ATV

Category: Lajme

  • Rama takon zyrtarin e DASH-it: Rikonfirmova mbështetjen amerikane për Kosovën, me theks në Prishtinë

    Rama takon zyrtarin e DASH-it: Rikonfirmova mbështetjen amerikane për Kosovën, me theks në Prishtinë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim në Uashington, D.C., në Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ku është pritur nga Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, si dhe përfaqësues të zyrës për politika ndërkombëtare.

    Përmes një postimi, Rama ka bërë të ditur se gjatë takimit janë rikonfirmuar qëndrimet e përbashkëta dhe marrëdhëniet e fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në Prishtinë.

    “Rikonfirmuam qëndrimet tona të përbashkëta dhe marrëdhëniet jashtëzakonisht të fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, në veçanti Prishtinës”, ka shkruar Rama.

    Sipas tij, diskutimet kanë përfshirë tema të rëndësishme politike dhe institucionale, si stabiliteti politik, roli i parlamentit dhe qeverisë, procesi i zgjedhjes së Presidentit, si dhe sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi.

    Vëmendje e veçantë, siç ka theksuar Rama, iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe organizimit të “Konferencës për Investime Amerikane”, e cila pritet të mbahet në Prishtinë gjatë muajit mars.

    Nga ana tjetër, sipas njoftimit të Ramës, zëvendësdrejtori Lyn Debevoise ka rikonfirmuar përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur rritjen ekonomike të Kosovës, duke garantuar mbrojtjen e investimeve amerikane dhe avancimin e progresit ekonomik afatshkurtër dhe objektivave afatgjata rajonale për të ardhmen e vendit.

  • Katër ditë pa rrymë, tash edhe pa ujë – rëndohet gjendja në këtë lagje të Pejës

    Katër ditë pa rrymë, tash edhe pa ujë – rëndohet gjendja në këtë lagje të Pejës

    Banorët e lagjes Fidanishte në Pejë po përballen me një situatë të rëndë, pasi tash e katër ditë janë pa furnizim me energji elektrike, ndërsa nga dita e djeshme kanë mbetur edhe pa ujë të pijshëm.

    Sipas banorëve, mungesa e rrymës po ua vështirëson jashtëzakonisht funksionimin e përditshëm në shtëpitë e tyre, duke ndikuar në ngrohje, gatim, ruajtje të ushqimeve dhe nevoja të tjera bazike.

    Ata thonë se, pavarësisht ankesave, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e problemit.

    “Ne banorët e lagjes Fidanishte në Pejë kemi 4 ditë që jemi pa energji elektrike, po na e vështirëson shumë funksionimin ditor në shtëpitë tona. Nuk është ndërmarrë asnjë veprim karshi kësaj situate dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tash nga dje jemi edhe pa furnizim me ujë. Kërkoj nga ju si media e madhe ta publikoni këtë lajm dhe uroj që ka me u marrë parasysh se jemi në hall të madh.”, thanë ata për Insajderin.

  • Spitali i Mitrovicës mbetet pa rrymë: Shërbimet jetësore funksionojnë me gjeneratorë

    Spitali i Mitrovicës mbetet pa rrymë: Shërbimet jetësore funksionojnë me gjeneratorë

    Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” Mitrovicë ka mbetur pa rrymë si shkak i një defekti në furnizim me energji elektrike në trafon e qytetit.

    Në njoftim të spitalit thuhet se pjesët vitale të spitalit janë të furnizuar me rrymë përmes gjeratoreve.

    “Për shkak të një defekti në furnizimin me energji elektrike në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur Spitali, aktualisht disa reparte janë pa energji elektrike. Pjesët vitale të Spitalit janë të furnizuara përmes gjeneratorëve. Ekipet e KEDS-it janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, ndërsa rikthimi i furnizimit me energji elektrike pritet shumë shpejt”, thuhet në njoftimin e spitalit.

  • Arrestohet shoferja që goditi një këmbësor në Fushë Kosovë, i shkaktoi lëndime trupore

    Arrestohet shoferja që goditi një këmbësor në Fushë Kosovë, i shkaktoi lëndime trupore

    Një grua është arrestuar të enjten pasi ka goditur me veturë një person në Fushë Kosovë.

    Policia ka thënë se rasti ka ndodhur nga pakujdesia e vozitëses. Ajo është dërguar në mbajtje.

    “Vozitësja femër kosovare me veturë, nga pakujdesia dyshohet se ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë ka pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Rreziqet më të mëdha me të cilat përballet bota në vitin 2026

    Rreziqet më të mëdha me të cilat përballet bota në vitin 2026

    Nga përparimet e shpejta në IA deri te ndryshimet në rendin ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore, shumë forca po riformësojnë sistemin global.

