ATV

Category: KULTURË

  • Jon Fosse e fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Jon Fosse e fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Shkrimtari norvegjez, Jan Fosse e ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi këtë vit.

    Akademia Suedeze në Stokholm i ka vlerësuar dramat dhe prozën e tij novatore dhe ka thënë se autori u ka dhënë zë të pathënave.

    Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

    Jon Fosse ka thënë se është “i tronditur dhe disi i frikësuar” që e ka fituar këtë çmim prestigjioz.

    Ky çmim e ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve amerikanë.

    Akademia Suedeze ka thënë se Fosse, i lindur më 1959 në Haugesund, në brigjet perëndimore të Norvegjisë, ka krijuar në shumë zhanre letretare, përfshirë novela, koleksione poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime.

    Ai është bërë i njohur si dramaturg me veprën “Nokon kjem til å komme” ( Dikush do të vijë).

    Fosse, 64-vjeçar, i cili shkruan në versionin më të pazakonshëm të dy versioneve zyrtare të gjuhës norvegjeze, ka thënë se e konsideron çmimin si njohje të gjuhës që përdor dhe lëvizje për promovim të saj, duke thënë se Nobelin ia dedikon vetë asaj.

    E njohur si “norvegjishtja e re” dhe e përdorur nga rreth 10 për qind e popullsisë së Norvegjisë, versioni që përdor Fosse është krijuar në shekullin e 19-të në zonat rurale, duke e bërë atë alternativë ndaj gjuhës daneze që është përdorur përgjatë një bashkimi 400-vjeçar me Danimarkën./REL/

     

  • Pianistja Lule Elezi shkëlqen me performancën në ditën kombëtare të Gjermanisë

    Pianistja Lule Elezi shkëlqen me performancën në ditën kombëtare të Gjermanisë

    Pianistja me renome ndërkombëtare, Lule Elezi ka performuar në ditën kombëtare të Gjermanisë, në Gjermani.

    Manifestimi qendror me moton “Gjermania-Një Atdhe”, u organizua nën patronatin e kryetarit të komunës Bingen on Rhein, z. Thomas Feser e ku pianistja, Lule Elezi ka mbajtur një koncert recital me veprat e kompozitoreve të mirënjohur gjerman dhe shqiptarë si Beethoven, Schumann, Dhomi, etj.

    Në këtë koncert ishin të pranishëm figura të rëndësishme të jetës politike e kulturore në Gjermani.

    Pianistja Lule Elezi ka koncertuar në vende të ndryshme të Evropës, në Kinë, Japoni, Rusi, SHBA, etj.

    Koncerti recital i Elezit u mirëprit me duartrokitje frenetike të të pranishmëve.

    Pianistja jonë e mirënjohu , Lule Elezi po vazhdon suksesshëm turin e saj të koncerteve gjithandej nëpër botë.

  • Nobeli i këtij viti në Fizikë shpërblen eksperimentet me dritën

    Nobeli i këtij viti në Fizikë shpërblen eksperimentet me dritën

    Çmimi Nobel i këtij viti në Fizikë shpërblen eksperimentet me dritën që kapin “momentet më të shkurtra” dhe hapin një dritare në botën e elektroneve.

    Çmimi shkon për Pierre Agostini, Ferenc Krausz dhe Anne L’Huillier.

    Tre laureatët e Nobelit kanë “demonstruar një mënyrë për të krijuar pulsime jashtëzakonisht të shkurtra drite që mund të përdoren për të matur proceset e shpejta në të cilat elektronet lëvizin ose ndryshojnë energjinë”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave teksa shpalli çmimin të mërkurën.

  • Lulzim Tafa nderohet me titullin më të lartë “Doctor of Literature” nga Kongresi Botëror i Poetëve

    Lulzim Tafa nderohet me titullin më të lartë “Doctor of Literature” nga Kongresi Botëror i Poetëve

    Lulzim Tafa, një nga poetët më të njohur nga Kosova në skenën botërore, është nderuar me titullin më të lartë “Doctor of Literature” nga Kongresi Botëror i Poetëve.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tafa nëpërmjet një postimi në Facebook.

