.

    I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.

    I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.

    I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.

    Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.

    Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës. /BetimipërDrejtësi/

  • “Jam shumë vonë”, Kurti s’deklarohet kur pyetet a synon koalicion qeverisës

    “Jam shumë vonë”, Kurti s’deklarohet kur pyetet a synon koalicion qeverisës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, s’ka pranuar t’u përgjigjet gazetarëve kur është pyetur nëse do të ketë ndonjë koalicion qeverisës.

    Gjithashtu, Kurti u pyet edhe për aktgjykimin e Kushtetuteses për votimin e nënkryetarit nga radhëte e komunitetit serb, Nenaq Rashiq, por Kryeministri në detyrë ishte “shumë vonë”.

    Kurti po merr pjesë në “Dita e Biznesit Francez në Kosovë”, në një forum për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimit të mundësive të investimit midis Kosovës dhe Francës.

    Të mërkurën, ai deklaroi se do të ketë ndryshime nga kabineti që e prezantoi në vjeshtë, por theksoi se prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe formimi sa më i shpejtë i qeverisë.

    “Do të ketë shumë prej emrave të cilët tashmë i kam prezantuar, edhe unë edhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar. Mirëpo nuk do të jenë identik, do të ketë edhe emra të tjerë. Ne po përgatitemi që si parti ta konstituojmë Kuvendin, dhe sa më shpejt ta formojmë qeverinë. I kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi Planin e Rritjes me BE-në në vlerë prej 882.6 milionë euro, e që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvend, pa harruar atë që e kemi përgjegjësi më shumë, obligim, e ky është buxheti për vitin 2026″, tha Kurti.

  • “Të çmendurit në ishull sundojnë fshehurazi botën” – a e dinin ‘The Simpsons’ për Jeffrey Epstein?

    “Të çmendurit në ishull sundojnë fshehurazi botën” – a e dinin ‘The Simpsons’ për Jeffrey Epstein?

    Shikuesit vunë re një detaj në serialin e animuar “The Simpsons” – ekzistencën e një ishulli në pronësi të pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein.

    Në episodin e sezonit të 12-të “The Computer Wore Menace Shoes”, i cili u transmetua në vitin 2000, Homer krijon një faqe interneti për të përhapur thashetheme dhe lajme të rreme nën pseudonimin Z. X.

    Midis teorive konspirative të Homerit është një referencë për “të çmendurit në një ishull”, të cilën shikuesit e interpretuan si një ishull privat në Ishujt Virgjër të ShBA-së që ishte në pronësi të Jeffrey Epstein.

    Një skenë nga episodi, e shkruar nga John Swartzwelder dhe me regji nga Mark Kirkland, përmbante një njoftim në Z. X ku shkruhej: “Vëmendje: Disa të çmendur në ndonjë ishull sundojnë fshehurazi botën”.

    Reagimet e shumta nga shikuesit në rrjetet sociale ishin të shumta.

    “Mbeta pa fjalë pas këtij episodi”, “Ky nuk është një serial, por një përshkrim i jetës sonë nga jeta reale”, “Ata dinin gjithçka”, janë disa nga komentet për këtë serial.

    Disa përdorues të mediave sociale kanë pohuar se krijuesi i “Simpsons”, Matt Groening, dyshohet se ka udhëtuar me një nga avionët privatë të Epstein.

  • Edi Rama pritet në Pallatin Apostolik të Vatikanit

    Edi Rama pritet në Pallatin Apostolik të Vatikanit

    Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka publikuar disa foto nga vizita e tij në Vatikan.

    Ai do takohet me me Atin e Shenjtë, e cila nisi sot nga Genazzano, në bazilikën e famshme, ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467.

    “Në Pallatin Apostolik të Vatikanit – Pritja nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij”, shkroi kryeministri shqiptar.

  • Kurti në Ditën e Biznesit Francez: Kosova, partner i gatshëm për projekte të mëdha infrastrukturore

    Kurti në Ditën e Biznesit Francez: Kosova, partner i gatshëm për projekte të mëdha infrastrukturore

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në Ditën e Biznesit Francez, tha se Kosova është gati për partneritete të mëdha infrastrukturore dhe e hapur për investime serioze.

    Në fjalën e tij, ai paraqiti Kosovën si një shtet të pavarur, të konsoliduar dhe me orientim të qartë evropian, duke përmendur stabilitetin institucional, të cilën bizneset e kërkojnë për sigurinë, parashikueshmërinë dhe disiplinën fiskale që ai ofron.

    “Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Kosova është e hapur për investime serioze. Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar me orientim të qartë evropian dhe tashmë kemi edhe stabilitet institucional, i cili dëshirohet aq shumë nga bizneset, meqenëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale. Kemi punuar për të forcuar sundimin e ligjit, për të eliminuar praktikat informale dhe për të krijuar një terren të barabartë sepse konkurrenca duhet të jetë e drejtë për ata që inovojnë dhe investojnë, dhe ne besojmë që ligji na bën bashkë si qytetarët e së njëjtës shoqëri, dhe ndëshkimet i ndajnë ne ata që janë të papërgjegjshëm prej atyre që bëhen të pambrojtur”, tha Kurti.

