ATV

Category: Lajme

  • Avokati i Thaçit: Prokuroria nuk ka prova që ai të ketë ditur për krime të qeverisë së përkohshme

    Avokati i Thaçit: Prokuroria nuk ka prova që ai të ketë ditur për krime të qeverisë së përkohshme

    Avokati Luka Mishetiq ka deklaruar se Zyrtari i Prokurorisë Speciale (ZPS) nuk ka arritur të provojë që i mbrojturi i tij, Hashim Thaçi, kishte dijeni për krimet e kryera nga ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme.

    Sipas Mishetiq, prokuroria pretendon se Thaçi e ka përdorur pozicionin si kryeministër për të emëruar bashkë të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) në poste të larta. “Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë caktuar bashkë të akuzuarit ose të ketë ditur për krime specifike të kryera nga anëtarët e Qeverisë së Përkohshme,” tha avokati, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ai shtoi se Prokuroria nuk ka mundur të tregojë se KFOR-i ishte njoftuar nga udhëheqësit e UÇK-së për të hetuar këto krime, dhe nuk ka prova që Thaçi të ketë pasur njohuri për veprime kriminale të vartësve të tij që nuk ishin të njohura nga UNMIK-u dhe KFOR-i.

    Gjithashtu, Mishetiq theksoi se edhe në rastet e keqtrajtimit në Baicë, ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se Hashim Thaçi kishte udhëhequr apo ishte përgjegjës për ato ngjarje.

  • Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Risi dhe Investime Historike për Kosovën

    Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Risi dhe Investime Historike për Kosovën

    Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, edicioni i 21-të, do të ofrojnë një program të zgjeruar me 24 sporte konkurruese. Ndër sportet kryesore janë atletika, noti, xhudo, boks, dhe volejbolli, ndërsa nuk mungojnë format moderne si basketbolli 3×3 dhe futsali, i cili zëvendëson futbollin tradicional U21.

    Organizatorët mund të shtojnë gjithashtu sporte si Baseball5, Canoe Sprint dhe Kickboxing, duke e bërë këtë edicion më dinamik dhe gjithëpërfshirës se kurrë më parë.

    Përgatitjet për ngjarjen përfshijnë investime të mëdha në infrastrukturë sportive në Kosovë, duke përfshirë ndërtimin e një stadiumi kombëtar modern për ceremonitë hapëse dhe mbyllëse, objekte të reja sportive në qytete si Pejë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, si dhe përmirësime në pishina gjysmë-olimpike dhe pallate sportive ekzistuese.

    Një element kyç është transformimi i Qendrës së Studentëve në Prishtinë në një qendër akomodimi për rreth 4,500 atletë, me ambiente të rinovuara dhe përmirësime në kuzhinë dhe shërbime të tjera, një investim afatgjatë që do të shfrytëzohet edhe pas përfundimit të Lojërave.

    Për sportet ujore që kërkojnë det, Kosova ka bërë marrëveshje me Shqipërinë për të zhvilluar eventet në bregdet, një risi historike për këtë edicion.

    Në vitin 2030 pritet pjesëmarrja e 3,500 deri në 5,000 atletëve nga 26 vende mesdhetare, duke e bërë këtë ngjarjen sportive më të madhe që Kosova ka organizuar ndonjëherë.

  • Komuna e Mitrovicës inicion procedurë për trajtimin e qenve agresivë

    Komuna e Mitrovicës inicion procedurë për trajtimin e qenve agresivë

    Komuna e Mitrovicës sot ka bërë inicimin e procedurës për trajtimin e qenve agresivë.

    Kështu ka njoftuar kryetari i kësaj komune, Faton Peci, i cili tha se siguria e qytetarëve është në radhë të parë.

    Përmes një deklarate në Facebook, ai thotë se problemi më akut në qytetin e Mitrovicës, është pikërisht prezenca e theksuar e qenve agresivë.

    “Angazhimi i ynë është maksimal që këtij problemi të kamotshëm t’i gjendet zgjidhja. Sot, u bë inicimi i procedurës për trajtimin e qenve agresivë. Siguria e qytetarëve në radhë të parë”, ka shkruar Peci.

  • Aktorja padit qeverinë shqiptare, kërkon ndalimin e përdorimit të imazhit të saj për “Diellën”

    Aktorja padit qeverinë shqiptare, kërkon ndalimin e përdorimit të imazhit të saj për “Diellën”

    Aktorja Anila Bisha ka paditur qeverinë në Gjykatën Administrative dhe kërkon që imazhi i saj të mos përdoret më për figurën virtuale “Diella”, deri sa të përfundojë procesi gjyqësor.

    Padia është ngritur kundër Këshillit të Ministrave, AKSHI-t dhe kompanisë private të përfshirë në projekt. Aktorja pretendon se pamja e saj është përdorur pa lejen e duhur për të krijuar figurën e ashtuquajtur “ministre virtuale” Diella.

