ATV

Category: Lajme

  • ATK ofron lehtësime për tatimpaguesit me borxhe, zbritje deri në 70% të gjobave

    ATK ofron lehtësime për tatimpaguesit me borxhe, zbritje deri në 70% të gjobave

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar tatimpaguesit që kanë obligime të papaguara se mund të aplikojnë për pagesë me këste dhe të përfitojnë zbritje të konsiderueshme të gjobave.

    Sipas njoftimit të ATK-së, tatimpaguesit që zgjedhin ta paguajnë borxhin me një pagesë të vetme mund të përfitojnë 70% zbritje të gjobave. Ndërsa ata që lidhin marrëveshje për pagesë me këste mund të përfitojnë 50% zbritje të gjobave, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftim theksohet se mosveprimi mund të rezultojë me transferimin e rastit në procedura të sforcuara të mbledhjes së borxhit, përfshirë edhe masa ligjore. Po ashtu bëhet e ditur se në këtë fazë, për lidhjen e një marrëveshjeje kërkohet një pagesë minimale prej 40% e borxhit tatimor.

    ATK u ka bërë thirrje qytetarëve që të veprojnë me kohë, në mënyrë që të shmangin pasoja të mëtejshme dhe të përfitojnë nga lehtësimet e ofruara.

  • Naim Murseli pranon se ka gënjyer kur ka thënë se “Liridona e ka tradhtuar: S’kam qenë i sinqertë

    Naim Murseli pranon se ka gënjyer kur ka thënë se “Liridona e ka tradhtuar: S’kam qenë i sinqertë

    Seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt po vazhdon të sjellë zhvillime të reja, ndërsa i akuzuari Naim Murseli është duke u intervistuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Gjatë intervistimit, Murseli ka pranuar për herë të parë se nuk ka qenë i sinqertë në deklarimet e tij të para lidhur me raportin me bashkëshorten.

    Sipas tij, deklarimet e mëhershme, ku kishte përmendur çështjen e tradhtisë nga Liridona, nuk kanë qenë të vërteta dhe janë bërë nën presion.

    “Për shkak të presionit të policisë nuk kam qenë i sinqertë gjatë deklaratës. Kam improvizuar në pjesën ku kam thënë se Liridona më ka tradhtuar,” ka deklaruar Murseli.

  • NATO nis aktivitetin Arctic Sentry për forcimin e pranisë në Arktik dhe Veriun e Largët

    NATO nis aktivitetin Arctic Sentry për forcimin e pranisë në Arktik dhe Veriun e Largët

    Komanda e Operacioneve Aleate (ACO), që menaxhon planifikimin dhe realizimin e stërvitjeve, aktiviteteve dhe operacioneve të NATO-s, ka nisur sot aktivitetin Arctic Sentry. Ky aktivitet i shumëanshëm ka për qëllim të forcojë praninë e NATO-s në Arktik dhe në Veriun e Largët, duke e zgjeruar vazhdimisht praninë e Aleancës në këtë rajon.

    “Arctic Sentry thekson përkushtimin e Aleancës për të mbrojtur anëtarët e saj dhe për të ruajtur stabilitetin në një nga rajonet më strategjike dhe më sfiduese nga pikëpamja mjedisore në botë”, deklaroi Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë.

    “Ai do të vërë në dispozicion të gjithë fuqinë e NATO-s për të mbrojtur territorin tonë dhe për të siguruar që Arktiku dhe Veriu i Largët të mbeten të qeta dhe të sigurta”, shtoi ai.

    Kjo deklaratë vjen në kuadër të rritjes së fokusit të NATO-s mbi sigurinë në Arktik dhe pas takimit të zhvilluar muajin e kaluar në Davos të Zvicrës mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Gjatë këtij takimi, të dy liderët ranë dakord se Aleanca duhet të marrë kolektivisht më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e rajonit, në dritën e aktivitetit ushtarak të shtuar të Rusisë dhe interesit në rritje të Kinës në këtë zonë.

    Përgatitjet për Arctic Sentry u ofruan planifikuesve të NATO-s një pasqyrë të plotë mbi aktivitetet e vendeve aleate në Arktik dhe në Veriun e Largët. Në vijim, Komanda Aleate e Operacioneve (ACO) do ta përdorë Arctic Sentry për të bashkërenduar këto përpjekje në një qasje të integruar operacionale ndaj rritjes së aktiviteteve të Aleatëve, duke forcuar kështu praninë e NATO-s në rajon, njofton Selia e Komandës Supreme të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).

