ATV

Category: KURIOZITETE

  • Nga frika e robotëve, te varësia nga syzet inteligjente

    Nga frika e robotëve, te varësia nga syzet inteligjente

    Dikur kishim frikë që robotët do na zëvendësonin në punë. Sot… po na zëvendësojnë edhe telefonat!

    Gjiganti Meta ka shpallë që e ardhmja janë syzet me inteligjencë artificiale.

    E imagjinoni?

    Nuk ke më nevojë me nxjerrë telefon nga xhepi, as me i bë ekranit pis me gishta të yndyrshëm. Me këto syze bën thirrje, dërgon mesazhe, kërkon online, përkthen në kohë reale… Praktikisht, një sekretar personal direkt në sytë e tu. Vetëm kafe s’të qetë.

    Po problemi është që AI nuk po ndalet te syzet. Ajo tashmë po i shkruan raportet e ministrave (ndoshta edhe ma saktë se vetë ata), po lexon lajmet në vend të prezantuesve, po shkruan libra, poezi, madje edhe këngë që pastaj ne i dëgjojmë e i bëjmë ‘hit’.

    Pra, dalëngadalë, çdo rol që ka pasë njeriu po e merr një algoritëm. Nesër kur thua ‘hajde pi kafe’, nuk është çudi që shoku yt të jetë vetëm një avatar i krijuar nga syzet. Dashnori yt? Mos u mërzit AI boyfriend-i ka bateri që s’shteret kurrë, nuk të tradhton, dhe është gjithmonë online.

    Këtu është ironia: teknologjia po na premton jetë më të thjeshtë, më të bukur, më ‘smart’… por në fund, s’na mbetet tjetër veçse me pyet AI-në

    Hej, pse jetojmë?’

    Edhe përgjigjja ndoshta do të jetë

    Për me i bërë update syzeve çdo 6 muaj!

  • Pula apo veza? Më në fund e kemi përgjigjen…

    Pula apo veza? Më në fund e kemi përgjigjen…

    Për shekuj me radhë, njerëzit kanë debatuar: Kush është më e vjetër pula apo veza?

    Më në fund, shkenca ka dhënë një përgjigje befasuese.

    Studiuesit kanë zbuluar se guaska e vezës mbështetet në një proteinë të veçantë të quajtur ovocleidin-17 (OC-17), e cila prodhohet vetëm nga pulat. Kjo proteinë përshpejton kristalizimin e karbonatit të kalciumit, duke mundësuar formimin e shpejtë të guaskës me forcën e nevojshme për të mbrojtur zogun brenda.

    Pa OC-17, vezët në formën e tyre të tanishme nuk do të mund të ekzistonin, duke e bërë pulën thelbësore për krijimin e tyre. Ky zbulim e zhvendos debatin filozofik shekullor në fushën e biologjisë, duke treguar se të paktën në terma evolucionarë, pula ka ardhur e para. Zbulimi nxjerr në pah jo vetëm kompleksitetin e natyrës, por edhe mekanizmat e fshehur molekularë që mbajnë gjallë jetën edhe te krijesat më të zakonshme.

  • Pse i lëndojmë njerëzit që i duam?

    Pse i lëndojmë njerëzit që i duam?

    Në marrëdhëniet njerëzore ekziston një paradoks i çuditshëm: shpesh i lëndojmë pikërisht ata që i duam më shumë. Tensionet, pritshmëritë e larta dhe ndjenjat e forta krijojnë një terren ku fjalët apo veprimet tona mund të shndërrohen në plagë.

    Pse ndodh kjo?

    Në një prononcim për portalin e ATV-së, psikologia klinike Lirije Haziraj tha se shpesh i lëndojmë ata që i duam jo sepse nuk i duam, por sepse pranë tyre jemi të lirë të shfaqim anët tona më të brishta.

    “…Afërsia sjell siguri, por edhe rrezikun që plagët tona të brendshme të shfaqen aty ku kemi më shumë besim…”, u shpreh Haziraj për ATV-në.