    Ndërsa këto ndryshime përshpejtohen, ato sjellin rreziqe në rritje. Jo vetëm që ngrenë pikëpyetje për konkurrueshmërinë dhe sigurinë kombëtare, por pritet gjithashtu të godasin në mënyrë disproporcionale tregjet e punës.

    Ky artikull tregon rreziqet kryesore globale në vitin 2026, bazuar në të dhënat e Raportit Global të Rreziqeve 2026 të Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum).

    Një vështrim më i afërt mbi rreziqet kryesore globale
    Për këtë analizë, Forumi Ekonomik Botëror ka anketuar më shumë se 1,300 ekspertë mbi rreziqet më urgjente globale në vitin 2026.

    Të anketuarve iu kërkua të përgjigjeshin në pyetjen:

    “Ju lutemi, zgjidhni një rrezik që mendoni se ka më shumë gjasa të paraqesë një krizë materiale në shkallë globale në vitin 2026.”

    Anketat u zhvilluan midis 12 gushtit dhe 22 shtatorit 2025.

    Lista e rreziqeve kryesore globale për 2026 (sipas përqindjes së përzgjedhjes)
    Përballje gjeoekonomike – 18%
    Konflikt i armatosur midis shteteve – 14%
    Ngjarje ekstreme klimatike – 8%
    Polarizim shoqëror – 7%
    Keqinformim dhe dezinformim – 7%
    Rënie ekonomike – 5%
    Erozion i të drejtave të njeriut dhe/ose i lirive civile – 4%
    Pasoja negative të teknologjive të IA-së – 4%
    Pasiguri kibernetike – 3%
    Pabarazi – 3%
    Përballja gjeoekonomike renditet si rreziku më i madh global për vitin 2026, i përzgjedhur nga 18% e të anketuarve.

    Krahasuar me vitin e kaluar, ajo është ngjitur dy vende në renditje, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë.

    Së fundmi, presioni i SHBA-së për Groenlandën, si edhe kapja e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, kanë shtuar më tej tensionet.

    Në të njëjtën kohë, sipas ekspertëve, indiferenca e perceptuar e presidentit Trump ndaj mbrojtjes së Tajvanit mund të krijojë një “stuhi të përsosur” për përpjekjet e Kinës për “ribashkim”.

    Konflikti i armatosur midis shteteve renditet i dyti në raportin e WEF, i përzgjedhur nga 14% e të anketuarve.

    Aktualisht ka 59 konflikte aktive midis shteteve në mbarë botën, numri më i lartë që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Tre vendet e para në listë plotësohen nga ngjarjet ekstreme klimatike, të përzgjedhura nga 8% e të anketuarve.

    Nga zjarret masive te thatësirat, fenomenet ekstreme po kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e çmimeve të ushqimeve, zhvendosjen e popullsive dhe rritjen e kostove të sigurimeve.

    Me rritjen e vazhdueshme të temperaturave globale, këto pasoja pritet të intensifikohen si në frekuencë, ashtu edhe në ashpërsi. / Visual Capitalist

  • Osmani thotë se do ta nominonte Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Osmani thotë se do ta nominonte Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe.

    Në një intervistë për “Newsweek”, e pyetur nëse do ta nominonte Trumpin për këtë çmim prestigjioz, Osmani u shpreh: “Sigurisht, nëse jam presidente (kurdo që këto gjëra të ndodhin)”.

    Vetëm persona të caktuar kanë të drejtë të propozojnë kandidatë për Çmimin Nobel për Paqe, ndër ta edhe krerët e shteteve. Afati për nominime përfundon në fund të janarit, ndërsa fituesi shpallet në muajin tetor.

    Trumpi ka shprehur prej kohësh publikisht dëshirën për të fituar Çmimin Nobel për Paqe. Ai ka deklaruar se ka ndërmjetësuar marrëveshje që kanë ndalur konflikte në pjesë të ndryshme të botës, megjithëse këto pretendime janë vënë në diskutim nga vëzhgues të ndryshëm.

    Deklarata e Osmanit u bë nga Samiti Botëror i Qeverive në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo e përshkroi popullin e Kosovës si “popullin më pro-amerikan në Tokë” dhe shprehu mirënjohje për çdo administratë të SHBA-së.

    Osmani tutje ka theksuar se ka pasur katër biseda të shkurtra, por domethënëse me Trumpin dhe se ai ka dhënë “kontribut të jashtëzakonshëm” për paqen në Ballkanin Perëndimor.

