ATV

Category: Lajme

  • Sa shpenzuan partitë politike për tre muaj? KQZ publikon shifrat

    Sa shpenzuan partitë politike për tre muaj? KQZ publikon shifrat

    Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar shpenzimet tremujore (tetor-dhjetor 2025) të subjeketeve politike sipas rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson listën e shpenzimeve, me rreth 1 milion e 263 mijë euro të shpenzuara gjatë kësaj periudhe tremujore.

    Ndërsa, në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka shpenzuar rreth 280 mijë e 822 euro.

     

     

    Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka raportuar shpenzime në vlerë prej rreth 224 mijë e 859 euro për periudhën tetor–dhjetor 2025.

    Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka raportuar shpenzime 70 mijë euro gjatë kësaj periudhe raportuese.

    KQZ ka bërë të ditur se publikimi i këtyre të dhënave bëhet në kuadër të transparencës dhe monitorimit të financimit të subjekteve politike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Sondazh: 61 përqind e ukrainasve i besojnë Zelensky-t

    Sondazh: 61 përqind e ukrainasve i besojnë Zelensky-t

    Shumica e ukrainasve, 61 përqind, kanë besim tek Presidenti Volodymyr Zelensky, sipas rezultateve të një sondazhi kombëtar të opinionit publik të kryer nga 23 deri më 29 janar, duke treguar se besimi i publikut tek udhëheqësi ukrainas është kryesisht i qëndrueshëm pavarësisht luftës.

    Rezultatet u publikuan nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë i Kievit (KIIS), i cili kreu një sondazh telefonik në territorin e kontrolluar nga autoritetet nga 23 deri më 29 janar, raporton Kyiv Post.

    Sipas rezultateve të sondazhit, 61 përqind e të anketuarve thanë se i besojnë Zelenskit, ndërsa 33 përqind thanë se nuk i besojnë atij. Ndër ata që shprehën besim, 25 përqind thanë se kishin besim të plotë tek presidenti, dhe një 36 përqind shtesë thanë se “kryesisht i besojnë” atij.

    Në të njëjtën kohë, 17 përqind e të anketuarve deklaruan se nuk i besojnë fare Zelenskit, ndërsa 16 përqind thanë se “kryesisht nuk i besojnë atij”.

    KIIS tha në një njoftim për shtyp se vlerësimi i besimit të presidentit mbeti kryesisht i pandryshuar krahasuar me mesin e janarit, duke treguar stabilitet në ndjenjën publike dhe jo një ndryshim të papritur në qëndrime.

    Si pjesë e anketës, KIIS kreu gjithashtu një eksperiment për të testuar sinqeritetin e përgjigjeve të të anketuarve.

    Gjysma e të anketuarve u pyetën drejtpërdrejt nëse i besonin presidentit, ndërsa gjysma tjetër u anketua duke përdorur atë që sociologët e quajnë metoda e “njohjes së qëllimshme”, e projektuar për të zvogëluar ndikimin e përgjigjeve të dëshirueshme shoqërisht.

    Duke përdorur këtë qasje indirekte, pjesa e të anketuarve që shprehën besim tek presidenti ra në 53 përqind, krahasuar me 61 përqind të regjistruar në anketën e drejtpërdrejtë.

    KIIS tha se kjo mospërputhje sugjeron që nivelet aktuale të besimit mund të jenë disi më të ulëta se ato të treguara nga metodat standarde të anketimit, megjithëse ato janë ende mbi gjysmën e popullsisë së përgjithshme.

  • Rritja e pagave për ushtarakët në Shqipëri, ministri Vengu: Synojmë nivelin e NATO-s

    Rritja e pagave për ushtarakët në Shqipëri, ministri Vengu: Synojmë nivelin e NATO-s

    Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, është shprehur se qeveria shqiptare ka për qëllim që të rrisë pagat për ushtarakët në mesataren e NATO-s deri në vitin 2029.

