ATV

Category: Lajme

  • Operacioni “Livadhet”, arrestohet 19-vjeçari me 164 mijë euro të falsifikuara

    Operacioni “Livadhet”, arrestohet 19-vjeçari me 164 mijë euro të falsifikuara

    Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, ne bashkepunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të vendimit të Gjykatës Shkodrër, finalizuan operacionin e koduar “Livadhet 3”.

    Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi: O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.

    Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara “Lvadhet 1” dhe “ Livadhet 2 “, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025. Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

  • AUV bllokon qumështin për foshnje “Beba Supreme” 800 gram

    AUV bllokon qumështin për foshnje “Beba Supreme” 800 gram

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se ka bllokuar produktin për foshnje “Beba Supreme” 800 gramësh.

    AUV thotë se bazuar në njoftimin zyrtar të pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Republikën e Kosovës produkt ushqimor për foshnja BEBA SUPREM PRE, 800 gram, me datë skadimi 05.2027 dhe kod identifikues EAN: 7613287226631, importuar nga kompania Rossmann Kosova.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është bërë bllokimi i menjëhershëm i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, përfshirë mungesën e inspektorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

  • Një burrë 76-vjeçar vdes pasi u godit nga një veturë në Mitrovicë të Jugut

    Një burrë 76-vjeçar vdes pasi u godit nga një veturë në Mitrovicë të Jugut

    Një burrë 76-vjeçar ka vdekur si pasojë e goditjes nga një veturë në Mitrovicë të Jugut.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në rrugën “Ulqini”, njofton Policia e Kosovës.

    Sipas raportit policor, si pasojë e aksidentit, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

    Megjithatë, më vonë autoritetet spitalore kanë njoftuar se 76-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.

  • Hillary Clinton kërkon dëshmi publike para Kongresit për rastin Epstein

    Hillary Clinton kërkon dëshmi publike para Kongresit për rastin Epstein

    Ish-zonja e parë amerikane dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ka kërkuar të dëshmojë publikisht para Kongresit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me marrëdhënien e saj me abuzuesin seksual dhe financierin Jeffrey Epstein.

    Me këtë rast, ajo i dërgoi një kërkesë James Comer, kryetarit të komisionit hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, për të mundësuar një seancë dëgjimore publike me transmetim të drejtpërdrejtë televiziv.

    Siç raporton agjencia amerikane e lajmeve AP, kongresmeni republikan Komer këmbëngul që seanca dëgjimore të mbahet me dyer të mbyllura. Sipas njoftimeve, Hillary Clinton dhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, duhet të dëshmojnë në fund të këtij muaji.

    Hilary Clinton e theksoi më tej kërkesën e saj me një adresim publik nëpërmjet rrjeteve sociale, në të cilin e sfidoi drejtpërdrejt Komerin.

    “Ju pëlqen të flisni për transparencë. Nuk ka asgjë më transparente sesa një seancë dëgjimore publike me kamerat ndezur”, tha Clinton në rrjetin sociale X.

    Në atë njoftim, ajo nuk specifikoi nëse ish-Presidenti Clinton ndante qëndrimin e saj mbi dëshminë publike.

    Fillimisht, familja Clinton kundërshtoi paraqitjen para komitetit hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë republikane. Megjithatë, të përballur me mundësinë e sanksioneve, ata konfirmuan këtë javë se do t’i përgjigjen thirrjes dhe do të japin dëshmi.

    James Komer deklaroi se seancat dëgjimore do të regjistrohen në audio dhe video, ndërsa transkriptet do të publikohen më vonë. Sipas informacionit nga agjencia AP, kryetari planifikon t’i mbajë seancat dëgjimore pa praninë e publikut.

    Sipas orarit aktual, Hillary Clinton është planifikuar të dëshmojë më 26 shkurt, ndërsa dëshmia e Bill Clinton është planifikuar për një ditë më vonë, më 27 shkurt./Reporteri.net/

     

     

  • Takimet e Haradinajt në Amerikë i vënë në alarm serbët

    Takimet e Haradinajt në Amerikë i vënë në alarm serbët

    Vizita e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Shtetet e Bashkuara ka ngjallur reagime të ashpra nga qarqe serbe. Gjatë qëndrimit në Uashington, Haradinaj zhvilloi takime në Capitol Hill, ku mbajti edhe një fjalim në Kongresin Amerikan në kuadër të Forumit Ndërparlamentar të Sigurisë, ndërsa pritet të vazhdojë me takime në Pentagon.

    Në fjalën e tij, Haradinaj theksoi se Kosova ka zbatuar planin 10-vjeçar të zhvillimit ushtarak, të harmonizuar me standardet e NATO-s dhe me mbështetje amerikane, duke përcjellë mesazhin se vendi është gati për anëtarësim.

    Këto vizita  kanë shkaktuar reagimin e ashpër të organizates lobuese serbe “Serbian National Defense”, me seli në Chicago, e cila përmes një postimi publik në rrjetin social X ka sulmuar rëndë Haradinajn. Në reagimin e saj, organizata e etiketon atë me akuza të rënda dhe të pabazuara, duke kërkuar madje që institucionet amerikane të ndërhyjnë ndaj pranisë së tij në ngjarje zyrtare në SHBA.