    Sipas saj, kontrata që kishte me kompaninë Aleat lejonte përdorimin e imazhit vetëm për asistenten virtuale në platformën e-Albania dhe vetëm deri në fund të vitit 2025. Në marrëveshje, sipas aktores, nuk parashikohej përdorimi i imazhit për krijimin apo promovimin e një “ministre virtuale”.

    Për këtë arsye, ajo kërkon që gjykata të ndalojë përdorimin e imazhit të saj deri në përfundimin e çështjes.

  • Në Prishtinë, ora e parë mësimore e 16 shkurtit i kushtohet historisë dhe sakrificës së UÇK-së

    Në Prishtinë, ora e parë mësimore e 16 shkurtit i kushtohet historisë dhe sakrificës së UÇK-së

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ora e parë mësimore e 16 shkurtit do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    “Është një reflektim mbi historinë dhe përgjegjësinë tonë shtetërore! Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit, ora e parë mësimore e 16 shkurtit do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së UÇK-së”, ka shkruar Rama.

    Ai shton se kjo iniciativë është një obligim institucional dhe moral për të kultivuar te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet e vendit.

    “Si Kryeqytet, kemi detyrë të kultivojmë te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet tona. Kujtesa historike është themel i identitetit dhe respektit për shtetësinë!”, nënvizon Rama.

  • ​Tre kadetë kanadezë marrin mësim në FSK

    ​Tre kadetë kanadezë marrin mësim në FSK

    Tre kadetë nga Kolegji Mbretëror “Saint-Jean” i Kanadasë po vijojnë studimet në Qendrën për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Në këtë cilësi, ata morën pjesë në ushtrimin 36-orësh fushor, gjatë të cilit kadetët e kësaj qendre zhvilluan trajnim praktik në operacione mbrojtëse.

    Në stërvitjen në qiell të hapur, ata u angazhuan në një sërë detyrash operative, përfshirë fortifikimin e pozicioneve mbrojtëse si edhe nëoperacione zbulimi dhe në mbrojtjen e zonës.

    Ky aktivitet, sipas FSK-së shërbeu për rritjen e gatishmërisë profesionale dhe përmirësimin e aftësive taktike të kadetëve.

  • “Presim lirimin e të gjithëve”, Haradinaj viziton Fazliun pas kthimit nga Haga

    “Presim lirimin e të gjithëve”, Haradinaj viziton Fazliun pas kthimit nga Haga

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkuar për vizitë te Fadil Falziu, një ditë pas lirimit të tij nga Gjykata SPeciale.

    Ai në një postim në Facebook shkruan se familja Falziu ishte në shërbim të atdheut në të gjitha fazat historike të përpjekjeve për liri.

    “Vëllai i dy Heronjve, Fadil Fazliu, kaloi edhe një sfidë të padrejtë, që i ndodhi atij sikurse bashkëluftëtarëve që gjenden ende në Hagë: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala”.

    Pas kthimit të tij në familje, pata nderin ta vizitoj Fadil Fazliun, për t’i shprehur respektin për qëndrueshmërinë e tij dhe për sakrificën e familjes Fazliu ndër breza”“I gëzohemi kthimit në atdhe e po ashtu të Gjeneral Haxhi Shalës, Bashkim Smakajt, Nasim Haradinajt, Isni Kilajt dhe Hysni Ngucatit.

    “Presim lirimin e të gjithëve, që t’u bashkohen familjeve të tyre dhe të korrigjohet kjo padrejtësi. Më 17 shkurt, në ora 14:00, bashkohemi të gjithë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të luftës sonë të drejtë e çlirimtare”, shkruan kreu i AAK-së.

  • Orbán thotë se BE dhe Ukraina i kanë “shpallur luftë” Hungarisë

    Orbán thotë se BE dhe Ukraina i kanë “shpallur luftë” Hungarisë

    Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka pohuar se Brukseli dhe Kievi i kanë “shpallur luftë” Hungarisë, pasi Politico postoi një artikull që përshkruante planet për “pranimin paraprak” të Ukrainës në BE, përpara se të përfundonin të gjitha hapat zyrtarë të procesit standard të pranimit, dhe për masat për të kapërcyer veton e Hungarisë.

    Orbán e përshkroi Politico-n si “botimin zyrtar të elitës brukseliane” dhe idetë e përshkruara në artikull si “planin më të fundit të luftës”.

    “Ky plan i ri është një deklaratë e hapur lufte kundër Hungarisë. Ata shpërfillin vendimin e popullit hungarez dhe janë të vendosur të largojnë qeverinë hungareze me çdo mjet të nevojshëm. Ata duan që Partia Tisza të vijë në pushtet, sepse atëherë nuk do të ketë më veto, asnjë rezistencë dhe asnjë qëndrim jashtë konfliktit të tyre”, shtoi ai.

    Orbán theksoi se hungarezët “duhet t’i ndalojnë ata në kutitë e votimit” në prill, transmeton Telegrafi.

    “Fidesz është e vetmja forcë që qëndron midis Hungarisë dhe sundimit brukselian dhe e vetmja garanci e sovranitetit hungarez”, tha ai.

