ATV

Category: Lajme

  • LVV i çon letër Osmanit, e propozon Kurtin mandatar për formimin e qeverisë

    LVV i çon letër Osmanit, e propozon Kurtin mandatar për formimin e qeverisë

    Deputetja Arbërie Nagavci, njofton se në cilësinë si Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, i ka dorëzuar presidentes Vjosa Osmani, propozimin për caktimin e Albin Kurti si Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Krahas letrës së publikuar, Nagavci ka shkruar:

    Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të qeverisë së re.

    Screenshot
  • Tahiri: Kosova humbi një vit, pakoja me nënkryetarët kamuflim i LVV-së që e quajti Simiqin terrorist dhe sot e votoi

    Tahiri: Kosova humbi një vit, pakoja me nënkryetarët kamuflim i LVV-së që e quajti Simiqin terrorist dhe sot e votoi

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se “Kosova humbi një vit, Kosova humbi për në vit të gjitha benificionet që do të mund t’i kishte”, pas konstituimit të Kuvendit.

    Ai fillimisht tha se ka një pyetje për qytetarët.

    “Pyetja që sot ua shtroj secilit qytetar të Kosovës është pse nuk është konstituuar Kuvendi para një viti?”.

    Tahiri tha se AAK-ja “edhe atëherë edhe tash ka qenë pro konstituimit të Kuvendit” dhe “ka dhënë alternativa dhe propozime për të mos ardhur deri në këtë ditë, deri në këtë situatë kur Kosova humbi dhe kur qytetarët e Kosovës i morën rezultatet dhe u dëmtuan skajshmërisht”.

    Votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit, përfshirë atë nga Lista Serbe, ai tha se “padyshim që e zgjodhi një problem”.

    Duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje, Tahiri tha se ajo synoi votimin në pako për ta “kamufluar” votimin e Sllavko Simiqit.

    “Mirëpo po ashtu u pa se kjo pako ishte një lloj synimi i kamuflimit të votimit për nënkrytarët. Në një kohë, Sllavko Simiqi, respektivisht deputeti i Listës Serbe, nuk është pranuar. Ai u quajt terrorist kur ishte vetëm, ndërsa kur hyri në pako u votua”.

    Sonte pritet të ketë një seancë e Kuvendit ku do të zgjidhet qeveria e re. Tahiri tha se AAK-ja do të marrë pjesë dhe do të votojë kundër.

  • Osmani uron Haxhiun dhe nënkryetarët e zgjedhur: Kuvendi është themeli i demokracisë sonë

    Osmani uron Haxhiun dhe nënkryetarët e zgjedhur: Kuvendi është themeli i demokracisë sonë

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Albulena Haxhiun pas zgjedhjes së saj si Kryetare e Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

    Ajo beson se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.

    “Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë. Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    Presidentja ka theksuar nevojën për bashkëpunim institucional dhe uron që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme.

    “Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.

    “Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë!
    Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!”, ka shkruar Osmani.

  • Këshilli Evropian ia zgjatë mandatin emisarit për dialogun Kosovë-Serbi deri në vitin 2028

    Këshilli Evropian ia zgjatë mandatin emisarit për dialogun Kosovë-Serbi deri në vitin 2028

    Këshilli Evropian sot ka miratuar një rezolutë për zgjatjen e mandatit të dy përfaqësuesve specialë.

    Emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, danezi Peter Sorensen, do të qëndrojë në këtë pozitë deri në vitin 2028.

    “Mandati i z. Peter Sørensen si EUSR për Dialogun Beograd-Prishtinë u zgjat për dy vjet, deri më 29 shkurt 2028. Z. Sørensen u emërua për herë të parë në janar 2025”, thuhet në njoftim.

  • Vota e VV’së për Simiqin, Miftaraj: Përfunduan duke vallëzuar me ta, vitin e kaluar e shpallnin tradhtarë secilin

    Vota e VV’së për Simiqin, Miftaraj: Përfunduan duke vallëzuar me ta, vitin e kaluar e shpallnin tradhtarë secilin

    Pak më parë është konstituar kuvendi, duke i zgjedhur kryetaren e re, Albulena Haxhiun, dhe pesë nënkryetarët, Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, dhe Slavko Simic dhe, Emilja Rexhepi, të cilët u votuan në pako.

    Lidhur me këtë, ka reaguar Ehat Miftaraj. Ky i fundit ka theksuar se VV’ja ‘’papritmas vendosi’’ që të jap përkrahje për Listën Serbe, përderisa, vitin e kaluar, ka shkruar Miftaraj, VV’ja dhe ‘’klientela e saj’’ e kanë shpallur tradhtar secilin që ka pas guxim me kerku zbatimin e Kushtetutës.