    “Një nderim i madh mu bë në ditën e fundit të Kongresit Botëror të Poetëve. Në mesin e qindra poetëve nga e mbarë bota, isha njëri prej 8 poetëve që Kongresi i Nderoi me titullin më të lartë “Doctor of Literature””, ka shkruar poeti. /atvlive.tv

  • “Tre Vllaznit”, sonte nga ora 20:30 në ATV nisë transmetimi i sezonit të dytë

    “Tre Vllaznit”, sonte nga ora 20:30 në ATV nisë transmetimi i sezonit të dytë

    Seriali televiziv “Tre Vllaznit“, prodhim i televizionit ATV, nga sonte nis transmetimin e sezonit të tij të dytë. Shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin serinë e tyre të preferuar nga ora 20.30.

    Në të njëjtën kohë, do të bëhet edhe transmetimi në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube, duke mundësuar që secili episod i ri i serialit të arrijë në kohë reale te të gjithë shikuesit shqiptar kudo që ndodhet nëpër botë.

    Seriali “Tre Vllaznit” tashmë ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm në mesin e publikut shqiptar duke grumbulluar miliona shikime në YouTube dhe rrjetet e tjera sociale, e duke e bërë atë serialin më të dashur te shqiptarët që jetojnë jo vetëm në Kosovë por edhe diasporë.

    Këtë të diel do të transmetohet episodi i 41-të i serialit “Tre Vllaznit”. /atvlive.tv

  • Asnjë film kosovar në garë për “Oscar 2024”

    Asnjë film kosovar në garë për “Oscar 2024”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pas një dekade, për herë të parë, Komiteti Selektues i Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk ka propozuar film për nominim për shpërblimet “Oscar 2024”.

    Komisionin i QKK-së u arsyetua se asnjëri prej filmave të realizuar s’ishin të denjë t’ia mësyjnë garës.

    “Komiteti selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë dëshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por nuk e reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi. Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e Oscars 2024 të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova”, thuhet në arsyetimin e QKK-së.

    Me këtë vendim u pajtua regjisori Ismet Sijarina.

    “Unë e konsideroj si vendim të guximshëm, që do të vendosë trende të reja. Kosova ka një trend të mirë të dërgimit të filmave në Oscar. Asnjë projekt i mirë nuk mbetet mbrapa. Kosova nuk ka 30-50 mijë euro për t’i dhënë për një film që nuk premton sukses”, tha Sijarina.

    Vitin e kaluar “Në kërkim të Venerës”, me skenar dhe regji nga Norika Sefa, ishte filmi me të cilin Kosova synoi shpërblimin “Oscar”.

  • Nënshkruhet memorandum i bashkëpunimit për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut

    Nënshkruhet memorandum i bashkëpunimit për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut

    Në kabinetin e Ministrit Hajrulla Çeku, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

    Ministri Çeku dhe Ambasadori Jeffrey Hovenier fillimisht u janë drejtuar medieve më është zhvilluar ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit.

  • ​Muzeu Kombëtar nuk ka hapësirë për pranimin e eksponateve të reja

    ​Muzeu Kombëtar nuk ka hapësirë për pranimin e eksponateve të reja

    Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë e tij, për faktin se në kuadër të kësaj ndërtese funksionojnë edhe Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Administrata. Nga ky institucion thonë se e kanë të vështirë të pranojnë eksponate të reja, për shkak se gjendja e depove dhe laboratorëve nuk është e favorshme. Ndërkaq, “shtëpia” e artefakteve arkeologjike është duke pritur miratimin e projektit i cili përfshinë renovimin e kësaj ndërtese. Se Muzeu ka nevojë për ndryshime, e thonë edhe turistët, të cilët u shprehën se mungon ndriçimi dhe ventilimi.

    Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu tha për KosovaPress, se aktualisht prioritet është miratimi i projektit për renovim, i cili do të ndikojë pozitivisht në pranimin e mëtutjeshëm të eksponateve arkeologjike.

    “Ne jemi në pritje të miratimit të projektit kryesor, për renovimin e ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, me theks të veçantë flasim për depot dhe laboratorët, meqë gjendja aty nuk është e favorshme. .. Kur flasim për gjendjen e depove dhe laboratorëve, i bie që edhe fondi muzeor i cili është poshtë, kërkon një trajtim tjetër dhe të veçantë dhe po besoj që deri në fund të këtij muaji do të përmbyllen këto procedura të shqyrtimit dhe miratimit, në mënyrë që mandej t’i hapet rrugë procedurës për renovimin e ndërtesës së muzeut. Aktualisht, kjo është ajo që e prek Muzeun Kombëtar të Kosovës, ne i kemi aktualisht ekspozitat, e kemi fondin muzeor poshtë, i cili kërkon një zhvendosje”, tha Aliu.