    Këto aktivitete përfshijnë, ndër të tjera, Arctic Endurance të Danimarkës – një seri stërvitjesh shumë-domainëshe të hartuara për të rritur aftësinë e Aleatëve për të vepruar në rajon – si dhe stërvitjen e ardhshme Cold Response të Norvegjisë, ku trupa nga e gjithë Aleanca kanë nisur tashmë të mbërrijnë.

    Arctic Sentry do të drejtohet nga Komanda e Forcës së Përbashkët në Norfolk (JFC Norfolk), komanda më e re e forcave të përbashkëta të Aleancës, zona e përgjegjësisë së së cilës, që nga dhjetori, përfshin tashmë të gjithë këtë rajon.

    “Sa u përket komandave të forcave të përbashkëta të NATO-s, Norfolk shërben si ura lidhëse mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, duke mbrojtur qasjet strategjike ndërmjet dy kontinenteve dhe më gjerë”, deklaroi Grynkewich, i cili një ditë më parë u informua mbi planifikimin e Arctic Sentry nga komanda e forcës së përbashkët atje.

    ACO dhe JFC Norfolk do të bashkëpunojnë me Komandën Aleate për Transformim, si dhe do të koordinojnë aktivitetet me Komandën e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD), një strukturë e përbashkët e SHBA-së dhe Kanadasë, si edhe me Komandën Veriore të SHBA-së (USNORTHCOM) dhe Komandën Evropiane të SHBA-së (USEUCOM).

  • “Duam të shohim progres në dialogun Kosovë–Serbi”, zyrtari i NATO-s: Përgjegjësia e liderëve është kyçe për stabilitetin në Ballkan

    “Duam të shohim progres në dialogun Kosovë–Serbi”, zyrtari i NATO-s: Përgjegjësia e liderëve është kyçe për stabilitetin në Ballkan

    Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi të madhe për Aleancën Veri-Atlantike (NATO-n). NATO ka misionin e saj më të madh ushtarak në Kosovë (KFOR) dhe është e pranishme edhe në vende të tjera të Ballkanit.

    Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Aleanca po i kushton vëmendje të shtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht duke marrë parasysh trendët shqetësues të viteve të fundit, duke theksuar se udhëheqësit lokalë mbajnë përgjegjësi të madhe për stabilitetin e rajonit.

    “Ne shohim disa trende shqetësuese në rajon, veçanërisht në vitet e fundit, të cilat kërkojnë monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve”, tha një zyrtar gjatë një takimi me gazetarët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

    Dialogu Kosovë–Serbi dhe Ballkani Perëndimor

    Sipas zyrtarëve të NATO-s, qëndrimi i Aleancës është i qartë: angazhimi ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet i fortë dhe i palëkundur, dhe nuk do të lejohet krijimi i një boshllëku sigurie në rajon.

    “NATO dhe aleatët vazhdojnë të kërkojnë llogaridhënie të plotë për ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj KFOR-it në maj 2023 dhe për autorët e dhunës në Banjskë në shtator të atij viti. NATO mbështet plotësisht BE-në në lehtësimin e dialogut dhe shpresojmë se do të shohim përparim në këtë proces, i cili është me rëndësi për paqen dhe sigurinë në rajon”, deklaroi zyrtari i NATO-s.

    Sipas tyre, Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike dhe NATO mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit afatgjatë në rajon, duke përmendur edhe trende të tjera shqetësuese, si fushatat e dezinformimit, kërcënimet hibride, tensionet politike, retorikën përçarëse dhe mungesën e përparimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Politikanët dhe udhëheqësit vendas kanë përgjegjësi për të ruajtur stabilitetin në vendet e tyre. Për këtë arsye, ne i kemi bërë thirrje lidershipit në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Serbi dhe në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, në interes të stabilitetit dhe të asaj që qytetarët e tyre duan të shohin: stabilitet, prosperitet, reforma progresive dhe përparim në proceset e integrimit”, u tha gazetarëve një përfaqësues përpara takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s më 12 shkurt.

     

    Sipas zyrtarëve të NATO-s është e qartë se zgjidhja “nuk është ushtarake, por përmes dialogut politik”.