    Për të mbështetur këtë qasje, ai theksoi kornizën tatimore të thjeshtë dhe konkurruese të Kosovës.

    “Dhe këtë qasje tonë ne e kemi mbështetur me një kornizë tatimore e cila është edhe e thjeshtë edhe konkurruese, tatimi mbi fitimet e korporatave 10%, tatimi mbi dividentët është zero, tatimi mbi pagat është progresiv por deri në 10%, nuk ka dogana për makineri prodhuese, dhe eksportet nuk tatohen. Këto nuk janë vetëm përparësi teorike, janë edhe vendime praktike të cilat e shpërblejnë produktivitetin, punësimin formal dhe investimin në kapacitete moderne. Për nevojat tuaja nga Franca, nëse jeni këtu për infrastrukturë, jeni në vendin e duhur”, deklaroi Kurti.

  • Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga kryetari i Klinës, marrin mbështetje për marshin: “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga kryetari i Klinës, marrin mbështetje për marshin: “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli e kanë vizituar sot Komunën e Klinës, ku janë pritur në NJË takim nga kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj.

    Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Elezaj me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Ata shprehën mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga Kryetari i Klinës.

    “Kur mbështetja për drejtësi vjen nga secila komunë, kjo kauzë merr edhe më shumë peshë. Më 17 shkurt, marshojmë bashkë për drejtësi të vërtetë, jo të politizuar”, tha Hoxha.

    “E falënderojmë kryetarin për pritjen që na e bëri dhe gatishmërinë e tij për ta mbështetur pa rezervë Marshin”, tha Tasholli.

    Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg çdo ndikimi politik, u zotua për mobilizim gjithëkomunal për këtë Marsh.

    “Marshi “Drejtësi, jo politikë” është një thirrje e drejtë qytetare dhe i ftoj qytetarët e Klinës, por edhe të gjithë Kosovën, që më 17 shkurt të jenë pjesë e këtij marshimi paqësor për drejtësi të vërtetë”, ka theksuar ai.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

  • Vazhdon beteja e Bekim Haxhiut me KQZ-në, ka gati dy ankesa të reja

    Vazhdon beteja e Bekim Haxhiut me KQZ-në, ka gati dy ankesa të reja

    Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, do të deponojë sot në Gjykatë Supreme dy ankesa, lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

    Në një deklarim për IndeksOnline, Haxhiu ka konfirmuar se ankesat po i bën konform afatit të caktuar ligjor, teksa ankesat kanë të bëjnë me dy çështje të rëndësishme që përkojnë me rezultatin përfundimtar dhe ndarjen e mandateve.

    “KQZ-ja ka futur në rezultatin zgjedhor 23 mijë e 232 pako me fletëvotime të cilat janë administruar jashtë afatit ligjor, me një vendim që KQZ-ja ka nxjerrë kundërligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet neni 96, pika 2. Si të tilla, nuk mund të baraz-vlerësohen edhe votat e vlefshme, edhe votat e pavlefshme, të ardhura pas afatit ligjor. Procesi zgjedhor duhet të jetë i drejtë, i matshëm në kohë, dhe jo kështu i cenueshëm, ku votat që kanë mbërritur pas afatit ligjor prej 7 deri në 1 ditë, të procedohen dhe futën në rezultatin zgjedhor. Kjo ka cenuar edhe barazinë e votuesve, edhe barazinë e votave të vlefshme” deklaroi Haxhiu.

    Arsyeja e dytë e ankesës është gabimi në përllogaritjen e mandateve të deputetëve.

    “Sipas votave të fituara, unë jam i renditur në numrin 20 me votat e fituara, në një subjekt që ka fituar 22 mandate. Përllogaritja e kuotës gjinorë është duke u bërë gabim nga KQZ-ja, sepse nuk ka pasur në konsideratë as ligjvënësi, as KQZ-ja, që prej miratimit të ligjit të ri për zgjedhje duhet të balancohet me ligjin për barazi gjinore, që është ligj special që garanton përfaqësimin 50:50. Kjo do të duhej të praktikohej qysh në fazën e kandidimit, që të jetë e barabartë” shtoi Haxhiu.

    Ai thotë se është cenim i barazisë së votës kur dikush me më shumë se 21 mijë vota nuk mund të bëhet deputet, e dikush me 9 mijë vota mund të bëhet deputete.