    Sipas “Psychology Today”, ekziston një term “iluzioni i fokusit” shpikur nga   Daniel Kahneman, që pohon se njerëzit kanë tendencë të përqendrohen në një aspekt të jetës së tyre, duke injoruar aspektet e tjera. Fokusi mendor amplifikon dhe zmadhon; çdo gjë në të cilën përqendrohemi bëhet më e rëndësishme se ajo në të cilën nuk përqendrohemi. Iluzioni i fokusit i bën partnerët të gjykojnë sjelljen e njëri-tjetrit vetëm nga mënyra se si i bën të ndihen.

    Ndërsa, për sa i takon çështjes se në cilat raporte haset më shumë kjo dukuri, Haziraj përmendi të gjitha marrëdhëniet, por duke e vënë theksin më tepër te raportet familjare.

    “…Kjo dukuri mund të shfaqet në çdo raport – në çift, në familje, në shoqëri e madje edhe në marrëdhëniet profesionale. Por më e shprehur është në raportet familjare, sepse aty përfshihemi më shumë emocionalisht, kemi pritshmëri dhe varësi emocionale…”, theksoi ajo.

    Si zgjidhet kjo?

    Zgjidhja e çështjes kur lëndojmë më shumë ata që i duam qëndron në vetëdijesimin emocional, komunikimin e hapur dhe ndërtimin e mekanizmave të shëndetshëm për të shprehur ndjenjat pa shkaktuar dëm.

    Sipas “American Psychological Association” (APA), njerëzit e zemëruar kanë tendencë të kërkojnë gjëra: drejtësi, vlerësim, marrëveshje, gatishmëri për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së tyre, dhe kur kërkesat e tyre nuk plotësohen, zhgënjimi bëhet i madh.

    Një prej strategjive praktike për ta pasur zemërimin nën kontroll është ta ndryshoni mënyrën se si mendoni: “Në vend që t’i thuash vetes: ‘oh, është e tmerrshme, është e tmerrshme, gjithçka është shkatërruar’, thuaj vetes: ‘Është frustruese dhe është e kuptueshme që jam i mërzitur për këtë, por zemërimi nuk e rregullon këtë gjë’”…

    Sipas APA, si pjesë e ristrukturimit të tyre njohës, njerëzit e zemëruar duhet të bëhen të vetëdijshëm për natyrën e tyre kërkuese dhe t’i përkthejnë pritjet e tyre në dëshira. Me fjalë të tjera, të thuash “Do të doja” diçka është më e shëndetshme sesa të thuash “Kërkoj” ose “Duhet të kem” diçka.

    Në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështje, e pyetëm edhe psikologen Haziraj dhe ajo theksoi me bollëk rastet kur njerëzit shkojnë në terapi, pasi e kuptojnë se pavarësisht dashurisë së thellë kanë sjellje që i lëndojnë ata që i duan: “Në punën terapeutike, ne përqendrohemi në gjetjen e burimit dhe për vetëdijesimin e sjelljeve dhe të reagimit, pra mundohemi ta gjejmë se a është plagë emocionale si pasojë e një stresi të akumuluar, modele të mësuara që e kanë burimin te familja, etj, më pas mësohet edhe krijimi i mënyrave për të reaguar më butë e më arsyeshëm ndaj zhgënjimeve dhe nevojave”, tha ajo.

    Vlen ta potencojmë se sipas këndvështrimit të Steven Stosny i cili trajton njerëzit për zemërimin dhe problemet në marrëdhënie, ne jemi hipersensitivë ndaj reagimeve të partnerit, por jo ndaj asaj që po reagon ai. Kjo na bën të ndihemi si viktima të pafuqishme, gjë që justifikon përshkallëzimin e zemërimit.