    Sipas tij, pagat do të vijojnë trajektoren e rritjes në këtë mënyrë: 60-70% për nivelet bazë dhe 30-40% për nivelet e larta të komandimit.

    “Forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk vjen vetëm përmes trajnimeve, por edhe përmes pagave që reflektojnë përgjegjësinë, profesionalizmin dhe sakrificën” – ka thënë mes tjerash, Vengu.

  • Dyshimet për dallaveret me vota vazhdojnë, ndalohet edhe një kryesuese në Deçan

    Dyshimet për dallaveret me vota vazhdojnë, ndalohet edhe një kryesuese në Deçan

    Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se e ndaluara është Manjolla Shala, shefe e kabinetit të kryetarit të Deçanit.

    Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë ka thënë se një kryesuese është arrestuar lidhur me procesin e numërimit në Deçan.

    “Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit edhe një kryesues për rastin ne procesit të numërimit të votimeve në Deçan. Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës në procedurë penale”, tha Nikçi.

  • Ambasadori italian e uron Abdixhikun që u rikonfirmua në krye të LDK, diskutime edhe për urgjencën e formimit të institucioneve

    Ambasadori italian e uron Abdixhikun që u rikonfirmua në krye të LDK, diskutime edhe për urgjencën e formimit të institucioneve

    Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, është takuar sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në zyrat qendrore të LDK-së në Prishtinë.

    Gjatë takimit, ambasadori Antonini e ka uruar Abdixhikun për rikonfirmimin e tij në krye të LDK-së.

    “Sapo u takova me kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, për ta uruar për rikonfirmimin e tij si lider i partisë,” ka deklaruar ambasadori Antonini.

    “Diskutuam për situatën aktuale politike në Kosovë, qëndrimet e LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit, si dhe për nevojën urgjente për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja”.

    Ambasadori theksoi se stabiliteti politik është kyç për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. “Formimi i shpejtë i institucioneve të reja është thelbësor për garantimin e stabilitetit politik, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe avancimin e mirëqenies së qytetarëve,” u shpreh ai.

  • Pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Gucati: Shmangni udhëtimet nëpër territorin e Serbisë

    Pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Gucati: Shmangni udhëtimet nëpër territorin e Serbisë

    Pas arrestimit të një tjetër ish-ushtarit të UÇK-së, Mithat Llozhani, nga autoritetet serbe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka bërë thirrje që veteranët, familjet e dëshmorëve dhe qytetarët të shmangin udhëtimin nëpër territorin e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

    Gucati ka paralajmëruar se ndalimet, sipas tij, po bëhen mbi bazën e listave dhe verifikimeve nga ana e Serbisë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka paraqitur versionin zyrtar të Beogradit, duke deklaruar se arrestimi është bërë nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile.

    “Kemi bërë një apel veteranëve sidomos, familjeve të dëshmorëve, mos i bini nëpër territorin serb se duke parë këto listat që i ka Serbia, tash në dorë që i ka ndërru, tani duke bërë verifikim, vetëm duke i ndalë pjesëtarët e UÇK-së. Edhe a i ndalë pjesëtarët e UÇK-së vetëm me tregu pak forcën që unë e bëj këtë punë. Ka këtë mundësi me i ndalë njerëzit, një vit, dy vjet apo sa po i ndalin nëpër burgje. Tani, unë nuk e di deri kur duhet me u bind veteranët, apo te kur duhet me u vetëdijësu, ne duke bërë apel. Ne i kemi përbetu në Zot, mos shkoni nëpër territor të Serbisë. As qytetarë është mire mos me i ra, se lëre më pjesëtarë të UÇK-së me i ra nëpër territorin serb me shku asajde”, tha ai.

    Ai ka shtuar se ndalimet, sipas tij, po krijojnë stres të madh për familjet dhe po i japin argumente Serbisë.