  • Policia në Ferizaj ndëshkon qindra shoferë për përdorim të telefonit gjatë vozitjes

    Policia në Ferizaj ndëshkon qindra shoferë për përdorim të telefonit gjatë vozitjes

    Gjatë muajit janar 2026, Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se ka shqiptuar gjithsej 326 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë ngasjes, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    Policia e këtij qyteti njëkohësisht apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, pasi edhe një sekondë pakujdesie të përdorimit të telefonit mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve.

    ” Qytetarët mund të raportojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut:

    – Drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë
    – Përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
    – Në numrat e telefonit kujdestar: 192, 0290/326-250, 0290/322-406

    Sigurojmë qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave tuaja do të ruhet plotësisht”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Disa orë para bisedimeve me amerikanët, iranianët sulmuan tankerët – kërcënojnë me “masakër në Hormuz”

    Disa orë para bisedimeve me amerikanët, iranianët sulmuan tankerët – kërcënojnë me “masakër në Hormuz”

    Irani mbrëmë ka kapur dy tankerë nafte të huaj në Gjirin Persik, duke pretenduar se shërbenin për kontrabandë të karburantit dhe 15 anëtarë të ekuipazhit janë arrestuar dhe dorëzuar autoriteteve gjyqësore.

    Incidenti ndodhi vetëm disa orë para fillimit të bisedimeve kyçe midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që pritet të zhvillohen sot në Oman.

    Forcat detare të Forcave të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) thanë se i kanë ndaluar dy anijet pranë ishullit Farsi dhe se ato po transportonin rreth një milion litra karburant të kontrabanduar, shkruan foxnews.

    Autoritetet iraniane i paraqitën operacionet si një goditje të rëndësishme kundër tregtisë së paligjshme të karburantit, por nuk dhanë menjëherë detaje për flamurin e anijeve apo nacionalitetet e ekuipazheve.

    Një ish-ministër iranian dhe ish-drejtor i medias shtetërore, Ezzatollah Zarghami, ka lëshuar deklarata të ashpra, duke kërcënuar se “ngushticat e Hormuzit do të bëhet vend masakre dhe ferri për SHBA-në” dhe se Irani do të tregojë se ky ujëmbajtës historikisht i përket vendit të tij.

    Megjithatë, përkundër tensioneve, ndërkohë janë planifikuar bisedime diplomatike midis përfaqësuesve amerikano-iranianë në Oman, me qëllim diskutimin e çështjeve të rëndësishme ndërkombëtare.

  • Zgjidhet problemi me energjinë elektrike në Spitalin e Mitrovicës

    Zgjidhet problemi me energjinë elektrike në Spitalin e Mitrovicës

    Furnizimi me energji elektrike në Spitalin e Mitrovicës është rikthyer në normalitet pas sanimit të defektit nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

    Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e KEDS-it kanë intervenuar me kohë, duke arritur të eliminojnë defektin teknik dhe të sigurojnë rikthimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.

    Me rikthimin e energjisë, funksionimi i shërbimeve shëndetësore në këtë institucion është normalizuar dhe nuk raportohet për pengesa në ofrimin e kujdesit ndaj pacientëve.

    “Pas sanimit të defektit nga KEDS, është rikthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike. Shërbimet vitale kanë funksionuar me gjeneratorë”, njofton Spitali.

    Spitali i Mitrovicës mbetet pa rrymë: Shërbimet jetësore funksionojnë me gjeneratorë

  • Osmani takohet me Presidentin e Emirateve, diskutohet partneriteti midis dy vendeve

    Osmani takohet me Presidentin e Emirateve, diskutohet partneriteti midis dy vendeve

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me Presidentin e Emirateve Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

    Në këtë takim është diskutuar lidhur me partneritetin midis dy vendeve.

    Sipas Osmanit Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve.

    Postimi i plotë:

    E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot.

    Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit. Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm. Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje.

    Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve.

  • Dhuna në familje, në Malishevë sulmohen edhe dy zyrtarët policorë që intervenuan në rast

    Dhuna në familje, në Malishevë sulmohen edhe dy zyrtarët policorë që intervenuan në rast

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur për disa raste të dhunës në familje të raportuara në organet e rendit.

    Rastet e dhunës kanë ndodhur në Pejë, në jug të Mitrovicës dhe në Malishevë.

    Sipas raportit policor, në Malishevë janë sulmuar edhe policët që kanë intervenuar në rastin e dhunës në familje.

    Më poshtë raporti policor:

    Pejë / 04.02.2026 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spitalin e Pejës, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

    Malishevë / 05.02.2026 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Gjatë arrestimit i dyshuari ka qenë i dhunshëm ku si pasojë dy zyrtarë policor kanë pësuar lëndime. Lidhur me rastin zyrtarët policor kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në QKUK në repartin e psikiatrisë për tretman. Në lidhje me rastin është informuar dhe konsultuar edhe prokurori.

    Mitrovicë Jug / 05.02.2026 – 17:59. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare dhe më pas kishte kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/