  • Një Tokë e dytë? Zbulohet planet me atmosferë të ngjashme

    Një Tokë e dytë? Zbulohet planet me atmosferë të ngjashme

    Astronomët janë një hap më pranë konfirmimit të pranisë së një atmosfere të ngjashme me Tokën në një ekzoplanet, falë të dhënave të reja nga Teleskopi Hapësinor James Webb.

    Zhvillimi i fundit lidhet me sistemin planetar TRAPPIST-1, i zbuluar në vitin 2016 nga një ekip astronomësh belgë. Ky sistem ndodhet rreth 40 vite dritë larg Tokës dhe përbëhet nga shtatë planetë shkëmborë, disa prej të cilëve ndodhen në zonën e banueshme – aty ku ekziston mundësia për ujë të lëngshëm.

    Në fokus të kërkimeve është TRAPPIST-1e, planeti i katërt në këtë sistem, që ndodhet në distancën e duhur nga ylli i tij për të pasur potencial për jetë. Katër vëzhgime të kryera gjatë vitit 2023 nuk përjashtuan praninë e një atmosfere, duke e bërë këtë planet një kandidat serioz për banueshmëri.

    Ndryshe nga planeti TRAPPIST-1b, i cili ka humbur atmosferën e tij, TRAPPIST-1e shfaq karakteristika më të ngjashme me Tokën. Sipas të dhënave, është përjashtuar mundësia e një atmosfere të pasur me hidrogjen apo dioksid karboni, si ato të Marsit dhe Venusit. Gjetjet sugjerojnë më shumë për një atmosferë të bazuar në azot, e ngjashme me atë të Tokës – një tregues kyç në kërkimin për jetë jashtëtokësore.

    “Jemi më afër se kurrë më parë për të identifikuar atmosferën e një planeti shkëmbor jashtë sistemit tonë diellor,” u shpreh Néstor Espinoza nga Instituti i Teleskopit Hapësinor në Baltimore. Ai shton se 15 vëzhgime të tjera janë në zhvillim e sipër, dhe rezultatet përfundimtare priten brenda këtij viti.

    Nëse konfirmohet prania e një atmosfere, madje me gjurmë të gazeve si metani, do të ishte një provë e fortë që planetët përreth yjeve xhuxh të kuq – më të zakonshmit në univers mund të jenë të banueshëm.

    Ky përparim i fundit shënon një hap të rëndësishëm drejt revolucionit shkencor në kërkimin për jetë në kozmos.

  • Gjeli, alarmi i natyrës

    Gjeli, alarmi i natyrës

    Ka mijëra vjet që njerëzit e lidhin këngën e gjelit me lindjen e diellit. Thuhet se kur gjeli këndon, dita fillon. Por a e dini se gjeli nuk pret domosdoshmërisht rrezet e para të diellit për të kënduar?

    Studiuesit kanë zbuluar se gjeli është një nga krijesat më të rregullta që ekzistojnë në natyrë. Edhe nëse mbahet në një vend krejtësisht të errët, pa asnjë rreze drite, ai përsëri këndon pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë. Ky fenomen ka habitur shkencëtarët, të cilët e kanë quajtur gjelin një “alarm biologjik” të përsosur.

    Sekreti qëndron tek një mekanizëm i brendshëm që quhet ritëm cirkadian. Është një orë biologjike që i udhëheq gjelat, njësoj siç e kemi edhe ne njerëzit. Ky ritëm ndjek ciklin natyral të ditës dhe natës, dhe i lejon gjelit të parashikojë se kur do të lindë dielli. Kështu, ai këndon përpara agimit, duke paralajmëruar se dita po nis.

    Por kënga e gjelit nuk është vetëm një shenjë e kohës. Ajo ka një kuptim të thellë biologjik e shoqëror. Gjeli këndon për të shpallur territorin e tij, për të treguar forcën, dhe për të paralajmëruar gjelat e tjerë që të qëndrojnë larg. Në të njëjtën kohë, është edhe një mënyrë komunikimi me tufën, një shenjë se siguria dhe rendi janë nën kontroll.