    “Tash le qe familja në stres, e është vetë në stres, po nuk është e hijshme me i dhënë argumente shtetit serb me shku asajde. Edhe me të blloku, tash një Zot e di kur i lirojnë ata. Unë e di që e ka angazhuar një avokat ai, dje e kam dëgjuar përmes mediave elektronike dhe kam dëgjuar që është ndalë një pjesëtar i joni. Ai djali ka qenë në Shqipëri një kohë të shkurtër, ka bërë disa ushtrime, po me rëndësi veteran është i UÇK-së. Nuk po muj me thanë që s’është. Është veteran, se ka qenë në uniformë. Kështu është saktë informacioni që e kam, veç e di që është pjesëtar i UÇK-së. E di edhe unë e lypa në listat e organizatës së veteranëve, është pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

    Në vazhdim, Gucati ka shprehur keqardhje për familjen e të ndaluarit dhe ka ngritur shqetësime lidhur me kartelën e veteranit.

    “Më vjen keq, më së pari për familjen e tij, për fëmijët e tij, për atë, pse hyn nëpër territor të Serbisë. Edhe më e keqja, po flitet, nuk jam i sigurt, gjithmonë po flas në bazë mediave, që atij ju paska zënë edhe kartela e veteranit në xhep. Kartela nuk i vynë në Gjermani, as në Kroaci a s’ka kund. Pse kartelën me veti? Kështu që më vjen keq nëse ju ka zënë dhe kartela në xhep, unë jam shumë keq për atë. Kështu që unë ju bëj apel edhe veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve mos bien pre e ktyne, e kësaj rrugës famëkeqe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke rënë në grackat e Serbisë”, tha ai.

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mithat Llozhani, është arrestuar dje nga autoritetet serbe në kufirin mes Serbisë dhe Koracisë dhe derisa po udhëtonte nga Gjermania drejt Serbisë.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka dhënë versionin zyrtar të autoriteteve serbe lidhur me arrestimin dhe ndalimin e Mit’hat Lozhanit, i cili sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) është ndaluar vetëm pse në xhep i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit.

    Daçiq ka deklaruar se Lozhani është arrestuar në Pikën Kufitare të Batrovcit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

    Kujtojmë që më 21 janar të këtij viti, është liruar 77-vjeçari Haziri Haziri i cili ishte arrestuar më 8 shtator të 2025-ës në Merdare, po ashtu nën pretendime për krime lufte.

  • Tronditet Greqia, oficeri i lartë i shiste Kinës të dhënat e NATO-s

    Tronditet Greqia, oficeri i lartë i shiste Kinës të dhënat e NATO-s

    Një skandal spiunazhi ka tronditur Forcat e Armatosura Greke, duke ngritur alarmin për sigurinë kombëtare dhe atë të NATO-s. Një oficer i lartë i Forcave Ajrore Greke, rreth 50 vjeç, u arrestua mëngjesin e sotëm brenda njësisë ku shërbente, i dyshuar për mbledhje dhe transmetim të informacioneve sekrete ushtarake tek një vend i tretë, konkretisht Kina.

    Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, oficeri kishte akses në plane të klasifikuara të NATO-s, të cilat konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare dhe aleancën euroatlantike. Burime pranë Shtabit të Përgjithshëm bëjnë me dije se ai po vepronte në emër të një shteti të huaj dhe u arrestua pak para se të dorëzonte një sasi të konsiderueshme të dhënash të ndjeshme.

    Oficeri shërbente në Grupin e 128-të të Trajnimit të Telekomunikacionit dhe Elektronikës të Forcave Ajrore, në zonën e Kavouri, një pozicion kyç që i garantonte akses të drejtpërdrejtë në informacione konfidenciale. Ai akuzohet për veprën e rëndë penale të “mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve sekrete me rëndësi ushtarake tek palët e treta”, një shkelje e rëndë e Kodit Penal Ushtarak.

    Hetimet tregojnë se oficeri ishte vënë nën mbikëqyrje të rreptë nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Greke (NIS), në bashkëpunim me personel ushtarak të specializuar në kundërzbulim, për të paktën një muaj. Gjatë kësaj periudhe janë mbledhur prova të konsideruara shumë të forta, që çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.

