ATV

Category: KULTURË

  • Presidentja Osmani nesër i dorëzon shkrimtarit Ismail Kadare dekretin e nënshtetësisë së Kosovës

    Presidentja Osmani nesër i dorëzon shkrimtarit Ismail Kadare dekretin e nënshtetësisë së Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për në Shqipëri për një vizitë shtetërore dyditore.

    Në kuadër të qëndrimit të saj atje, presidentja Osmani në një ceremoni do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit të njohur me famë botërore, Ismail Kadaresë.

    Më 1 gusht të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

  • Edhe në “The British School of Kosova” filloi viti i ri shkollor për nivelin fillor

    Edhe në “The British School of Kosova” filloi viti i ri shkollor për nivelin fillor

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në një atmosferë festive, në praninë e prindërve, nxënësve e stafit pedagogjik, “The British School of Kosova” nisi sot viti i ri shkollor 2023/2024.

    Një emocion më ndryshe kishin nxënësit e klasës së parë, që sot nisën rrugëtimin e mësim nxënies.

    “Shumë mirë edhe shkolla, klasa, shokët”, tha Lis Canolli, nxënës.

    “Jam në klasë të parë, shumë mirë edhe mësuesja”, tha Kron Krasniqi, nxënës.

    “Shumë mirë ishte dita e parë për mua”, tha Dora Sahiti, nxënëse.

    Ndërsa, prindërit u shprehën të kënaqur me atë që ofron “The British School of Kosova”, për fëmijët e tyre.

    “Është staf mjaft profesional, sot e kemi sjellë vajzën, në klasën e parë ka fillu dhe mbështetemi në vlerat që ofron kjo shkollë”, thotë Paulina Nushi-Muhaxhiri, prind.

    “Kemi emocione, por besoj që kemi bërë zgjedhjen e duhur të shkollës për fëmijët tanë”, tha Albion Muhaxhiri, prind.
    Mësimdhënësit mirëpritën fëmijët me urimet më të mira.

    “Nxënësit erdhën, u bashkuan për të mësuar e ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur, e do ta bëjmë maksimumin në punën tonë”, tha Genta Xhoka, mësimdhënëse.

    Duke uruar nxënësit e mësimdhënësit, drejtori i shkollës, Lulzim Tytynxhiu, tha se do të nxitë shkathtësitë e talentet e nxënësve.

    “Jemi shumë të kënaqur për besimin që po na ofroni, shkolla jonë do të jetë model i vlerave të larta të arsimit…”, tha drejtori i “The British School of Kosova”, Lulzim Tytynxhiu.

    Ndonëse, sot ishte dita e parë e mësimit dhe interesimi i prindërve për regjistrimin e fëmijëve në “The British School of Kosova” vazhdon të jetë i madh, menaxhmenti i shkollës njofton se një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe gjatë ditëve në vijim.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Rama: Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit të kryeqytetit po bëhen realitet

    ​Rama: Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit të kryeqytetit po bëhen realitet

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, gjatë vizitës në Japoni ka takuar arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, me të cilin kanë diskutuar detajet e fundit të projektit të Sallës Koncertale dhe Muzeut të Artit në Kryeqytet, të cilat do të krijohen brenda ish shtëpisë së mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

    “Arkitektura unike e ndërtesës ikonë të Kryeqytetit, do të ruhet tërësisht si pjesë e trashëgimisë sonë. Por në të njëjtën kohë ne do të krijojmë një Sallë Koncertale e Muze të Artit super modern. Ky është një projekt tjetër i madh drejt transformimit të Prishtinës. Jam shumë i lumtur që vetëm se po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme të kulturës që i kanë munguar Kryeqytetit tash e sa kohë. Ne po realizojmë një kërkesë të kahmotshme të artistëve tanë, që të kenë një ambient të përshtatshëm ku do të mund të shprehin artin e tyre, në kushte shumë më të favorshme, ashtu siç do të bëjnë artistët me renome botërore. E kam premtuar dhe po e bëjë realitet” ka deklaruar Rama.

