ATV

Category: KURIOZITETE

  • A e dini që kafshët shtëpiake në Hong Kong tani kanë “kartë identiteti”?

    A e dini që kafshët shtëpiake në Hong Kong tani kanë “kartë identiteti”?

    Në Hong Kong, pronarët e qenve dhe maceve tani mund të regjistrojnë kafshët e tyre me microchip, një lloj identifikimi elektronik që përmban informacionin e kafshës dhe vaksinimet e saj. Kjo do t’i ndihmojë autoritetet t’i identifikojnë kafshët në rast humbjeje dhe të sigurojnë që ato janë vaksinuar dhe të kujdesura si duhet.

    Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një kartë identiteti zyrtare si ajo e njerëzve. Foto që shpërndahen në rrjetet sociale, ku kafshët shfaqen me kartë dhe foto, janë më shumë suvenire ose dokumente informative për pronarët. Ato nuk kanë fuqi ligjore, por janë bërë shumë virale sepse tingëllojnë si një “kartë identiteti për kafshët”!

    Kjo nismë ndihmon gjithashtu pronarët që planifikojnë udhëtime ose shërbime veterinerike, sepse microchip-i ISO pranohet edhe jashtë Hong Kongut dhe e bën më të lehtë identifikimin ndërkombëtar të kafshës.

    Një hap i vogël për kafshët, por një ndryshim i madh për pronarët e tyre që duan të kujdesen sa më mirë për kafshët.

  • Generata Z dhe paraja: Pse vetëm 1 në 5 kërkon këshilla financiare profesionale

    Generata Z dhe paraja: Pse vetëm 1 në 5 kërkon këshilla financiare profesionale

    Të rinjtë e gjeneratës Z janë të njohur si brezi më i lidhur me teknologjinë dhe aplikacionet, por kur vjen puna tek paratë, shumë prej tyre ndihen të humbur. Studimet tregojnë se vetëm 20% e të rinjve kërkojnë këshilla financiare profesionale, pavarësisht sfidave të shumta si borxhi studentor, rritja e kostove të jetesës dhe pasiguria e tregut të punës.

    Arsyeja? Çmimi i këshillave, mungesa e aksesit dhe besimi më i madh te rrjetet sociale sesa te profesionistët. Por shmangia e këshillave financiare mund të kushtojë shtrenjtë në të ardhmen.

    Si menaxhojnë financat të rinjtë e Z-së?

    • Njohuri të kufizuara financiare: 38% pranojnë se nuk dinë shumë rreth investimeve dhe borxheve.

    • Mbështetje nga prindërit: 47% ende marrin ndihmë financiare nga familja, pak më pak se vitin e kaluar (54%).

     Çfarë mund të bëjnë të rinjtë?

    • Këshilla dixhitale: Robo-këshilltarët ose shërbimet hibride janë më të përballueshme dhe të aksesueshme.

    • Edukimi financiar: Programet në shkolla dhe universitete do të rrisnin besimin dhe njohuritë për menaxhimin e financave.

    • Planifikimi i thjeshtë: Buxhet i qartë dhe njohuri bazë për kreditë dhe kursimet mund të shmangin gabimet e mëdha.

    Në fund, njohja dhe këshilla financiare nuk janë luks – ato janë mjet për të marrë vendime të zgjuara dhe për të ndërtuar një të ardhme pa stres.

  • Kur bien gjethet, bien edhe flokët: e vërteta pas mitit të vjeshtës

    Kur bien gjethet, bien edhe flokët: e vërteta pas mitit të vjeshtës

    Qdo herë e kemi ni dikon tue thonë ‘Kur bien gjethet në vjeshtë, bien edhe flokët! Po prit pak… a është kjo e vërtetë, apo vetëm një mit që na e ka lanë nana kur na shihte krehrin plot?