    E veçanta është se kjo sjellje nuk ka ndryshuar prej mijëra vitesh. Që nga kohët e lashta, njerëzit janë zgjuar me këngën e gjelit dhe e kanë parë atë si një simbol të një fillimi të ri. Në shumë kultura, gjeli përfaqëson shpresën, ringjalljen dhe ciklin e përhershëm të jetës.

    Në ditët tona moderne, kur çdo njeri mbështetet tek ora e telefonit apo tek alarmet dixhitale, gjeli vazhdon të mbetet një dëshmi e gjallë e orës natyrore që funksionon me përpikëri. Dhe ajo çka e bën më të veçantë, është fakti që ky instinkt nuk varet nga teknologjia apo mjedisi, por është i ngulitur thellë në gjenet e tij.

    Prandaj, herën tjetër kur të dëgjoni gjelin duke kënduar përpara agimit, kujtoni këtë kuriozitet. Ai nuk po reagon vetëm ndaj dritës, por po ndjek një orë të brendshme që ka rrahur me të njëjtin ritëm prej miliona vitesh. Një alarm i natyrës, i cili na kujton se jeta në Tokë ka ritmet e veta të padukshme – dhe se ndonjëherë, natyra është shumë më e saktë sesa teknologjia.

  • Delfini rozë rikthehet në Luiziana, mahnit vendasit dhe turistët

    Delfini rozë rikthehet në Luiziana, mahnit vendasit dhe turistët

    Një delfin me pamje magjike është parë sërish në ujërat e Luizianës. Ky delfin i rrallë rozë i llojit bottlenose u pikas për herë të parë më shumë se 10 vjet më parë dhe rikthimi i tij ka befasuar si vendasit, ashtu edhe turistët.

    Shkencëtarët shpjegojnë se ngjyra e pazakontë rozë vjen si pasojë e albinizmit, një gjendje që e ndryshon pigmentimin normal të lëkurës gri. Megjithatë, kjo gjendje mund të sjellë edhe vështirësi, si ndjeshmëri më të madhe ndaj diellit, probleme me sytë dhe lëkurën, si dhe rrezik më të lartë nga grabitqarët.

    Pavarësisht këtyre sfidave, delfini duket i shëndetshëm dhe plot energji, duke notuar e kërcyer me gëzim. Për shkencëtarët, ai mbetet një zbulim i rrallë, ndërsa për vizitorët është një përrallë e gjallë që kujton mrekullitë e fshehta të oqeanit.

  • ​Studim i ri jep përgjigjen për pyetjen: Kush jeton më gjatë, njerëzit e gjatë apo ata të shkurtër?

    ​Studim i ri jep përgjigjen për pyetjen: Kush jeton më gjatë, njerëzit e gjatë apo ata të shkurtër?

    Lajm i mirë për një grup të caktuar njerëzish

    Dy studiues të njohur, L.F. Martel dhe H. Biler, që në vitin 2002 publikuan rezultatet e një studimi sipas të cilit gjatësia ideale për burrat perëndimorë ishte 188 cm.

    Ata shtuan gjithashtu se kjo vazhdimisht po rritet.

    Ndërkohë, shkencëtarë të tjerë kanë vazhduar punën mbi këtë temë, duke theksuar se me përparimin e inxhinierisë gjenetike, prindërit do të jenë në gjendje të kontrollojnë gjatësinë e fëmijëve të tyre, dhe se kjo gjatësie ka gjasa të rritet me çdo brez të ri.

    Mjekësia dhe shoqëria në përgjithësi e shohin pozitivisht faktin që gjeneratat e reja janë gjithnjë e më të gjata, por shpesh anashkalohen të dhënat e shumta që tregojnë se gjatësia më e shkurtër është më e shëndetshme.

    Në 20 vitet e fundit, iluzioni “më e madhe është më e mirë” është promovuar nga studime që kanë zbuluar se njerëzit e gjatë, burrat mbi 183 cm dhe gratë mbi 165 cm, kanë norma më të ulëta të vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës dhe të gjitha shkaqet, krahasuar me njerëzit më të shkurtër (burrat nën 170 cm dhe gratë nën 150 cm).