    “NATO mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën udhëheqjen e BE-së dhe shpreson që së shpejti të ketë lëvizje dhe progres, pasi kjo është me rëndësi kyçe për stabilitetin afatgjatë në rajon. Nuk varet vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga akterët në rajon që të ndërmarrin hapat dhe kompromiset e nevojshme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, tha zyrtari.

    Zyrtarët folën edhe për rolin e misionit të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

    Sipas tyre, pas vitit 2023, numri i anëtarëve të KFOR-it u rrit me 1,000 ushtarë, ndërsa aktualisht numri i trupave po zvogëlohet gradualisht drejt nivelit para vitit 2023.

    KFOR-i është i vendosur në Kosovë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë, lirinë e lëvizjes, si dhe për të mbështetur praninë civile ndërkombëtare dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

     

    NATO: Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e Aleancës

    Afërsisht 4,636 trupa nga 33 vende kontribuojnë në përmbushjen e objektivave të misionit.

    Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria, Turqia dhe Polonia kanë numrin më të madh të personelit ushtarak në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë. /Telegrafi/

  • Mbrojtja kundërshton pretendimin se Thaçi synonte marrjen nën kontroll të Kosovës

    Mbrojtja kundërshton pretendimin se Thaçi synonte marrjen nën kontroll të Kosovës

    Avokatja Tavakoli tha se Thaçi në cilësinë e kryeministrit në Qeverinë e përkoshme nuk kishte pushtet të vërtet.

    “Ai nuk mundte të nënshkruante asnjë angazhim domethënës për kosovarët në rolin e tij si kryeministër”, tha ajo, duke kujtuar dëshminë e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan se Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për çarmatosje e UÇK-së si kryeministër i Qeverisë së përkohshme.

    “Kryeministër ishte një titull, nuk ishte shtysë përmes së cilës Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale [term që ZPS-ja përdor në aktakuzë për t’iu referuar të akuzuarve dhe disa ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së] mund të jetësohej”, tha ajo.

    Tavakoli tha se fillimisht, në ditët e para të UNMIK-ut, Thaçi kishte konkurruar me këtë institucion për pushtet, por më pas e pranoi autoritetin e kësaj administrate dhe bashkëpunoi me të.

    Ajo ngriti pyetjen se si Thaçi synonte të merrte nën kontroll Kosovën, kur ai ishte pajtuar për çarmatosjen e UÇK-së, pranoi të bashkëpunonte me UNMIK-un, kishte pranuar humbjen në zgjedhje pasluftës deri më 2007, kur i fitoi ato.

    Aktualisht, seanca është në pushimin e drekës.

  • Frangu zviceran thyen rekorde të reja ndaj euros dhe dollarit

    Frangu zviceran thyen rekorde të reja ndaj euros dhe dollarit

    Rekord i ri në tregjet valutore, frangu zviceran forcohet ndjeshëm

    Frangu zviceran vijon forcimin e tij historik në tregjet valutore, duke shënuar nivele rekord si ndaj euros ashtu edhe ndaj dollarit amerikan, transmeton albinfo.ch.

    Pas arritjes së niveleve të reja në fund të janarit, kjo javë ka nisur me një tjetër dobësim të dollarit dhe me një rritje të mëtejshme të frangut. Të hënën, dollari amerikan u tregtua në nivelin 0.7659 franga, një nga vlerat më të ulëta historike.

    Ndërkohë, edhe euro ka pësuar rënie të ndjeshme kundrejt frangut zviceran. Kursi euro-frang u vendos në 0.9130, duke prekur madje një rekord të ri historik gjatë pasdites, kur zbriti në nivelin 0.9127.

    Forcimi i vazhdueshëm i frangut konfirmon rolin e tij si një nga monedhat më të sigurta në kohë pasigurie ekonomike globale.

  • Investim 5 milionësh, 43 ndërtesa publike në Prizren do të renovojë BE-ja

    Investim 5 milionësh, 43 ndërtesa publike në Prizren do të renovojë BE-ja

    Një total prej 43 ndërtesash publike në Prizren, përfshirë 25 qendra shëndetësore dhe 18 shkolla do të renovohen përmes Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë të financuar nga Bashkimi Europian, nën kornizën WBIF – Western Balkans Investment Framework, ka bërë të ditur sot Zyra e BE-së në Kosovë.