    Epo, ka diçka të vërtetë. Në vjeshtë, shumë prej nesh vërejnë më shumë fije flokësh në dush ose në jastëk. Arsyeja është se trupi ynë ka një cikël natyral gjatë verës flokët rrinë më gjatë në fazën e rritjes për të na mbrojtur prej diellit, ndërsa në vjeshtë shumë prej tyre kalojnë në fazën e pushimit që në gjuhën e flokëve dmth “okey, kemi punu mjaft, tash po marrim pushim, shihemi vitin tjetër! Por mos u merzitni, kjo është krejtësisht normale. Çdokush humb rreth 50 deri 100 fije flokësh në ditë, por në vjeshtë kjo shifër mund të jetë pak më e madhe.

    Pra, mos e dramatizoni se nuk ka me mbet koka bosh.

    Megjithatë, sezoni nuk është arsyeja e vetme pse flokët bien. Stresi ka një ndikim të madh dhe shpesh, ironi e fatit, edhe vetë stresi që po na bien flokët i bën të bien edhe më shumë.

    Edhe mungesa e vitaminave dhe mineraleve, si hekuri dhe vitaminat B e D, mund ta dobësojnë flokun pra nëse po ushqeheni veç me fast-food, mos pritni flokë si reklamat e shamponave. Ndryshimet hormonale, sidomos tek gratë pas lindjes ose gjatë cikleve hormonale, janë një tjetër faktor i zakonshëm. Po ashtu, përdorimi i shpeshtë i ngjyrave, tharëses, stilimi i tepërt ose dietat e forta ushqimore e bëjnë flokun më të brishtë se edhe flokët kanë limite, nuk janë superhero.

    Për ta parandaluar rënien e tepërt, ndihmon një ushqyerje e pasur me proteina, fruta, perime dhe arra.

    Masazhi i lëkurës së kokës përmirëson qarkullimin e gjakut dhe forcon rrënjët pra pak relaksim, pak terapi, edhe flokët do ta duan. Kujdesi me shampo të butë dhe shmangia e kimikateve apo nxehtësisë së tepërt e ruajnë shëndetin e flokëve. Dhe mbi të gjitha duhet durim, sepse ky proces është natyral dhe kalimtar.

    Pra, po, në vjeshtë bien gjethet dhe bien edhe flokët, por hajde se nuk është fundi i botës. Nëse të duket sikur po të mbushet koka me zbrazësi, kujto që s’je i pari as i fundit edhe Brad Pitt-it i kanë rënë flokët në ndonjë stinë. Flokët rriten prapë, ndërsa karakteri jo, kështu që më mirë koka me dy-tre fije më pak sesa me pak mend e shumë fije…

  • Nga Luksemburgu te Durrësi: qytetet më të shtrenjta dhe më të lira për të jetuar në Evropë

    Nga Luksemburgu te Durrësi: qytetet më të shtrenjta dhe më të lira për të jetuar në Evropë

    Në Kosovë, çmimet e qirave kanë marrë hov sikur po garojnë kush mbrrin i pari në qiell. Sidomos në Prishtinë aty ku dikur e gjeje një garsoniere për 150 euro, sot s’e merr dot as për 300. Po deshe me pas një banesë me dritare, ngrohje që s’rrjedh dhe ndonjë mobilje që s’është trashëgimi familjare, përgatitu për 400-500 euro, lehtë.

    E studentët po e vuajnë më së shumti këtë situatë. Shumë prej tyre po ndajnë banesa me tre-katër shokë, e dushin po e caktojnë me orar si autobusi urban. Ka prej atyre që thonë “më lehtë po gjendet temë diplome sesa banesë me qira në Prishtinë.” Dhe e kanë të drejtë! Sipas disa agjencive, qiratë në Kosovë janë rritur mbi 25% këtë vit, e në qytete si Prizreni dhe Peja trendi po ndjek të njëjtën rrugë.

    Në Evropë, situata s’është aspak më e lehtë. Sipas Deloitte Property Index 2025, Luksemburgu mban vendin e parë për qiratë më të shtrenjta mbi 3,000 euro në muaj për një apartament normal.

    Pas tij vijnë Zurich, Oslo, dhe Dublin, ku njerëzit paguajnë aq shumë, sa me ato para mund të kishin blerë një makinë çdo dy muaj.

    Por ja lajmi që të bën me buzëqesh, Durrësi në Shqipëri është qyteti më i lirë për qira në Evropë! Po pra Durrësi! Me 250-400 euro në muaj, ke detin, diellin dhe ndoshta një apartament me pamje nga Adriatiku (nëse s’e pengon ndonjë pallat i sapo ndërtuar përpara).