    Postimi:

    Levizja Vetvendosje papritmas vendosi me perkrah Listen Serbe dhe Slavko Simiqin per nen-kryetar te Kuvendit te Republikes se Kosoves.

    Gjate vitit te kaluar LVV dhe klientela e saj e ka shpallur tradhtar secilin qe ka pas guxim me kerku zbatimin e Kushtetutes dhe vendimet e Gjykates Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit te Kosoves.

    Sot e njejta parti harroi krejte parimet e saj te bazuara ne genjeshtra, mashtrime publike ne emer te patriotizmit falls dhe me votat e saj votoi Listen Serbe dhe Slavko Simiqin nenkryetar te Kuvendit te Kosoves.

    LVV dhe Albin Kurti sot do duhej te na tregonin se LIsta Serbe a eshte terroriste?

    Albin Kurti dhe LVV e cenuan dialogun strategjik me ShBA duke sulmuar GJK per Listen Serbe dhe Slavko Simiqin, kurse sot e votuan njezeri per ta. P

    Me fjale tjera na humben nje vit me rrena ne emer te patriotizmit dhe ne fund perfunduan duke vallezuar me Listen Serbe dhe Slavko Simiqin.

    Urime konstituimi i Kuvendit te Kosoves. Te shpresojme te formohet qeveria sa me shpejte te jete e mundur.

  • Këta janë tre deputetët e PDK-së që s’votuan nënkryetarët

    Këta janë tre deputetët e PDK-së që s’votuan nënkryetarët

    Në Kuvendin e Kosovës janë votuar pesë nënkryetarët, Slavko Simiq, Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilija Rexhepi.

    Votimi i pesë nënkryetarëve në pako mori mbështetjen e 104 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Tre deputetë votuan kundër, ndërsa abstenuan gjashtë.

    Deputetët që votuan kundër ishin të PDK-së, Ganimete Musliu, Nait Hasani dhe Sala Jashari.

    Kuvendi i Kosovës, me 66 vota pro të deputetëve ka zgjedhur sot për Kryetare, Albulena Haxhiun. Për të 44 deputetë votuan kundër, ndërsa 8 abstenuan.

  • Haxhiu: Sonte do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë

    Haxhiu: Sonte do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë

    Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sonte do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë së Kosovës.

    Ajo ka kërkuar nga deputetët që të qëndrojnë në seancë.

    “Sonte do të mbahet edhe seanca për zgjedhjen e Qeverisë”, ka thënë ajo.

  • Votimi u krye në pako, zgjidhen pesë nënkryetarët e Kuvendit

    Votimi u krye në pako, zgjidhen pesë nënkryetarët e Kuvendit

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur me shumicë votash pesë nënkryetarët e Kuvendit, teksa votimi u bë në pako ashtu siç u dakorduan dje partitë.

    Pro ishin 104, tre kundër dhe gjashtë kanë abstenuar.

    VV ka propozuar për nënkryetar Ardian Golën, PDK ka propozuar Vlora Çitakun, LDK ka propozuar Kujtim Shalën. Nga komuniteti serb, për nënkryetar është propozuar Slavko Simiqin, ndërkohë nga komunitet jo shumicë, është propozuar Emilija Rexhepin.

    Në sallë ishin 115 deputetë.

    Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, votoi kundër.

  • Haxhiu: Me peshë Kushtetuese dhe vullnetin e qytetarëve, do ta nderoj detyrën si Kryetare e Kuvendit

    Haxhiu: Me peshë Kushtetuese dhe vullnetin e qytetarëve, do ta nderoj detyrën si Kryetare e Kuvendit

    Pas zgjedhjes së saj si Kryetare e Kuvendit t ë Kosovës me 66 vota pro, Albulena Haxhiu ka mbajtur një fjalim ku falënderoi deputetët dhe shprehu angazhimin e saj për të udhëhequr Kuvendin me përkushtim dhe transparencë.

    “Lejoni që së pari të ju falënderoj për besimin e dhënë për udhëheqjen e legjislaturës së 7-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshen kushtetuese që ajo bart, dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu. Këtë besim do ta nderojmë me punë të përditshme, me transparencë dhe po ashtu me përkushtim të plotë. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë të shërbesh Republikës, rendit demokratik dhe ebsimit publik. Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve tanë, atyre që janë me ne, dhe atyre që mendojnë ndryshe, sepse shteti u shërben të gjithëve” tha Haxhiu.

    Ajo theksoi se detyra e saj do të jetë të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, duke vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira parlamentare.

    “Do të sigurohem që secili prej jush të gjejë hapësirë këtu me dinjitet dhe respekt, sepse një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme” tha Haxhiu.

  • Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës

    Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës

    Është bërë betimi i deputetëve të legjislaturës së 10-të të Parlamentit të Kosovës.

    “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit.

    Me 118 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, u pranua edhe verifikimi i mandateve.