    Megjithatë, një grup studiuesish analizoi më hollësisht këto studime dhe gjeti se pothuajse të gjitha këta artikuj kishin injoruar të dhëna të shumta që tregonin se gjatësia e shkurtër, në vetvete, nuk ndikon negativisht në shëndet.

    Për shembull, Studimi i Parë Kombëtar për Shëndetin dhe Ushqyerjen (NHANES I) nuk gjeti lidhje midis gjatësisë dhe sëmundjeve të zemrës kur u morën parasysh mosha dhe vitet e shkollimit për 13.031 burra dhe gra, të ndjekur për 13 vjet, transmeton Telegrafi.

    Studiuesit raportuan se studimet e mëparshme mbi gjatësinë dhe shëndetin kishin dobësi dhe pasaktësi që komprometuan gjetjet e tyre. Kështu, Okasha dhe bashkëpunëtorët nuk gjetën asnjë lidhje midis gjatësisë dhe vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet në një studim të kryer mbi 10.700 studentë të Universitetit të Glasgout, Skoci, të ndjekur për 40 vjet.

    Gjatësia mesatare para shekullit XX ishte rreth 10 cm më e ulët se sot. Megjithatë, sëmundja koronare e zemrës (SKZ) para vitit 1900 ishte e rrallë. Edhe pse vetëm rreth 50 për qind e popullsisë arrinte të jetonte deri në 50 vjeç, ata që mbijetonin deri në këtë moshë mund të prisnin të jetonin edhe 15–20 vjet të tjera. Pra, SKZ ishte e rrallë edhe pse kishte shumë të moshuar në fillim të viteve 1900 dhe më herët.

    Që nga vitet 1960, vende si India dhe Singapori kanë regjistruar një rritje të madhe të incidencës së SKZ (përfshirë të rriturit e rinj) paralelisht me ndryshimet në ushqyerje dhe me rritjen e gjatësisë.

    Gratë janë mesatarisht rreth 13 cm më të shkurtra se burrat dhe kanë norma dukshëm më të ulëta të SKZ. Edhe pse shpesh supozohet se hormonet e shpjegojnë këtë përparësi, ato mund të luajnë vetëm një rol të pjesshëm. Për shembull, bazuar në të dhënat për 1.700 persona të ndjerë në Ohajo, Miler gjeti se burrat dhe gratë me të njëjtën gjatësi kishin afërsisht të njëjtën jetëgjatësi.

    Në gjysmën e dytë të shekullit XX, ndër njerëzit që jetuan më gjatë ishin japonezët, kinezët nga Hong Kongu dhe grekët, të gjithë më të shkurtër dhe më të lehtë se evropianët veriorë dhe amerikanët e veriut. Për më tepër, të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së Kalifornisë tregojnë se aziatikët dhe hispanikët jetojnë të paktën katër vjet më gjatë se të bardhët më të gjatë.

    Wild dhe bashkëpunëtorët zbuluan se indianët lindorë, kinezët, japonezët dhe hispanikët në Kaliforni kishin norma më të ulëta vdekshmërie nga të gjitha shkaqet dhe nga sëmundjet koronare të zemrës.

    Një raport i një studimi 25-vjeçar mbi banorët e Okinavës tregon se ata kanë jetëgjatësinë më të madhe në botë, madje edhe më të lartë se ajo e japonezëve kontinentalë. Banorët e Okinavës mbeten të fortë dhe të shëndetshëm deri në moshë të thyer dhe ruajnë një nivel të lartë aktiviteti fizik deri në të 90-tat. Ata kanë normat më të ulëta të kancerit dhe sëmundjeve të zemrës në botë, si dhe tejkalojnë shumicën e vendeve në numrin e qindvjeçarëve, me 34 për 100.000, kundrejt 5–10 për 100.000 në vendet e industrializuara. U konstatua gjithashtu se frakturat e kockave janë dukshëm më të pakta se në Japoni kontinentale dhe në SHBA.