    Pra, ndërsa evropianët po paguajnë për qira sikur po jetojnë në hotel me pesë yje, ne në Kosovë po përpiqemi thjesht të gjejmë një banesë që s’na ha krejt bursën.

    Po nejse për sa kohë ka humor, shokë të mirë dhe ndonjë burek me jogurt në mëngjes, ia dalim!

  • Njeriu që hoqi dorë nga bota për të jetuar në një ishull të shkretë

    Njeriu që hoqi dorë nga bota për të jetuar në një ishull të shkretë

    Në vitin 1989, katamarani i Mauro Morandit u prish pranë ishullit Budelli në Itali, duke i ndryshuar rrjedhën e jetës.

    Kur mësoi se kujdestari i ishullit do të dilte në pension, ai vendosi të qëndronte — dhe përfundoi duke jetuar atje për gati 33 vjet.

    Morandi përqafoi vetminë jo për të ikur nga bota, por për të shijuar paqen dhe lirinë. Ai u bë kujdestari jozyrtar i ishullit, duke mbrojtur plazhin e famshëm rozë dhe natyrën e brishtë, ndërsa jetonte në një kasolle që e kishte ndërtuar vetë.

    Ai shpesh shpjegonte se nuk ishte një i tërhequr që shmangte njerëzit; thjesht nuk ndjente nevojën të fliste shumë. Ditët e tij kalonin mes heshtjes, natyrës dhe ritmit të thjeshtë të jetës larg shoqërisë moderne.

  • Çfarë ndodh me trupin kur ha avokado çdo ditë për 2 javë?

    Çfarë ndodh me trupin kur ha avokado çdo ditë për 2 javë?

    Në epokën e dietave të shpejta dhe trendëve ushqimore “magjike”, një grup këshillash që po cirkullojnë në rrjete sociale thonë se nëse konsumon:

    • avokado çdo ditë për 14 ditë,
    • ujë kokosi për të përmirësuar hidratimin,
    • boronica për lëkurë të pastër,
    • xhenxhefil për anti-inflamacion,
    • një grusht bajamesh për vitaminë E,

    …do të shohësh një bel më të tonifikuar, trup më të balancuar dhe lëkurë të rigjeneruar. Por sa ka të vërtetë pas tyre? Një vështrim i shkurtër tek studimet tregoi se disa përfitime mund të jenë reale – por me disa “por”.

    Avokadoja çdo ditë – a realitet apo mit?

    • Një studim i madh i rastësor nga Universiteti i Penn State (me mbi 1,000 pjesëmarrës për 6 muaj) tregoi se integrimi i një avokadoje në dietë përmirëson cilësinë dietike, me më shumë perime në ushqim dhe më pak ushqime të përpunuara.
    • Studimi i të njëjtit projekt nuk gjeti ndryshime të rëndësishme në belin apo yndyrën viscerale krahasuar me grupin kontroll në periudhë 6-mujore, megjithëse kolesteroli LDL u ul paksa.
    • Një trial prej 12 javësh tek persona me mbipeshë/obezitet tregoi se konsumimi i avokados çoi në përmirësim të “inhibicionit të vëmendjes” (një aspekt i funksionit njohës) dhe në rritjen e nivelit të luteinës në gjak – por pa lidhje direkte mes luteinës dhe performancës njohëse.
    • Një studim tjetër zbuloi që konsumimi i avokados mund të përmirësojë elasticitetin dhe fortësinë e lëkurës pas vetëm 8 javësh.

    Pra, ndikimet pozitive për ushqimin e dietës, kolesterolin dhe lëkurën kanë mbështetje studimore. Por ideja që dy javë konsum “magjik” të avokados si i vetmi faktor shëndetësor mbetet larg nga provat.

