ATV

Category: Lajme

  • LDK paralajmëron: Nuk do të votojmë pa marrëveshje politike

    LDK paralajmëron: Nuk do të votojmë pa marrëveshje politike

    Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se i takon partisë fituese të sigurojë votat për formimin e institucioneve dhe të mos vazhdojë me bllokada si vitin e kaluar.

    Ai paralajmëroi se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike mes partive.

    “Asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona me emra të përveçëm, krejt çka kemi thënë është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj para nisjes së seancës konstituive.

  • PDK-ja kërkon rezolutë për Gjykatën Speciale në seancën e parë të legjislaturës së re

    PDK-ja kërkon rezolutë për Gjykatën Speciale në seancën e parë të legjislaturës së re

    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se në seancën e radhës pas konstituimit do të kërkojnë miratimin e një rezolute për procesin në Hagë.

    “Ka momente kur politika hesht dhe historia flet. Ky ka qenë një nga ato momente. Dua t’ju njoftoj se në seancën e parë të Kuvendit, së bashku me marrëveshjet ndërkombëtare, ne do të kërkojmë miratimin e rezolutës së përgatitur nga ekspertë të pavarur për procesin në Hagë”, tha Çitaku.

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili prezantoi rezolutën, tha se synimi është që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të zhvillohet sipas standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe sipas Kushtetutës së Kosovës.

    “Rezoluta kërkon, së pari, nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ta kthejnë në binarë të standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për Liritë dhe Drejtat e Njeriut.

    Së dyti, rezoluta kërkon që Ombudspersoni ose Avokati i Popullit pranë Dhomave të Specializuara të luajë rolin e vet në adresimin e shkeljeve gjatë procesit, duke e mbajtur këtë proces të drejtë dhe transparent.

    Po ashtu, rezoluta kërkon nga vendet financuese të Gjykatës Speciale që të sigurohen se financimi u përdor si duhet dhe se procesi gjyqësor respekton standardet evropiane për drejtësi dhe pavarësi”, shtoi Gruda.

    Ai përmendi edhe pjesë të tjera të rezolutës:

    • Rezoluta inkurajon të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë ato të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, të monitorojnë aktivisht procesin gjyqësor në Hagë.

    • Konfirmon zotimin dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të mbështetur me të gjitha mekanizmat, përfshirë financimin e duhur, luftën e drejtë e çlirimtare të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

  • Kusari-Lila e konfirmon: Albulena Haxhiu e propozuara për Kryetare të Kuvendit

    Kusari-Lila e konfirmon: Albulena Haxhiu e propozuara për Kryetare të Kuvendit

    Sot, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancën konstituive, e cila do të nisë nga ora 17:00.

    Para seancës, Mimoza Kusari nga Lëvizja Vetëvendosje, njoftoi se Albulena Haxhiu do propozohet për kryeparlamentare.

    Kusari gjithashtu tha se vetë ajo do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, siç ishte propozuar edhe më parë.

  • Cakolli: Mbrojtja po sfidon shtyllat kryesore të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Cakolli: Mbrojtja po sfidon shtyllat kryesore të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar deklaratat përfundimtare të avokatëve të Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai ka theksuar se ajo që po ndodh në sallën e gjykatës nuk është thjesht një përballje mes mbrojtjes dhe Prokurorisë, por një test publik i një narrative që për një kohë të gjatë është tentuar të prezantohet si çështje e mbyllur.

    Sipas Cakollit, ekipet mbrojtëse po i sfidojnë një nga një shtyllat mbi të cilat bazohet aktakuza kundër ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë këtij procesi po dalin në pah absurditete dhe kundërthënie serioze të aktakuzës, të cilat nuk janë thjesht detaje teknike. Ai thekson se aktakuza duket më shumë si një konstruksion i mbajtur nga përsëritja sesa nga pesha e provave.

    Cakolli gjithashtu thekson rëndësinë e ndikimit që këto argumente kanë jashtë sallës së gjykatës. Sipas tij, rrëfimet dhe narrativa që janë përhapur për krerët e UÇK-së po sfidohen gjithashtu: herë duke u paraqitur lufta dhe kontributi i tyre në një mënyrë të deformuar si aktivitet kriminal, dhe herë duke u paraqitur ata si figura pa peshë reale.

    Në këtë kontekst, deklaratat përfundimtare të mbrojtjes po ndihmojnë në rishikimin publik të historisë së paraqitur nga aktakuza dhe po nxjerrin në pah mungesën e konsistencës në argumentet e prokurorisë.