    “Nuk ka asnjë dyshim se ai e meriton (Çmimin Nobel për Paqe)”, deklaroi ajo.

    Çmimi Nobel për Paqe jepet çdo vit nga Komiteti Norvegjez i Nobelit. Muajin e kaluar, një medalje Nobel iu dorëzua Trumpit nga Maria Corina Machado e Venezuelës, veprim që u prit me reagime në Oslo.

    Pas kësaj, Trumpi deklaroi se nuk ndihej më i detyruar të “mendonte vetëm për paqen”, duke iu referuar faktit se, sipas tij, Norvegjia nuk ia kishte dhënë çmimin për ndalimin e disa luftërave.

  • Detaje të reja nga tragjedia në Itali: Gabimi në adresë i kushtuan jetën familjes shqiptare

    Detaje të reja nga tragjedia në Itali: Gabimi në adresë i kushtuan jetën familjes shqiptare

    Dalje të reja janë zbuluar lidhur me tragjedinë e rëndë që goditi familjen shqiptare Kola në Porcari të Italisë, ku katër anëtarë humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni.

    Sipas mediave italiane, një rrjedhje e padukshme gazi nga kaldaja e banesës ishte shkaku kryesor i ngjarjes fatale.

    Detaj kyç në hetime është telefonata e emergjencës në 112, e bërë nga 22-vjeçari Hajdar Kola, i cili kërkoi ndihmë duke thënë se motra e tij kishte humbur ndjenjat. Nën efektin e gazit helmues, ai dha një adresë të gabuar, çka bëri që ambulanca të humbiste kohë të çmuar duke kërkuar banesën. Forcat e rendit arritën të hyjnë në apartament gati dy orë më vonë, por familja ishte tashmë pa shenja jete.

    Prokuroria e Luccës ka sekuestruar banesën dhe po heton nëse defekti lidhet me instalimin apo mirëmbajtjen e kaldajës, ndërsa disa nga personat që hynë për ndihmë përfunduan në spital për shkak të asfiksisë. Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal dhe atë shqiptar në zonë.

  • Konflikt i ri në Egje – rriten tensionet mes Greqisë dhe Turqisë

    Konflikt i ri në Egje – rriten tensionet mes Greqisë dhe Turqisë

    Me sa duket Greqia dhe Turqia duan të bisedojnë përsëri – në nivelin më të lartë. Duke filluar nga e hëna (09.02.26) në Ankara do të mblidhet “Këshilli Suprem i Bashkëpunimit Greqi-Turqi”.

    Nëse gjithçka shkon sipas planit në tryezë do të jenë të pranishëm edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ekziston edhe mundësia e një takimi posaçëm midis dy udhëheqësve në një ditë tjetër.

    Pas një periudhe të vështirë dhe plot konflikte në Mesdheun Lindor, në vitin 2010 u krijua Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit, raporton dw.

    Ndonjë sukses të madh ai ende nuk ka arritur. Megjithatë Këshilli përpiqet të promovojë një agjendë pozitive mes dy partnerëve të NATO-s, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe të turizmit. Por ai është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, takimi i fundit u bë në Athinë në dhjetor 2023.

    “Turqia bën kërkesa dhe pretendime territoriale të njëanshme, që nuk kanë bazë ligjore dhe nuk mund të jenë temë serioze debati”, shpjegonte në atë kohë Konstantinos Filis, drejtor i kërkimeve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Athinës në intervistë me DW.

    “Greqia pret që Turqia të përmbushë gjithmonë kërkesat e saj dhe të bëjë lëshime”, kundërshtonte Fuat Aksu, shkencëtar politik në Universitetin Teknik Yildiz në Stamboll.

    Që atëherë nuk ka ndryshuar shumë në Detin Egje. Tensioneve u shtohet një pikë tjetër debati: Të enjten e kaluar Turqia përdori sistemin navigacionit detar “Navtex” për të paralajmëruar për rreziqet e sigurisë dhe aktivitetet ushtarake greke. Paralajmërime të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën.

    Në fund të fundit bëhet fjalë për autoritet në Egje: Kush ka të drejtë të deklarohet përgjegjës për çështjet e sigurisë? Athina flet për një përpjekje të paligjshme të fqinjit të saj për të zgjeruar ujërat e tij territoriale. Një “provokim të ri turk” e konsideron këtë gazeta e njohur javore greke “To Vima”.

    Nga këndvështrimi turk kjo është thjesht një çështje rutine, që përputhet me legjislacionin aktual. Por mund të jetë më shumë se kaq: sipas gazetës proqeveritare Türkiye: “Navtex ka shkaktuar panik në Greqi dhe ka ndryshuar status quonë në Egje”.