    Kufizime dhe realiteti që duhet të dihet

    • Studimet më shumta janë afatmesme (6 muaj, 12 javë, etj.), jo vetëm dy javë. Përfitimet e qëndrueshme kërkojnë më shumë kohë.
    • Asnjë nga këto studime nuk vërteton se avokadoja e vetëm apo ujë kokosi + boronica etj. mund të sjellin një bel të tonifikuar pa aktivitet fizik, kontroll kalorish dhe stil jete.
    • Efektet individuale variojnë fort – konteksti i dietës së personit, gjendja metabolike, gjenetika etj.
    • Ushqimet si avokadoja janë të pasura me kalori: nëse konsumohen pa kontroll, mund të kontribuojnë në kalori të tepërta.

    Pra, lajmi i mirë është se disa nga përbërësit e rekomanduar me pak tekst – avokadoja, boronicat, vajrat e shëndetshëm – kanë mbështetje të studiuar në literaturë për përmirësime të vogla, sidomos kur përdoren në kuadër të një diete të balancuar dhe shëndetësore.

    Lajmi “magjik” që 14 ditë konsum do të transformojnë trupin nuk qëndron sipas provave shkencore deri më sot.

    Në vend që të shpresojmë te “zgjidhje në paketë”, është më realist dhe më i qëndrueshëm të ndërtojmë zakone të përditshme ushqimore që ndërtojnë shëndet afatgjatë – me perime, fibra, proteina të mira, ujë dhe aktivitet fizik.

  • A mund ta ndjesh kur dikush mendon për ty? (Fenomeni i intuitës njerëzore)

    A mund ta ndjesh kur dikush mendon për ty? (Fenomeni i intuitës njerëzore)

    Fenomeni i intuitës njerëzore që s’e shpjegon dot logjika

    Ke ndjerë ndonjëherë një dridhje të brendshme, një emocion të papritur dhe pak sekonda më vonë të ka ardhur një mesazh nga dikush që të kishte shkuar në mendje?
    Rastësi? Apo diçka më e thellë po ndodh?

    Lidhja e padukshme mes njerëzve

    Sipas disa studimeve në psikologji dhe neuroshkencë, truri i njeriut është shumë më i ndjeshëm ndaj “frekuencave emocionale” sesa mendojmë.
    Kur ke përjetuar emocione të forta me dikë: dashuri, kujtime, tension krijohet një lloj lidhjeje e padukshme.
    Kjo lidhje mund të “aktivizohet” në momente të caktuara, duke bërë që të mendosh për atë person pikërisht në të njëjtën kohë kur edhe ai mendon për ty.

    Intuita – ndjesia që s’ka nevojë për logjikë

    Psikologët e quajnë intuitë: ajo “ndjesi që e di” pa pasur shpjegim.
    Truri, në fakt, përdor përvojat e kaluara për të përkthyer sinjale të vogla: ndryshime në energji, kujtime apo emocione: në një ndjesi të brendshme që shpesh del e saktë.
    Kështu, edhe pse s’ka prova të qarta, ndonjëherë e ndjen kur dikush po të mendon… pa pasur asnjë arsye të dukshme.

    Shkenca s’e vërteton plotësisht, por…

    Edhe pse “komunikimi mendor” mes njerëzve s’është provuar shkencërisht, studimet tregojnë se emocionet janë ngjitëse.
    Kur dy njerëz janë të afërt, truri i tyre fillon të sinkronizohet reagojnë ngjashëm ndaj tingujve, kujtimeve, madje edhe ndjenjave.
    Ndoshta kjo është arsyeja pse ndonjëherë “e ndjen” diçka përpara se të ndodhë.

    Dhe ti, a e ke ndjerë ndonjëherë?

    Një mesazh që vjen në momentin e duhur, një thirrje që duket sikur “e ke ndjerë”, apo një kujtim që të vjen pa arsye…
    Ndoshta është rastësi.
    Por ndoshta është intuita , ajo pjesë e fshehtë e njeriut që ende nuk dimë ta shpjegojmë me fjalë.

  • Strategjia e Red Bull për të rritur popullaritetin

    Strategjia e Red Bull për të rritur popullaritetin

    Kur Red Bull ishte ende një markë e panjohur, ajo adoptoi një strategji jo të zakonshme marketingu për të tërhequr vëmendjen: vendoste qëllimisht kanaçe bosh në vende të frekuentuara si klube nate dhe universitete, duke krijuar iluzionin e një popullariteti që ende nuk e kishte fituar.