    Banorët e Okinavës ndjekin një dietë me pak kalori dhe të pasur me fibra, të mbushur me perime, drithëra dhe sojë. Ushqimi i tyre është gjithashtu i pasur me yndyra të pangopura mono dhe poli (veçanërisht omega-3). Ata konsumojnë në sasi të vogla karbohidrate të rafinuara dhe produkte shtazore, përveç peshkut. Çaji dhe sasi të vogla alkooli konsumohen çdo ditë. Megjithatë, marrja e kripës është rreth 7 gramë, shumë më e lartë se 1 gram që konsumojnë popullata me presion të ulët të gjakut gjatë gjithë jetës.

    Studiuesit Wilcox dhe të tjerë nuk ia atribuojnë këtë shëndet superior gjeneve, sepse kur banorët e rinj të Okinavës migrojnë në Japoni kontinentale, Havai ose SHBA, shpejt zhvillojnë sëmundjet kronike të popullsisë vendase. Okinavianët janë më të shkurtër dhe më të lehtë se japonezët kontinentalë, dhe burrat e moshës 87–104 vjeç kanë mesatarisht 145,4 cm gjatësi dhe peshojnë 42,8 kg.

    Studiues të tjerë kanë gjetur shoqëri tradicionale me shëndet të mirë dhe me pak sëmundje koronare dhe kancer. Për shembull, Walker gjeti se zezakët në zonat rurale të Afrikës së Jugut praktikisht nuk kishin sëmundje koronare të zemrës dhe kishin përqindje shumë të ulët të kancerit të lidhur me ushqimin. Zezakët ishin mesatarisht rreth 10 cm më të shkurtër se të bardhët.

    Lindeberg dhe të tjerë raportuan se melanezianët që jetonin në Kitava ishin të shëndetshëm dhe se sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru praktikisht mungonin tek popullata 20-86 vjeç. Meshkujt ishin mesatarisht 161 cm të gjatë dhe peshonin 53 kg. Studimi mbi popullatat e Ishujve Solomon tregoi gjithashtu se ata nuk kishin sëmundje koronare dhe ishin të shëndetshëm, me gjatësi mesatare të burrave nga 160 deri në 163 cm.

    Përfundimi i përgjithshëm është se burrat e shkurtër jetojnë mesatarisht të paktën tre vjet më gjatë se ata të gjatë. /Telegrafi/

  • Studim i ri: Gratë që merren me “hobet e gjysheve” jetojnë deri në 8 vite më shumë

    Studim i ri: Gratë që merren me “hobet e gjysheve” jetojnë deri në 8 vite më shumë

    Nëse mendonit se thurja, kopshtaria apo vëzhgimi i zogjve janë vetëm për gjyshet, mendohuni sërish. Një studim i ri tregon se këto “hobi të vjetra” mund të shtojnë deri në 8 vite jetë dhe të përmirësojnë ndjeshëm shëndetin mendor dhe emocional.

    Aktivitete si thurja, gatimi, mbjellja e luleve apo grumbullimi i pullave postare po përjetojnë një rikthim dhe kjo jo pa arsye. Sipas psikologëve, këto aktivitete ndihmojnë në reduktimin e stresit, forcojnë vetëbesimin dhe krijojnë lidhje të reja shoqërore, veçanërisht kur praktikohet në grupe me interesa të ngjashme.

    Ndërkohë, shkenca tregon se angazhimi në hobi të tilla stimulon neuroplasticitetin ,aftësinë e trurit për të krijuar lidhje të reja nervore.

    Mësimi i një aftësie të re ndihmon në përmirësimin e kujtesës, fokusit dhe ul rrezikun për sëmundje si demenca.

