Prishtina është kthyer në qendër të kinemasë me nisjen e edicionit të 18-të të PriFest, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të filmit në Kosovë dhe rajon.
Mbrëmja e natës së parë mblodhi emra të njohur të botës së filmit, artistë, kineastë dhe mysafirë të shumtë, duke sjellë një atmosferë të veçantë në kryeqytet.
Edicioni i sivjetmë u hap me shfaqjen e filmit “Dua”, i cili u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Pas përfundimit të filmit, emocionet dhe reagimet e publikut dëshmuan lidhjen e forte që krijoi historia me shikuesit.
E emocionuar pas pritjes së ngrohtë, regjisorja e filmit ndau emocionet e saj për këtë moment të veçantë, duke vlerësuar reagimin e publikut dhe rëndësinë që ka prezantimi i filmit para një audience të tillë.
PriFest, edhe në edicionin e tij të 18-të, sjell në Prishtinë një program të pasur me filma, premiera, mysafirë të njohur dhe ngjarje që bashkojnë profesionistët e kinemasë dhe publikun, duke e konfirmuar edhe një herë rëndësinë e festivalit në promovimin e artit dhe kulturës filmike.
Kalaja e Prizrenit është hapur për vizitorët nga data 7 shtator, ndërsa orari i vizitave nis nga ora 12:00.
Megjithatë, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se punimet në hapësirat e kalasë do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye, disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët.
Vizitorët ftohen të respektojnë shenjat orientuese, si dhe kufizimet e vendosura në zonat ku po zhvillohen punimet, me qëllim të garantimit të sigurisë gjatë vizitës.
Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Holandë kanë marrë pjesë së bashku në “Embassy Festival 2026” në Hagë, ku kanë promovuar kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare.
Sipas Ambasadës së Kosovës në Hagë, në pavijonin e përbashkët u prezantuan gatime tradicionale, verëra vendore, si dhe muzikë e valle tradicionale shqiptare.
Gjatë festivalit, vizitorët patën mundësi të mësonin më shumë për kulturën dhe turizmin e Kosovës, si dhe të shijonin ushqime tradicionale dhe produkte vendore.
Në kuadër të programit artistik “Folk in Motion”, Ansambli “Dardanet” dhe Hajrjie Preniqi Gashi performuan valle dhe melodi tradicionale shqiptare të Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Hagë ka falënderuar ambasadorët, komunitetin diplomatik, si dhe të gjithë vizitorët që morën pjesë në festival dhe vizituan pavijonin e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.
ATV edhe këtë vit do të jetë sponsor medial i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest 2026, edicioni i 18-të i të cilit do të mbahet në Prishtinë nga 8 deri më 13 shtator 2026.
Bashkëpunimi u konfirmua me marrëveshjen e arritur gjatë një takimi në ambientet e televizionit, mes Drejtorit të ATV-së, Zija Rexhepi, dhe Drejtorit të “PriFest”, Fatos Berisha.
Festivali ka nisur tashmë shpalosjen e programit të sivjetmë, i cili sjell para publikut filma nga Kosova, rajoni dhe vende të tjera evropiane, me premiera botërore, evropiane, rajonale dhe premiera në Kosovë.
Në kuadër të garës së filmave ballkanikë me metrazh të gjatë do të prezantohen pesë filma, mes tyre edhe produksione dhe bashkëproduksione kosovare.
“HANA”, me regji të Ujkan Hysajt, do të ketë premierën evropiane në PriFest. Filmi, me Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi dhe Ermin Bravo në rolet kryesore, trajton traumën e luftës, identitetin dhe fuqinë shëruese të artit.
Pjesë e konkurrencës janë edhe “GÜLIZAR” nga Belkis Bayrak, bashkëprodhim mes Turqisë dhe Kosovës, “VIDRA (OTTER)” nga Srđan Vuletić, “THE RIVER” nga Haris Raftogiannis, si dhe “SHAME AND MONEY” i regjisorit Visar Morina.
“Shame and Money”, bashkëprodhim mes Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës, vjen në PriFest pas premierës botërore në Sundance Film Festival 2026, ku ishte pjesë e konkurrencës “World Cinema Dramatic”.
PriFest ka prezantuar edhe programin e filmave me metrazh të mesëm, ku këtë vit janë përzgjedhur katër filma: “THE SONS OF ILIR” nga Robert Deçani, “APOLLON CLUB” nga Kruno Trninić, “LES NOCTURNES” nga Siham Bel dhe “BLUE DAYS” nga Lina Pavlova.
Në këtë kategori do të ketë një premierë botërore, një premierë rajonale dhe dy premiera në Kosovë.