  • Prosper kthehet në sallë kah Thaçi: Ju besoni se ky si 29 vjeçar iu hodhi hi syve Rubinit e Clarkut, sigurisht që jo

    Prosper kthehet në sallë kah Thaçi: Ju besoni se ky si 29 vjeçar iu hodhi hi syve Rubinit e Clarkut, sigurisht që jo

    Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Richard Pierre Prosper, në fjalën e tij në kuadër të deklarimeve përmbyllëse ka shpartalluar përpjekjen e Prokurorisë së Hagës për të zhvleftësuar dëshmitë e dëshmitarëve ndërkombëtarë si James Rubin e Wesley Clark.

    Prosper është marrë me deklaratën e prokurorit Halling i cili dje gjatë fjalës përmbyllëse të Prokurorisë ka thënë se Rubin e Clark s’kanë pasur informacionet e sakta për situatën në Kosovë, meqë Thaçi ua ka maskuar realitetin.

    Avokati Prosper është kthyer për një moment kah Thaçi duke thënë se s’është e mundur që një 29 vjeçar, student e dikur emigrant në Zvicër, të mashtrojë zyrtarë të lartë si Rubin e Clark.

    “Ju besoni se ky si 29 vjeçar iu hodhi hi syve Rubinit e Clarkut, sigurisht që jo”, thotë Prosper.

  • Çfarë ha Jennifer Aniston brenda një dite për të ruajtur trupin e saj në formë, teksa feston 57-vjetorin

    Çfarë ha Jennifer Aniston brenda një dite për të ruajtur trupin e saj në formë, teksa feston 57-vjetorin

    Jennifer Aniston njihet për trupin e saj të tonifikuar dhe, ndërsa feston 57-vjetorin, ajo vazhdon të ketë një nga format më të admirueshme në Hollywood.

    Aktorja ka treguar më herët se është e përkushtuar ndaj një stili jetese të shëndetshëm dhe holistik, duke ndjekur një dietë të pasur me proteina, me pak karbohidrate dhe me pak sheqer. Ajo është shumë e kujdesshme për çdo gjë që konsumon, si edhe për pushimin dhe gjumin e mjaftueshëm.

    Jennifer praktikon agjërimin me ndërprerje, duke qëndruar 16 orë pa ngrënë dhe duke konsumuar ushqimin brenda një periudhe tetë-orëshe, zakonisht nga ora 10:00 deri në 18:00. Çdo mëngjes e nis me një filxhan ujë të ngrohtë me limon, i ndjekur nga kafe me qumësht me pak yndyrë.

    Për mëngjes, ajo zgjedh mes tërshërës me të bardha veze, një shake me proteina ose vezë të përgatitura në mënyra të ndryshme. Ajo ka treguar se shton të bardhë veze në tërshërë pak para se të mbarojë gatimi, për t’i dhënë më shumë proteina dhe një teksturë më të butë.

    Sa i përket shake-ut me proteina, Jennifer ka zbuluar se përfshin banane, qershi, manaferra, pluhur zarzavatesh, kolagjen, pak kakao, stevia me shije çokollate dhe qumësht bajameje me çokollatë.

    Dreka e saj e preferuar është ton i freskët (ahi tuna) me sallatë kastraveci dhe thjerrëza, ndërsa përdor aminoacide Bragg’s në vend të salcës së sojës. Për mesvakte, zgjedh vezë të ziera, shkopinj djathi ose një filxhan supë.

    Në darkë, zakonisht konsumon pulë të pjekur me kungulleshka të prera në formë spirale dhe salcë pesto. Megjithatë, ajo pranon se çdo dy javë i lejon vetes një pjatë me makarona karbonara.

    Aktorja ka theksuar se herë pas here i jep vetes një “ditë shpërblimi”, pasi në të kaluarën kishte qenë tepër strikte me regjimin ushqimor.

  • Prosper akuzon prokurorinë në Hagë për arrogancë dhe mungesë respekti ndaj dëshmitarëve ndërkombëtarë

    Prosper akuzon prokurorinë në Hagë për arrogancë dhe mungesë respekti ndaj dëshmitarëve ndërkombëtarë

    Avokati amerikan i Hashim Thaçit, Pierre Prosper, ka reaguar ndaj Prokurorisë në Hagë pasi kjo e fundit ka deklaruar se dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes nuk kishin informacione të mjaftueshme.

    Prosper e cilësoi qasjen e Prokurorisë si arrogante, injorante dhe pa respekt ndaj profesionistëve që kanë dëshmuar.