    Për kryeministrin grek Mitsotakis mosmarrëveshja për Navtex do të thotë edhe më shumë presion nga e djathta. “Turqia po rrëmben gjysmën e Egjeut, por qeveria jonë nuk sheh asnjë arsye për shqetësim”, ankohet Kyriakos Velopoulos, kryetar i partisë së djathtë populiste “Zgjidhja Greke” (EL), e cila sipas sondazheve ka arritur vendin e tretë, përsa i përket mbështetjes së votuesve.

    Prej dekadash Greqia dhe Turqia grinden për shelfin kontinental para bregdetit turk, shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për një zgjerim të mundshëm të ujërave territoriale në Egje. Në kuadër të doktrinës së saj ushtarake aktuale “Atdheu Blu” Turqia pretendon edhe territore detare prej më shumë se 450.000 kilometra katrorë para bregdetit të saj.

    Si busull ligjore në raste të tilla shërben Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1982 mbi të Drejtën e Detit, megjithëse Turqia nuk e ka nënshkruar atë. Por ajo mund të zbatohej: sipas mendimit mbizotërues të juristëve ky traktat pasqyron të drejtën ndërkombëtare zakonore ekzistuese – dhe për këtë arsye është i detyrueshëm edhe për ata, që nuk e kanë nënshkruar.

    Sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit çdo shtet mund të përcaktojë në parim ujërat territoriale, që shtrihen deri në 12 milje detare. Por ekziston një përjashtim i rëndësishëm: Në rastet e kufijve të paqartë ose mbivendosjeve, palët e përfshira duhet të arrijnë një marrëveshje dypalëshe. Por marrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë është ende në pritje.

    Që në vitin 1995 parlamenti turk e pati shpallur zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Egje “shkak për luftë”. Sepse në një rast të tillë Egjeu do të bëhej një lloj deti i brendshëm grek.

    Në vitin 2021 qeveria e Athinës i zgjeroi ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në Detin Jon drejt Italisë. Sot Greqia rezervon në mënyrë të qartë të drejtën për të zgjeruar ujërat e saj territoriale edhe në Detin Egje, tha së fundmi ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias për stacionin televiziv të Athinës “Open”.

    Si instancë e fundit në të gjitha çështjet e së drejtës ndërkombëtare konsiderohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë. Por ky organ i Kombeve të Bashkuara nuk vepron me iniciativën e vet. Si Greqia ashtu edhe Turqia do të duhet të paraqesin një kërkesë të përbashkët, për të autorizuar gjykatën që të ndërmjetësojë. Për këtë debatohet që nga viti 1976. Deri tani pa sukses.

  • Musk i ndërpret Starlinkun ushtrisë ruse, ngecin në frontin e luftës

    Musk i ndërpret Starlinkun ushtrisë ruse, ngecin në frontin e luftës

    Për shkak të ndërprerjes së shërbimeve të internetit nga Starlink, pushtuesit rusë përballen me një katastrofë – fronti është bllokuar dhe ushtarët e tyre nuk po avancojnë.

    Komanda ushtarake po has në probleme ndërsa operacionet sulmuese janë ndalur në shumë zona.

    Lëshueset nuk do të jenë më në gjendje të dërgojnë dronët e tyre në Ukrainë.

    Forcat e Armatosura të Ukrainës vazhdojnë të përdorin Starlink. Musk shkroi në X se për funksionim të duhur, terminalet duhet të regjistrohen në Ukrainë.

    Tani që Musk ka ndërprerë qasjen e ushtrisë ruse tek Starlink-et e paligjshme që përdoreshin më parë për sulme me dronë, disa rusë po kërkojnë që presidenti rus, Vladimir Putin të kërkojë ndihmë nga homologu bjellorus, Alexander Lukashenko.

    Bjellorusia pretendon se shkencëtarët e saj kanë zhvilluar një sistem të brendshëm të ngjashëm me Starlink.

  • Kryeministri Kurti takoi ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq

    Kryeministri Kurti takoi ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti të enjten në takim ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

    Gjukanoviq i uroi Kryeministrit fitoren në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e proceseve demokratike dhe për mbështetjen e qytetarëve ndaj vizionit qeverisës.

    Në njoftim thuhet se u diskutua për zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, me fokus në situatën e sigurisë dhe dinamikat që ndikojnë në Ballkanin Perëndimor.

    Kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, për paqe të qëndrueshme dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të paqes dhe sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit.

    Tutje u tha se Qeveria e re do të vazhdojë ta ketë synim të palëkundur integrimin euro-atlantik dhe prioritet zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe sigurinë e tyre, pa dallim.