Edicioni i 18-të i PriFest do të mbahet nga 8 deri më 13 shtator 2026, ndërsa ATV, si sponsor medial, do të përcjellë aktivitetet dhe zhvillimet kryesore të festivalit.
Pak projekte arkitekturore dhe kulturore kanë ngjallur kaq shumë interes gjatë dy dekadave të fundit sa Guggenheim Abu Dhabi
Pikërisht për këtë arsye, lajmi se muzeu më në fund do t’i hapë dyert më 11 dhjetor 2026 dhe do të bëhet muzeu i katërt aktiv Guggenheim në botë, pas atyre në Nju Jork, Venecia dhe Bilbao, shënon fundin e një prej projekteve kulturore më të shumëpritura të shekullit XXI.
Pikërisht për këtë arsye, lajmi se muzeu më në fund do t’i hapë dyert më 11 dhjetor 2026 dhe do të bëhet muzeu i katërt aktiv Guggenheim në botë, pas atyre në Nju Jork, Venecia dhe Bilbao, shënon fundin e një prej projekteve kulturore më të shumëpritura të shekullit XXI.I vendosur në ishullin Saadiyat, në një zonë kulturore që vitet e fundit ka ndryshuar tërësisht hartën kulturore të Lindjes së Mesme, Guggenheim Abu Dhabi nuk është konceptuar thjesht si një tjetër degë e muzeut të famshëm. Bëhet fjalë për muzeun më të madh Guggenheim të ndërtuar deri më tani, një hapësirë që synon të tregojë një histori të re të artit modern dhe bashkëkohor përmes një perspektive globale, me theks të veçantë te artistët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika e Veriut.
Frank Gehry sjell sërish arkitekturën që sfidon kufijtë
Pas këtij projekti qëndron një prej arkitektëve më të njohur në botë, Frank Gehry, autori i Guggenheimit ikonik në Bilbao, një ndërtesë që ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si mendojmë për rolin e arkitekturës në zhvillimin e qyteteve.
Planet për Guggenheim Abu Dhabi u prezantuan për herë të parë në vitin 2006, ndërsa projektet e Gehryt u bënë publike në vitin 2009.
Për Abu Dhabin, Gehry ka projektuar një ndërtesë që tërheq vëmendjen po aq sa edhe veprat e artit që do të ekspozohen brenda saj. Muzeu përbëhet nga 30 galeri të lidhura përmes një atriumi të madh qendror, ndërsa silueta e tij, e cila pa dyshim do të bëhet një nga simbolet e reja të Abu Dhabit, formohet nga 10 kulla monumentale me forma skulpturore, që i japin hapësirës një karakter pothuajse futurist.
Format e pazakonta janë realizuar me çelik inox, rrjetë metalike, oniks dhe xham. Vetë arkitektura është konceptuar si pjesë përbërëse e përvojës së vizitorëve dhe jo thjesht si një kornizë për ekspozitat.
Me më shumë se 11.600 metra katrorë hapësira të brendshme galerish dhe me hapësira të jashtme ekspozimi më shumë se dy herë më të mëdha, Guggenheim Abu Dhabi do të jetë muzeu më i madh në të gjithë rrjetin Guggenheim.
Një këndvështrim i ri për artin modern
Ndryshe nga muzetë e tjerë Guggenheim, të cilët kryesisht mbështeten në koleksione ekzistuese, Guggenheim Abu Dhabi po krijon një koleksion të konceptuar posaçërisht për këtë hapësirë.
Fokusi do të jetë te arti i krijuar nga vitet 1960 e deri më sot, duke përfshirë pikturën, fotografinë, skulpturën, instalacionet dhe mediat e reja.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet artistëve nga rajone që për një kohë të gjatë kanë qenë të përfaqësuara në mënyrë të pamjaftueshme në muzetë e mëdha të skenës kulturore perëndimore.
Siç thekson Mariët Westermann, drejtoreshë dhe shefe ekzekutive e Solomon R. Guggenheim Foundation, ambicia e muzeut nuk është vetëm të prezantojë vepra të reja arti, por të ofrojë një këndvështrim tjetër mbi historinë e artit bashkëkohor – një histori që përfshin perspektiva të ndryshme kulturore dhe zëra nga të gjitha kontinentet.
Guggenheim Abu Dhabi ndodhet në zemër të Saadiyat Cultural District, një zonë që vitet e fundit është shndërruar në një prej qendrave kulturore më ambicioze në botë.
Aty tashmë ndodhen Louvre Abu Dhabi, teamLab Phenomena Abu Dhabi, Zayed National Museum dhe Natural History Museum Abu Dhabi, ndërsa është në ndërtim edhe një qendër e re e arteve të skenës, e cila gjithashtu është projektuar nga Frank Gehry.