    “Dje komunikova me një diplomat të lartë, ambasador, i dërguar i posaçëm, dhe i lexova disa nga citimet e së hënës nga ZPS-ja. Veçanërisht për faktin se gjyqtarët kanë dëgjuar dëshmi nga shtatë ndërkombëtarë. Ata u përpoqën me çiltërsi të sillnin paqe në Kosovë. Por përfshirja e tyre në këtë çështje dhe observimet e tyre të kufizuara, a janë apo nuk janë të vlefshme, kjo është temë më vete. Shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë u sollën këtu në situatë të vështirë, sepse thuhet se kishin pak njohuri për aktorët e përfshirë, nuk e flisnin gjuhën, kishin komunikuar vetëm disa herë me aktorët kryesorë, nuk kishin lexuar komunikata të UÇK-së dhe nuk e njihnin strukturën. Dhe prokurorja vazhdon të thotë se kishin informacione të kufizuara. Kolegu im më tha: e tmerrshme, kaq pak respektojnë profesionin tonë. Të nderuar zotërinj, duhet ta shohim ndryshe këtë çështje, sepse këto komente tregojnë arrogancë dhe mungesë respekti, që ka qenë e pranishme që nga fillimi. Të rrëzosh përvojën dhe dëshmitë e këtyre profesionistëve, të cilët kishin për detyrë të analizonin situatat dhe të vëzhgonin ngjarjet,” tha Prosper, raporton Nacionale.

    Sipas tij, kjo qasje është arsyeja pse qeveritë po humbin besimin në tribunalet ndërkombëtare.

    “Për mua është gjest dëshpërimi. Nuk është për t’u habitur që qeveritë dyshojnë në besueshmërinë e tribunaleve ndërkombëtare, sepse kur vetë profesionistët dalin dhe tregojnë çfarë ka ndodhur, ndërsa deklaratat e tyre hidhen poshtë, kjo është problematike. Këto tribunale janë instrument i rendit ndërkombëtar. Personat që kanë qenë para jush janë pjesë e këtij sistemi. Nëse duhet të ketë tribunale dhe drejtësi, nuk mund të thuhet: ‘Ju ishit atje, por nuk e dini, sepse ne do ta interpretojmë ndryshe. Mos iu besoni syve dhe veshëve tuaj, ne dimë më shumë se ju’. Është e rëndësishme të kujtojmë rolin e dëshmitarëve. Mund të mos ju pëlqejnë, mund të mos i respektoni, por duhet të respektoni rolin e tyre, profesionet dhe shtetet që përfaqësojnë – Amerikën, Britaninë, NATO-n,” u shpreh ai.

    Prosper përmendi me emra disa nga dëshmitarët, duke theksuar se ata kanë sjellë informacione të dorës së parë.

    “Gjenerali Clark, Rubin, Duncan, Williams erdhën me informacione të drejtpërdrejta. Prokuroria po i paraqet sikur kanë shkuar për turizëm në Kosovë. Informacioni që kanë këta persona iu përket institucioneve përkatëse. Kur dhanë këndvështrimet e tyre, ato ishin të matura dhe produkt i bashkëpunimit. Ata kishin informacione nga organizata ushtarake e civile, raporte të OJQ-ve, debate të brendshme dhe konstatime personale në terren.

    James Rubin ka punuar për senatorin Biden dhe si këshilltar i sekretares së shtetit. Ai ka qenë i pranishëm në çdo takim dhe ishte caktuar të vlerësonte kush ishte Hashim Thaçi. Ai bëri vëzhgimet e tij personale. Paul Williams, profesor i nderuar, ka ndihmuar shtete të dobëta të arrijnë paqe, madje pa pagesë. Ka qenë në sallë dhe ka dëgjuar me veshët e tij. Erdhi këtu vullnetarisht, si edhe të tjerët. Duncan, Durkee, diplomat karriere me përvojë të gjatë – edhe fjalët e tyre u hodhën poshtë.

    Ambasadori Hill, gjashtë herë ambasador, ishte i dërguar për Kosovën me detyrën për të kuptuar rolin e secilit dhe çfarë po ndodhte. Prokuroria kërkon të besojmë se ai kishte informacion të kufizuar dhe u detyrua të vinte këtu. A është e besueshme kjo? A duhet të besojmë se Amerika, Britania, Franca, Italia, Gjermania apo Rusia nuk dinin kush ishte kush dhe çfarë bënte secili?

    Po gjenerali Clark, gjeneral me katër yje, pjesëmarrës në Dejton dhe komandant suprem i forcave aleate në Evropë. Ai erdhi dhe dha pikëpamjet e tij bazuar në informacione nga takime profesionale dhe burime të tjera. Ai ka thënë se lexonte çdo gjë. Nuk kishin shkuar për safari në Kosovë. Prokuroria dëshiron të besojmë se ata ishin thjesht kalimtarë që bënë disa konstatime sipërfaqësore. Kjo është përpjekje për të minimizuar rolin e tyre dhe tregon mungesë respekti e injorancë ndaj këtij procesi. Këta diplomatë dhe ekspertë po flasin për punën e jetës së tyre. Ata erdhën vullnetarisht për të treguar çfarë dinë dhe çfarë kanë parë,” deklaroi Prosper.