    Artikulli i Politico diskuton një ide të paprecedentë: “pranimin paraprak” të Ukrainës në BE paraprakisht, me anëtarësim të pjesshëm në BE që në vitin 2027, por pa zbutur kërkesat mbi parimet themelore.

    Ai gjithashtu përshkruan “planet A, B dhe C” brenda BE-së për t’iu përgjigjur refuzimit kategorik të Hungarisë për të mbështetur vendimet procedurale mbi integrimin e mëtejshëm evropian të Ukrainës; plani parësor supozon se Orbán do të humbiste zgjedhjet e prillit.

    Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës Tisza, Péter Magyar, tha se ekipi i Orbán po përgatitej ta shantazhonte atë duke bërë publike video intime të tij të regjistruara me anë të kamerës së fshehtë dhe këmbënguli se ai nuk sheh asnjë “material kompromentues” në to.

    Partia Tisza e Hungarisë kryesoi një sondazh të janarit me 8 pikë përqindjeje mbi partinë Fidesz të kryeministrit Viktor Orbán dhe një tjetër me 10 pikë. /Telegrafi/

  • Syla për marshin e 17 shkurtit: Do të jetë njëra prej protestave më të mëdha por jo e fundit

    Syla për marshin e 17 shkurtit: Do të jetë njëra prej protestave më të mëdha por jo e fundit

    Me datën 17 shkurt në Prishtinë do të mbahet Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Në lidhje me mbajtjen e kësaj proteste ka folur për “Gazeta Blic”, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla.

    Syla tha se pjesmarrja pritet të jetë masive dhe se do të jetë një nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë.

    “Pjesmarrja do të jetë masive për shumë arsye. Në fakt ne kemi patur edhe pesë protesta të tjera më herët dhe të gjitha këto protesta kanë shku duke i mobilizu njerëzit, duke i aktivizu njerëzit kundër kësaj padrejtësie. Kjo besoj do të jetë më e madhe për arsye se do të jemi në Prishtinë sepse protestat tjera ju e dini një e kemi patur në Prishtinë por të tjerat kanë qenë jashtë Kosovës. Edhe për faktin se kërkesa e Prokurorisë ka nxitur reagime shumë të mëdha edhe tek basghkëluftëtarët tanë por edhe tek shumë qytetarë të tjerë sepse është një gjë tepër e papranueshme gjithë kjo kërkesë e Prokurorisë me çdo kusht me e nxjerr në sprovë Gjykatën për me arrit me nxjerr diçka nga këto akuza të fabrikuara nga Prokuroria e Serbisë sepse vetëm me ato dokumente është shërby Gjykata Speciale. Prandaj po mendoj se do të jetë njëra prej protestave më të mëdha por jo e fundit” tha Syla.

  • U motivua nga ISIS të planifikonte një sulm në shkollë, ndalohet 18-vjeçari në Poloni

    U motivua nga ISIS të planifikonte një sulm në shkollë, ndalohet 18-vjeçari në Poloni

    Policia polake ka ndaluar një 18-vjeçar për përgatitjen e një sulmi në shkollë dhe për motivimin nga mbështetja e tij për Shtetin Islamik, tha të mërkurën zëdhënësi i shërbimeve speciale Jacek Dobrzynski.

    Sipas tij, Polonia nuk ka pësuar asnjë sulm të lidhur me Shtetin Islamik dhe thekson se autoritetet polake janë në gatishmëri pas një rritjeje të përpjekjeve për sabotim, përfshirë në hekurudhë, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

    “Zyra e Prokurorit e akuzon djalin për nxitje publike të dhunës dhe urrejtjes për shkak të dallimeve kombëtare dhe fetare nëpërmjet internetit, si dhe për përgatitje të një sulmi”, shkroi Dobrzynski në X.

    Ai tha se një hetim zbuloi se djali kishte “mbledhur informacione mbi armët, eksplozivët, substancat ndezëse dhe toksike, modelet e bombave, metodat e funksionimit dhe pajisjes, si dhe metodat e krijimit, vendosjes dhe shpërthimit të ngarkesave shpërthyese, si dhe teknikat për kryerjen e sulmeve”.

    Dobrzynski shtoi gjithashtu se shënimet e djalit tregonin se ai kishte planifikuar një sulm ndaj një shkolle në rajonin juglindor të Podkarpackie. Sakaq, nëse djali shpallet fajtor, ai përballet me deri në 18 vjet burg, tha Dobrzynski.

    Kujtojmë që, në dhjetor, Polonia arrestoi një student 19-vjeçar të dyshuar për përpjekje për të vendosur kontakte me Shtetin Islamik dhe u akuzua për përgatitjen e një sulmi në një treg Krishtlindjesh që mund të kishte shkaktuar viktima masive.

    Pasi u shfaq në Irak dhe Siri, Shteti Islamik krijoi shpejt një “kalifat” dhe në kulmin e fuqisë së tij nga viti 2014 deri në vitin 2017, ai mbajti nën kontroll pjesë të të dy vendeve, duke sunduar mbi miliona njerëz.