    Aliu u shpreh se u përgjigjet kërkesave për prurje të reja vetëm me ekspozim të përkohshëm, pasi që sipas saj, gjendja aktuale e depove nuk lejon diçka më shumë.

    “Është ndërtesë e vogël si hapësirë. Shto këtu faktin që brenda ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës normalisht është e vendosur edhe administrata, dhe nuk është numër i vogël. Në anën tjetër, e kemi në po të njëjtën ndërtesë, veprimtarinë e tij e ushtron Instituti Arkeologjik i Kosovës, prandaj si ndërtesë po besoj se është e pamjaftueshme për të ushtruar veprimtarinë… Mendoj se të gjithë duhet të na mirëkuptojnë dhe normalisht nëse është diçka tejet e veçantë, ose është ndonjë gjetje rasti e cila dhe kërkon trajtim institucional dhe ekspozim, besoj që po. Por, në të kundërtën aktualisht gjendja e depove mendoj që nuk lejon prurje të reja për trajtim, ndoshta për ekspozim të përkohshëm po”, u shpreh Aliu.

    Ndërkaq, turistët derisa e vlerësojnë si ndërtesë interesante Muzeun Kombëtar të Kosovës, potencojnë se duhet bërë ndryshime në të.

    Turisti nga Emiratet e Bashkuara, Mohammed për KosovaPress, u shpreh se historia që përcjell ky muze është interesante, porse potencon se nevojiten ndryshime sa i përket ndriçimit dhe ventilimit.

    “Ne vetëm po ecnim dhe pamë që këtu është një muze dhe menduam t’ia hedhim një sy. Ne sapo erdhëm këtu. … (Muzeu) ka nevojë për ndriçim më të mirë dhe ka nevojë për një ventilim më të mirë. Përndryshe historia është e mirë. Historia që tregohet brenda është e mirë. .. Nuk kemi shumë informacione për Kosovën. Pra, për ne, çdo informacion që gjejmë këtu është mjaft i vlefshëm. Nuk mund të specifikojmë asgjë realisht, por gjithçka që mësojmë është mjaft e mirë për ne”, tha Mohammed.

    Po ashtu edhe vizitori nga Mbretëria e Bashkuar, John Anderson u shpreh se është kurioz të dijë më shumë rreth historisë së pavarësisë.

    “Në fakt një udhërrëfyes, ne pamë udhërrëfyesin e informacionit turistik dhe menduam se duhet të vijmë dhe të shohim historinë e Kosovës. … Deri më tani (muzeu) është shumë i këndshëm. Kati i poshtëm është shumë interesant. Dëgjuam rreth historisë e kombit dhe tani po shikojmë disa nga disa pjesë të tjera. Po, është shumë interesante. … Unë jam padyshim mjaft i interesuar të shoh gjërat (rreth pavarësisë) dhe meqë jam nga Mbretëria e Bashkuar më intereson të shoh disa nga ndikimet në të cilat ne ishim të përfshirë. Pra, është interesante të shihet se si u zhvillua”, tha Anderson.

    Ndërkaq, ciceronia në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Mimoza Goqi tregon se deri në gusht të këtij viti kanë mirëpritur rreth 17 mijë vizitorë nga vendet e ndryshme.

    “Është pjesa e janarit deri në këtë periudhën e gushtit, kanë qenë diku rreth 17 mijë vizitorë, duke përfshirë rezidentë dhe jorezidentë, studentë, grupe të ndryshme, delegacione, përfshihen në këtë numër. … Prej të gjitha vendeve, duke përfshirë, nuk mund ta cek një, duke përfshirë të gjitha, Amerikë, Angli, Gjermani, Zvicër. … Vitin e kaluar këtë periudhën janar deri në tetor ka pas mbi 20 mijë vizitorë, sepse ka qenë edhe pjesa e manifestës që është mbajtur këtu, dhe e ka rritur numrin e vizitorëve”, tha Dragusha.

    Ajo jep detaje edhe për të gjithë koleksionin ekspozuese që kanë, duke filluar nga periudha parahistorike e deri te shpallja e pavarësisë së vendit tonë.