  • Polonia dhe Italia qëndrojnë jashtë bordit të paqes të propozuar nga trump

    Polonia dhe Italia qëndrojnë jashtë bordit të paqes të propozuar nga trump

    Polonia dhe Italia kanë bërë të ditur të mërkurën se nuk do t’i bashkohen Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, duke iu shtuar listës së aleatëve të Shteteve të Bashkuara që po mbajnë një qëndrim të rezervuar ndaj këtij mekanizmi, raportojnë mediat ndërkombëtare.

    Fillimisht i konceptuar për të mbështetur një armëpushim në Gazë, Trump e sheh Bordin e Paqes me një rol më të zgjeruar në zgjidhjen e konflikteve globale. Ky vizion ka ngritur dyshime në disa vende, të cilat druajnë se ky mekanizëm mund të shndërrohet në një rival të Kombeve të Bashkuara. Ftesa për pjesëmarrjen e Rusisë dhe Bjellorusisë ka shtuar gjithashtu pasigurinë mes shteteve perëndimore.

    “Konsideruar disa dyshime kombëtare lidhur me formën e bordit, në këto rrethana Polonia nuk do t’i bashkohet punës së Bordit të Paqes, por do ta analizojmë atë,” deklaroi kryeministri polak Donald Tusk gjatë një mbledhjeje qeveritare.

    Ai theksoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten prioritet për Varshavën. “Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten prioriteti ynë, kështu që nëse rrethanat ndryshojnë dhe mundësojnë bashkimin në punën e Bordit, nuk përjashtojmë asnjë skenar,” shtoi Tusk.

    Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani konfirmoi se edhe Italia nuk do të bëhet pjesë e Bordit të Paqes. “Nuk mund t’i bashkohemi Bordit të Paqes sepse ekziston një pengesë kushtetuese e pakapërcyeshme nga ana e Italisë,” tha ai për Sky TG24.

    Megjithatë, Tajani u shpreh se Roma mbetet e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për rindërtim dhe sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme.

    Sipas Kushtetutës italiane, vendi mund t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare vetëm në kushte të barabarta me shtetet e tjera. Sipas autoriteteve italiane, ky kusht nuk plotësohet nga statuti aktual i Bordit, i cili i jep Trumpit kompetenca të gjera ekzekutive. Kryeministrja Giorgia Meloni, e konsideruar e afërt me Trumpin, kishte deklaruar muajin e kaluar se i kishte kërkuar atij ndryshimin e kushteve të Bordit për t’i mundësuar Italisë anëtarësimin.

    Mediat ndërkombëtare raportojnë se në fund të muajit shkurt, Trump pritet të mbajë në SHBA mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, ku do të marrë pjesë edhe Kosova.

  • ATK ofron lehtësime për tatimpaguesit me borxhe, zbritje deri në 70% të gjobave

    ATK ofron lehtësime për tatimpaguesit me borxhe, zbritje deri në 70% të gjobave

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar tatimpaguesit që kanë obligime të papaguara se mund të aplikojnë për pagesë me këste dhe të përfitojnë zbritje të konsiderueshme të gjobave.

    Sipas njoftimit të ATK-së, tatimpaguesit që zgjedhin ta paguajnë borxhin me një pagesë të vetme mund të përfitojnë 70% zbritje të gjobave. Ndërsa ata që lidhin marrëveshje për pagesë me këste mund të përfitojnë 50% zbritje të gjobave, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftim theksohet se mosveprimi mund të rezultojë me transferimin e rastit në procedura të sforcuara të mbledhjes së borxhit, përfshirë edhe masa ligjore. Po ashtu bëhet e ditur se në këtë fazë, për lidhjen e një marrëveshjeje kërkohet një pagesë minimale prej 40% e borxhit tatimor.

    ATK u ka bërë thirrje qytetarëve që të veprojnë me kohë, në mënyrë që të shmangin pasoja të mëtejshme dhe të përfitojnë nga lehtësimet e ofruara.

  • Naim Murseli pranon se ka gënjyer kur ka thënë se “Liridona e ka tradhtuar: S’kam qenë i sinqertë

    Naim Murseli pranon se ka gënjyer kur ka thënë se “Liridona e ka tradhtuar: S’kam qenë i sinqertë

    Seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt po vazhdon të sjellë zhvillime të reja, ndërsa i akuzuari Naim Murseli është duke u intervistuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Gjatë intervistimit, Murseli ka pranuar për herë të parë se nuk ka qenë i sinqertë në deklarimet e tij të para lidhur me raportin me bashkëshorten.

    Sipas tij, deklarimet e mëhershme, ku kishte përmendur çështjen e tradhtisë nga Liridona, nuk kanë qenë të vërteta dhe janë bërë nën presion.

    “Për shkak të presionit të policisë nuk kam qenë i sinqertë gjatë deklaratës. Kam improvizuar në pjesën ku kam thënë se Liridona më ka tradhtuar,” ka deklaruar Murseli.