    Kjo taktikë, e njohur si “ndotje strategjike”, shfrytëzoi parimin e provës sociale për të nxitur kureshtjen e publikut.

    E kombinuar me shpërndarjen e mostrave falas dhe sponsorizimin e ngjarjeve ekstreme, marka arriti të ngulitej në kulturën rinore dhe të pozicionohej si simbol i energjisë dhe guximit, duke hedhur themelet për zgjerimin e saj global.

  • Vlera e një njeriu duhet të matet tek veprat, mendja dhe zemra e tij

    A e dini se çdo herë që takojmë një person të ri, truri ynë ka nevojë vetëm për disa sekonda që të krijojë një përshtypje për të? Psikologët thonë se mjaftojnë mesatarisht 7 deri në 10 sekonda, që të vendosim nëse dikush na duket i besueshëm, i sjellshëm, i fuqishëm apo jo, por na duhet edhe me pak kohe ta gjykojme bukurine…

    Dhe çka është më interesante, këto sekonda nuk varen aq shumë nga ajo që ai person thotë por nga pamja e jashtme, veshja, qëndrimi dhe mënyra se si shikon apo buzëqesh.

    Studimet tregojnë se rreth 55% e vlerësimit të parë bazohet vetëm tek paraqitja vizuale. 38% tek toni i zërit, dhe vetëm 7% tek fjalët që përdorim. Pra, para se të dëgjojmë realisht njeriun përballë nesh, mendja jonë tashmë ka krijuar një “etiketë” për të.

    Ky fenomen është i njohur në psikologji si “efekti i parë i shtypjes”.

    Ai shpesh çon në paragjykime: njerëzit që duken të veshur bukur ose kanë një pamje të kuruar, vlerësohen më pozitivisht, ndërsa ata që nuk i kushtojnë shumë rëndësi pamjes, shpesh gjykohen si më pak seriozë apo të painteresuar.

    Por, a është kjo e drejtë? Jo domosdoshmërisht.

    Pamja e jashtme shpesh nuk përfaqëson aspak karakterin, moralin apo aftësitë e një personi. Megjithatë, shoqëria moderne, sidomos në vendet ku paragjykimet kulturore janë të forta, e lidh vlerësimin me imazhin.

    Në Kosovë, por edhe në shumë vende të botës, ende ekziston mendimi se duhet të dukesh bukur e të vishesh mirë për t’u respektuar e për t’u marrë seriozisht.

    E megjithatë, gjithnjë e më shumë ekspertë po theksojnë se vlera e një njeriu duhet të matet tek veprat, mendja dhe zemra e tij. Sepse përtej paraqitjes së parë, shpesh fshihet një personalitet krejt ndryshe, një histori e thellë dhe një shpirt që nuk shihet me sy.

    Prandaj, pyetja që mbetet është: a duhet të lejojmë që vetëm disa sekonda të vendosin gjithçka për mënyrën si e shohim një njeri? Apo duhet të mësojmë të shkojmë përtej pamjes dhe të zbulojmë kush është ai në të vërtetë ?

  • Pse rrejmë?

    Pse rrejmë?

    Rrena nuk është thjesht një sjellje sociale, por pasqyrë e kompleksitetit të natyrës njerëzore. Studimet tregojnë se arsyet pas rrenës janë të larmishme dhe shpesh komplekse, duke përfshirë faktorë psikologjikë e kulturorë.

    Në një hulumtim nga McArthur bashkë me disa autorë të tjerë (publikuar nga “Psychology Today”), renditen motivet më të zakonshme që i shtyejnë njerëzit të rrejnë: 1.Për të shmangur gjykimin nga të tjerët ose ndjenjën e turpit; 2. Me qëllim që të shmangin ndëshkimin; 3. Për të mbrojtur veten nga hakmarrja; 4. Pa asnjë arsye (p.sh., gënjeshtër kompulsive); 5. Për ta paraqitur veten në një mënyrë pozitive dhe për t’i bërë përshtypje të tjerëve; 6. Për të marrë shpërblime; 7. Për shkak të pakujdesisë dhe impulsivitetit; 8. Për të përjetuar kënaqësi nga mashtrimi i të tjerëve; 9. Me qëllim që të mbajë sekret informacionin personal; 10. Për arsye prosociale – për t’i bërë të tjerët (dhe veten) të lumtur, siç është t’u thuash fëmijëve se Babagjyshi i Vitit të Ri është i vërtetë (ekziston); 11. Për arsye altruiste – për të mbrojtur të tjerët nga dëmi.