  • Bashkëshortja e Erion Veliajt në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”

    Bashkëshortja e Erion Veliajt në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”

    Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, është paraqitur këtë të premte të 6 shkurtit në Prokurorinë e Posaçme. Ajo është parë nga mediat të dalë menjëherë nga SPAK dhe është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

    Paraqitja e saj lidhet me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, e caktuar ndaj saj në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK. Ajo po hetohet për dyshime se ka përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike për përfitim personal.

    Hetimet po vijojnë për të zbardhur mekanizmat e këtyre përfitimeve të dyshuara, si dhe për të identifikuar rolin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje./EuronewsAlbania/

  • Ndalohet edhe një kryesuese për 48 orë për rastin e numërimit të votave në Deçan

    Ndalohet edhe një kryesuese për 48 orë për rastin e numërimit të votave në Deçan

    Prokuroria e Shtetit ka ndaluar për 48 orë edhe një kryesuese, e dyshuar për përfshirje në rastin që lidhet me procesin e numërimit të votave në komunën e Deçanit.

    Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se ndalimi është kryer me urdhër të prokurorit të shtetit.

    Sipas tij, brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të dyshuarës në procedurë penale.

    “Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit edhe një kryesuese për rastin e procesit të numërimit të votimeve në Deçan. Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës në procedurë penale,” ka deklaruar Nikçi.

  • Gjenerali i lartë i inteligjencës ruse thuhet se u qëllua dhe u plagos

    Gjenerali i lartë i inteligjencës ruse thuhet se u qëllua dhe u plagos

    Zyrtari i dytë më i lartë në agjencinë e inteligjencës ushtarake ruse, e njohur si GRU, u qëllua dhe u plagos në Moskë, në atë që hetuesit e përshkruan si tentativë vrasjeje.

    Gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev u shtrua në spital më 6 shkurt pasi u qëllua disa herë, përfshirë edhe në shpinë, tha Komiteti Hetimor në një deklaratë. Ai u hospitalizua në gjendje të panjohur, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sulmuesit u larguan nga vendi i ngjarjes, tha komiteti.

    Raporte mediatike të pakonfirmuara thanë se Alexeyev u qëllua në shkallët e pallatit ku banonte, teksa po largohej.

    Alexeyev është zëvendëskomandant i GRU-së, agjencisë së inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes, e cila njihet për operacione që variojnë nga sabotimi, atentatet, spiunazhi dhe sulmet kibernetike.

    Alexeyev është përfshirë nga Britania në rastin e helmimit pothuajse fatal me Novichok të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Britani në vitin 2018. Një grua britanike vdiq pasi u ekspozua pa dashje ndaj helmit.

    Nëse konfirmohet se Alexeyev ishte shënjestër e një tentative atentati, ky do të ishte rasti më i fundit në një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë, shumë prej tyre në Moskë.

    Dyshimet për këto sulme kanë rënë kryesisht mbi agjencitë e inteligjencës ukrainase, të cilat vitet e fundit kanë kryer operacione sabotimi dhe atentatesh brenda Rusisë.

    Pamje nga sulmi që ka ndodhur në Moskë më 22 dhjetor 2025.
    SHIKONI EDHE:
    Vritet një gjeneral rus në Moskë, thonë zyrtarët
    Në dhjetor, shefi i drejtorisë së trajnimit operacional të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, vdiq pasi një bombë shpërtheu nën makinën e tij në periferi të Moskës.

    Tetë muaj më herët, një tjetër gjeneral-lejtnant, Yaroslav Moskalik, zëvendësshef në drejtorinë e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm, u vra në një atentat me makinë-bombë jashtë Moskës.

    Dhe në vitin 2024, oficeri përgjegjës për forcat e mbrojtjes bërthamore dhe kimike të Rusisë u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar jashtë pallatit të tij në Moskë./REL