    “Muzeu i Kosovës ka dy salla ekspozuese, është pjesa poshtë ku fillon pjesa e arkeologjisë, që është e ndarë në dy pjesë, ku fillon me pjesën e parahistorisë dhe pjesën e periudhës romake, që është e ndarë në periudha. Fillon prej periudhës neolitin, eneolitin, periudhën e bronzit, hekurin dhe periudhën romake… Ndërsa lartë në katin e dytë është pjesa e historisë. Po ashtu, edhe në histori është e vendosur në mënyrë kronologjike, që fillon prej Perandorisë Osmane, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pastaj luftën e fundit, Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që fillon me zonat operative, pastaj luftën, zhvillimin e luftës, armët e luftëtarëve, uniformat deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës“, tha Dragusha.

    Kështu, Muzeu Kombëtar i Kosovës i hapur që nga viti 1949, është një nga institucionet më të vjetra kulturore dhe historike në Kosovë. Koleksioni i këtij muzeu përfshin zbulime arkeologjike, dokumentacione historike, artefakte etnografike të cilat zbulojnë më shumë mbi qëndrimin e shqiptarëve në këto territore ndër kohëra e deri tek zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë dhe rrjedhën e tyre.

    Ndërkaq, ky muze po kalon nëpër një sfidë, sa i përket kthimit të 1247 artefakteve arkeologjike nga Serbia në Kosovë, të marra gjatë viteve të 90-ta.

    Deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre. “Hyjnesha në Fron”, është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja” të Prishtinës.

    Muzeu Kombëtar i Kosovës është i hapur gjatë gjithë javës, përveç të hënës, nga ora 10:00 deri në 17:00.

  • Ndërtimi i sallës koncertale mund të zvarritet, e konfirmon për ATV në nënkryetari i Prishtinës

    Ndërtimi i sallës koncertale mund të zvarritet, e konfirmon për ATV në nënkryetari i Prishtinës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kur më në fund u tha se po bëhet një premtim i kahershëm i qeverisjeve komunale rrezikon të mbetet vetëm në letër.

    Fjala është për sallën koncertale në Prishtinë, e shumëkërkuar dhe e nevojshme për komunitetin artistik, ndërtimi i të cilës mund të zvarritet për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

    Donacioni në vlerë prej 15 milionë eurosh tashmë është i pezulluar.

    “Të gjitha fondet aktualisht janë në pauzë, për mos me thanë janë të ngrira fondet e BE-së për Kosovën. Kjo e atakon kryeqytetin në disa projekte e një prej projekteve shumë të rëndësishme është edhe projekti i sallës koncertale”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Komuna e Prishtinës planifikonte që tenderin për ndërtimin e dy hapësirave kulturore, sallën koncertale e muzeun e artit ta hapte së shpejti.

    “Një arkitekt i famshëm botëror, Kengo Kuma, tashmë është duke e bërë gati projektin final, pra projektin zbatues, andaj ne kemi pritur që nga fundi i këtij viti, apo fillimi i vitit tjetër, me e hapë thirrjen për ndërtim, por siç duket ajo do të vonohet për shkak të ngrirjes së fondeve të BE-së”, tha Zogaj.

    Ndërkaq, Bashkimi Evropian edhe një herë e ka konfirmuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, vazhdojnë të mbeten në fuqi.

    “Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së, të datës 3 qershor, mbeten plotësisht valide. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme t’i heqë këto masa, në rast të përparimit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masa të mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Ndërtimi i sallës koncertale dhe Muzeut të Artit planifikohet të realizohet në objektin e ish-Gërmisë, përballë Teatrit Kombëtar.

    Teksa për projektin final Komuna e Prishtinës kishte ndarë 1 milion euro, kryetari Përparim Rama kishte premtuar se pamja e jashtme e ndërtesës do të ruhej tërësisht.

  • Poeti Lulzim Tafa mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, mbahet në një anije gjigante

    Poeti Lulzim Tafa mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, mbahet në një anije gjigante

    Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa do të jetë i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve.

    Ky kongres, i 42-ti me radhë, sivjet për herë të parë mbahet në një anije gjigante dhe do të marrin pjesë poetë nga mbarë bota.

    Kongresi do nisë në Romë-Itali dhe do të lëvizë bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi dhe përsëri do të kthehet në Itali.

    “Poezia mbi ujë”, shprehet poeti Lulzim Tafa teksa tregon që është i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj eksperience e njëkohësisht për faktin që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia shqipe.

    “Jam i lumtur që do t’i takoj shumë nga miqtë e mi poetë nga të gjitha anët e globit, po ashtu jam i lumtur që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia jonë”, shprehet Tafa.

    Kongresi Botëror i Poetëve do të mbahet më datë 22 deri më 29 shtator.