    Për sa i takon gënjeshtrës kompulsive (kur njerëzit rrejnë gjithmonë DHE pa asnjë arsye), në një artikull tjetër nga “Psychology Today” specifikohen dy lloje rrenash ato “normale” dhe patologjike.

    “…Shumica e njerëzve gënjejnë herë pas here, qoftë për të shmangur sikletin, për të mbrojtur ndjenjat e dikujt, apo për t’u dukur mirë. Gënjeshtarët patologjikë, nga ana tjetër, gënjejnë rregullisht, shpesh pa ndonjë arsye të dukshme…”, thuhet në artikull, duke u përmendur se rrena patologjike renditet si një simptomë ose karakteristikë e gjendjeve të tjera psikiatrike, të tilla si çrregullimet e personalitetit (si çrregullimi narcisist i personalitetit, çrregullimi kufitar i personalitetit, çrregullimi antisocial i personalitetit) dhe çrregullimi artificial.

    A ka trajtim për rrenën (patologjike)?Trajtimi konsiderohet një sfidë sepse shpesh është i ndërthurur me probleme të tjera të shëndetit mendor… Megjithatë, përmenden disa terapi si: terapia konjitive, terapia dialektike e sjelljes, gjithashtu thuhet se edhe ndërhyrjet farmakologjike mund të merren në konsideratë.

    Si shihet rrena në aspektin filozofik dhe fetar?

    Rrena ka qenë gjithmonë një temë qendrore në filozofi dhe në fe…
    Filozofët e kanë parë rrenën nga kënde të ndryshme… për disa ajo është mëkat dhe shkatërrim moral; për të tjerë është mjet i domosdoshëm për jetën shoqërore, madje edhe shprehje e krijimtarisë njerëzore.

    Platoni, në veprën “Republika”, pranon se gënjeshtra është diçka e keqe, sepse dëmton shpirtin dhe prish marrëdhënien e njeriut me të vërtetën. Megjithatë, ai mendon se në disa raste, si për shembull kur udhëheqësit e shtetit duhet të mbrojnë qytetarët apo të ruajnë rendin shoqëror, gënjeshtra mund të jetë e lejueshme.

    Ndërsa, për Kantin (filozofin e një periudhe krejtësisht tjetër nga Platoni), rrena është e papranueshme në çdo rrethanë. Kant thoshte se edhe gënjeshtra “e bardhë” (për të ndihmuar dikë) është e gabuar, sepse shkel parimin moral themelor të së vërtetës.

    Një qasje interesante e kishte edhe filozofi Niçe. Ai argumenton se njerëzit nuk jetojnë dot pa gënjeshtra, sepse jeta kërkon iluzione, interpretime dhe mashtrime të dobishme. Për të, rrena nuk është domosdoshmërisht e keqe – mund të jetë një formë e krijimtarisë ose e forcës së jetës.

    Gjithashtu, rrena është një nga çështjet më të trajtuara edhe në mësimet fetare. Pothuajse të gjitha fetë e mëdha e dënojnë rrenën si mëkat moral dhe shkelje të besimit ndaj Zotit e ndaj njeriut. Megjithatë, disa tradita fetare njohin raste të veçanta ku gënjeshtra mund të jetë e lejueshme, kur ajo bëhet për të mbrojtur jetën, paqen apo drejtësinë.

    Në Krishterim, gënjeshtra konsiderohet mëkat, sepse bie ndesh me vetë natyrën e Zotit, i cili përshkruhet në Bibël si “e vërteta”!

    Në Islam, gënjeshtra është e ndaluar (haram) dhe konsiderohet një nga mëkatet më të mëdha morale.