    “Unë besoj që Gjykata Supreme do të merret me ritëm të çështjes, pasi PZAP-ja është marrë me ankesa vetëm në mënyrë formale, nën arsyetimet e KQZ-së në aspektin administrativ. Është e vërtetë që, në dy ankesat të cilat i kam parashtruar, ankesa e cila ka qenë për përllogaritjet e gabuara, vet PZAP-ja deklaroi që KQZ-ja nuk ka mandat për të ndryshuar normat ligjore. Ndërsa, ankesën e parë e arsyeton me ndryshimin e normave ligjore nga KQZ-ja. Duhet kuptuar që KQZ-ja është organ administrativ ligj zbatues dhe jo ligjvënës. KQZ-ja nuk ka të drejtë të ndryshojë ligjin” përfundoi Haxhiu.

  • KQZ-ja tregon se kur do të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    KQZ-ja tregon se kur do të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë një datë të saktë se kur ky institucion do të thërrasë mbledhjen e radhës për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur, më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeksonlinen se procesi zgjedhore ndodhet në fazën e ankesave dhe se ky institucion duhet të presë përfundimin e tyre.

    “Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura, më 28 dhjetor 2025”, tha Elezi.

    Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit, janë mbajtur para 40 ditësh.

  • Fillon dita e dytë e bisedimeve trepalëshe Ukrainë-Rusi-SHBA në Abu Dhabi

    Fillon dita e dytë e bisedimeve trepalëshe Ukrainë-Rusi-SHBA në Abu Dhabi

    Ekipi negociator ukrainas në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe ka filluar ditën e dytë të bisedimeve trepalëshe me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, që synojnë zgjidhjen e konfliktit me Rusinë.

    Rustem Umerov, Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, njoftoi për këtë në profilin e tij në Facebook:

    “Dita e dytë e negociatave në Abu Dhabi ka filluar,” shkroi Umerov, transmeton Telegrafi.

    “Po punojmë në të njëjtat formate si dje: konsultime trepalëshe, punë në grupe dhe sinkronizim i mëvonshëm i pozicioneve. Rezultatet do të pasojnë,” shtoi ai.

    Duke komentuar mbi progresin e bisedimeve më 4 shkurt, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, foli për lajme të mira dhe të këqija.

    Sipas Rubios, lajmi i mirë është se lista e çështjeve të pazgjidhura midis Ukrainës dhe Rusisë është ngushtuar ndjeshëm.

    Delegacioni ukrainas po përgatit një raport për presidentin Volodymyr Zelensky mbi rezultatet e ditës së parë të negociatave, të cilat përfunduan më 4 shkurt.

  • Skandali i dosjeve Epstein: Imazhet e ndjeshme mbeten online pavarësisht paralajmërimeve

    Skandali i dosjeve Epstein: Imazhet e ndjeshme mbeten online pavarësisht paralajmërimeve

    Imazhe dhe video të paredaktuara që shfaqin lakuriqësi, të publikuara në dosjet Epstein, kanë mbetur të postuara online për ditë të tëra, pavarësisht se zyrtarët amerikanë ishin paralajmëruar për dështim në redaktim, ka raportuar të enjten (05.02.2026) televizioni BBC. Avokatët thonë se kjo u ka shkaktuar viktimave dëm “të pariparueshëm”. Dosjet e shqyrtuara nga “BBC Verify” janë në mesin e mijëra dokumenteve që avokatët thonë se përmbajnë informacione identifikuese për dhjetra viktima të Epsteinit.

    Grupet e viktimave folën për herë të parë për këtë çështje gjatë fundjavës, kur gazeta “New York Times” do të raportonte se gati 40 imazhe të veçanta ishin publikuar të premten e javës së kaluar si pjesë e dosjeve Epstein.

    Një gjykatës në Nju Jork ka thënë të martën se Departamenti i Drejtësisë (DoJ) ishte pajtuar ta rregullonte shpejt problemin, pasi viktimat kërkuan që faqja e internetit të mbyllej derisa të redaktoheshin emrat dhe imazhet siç duhet.

    DoJ-i ka hequr mijëra dokumente nga faqja e internetit, duke deklaruar se dosjet ishin ngarkuar për shkak të një “gabimi teknik ose njerëzor”. Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar se po vazhdon të shqyrtojë kërkesa të reja, si dhe të kontrollojë nëse kishte dokumente të tjera që mund të kenë nevojë për redaktim të mëtejshëm.

    “BBC Verify” ka zbardhur në mënyrë të pavarur se një numër imazhesh të personave të identifikueshëm ende ishin të postuar online të mërkurën, pavarësisht se qeveria amerikane kishte deklaruar një ditë më parë se po trajtonte problemin e redaktimeve të paplota. BBC-ja i është drejtuar DoJ-it për koment, duke ia ofruar emrat e dosjeve të paredaktuara.

    “Dëmi i shkaktuar është i pariparueshëm”, ka thënë një deklaratë Brad Edwards, avokat që përfaqëson viktimat.

    Katër nga imazhet e identifikuara nga “BBC Verify” tregonin vajza të reja pjesërisht të veshura, me fytyrat dhe trupat të paredaktuara.