Ideja e të gjithë projektit është që në një hapësirë të vetme të bashkohen institucione që do ta pozicionojnë Abu Dhabin si një prej destinacioneve më të rëndësishme në botë për artin, arkitekturën dhe kulturën.
Tradita shqiptare e gatimit dhe mikpritjes ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, pas organizimit të Festivalit të Flisë në kompleksin turistik Kasollet e Zanave, në Prapashticë të Prishtinës.
Aktiviteti u mbajt më 1 dhe 2 gusht 2026, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e traditës, gastronomisë dhe kulturës shqiptare.
Momenti që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte përgatitja e një flije gjigante me diametër tre metra, e cila u përgatit sipas mënyrës tradicionale. Pas përfundimit të pjekjes, flia u nda dhe iu shpërnda falas vizitorëve, e shoqëruar me djathë dhe kos fshati.
Përveç gatimit tradicional, festivali u shoqërua me muzikë, interpretime të folklorit dhe aktivitete për familje e vizitorë të shumtë që morën pjesë në këtë ngjarje.
Interesimi për festivalin ka kaluar kufijtë e hapësirës ku u zhvillua aktiviteti. Sipas organizatorëve, deri më 3 gusht 2026, videot nga përgatitja e flisë kanë arritur mbi 2.3 milionë shikime në platformat Instagram, TikTok dhe Facebook, duke marrë mijëra pëlqime, shpërndarje dhe reagime nga përdoruesit.
Ngjarja u pasqyrua edhe në Lajmet Qendrore të RTK-së, si dhe në media të tjera vendore, duke nxjerrë në pah interesimin e madh për promovimin e traditave shqiptare.
Organizatorët thonë se suksesi i këtij edicioni dëshmon se traditat vendore, kur prezantohen në mënyrë kreative dhe autentike, kanë potencial të madh për të promovuar Kosovën, turizmin kulturor dhe gastronominë tradicionale.
Organizatorët e Sunny Hill Festival kanë publikuar programin ditor të edicionit të sivjetmë, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, duke zbuluar edhe oraret e performancave të artistëve kryesorë.
Sipas programit zyrtar, nata e parë e festivalit, më 31 korrik, do të kulmojë me performancën e superyllit të muzikës pop Katy Perry, e cila do të ngjitet në skenë rreth orës 22:30. Gjatë kësaj mbrëmjeje do të performojnë edhe emra të njohur si Dhurata Dora, La Fazani dhe artistë të tjerë.
Më 1 gusht, skena kryesore do t’i takojë këngëtarit skocez Lewis Capaldi, i cili pritet të performojë nga ora 22:30. Programi i natës së dytë përfshin gjithashtu performanca nga Asgjë Sikur Dielli, Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta dhe artistë të tjerë.
Edicioni i sivjetmë do të mbyllet më 2 gusht, me performancën e DJ-it të njohur botëror Martin Garrix, i cili rikthehet për herë të dytë në skenën e Sunny Hill dhe do të performojë në orën 22:30.
Pjesë e natës përmbyllëse do të jenë edhe emra të njohur të muzikës elektronike si Adam Port dhe Rampa, të cilët pritet të sjellin një atmosferë festive për mijëra pjesëmarrës.
Publikimi i programit ditor u mundëson vizitorëve të planifikojnë pjesëmarrjen në një nga festivalet më të mëdha muzikore në rajon, i cili edhe këtë vit sjell në Prishtinë emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe shqiptare.
Entuziazmi për edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival po arrin kulmin, teksa organizatorët kanë bërë të ditur se tashmë janë shitur 90 për qind e biletave për festivalin.
Vetëm gjashtë ditë para nisjes së ngjarjes më të madhe muzikore në Kosovë, kanë mbetur në dispozicion vetëm edhe 10 për qind e biletave, duke sinjalizuar se festivali është shumë pranë statusit “sold out”.
Përmes një videoje të publikuar në llogarinë zyrtare në Instagram, organizatorët u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që ende nuk e kanë siguruar biletën, të nxitojnë ta bëjnë këtë sa më parë, pasi numri i biletave të mbetura është shumë i kufizuar.
Videoja shoqërohet me ritmet e hitit “Last Friday Night” të Katy Perryt, një zgjedhje simbolike, pasi superylli amerikan është një nga emrat kryesorë të këtij edicioni të festivalit.
Katy Perry do të ngjitet në skenën e Sunny Hill në natën e parë të festivalit, ndërsa në natën e dytë publiku do të argëtohet nga këngëtari skocez Lewis Capaldi. Mbyllja spektakolare e festivalit do t’i besohet DJ-it dhe producentit me famë botërore Martin Garrix, i cili do të performojë në natën e tretë.