    “Ky investim prej 5 milionë eurove, që kombinon një grant të BE-së me një hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), do të përmirësojë kushtet e kujdesit shëndetësor dhe të mësimdhënies, do të rrisë efiçiencën e energjisë, do të ulë ndotjen e ajrit dhe do të gjenerojë kursime afatgjata për buxhetet publike”.

    Hubert Perr, Shefi i seksonit të bashkëpunimit i BE-së në Kosovë, mori pjesë në nënshkrimin e kontratave për punët nga Komuna e Prizrenit.

    Në dhjetor 2025, kontrata të ngjashme të financuara nga BE-ja për 20 ndërtesa publike në Prishtinë u nënshkruan nën të njëjtin program.

    Me 3.7 miliardë euro të investuar që nga viti 1999, BE-ja tha se është partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.

  • Zbatohet vendimi i Ramosajt, ekzekutohen 500 euro për pacientët me sëmundje malinje në Deçan

    Zbatohet vendimi i Ramosajt, ekzekutohen 500 euro për pacientët me sëmundje malinje në Deçan

    Janë ekzekutuar mjetet financiare nga Thesari i Shtetit për pacientët me sëmundje malinje, pas vendimit social të marrë më herët nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

    Sipas vendimit të komunës, personat që përballen me sëmundje malinje kanë të drejtë të përfitojnë 500 euro ndihmë financiare një herë në vit, e cila ka filluar të shpërndahet përmes sistemit të Thesarit të Republikës së Kosovës.

    Kjo pagesë synon të ofrojë mbështetje morale dhe financiare për pacientët dhe familjet e tyre gjatë trajtimeve dhe sfidave shëndetësore.

    Vendimi për përkrahje u mor në ditën e parë të punës së vitit të ri nga kryetari Ramosaj si pjesë e politikave sociale të komunës, që synojnë të mbështesin kategoritë në nevojë dhe të lehtësojnë barrën financiare për qytetarët.

    Ndërkohë, krahas mbështetjes për pacientët me sëmundje malinje, komuna kishte vendosur edhe një ndihmë prej 300 eurosh për çdo nënë lehonë, vendim që gjithashtu do të ekzekutohet.

  • Parlamenti Evropian miraton një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Parlamenti Evropian miraton një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Parlamenti Evropian miratoi një propozim të Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, për të financuar shpenzimet ushtarake dhe buxhetore.

    Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan kredinë për Ukrainën për periudhën 2026-27 me 458 vota pro, me 140 ligjvënës që votuan kundër dhe 44 abstenime.

    Kredia për Ukrainën përbëhet nga 60 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe 30 miliardë euro mbështetje buxhetore të financuara përmes huamarrjes së BE-së.

    Vota në Parlamentin Evropian ishte planifikuar më parë për një seancë të posaçme plenare të thirrur më 24 shkurt për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por u shty për më 11 shkurt.

    Më 19 dhjetor, samiti i Bashkimit Evropian miratoi një vendim për një kredi të përbashkët për t’i siguruar Ukrainës 90 miliardë euro, të cilat mbulojnë dy të tretat e nevojave të Ukrainës në periudhën 2026-27 si në sektorin buxhetor ashtu edhe në atë të mbrojtjes.

    Më 4 shkurt, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ranë dakord mbi mekanizmat për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh në vitet 2026-27, duke përfshirë edhe lejimin e vendeve të treta për të marrë pjesë.

  • Vengu: 2026 pret stërvitjen e parë trilaberale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Vengu: 2026 pret stërvitjen e parë trilaberale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjete sociale, njofton se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia marrin një hap të rëndësishëm në kuadër të marrëveshjes trilaterale mes tre shteteve.

    Në postim, Vengu shkruan se shefat e shtabeve të tre vendeve zhvilluar një takim, ku u theksua bashkëpunimi ushtarak, ndërveprueshmëria dhe gatishmëria operacionale.

    “Një tjetër hap i rëndësishëm në kuadër të marrëveshjes trilaterale ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, ku shefat e shtabeve të tre vendeve zhvilluan një takim të përbashkët.

    Më shumë bashkëpunim ushtarak

    Më shumë ndërveprueshmëri

    Më shumë gatishmëri operacionale

    Fokus në zhvillimin e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë dhe kërcënimeve hibride.

    Viti 2026 do të presë stërvitjen e parë trilaterale, në përputhje me Konceptin Strategjik të NATO dhe objektivat euroatlantike”, shkruan Vengu në rrjete sociale.