ATV

Category: Lajme

  • Qeveria publikon programin për festimin e 18 vjetorit të Pavarësisë

    Qeveria publikon programin për festimin e 18 vjetorit të Pavarësisë

    Qeveria e Kosovës e ka publikuar programin festimet shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.

    Në ora 07:00 do të bëhet ngritja e flamurit të Kosovës, për të vazhduar në ora 07:20 me mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës.

    Pas kësaj, në ora 07:30 është paraparë të bëhen nderime të Monumenti i të Pagjeturve, kurse në 07:35 homazhe te pllaka përkujtimore e fëmijëve të vrarë.

    Në ora 08:00 sipas agjendës, janë paraparë edhe homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

    Pastaj në 09:00, homazhe do të bëhen edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për tu kthyer më pas në ora 10:30 me seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Nderime do të bëhen edhe te monumenti heroinat në ora 11:25. Ndërsa në ora 11:30 do të bëhet parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

    Dhe në ora 17:30 do të bëhet pritje shtetërore nga Presidentja, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri në detyrë.

    Për ta përmbyllur këtë, në ora 20:00 do të mbahet edhe një koncert solemn i Filarmonisë së Kosovës.

  • Arrestohet pas 8 vitesh hakeri që fshihej pas njërës prej rrjedhjeve më të mëdha të të dhënave në Poloni

    Arrestohet pas 8 vitesh hakeri që fshihej pas njërës prej rrjedhjeve më të mëdha të të dhënave në Poloni

    Autoritetet njoftuan të hënën se hakeri që qëndronte pas njërës prej rrjedhjeve më të mëdha të të dhënave në historinë polake është kapur pas tetë vitesh kërkim.

    Marcin Zagorski, zëdhënës i Byrosë Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik, njoftoi se hakeri 29-vjeçar u arrestua më 30 janar, sipas transmetuesit TVP World.

    “Burri është akuzuar dhe ka pranuar veprat penale”, tha Zagorski.

    Hakeri, i akuzuar për marrjen dhe zbulimin e paligjshëm të të dhënave, ishte pas shkeljes së Morele.net, një treg i njohur elektronik online polak, në vitin 2018.

    Duke prekur mbi 2 milionë njerëz, rrjedhja përfshinte emra, detaje kontakti, adresa dhe fjalëkalime të hashuara.

    Hakeri mund të përballet me deri në dy vjet burg për veprën penale.

  • Lladrovci: Heronjtë tanë të luftës dhe paqes i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit

    Lladrovci: Heronjtë tanë të luftës dhe paqes i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit

    Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me rastin e paraqitjes së fjalëve përfundimtare në Hagë, ka deklaruar se “lirimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes është i vetmi vendim i drejtë, andaj, i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj”.

    “Lirimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes është i vetmi vendim i drejtë, andaj, i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!”, ka shkruar mes tjerash ai.

    Postimi i Lladrovcit:

    Në Hagë, ka filluar paraqitja e fjalëve përfundimtare të palëve, ky është edhe fundi i një gjyqi sa të padrejtë, aq të pabesueshëm, i cili është nisur dhe është bazuar në prova të marra nga shteti gjenocidal, me akuza të fabrikuara, me dëshmitarë të pabesueshëm dhe jokredibilë, përkundër luftës tonë të drejtë, në pajtim me normat ndërkombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

    Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, janë sinonim i luftës tonë të drejtë, janë personifikim i të drejtës tonë për liri, janë drejtues dhe heronj tanë të luftës dhe paqes, strateg të shtetit dhe shtetësisë, prandaj, besoj fuqishëm se i vetmi vendim i drejtë është shpallja e pafajësisë së tyre.

    Drejtësia në Hagë ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes është pjesë e pandashme nga themelet e shtetit tonë, e pandashme nga vlerat e aleancës tonë historike me NATO-n dhe SHBA-në dhe e drejta jonë për të qenë shtet demokratik, burim i paqes dhe sigurisë rajonale, brenda vlerave euro-atlantike.

    Lirimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes është i vetmi vendim i drejtë, andaj, i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!

  • Gucati: Serbia sot është e kënaqur me prokurorët që punuan kundër Kosovës

    Gucati: Serbia sot është e kënaqur me prokurorët që punuan kundër Kosovës

    Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati e ka quajtur skandaloze kërkesën e kryeprokurores Kimberly West, për dënimin nga 45 vjet burgim për secilin nga çlirimtarët në Hagë.

    Ai tha se me këtë fjalë, West i kënaqi të gjithë ata që ishin kundër Kosovës dhe çlirimit të vendit.

    “Serbia sot është e kënaqur me prokurorët që kanë punuar kundër Kosovës”, tha Gucati.

    Ai tha se deklaratat e Westit janë të papranueshme për të, dhe siç theksoi ai, për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    “Kjo prokurore dhe të tjerë mundohen ta bindin opinionin që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur mbështetje, por UÇK ka pasur mbështetjen e të gjithëve”, u shpreh ai.

    Pos tjerash, ai tha se pret lirimin e Thaçit dhe të tjerëve.

  • Iku pasi goditi një këmbësor në Shtime, shoferi arrestohet pas 5 ditësh

    Iku pasi goditi një këmbësor në Shtime, shoferi arrestohet pas 5 ditësh

    Është arrestuar shoferi i cili më 4 shkurt në magjistralen Shtime-Lipjan, konkretisht në fshatin Davidoc, goditi me veturë një këmbësor.

    Pas goditjes së këmbësorit, shoferi i automjetit nuk është ndalur në vendin e ngjarjes, por ishte larguar në drejtim të panjohur.

    I lënduari, mashkull i moshës 46 vjeç, fillimisht ka pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime, më pas është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për tretman të mëtejmë mjekësor është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është liruar dhe është jashtë rrezikut për jetë.

    “Pas një pune intensive hetimore, shikimit të kamerave të sigurisë nga njësitet policore, me datën 08.02.2026, rreth orës 18:30, është bërë i mundur identifikimi i shoferit dhe i automjetit që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. I dyshuari është: A. A., 41 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, automjeti: VË Golf, ngjyrë e zezë, me targa vendore. Sot, me datën 09.02.2026 i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë të aksidenteve dhe me vendim të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt për hetime të mëtejme, për veprën penale ‘Shkaktim i aksidentit të trafikut me lëndime trupore’”, thuhet në njoftim.

  • Kryeprokurori Kryeziu autorizon hetime për manipulim votash edhe në Dragash

    Kryeprokurori Kryeziu autorizon hetime për manipulim votash edhe në Dragash

    Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash, pas informacioneve të publikuara në opinion.

    Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, dhe me autorizim të kryeprokurorit Petrit Kryeziu, hetimet janë iniciuar me vetiniciativë, ndërsa tashmë janë duke u zhvilluar veprime konkrete hetimore në Komunën e Dragashit.

    Nga Prokuroria përmes një komunikate bëjnë të ditur se hetimet kanë të bëjnë me dyshime për kryerjen e veprave penale që lidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.

    Nga Prokuroria Themelore në Prizren kanë thënë se gjatë ditës së sotme do të intervistohen persona të dyshuar në polici, ndërsa pas përfundimit të këtyre veprimeve pritet të publikohet një njoftim shtesë me detaje mbi rrjedhën e hetimeve dhe hapat e mëtejmë proceduralë.

  • ‘Ju filloni, ne e përfundojmë’: Irani zbulon hartën që tregon objektivat brenda Tel Avivit

    ‘Ju filloni, ne e përfundojmë’: Irani zbulon hartën që tregon objektivat brenda Tel Avivit

    Një billboard në Sheshin Palestinë në qendër të Teheranit thuhet se vinte me kërcënime me sulme hakmarrëse me raketa balistike ndaj Izraelit nëse IDF ose ushtria amerikane sulmojnë Iranin.