  • Pasaniku në Dubai i bleu një ishull privat gruas që ajo të dalë me bikini në plazh

    Pasaniku në Dubai i bleu një ishull privat gruas që ajo të dalë me bikini në plazh

    Një grua që jeton në Dubai thotë se bashkëshorti i saj i pasur i ka blerë një ishull privat për 50 milionë dollarë, pasi vetëm kështu mund të dalë me rroba banje në plazh.

    26 vjeçarja Soudi Al Nadak, ndan detaje të jetës personale me bashkëshortin Jamal Al Nadak në rrjetin TikTok për mijëra ndjekësit e saj, duke shfaqur stilin e ekzagjeruar të jetesës.

    Soudi Al Nadak, e njohur në rrjetin TikTok si ‘soudiofarabia’ është me origjinë nga Britania dhe poston shpesh detaje të jetës me biznesmenin Jamal Al Nadak.

    26-vjeçarja ka shpërndarë një seri videosh për 336,000 ndjekësit, të cilëve u tha së fundmi se Jamal i kishte blerë “një ishull në Azi”.

    “Doja të dilja me bikini kështu që burri milioner më bleu një ishull privat”.

    “Ishte në fakt diçka që po e kërkonim prej kohësh si një investim, nga ana tjetër burri donte që të isha e sigurt kur dilja në plazh prandaj ma bleu. Për arsye privatësie nuk po publikojmë vendndodhjen e saktë, por është në Azi dhe kushtoi 50 milionë.”

  • Vendet ku nuk mbaron vera

    Vendet ku nuk mbaron vera

    A kishit pasur dëshirë me jetu në një vend ku gjithmonë është verë?

    Derisa ne po bëhemi gati për dimër, ani pse kanë mbet edhe disa ditë deri në përfundimin e stinës, turshitë e drutë që po shohim në tregje paralajmërojnë ditët e ftohta.

    Megjithatë, në botë janë disa vende, ku gjithmonë temperaturat janë të larta e ku stinët duken thuajse të padallueshme.

    Por, cilat janë ato vende?

    Me një temperaturë konstante që sillet nga 25 deri në 30°C gjatë gjithë vitit, Kosta Rika, në Amerikën Qendrore është një parajsë për ata që duan diell, natyrë të gjallë dhe aventura pa fund.

    Madje, edhe gjatë muajve me shi, temperaturat mbeten të ngrohta dhe të këndshme, dhe shiu zakonisht bie pasdite ose në orët e natës, duke lënë ditën të lirë për eksplorime.

    Temperaturat deri në 31 gradë celcius në 12 muajt e vitit mbretërojnë edhe në Havai të ShBA-ve.

    Me plazhe, natyrë ekzotike dhe jetë të çmendur ky vend është edhe sinonim i pushimeve pa fund.

    Edhe në Bali të Indonezisë në katër stinë të vitit, mund të bësh pushime verore, kjo për shkak të klimës tropikale, ani pse këtu ka shumë shira sezonalë. Megjithatë, është vend perfekt për ata që duan qetësi shpirtërore, kulturë dhe bukuri natyror.

    Nëse dëshiron plazhe të bardha e ushqim të shijshëm, nën diell, Tajlanda këtë e ofron çdo ditë.

    Tani do shkojmë në një vend koxha të njohur për kosovarët, në Dubai të Emirateve të Bashkuara, një destinacion luksoz, ku mund të bësh plazh kurdo që të merr malli për rreze dielli.

    Edhe Maldivet, nuk është vend i panjohur për popullin tonë, sidomos për çiftet e reja, madje nuk konsiderohet muaj i mjaltit po nuk shkovë në këtë ishull.

    Kuba më pak i pëlqyer për kosovarët, por pse jo për ata që duan të zbulojnë kulturën e larmishme e plot gojëdhëna, për të cilin ka shumë tituj e filma.

    Pse jo edhe të marrësh ngjyrë e të largohesh nga përditshmëria e ta kthesh nostalgjinë e ditëve të verës.

    https://www.facebook.com/share/p/16PqhoyCqW/