Me interesimin e jashtëzakonshëm nga publiku vendas dhe ai ndërkombëtar, gjithçka tregon se edhe ky edicion i Sunny Hill Festival do të zhvillohet para një audience të tejmbushur, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga festivalet më të mëdha muzikore në rajon.
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar 10 dizajnet përfundimtare që do të garojnë për pamjen e re të kartëmonedhave euro, duke përfshirë figura të njohura historike si Leonardo da Vinci, Marie Curie, Maria Callas dhe Ludwig van Beethoven, si dhe temën alternative “Lumenjtë dhe zogjtë”.
Dizajnet u prezantuan në një ceremoni në Frankfurt, ku morën pjesë presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, dhe anëtari i bordit ekzekutiv, Piero Cipollone. Ato u përzgjodhën nga rreth 1.200 propozime të paraqitura gjatë muajve të fundit.
Njëzet e pesë vjet pas futjes në qarkullim të euros, kartëmonedhat pritet të marrin një identitet të ri vizual, duke lënë pas dizajnin aktual me ura dhe elemente arkitekturore të përgjithshme, të zgjedhur fillimisht për të shmangur favorizimin e ndonjë shteti të veçantë.
Në dizajnet e reja, përveç motiveve të natyrës, janë përfshirë edhe figura të shquara të historisë evropiane, të cilat konsiderohen pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore të kontinentit.
Procesi për ridizajnimin e kartëmonedhave, i nisur në vitin 2021, tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare. Nga sot deri më 21 shtator, qytetarët e vendeve të eurozonës mund të votojnë për dizajnin e preferuar përmes një ankete të hapur në faqen zyrtare të BQE-së.
Vendimi përfundimtar do të merret nga Bordi i Guvernatorëve të BQE-së brenda këtij viti. Më pas do të nisë faza teknike e zhvillimit dhe testimit të kartëmonedhave të reja, të cilat do të pajisen me teknologji të avancuara kundër falsifikimit.
Kartëmonedhat e reja me prerje 5, 10, 20, 50 dhe 200 euro do të ruajnë ngjyrat tradicionale, por do të paraqesin portrete të stilizuara të personaliteteve të njohura evropiane, duke i dhënë euros një identitet të ri vizual që pasqyron historinë, kulturën dhe diversitetin e Evropës.
Adam Port është një nga emrat më të spikatur të skenës ndërkombëtare të muzikës elektronike dhe pjesë e kolektivit gjerman Keinemusik, i njohur për stilin e tij unik që ndërthur afro house, deep house dhe elemente melodike moderne. Gjatë viteve të fundit, ai është shndërruar në një figurë me ndikim të madh në klubet dhe festivalet më të rëndësishme në botë.
Suksesi i tij më i madh ndërkombëtar erdhi me këngën “Move”, një bashkëpunim me Stryv dhe vokalistin Malachiii.
E publikuar si një projekt që përfaqëson tingullin modern të afro house-it, kënga u kthye shpejt në një fenomen global. “Move” u bë një nga këngët më të dëgjuara të muzikës elektronike verore, duke fituar popullaritet të madh në platformat streaming, në setet e DJ-ve ndërkombëtarë dhe në skenat e festivaleve të mëdha.
Përtej suksesit të kësaj kënge, Adam Port vazhdon të jetë një nga artistët më të kërkuar në festivalet ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Sunny Hill Festival në Prishtinë do të mirëpresë këtë vit disa nga emrat më të njohur të muzikës elektronike. Mes tyre është edhe Adam Port, i cili do të jetë pjesë e lineup-it të festivalit, për të dhuruar spektakël për fansat e festivalit në Kosovë.
Përveç tij, në programin e këtij edicioni të Sunny Hill Festival do të jetë edhe Rampa, gjithashtu pjesë e kolektivit Keinemusik dhe një nga DJ-të më të respektuar të skenës elektronike, i njohur për setet e tij atmosferike dhe stilin e veçantë të miksimit.
Me këta emra në program, Sunny Hill Festival vazhdon të forcojë pozicionin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon, duke sjellë në Prishtinë artistë që kanë formësuar tingullin modern të muzikës elektronike në nivel global.
Sunny Hill Festival mbahet sivjet nga data 31 korrik deri më 2 gusht, derisa emra të tjerë global të konfirmuar janë Katy Perry, Martin Garrix, Pawsa, Carlita, Seth Troxler dhe Manifest. Madje nuk përfundon me kaq, emra të tjerë pritet të zbulohen gjatë ditëve në vijim.
Biletat e rregullta tashmë janë në shitje dhe mund të blihen përmes uebfaqes zyrtare sunnyhillfestival.com.