    Fotografitë, të shpërndara edhe në mediat sociale të dielën, thuhet se tregojnë një hartë të Izraelit qendror, me objektiva kyçe të theksuara.

    Aty përfshihen Aeroporti Ben-Gurion, selia e bazës Kirya të IDF në Tel Aviv, baza e Drejtorisë së Inteligjencës së IDF në Glilot, pranë Herzliya, dhe vende të tjera strategjike në të gjithë zonën.

    Billboardi tregon gjithashtu një tavolinë ushtarake me një buton të kuq të ndezur “ZJARR”, një aeroplan luftarak, dy raketa balistike dhe një radio, së bashku me shënime politike.

    “Ju filloni… Ne e përfundojmë”, shkruhet në titullin e billboardit në anglisht.

    Kujtojmë se diplomatët amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime indirekte në Oman të premten, me qëllim ringjalljen e diplomacisë mes një grumbullimi detar të SHBA-së pranë Iranit dhe premtimeve të Teheranit për një përgjigje të ashpër nëse sulmohet.

    Në qershor, SHBA-të sulmuan objektet bërthamore iraniane në fund të një fushate 12-ditore bombardimi izraelite.

    Teherani që atëherë ka thënë se ka ndaluar aktivitetin e pasurimit, të cilin SHBA-të e shohin si një rrugë të mundshme drejt bombave bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.

  • Djali i Thaçit ripërsërit thirrjen për pjesëmarrje në marshin e 17 shkurtit

    Djali i Thaçit ripërsërit thirrjen për pjesëmarrje në marshin e 17 shkurtit

    Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi ka ripërsëritur thirrjen për pjesëmarrje në marsh.

    Ky marsh do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 14:00.

    “Drejtësi, jo politikë”, organizohet nga platforma “Liria ka Emër”.

  • Ankesat kundër PZAP-së drejt fundit, Supremja publikon vendimet sot

    Ankesat kundër PZAP-së drejt fundit, Supremja publikon vendimet sot

    Gjykata Supreme ka njoftuar se ka shqyrtuar të gjitha ankesat kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.

    Brenda ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre te palët, ka bërë të ditur udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

    Supremja ka shqyrtuar gjashtë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së.

    Dy ankesa janë bërë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilia Rexhepi dhe një nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka, Prizren).

    Nëse edhe Supremja i refuzon, atëherë i hapet rruga certifikimit të rezultateve.

    Pas certifikim, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.

    Nga shtatë ankesat e dërguara në PZAP, ky organ ka pranuar vetëm atë të Listës Serbe e cila qe ankuar ndaj vendimit të KQZ-së për mosshpalljen e rezultateve përfundimtare të këtij subjekti.

  • Shantazhonte një 26-vjeçare për 100 mijë euro, Policia e Tiranës arreston 37-vjeçarin nga Kosova

    Shantazhonte një 26-vjeçare për 100 mijë euro, Policia e Tiranës arreston 37-vjeçarin nga Kosova

    Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Privatësia”, duke arrestuar një shtetas kosovar i cili dyshohet se ka shantazhuar një të re, me qëllim përfitimin e shumës prej 100 mijë euro.

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës ndërhynë menjëherë pas marrjes së indicieve se një shtetas po kërcënonte një 26-vjeçare përmes thirrjeve dhe mesazheve në një platformë komunikimi, duke i kërkuar shumën e lartë të parave në këmbim të mos publikimit në rrjete sociale të fotove dhe videove me përmbajtje intime, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në kuadër të veprimeve hetimore dhe operacionale, u identifikua, kap dhe arrestua autori i dyshuar H. L., 37 vjeç, banues në Kosovë.

    Sipas Policisë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa shtetasi i arrestuar akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

    Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe për të dokumentuar çdo element tjetër të veprimtarisë kriminale.