    Ndërsa, arkitekti Kengo Kuma, u shpreh falënderues për mundësinë e bashkëpunimit me Kryeqytetin që të krijojë një super projekt me arkitekturë të veçantë, i cili do të plotësojë nevojat e komunitetit artistik vendor e ndërkombëtar.

    Gjatë së enjtes, Rama u takua edhe me Taito Yamamoto, kryetarin e qytetit Chuo i cili gjendet në prefekturën e Tokios. Me z. Yamamoto, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe këmbimin e përvojave artistike dhe kulturore. Gjithashtu Rama u takua edhe me të parin e Qytetit Shibuya, Ken Hasebe, me të cilin biseduan për rritjen e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë informative.

  • Elementet historike të Muzeut të Muzikës që u dogj në Gjakovë, kanë shpëtuar

    Elementet historike të Muzeut të Muzikës që u dogj në Gjakovë, kanë shpëtuar

    Në orët e para të mbrëmjes së djeshme, Muzeu i Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga flakët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës dhe njësitet e zjarrfikëseve të cilët janë në përpjekje për lokalizimin e zjarrit.

    Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjakovës përmes një komunikate me shkrim e ka konfirmuar ngjarjen. Sipas tij njësitet policore janë akoma në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe njësitet e zjarfiksëve.

    Elezaj konfirmoi se përveç dëmeve materiale fatmirësisht viktima në njerëz nuk ka.

    Në vendin e ngjarjes po ashtu janë parë edhe zyrtarët komunalë në mesin e tyre edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili nuk deshi të prononcohej.

    Ndërkaq përmes një reagimi në Facebook zyrtarët për informim pranë komunës së Gjakovës thanë se ajo çka ka ndodhur sonte në objektin e Tabhanes, është një lajm i keq për Gjakovën.”Ndërsa e mira e gjithë kësaj është se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzikës që do të thotë se të gjitha elementet që kanë vlera artistike e historike kanë shpëtuar. Si komunë presim hetimin e policisë për të kuptuar shkakun e zjarrit, thuhet në reagimin përmes Facebookut të zyrtarëve për informim të Komunës së Gjakovës.

  • “Nusja dhe Vjehrra” – Tregim Popullor

    “Nusja dhe Vjehrra” – Tregim Popullor

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, është edhe rubrika me tregime popullore, të cilat i interpreton aktori Bislim Muçaj.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një histori për raportet ndërmjet vjehrrës dhe nuses diku në Dukagjin.

    Një nuse në Dukagjin kish pas qëllu në një vjehërr shumë të sertë, një vjehërr të vështirë. Por, kjo ish kanë derë fisnike, nuse soj, kurrë nuk ia kish kthy fjalën vjehrrës, edhe pse kjo i kish bërtitë, e kish qortu, nusja e kish pranu qashtu qysh është vjehrra.

    Një ditë, nusja shkon në gjini qysh u kanë këtyne here, ku nuk kanë shku për një ditë e dy, por kanë ndejt gati tri javë që kur janë kthy, janë kthy me kuleq.

    Shkon burri me e marrë nusen përpara se me u ba tri javë, i thotë “nuse hajde të shpija se na u ka kallë shpija. O le se ma e zeza është se shpija u kallë, por edhe nana u qëllu brenda e u
    kallë bashkë me shpi”.

    Nusja i thotë, “e kam ditë që qasaj vjehrrës time ka me i ardh fundi diqysh, por që digjet në zjarr e piqet, këto s’ma ka marrë mendja kurrë”.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

  • 10 nga filmat më të mirë për t’i shikuar në shtator

    10 nga filmat më të mirë për t’i shikuar në shtator

    Nga “Dumb Money” dhe “Saw X” deri te “My Big Fat Greek Wedding 3”, Nicholas Barber, shkrimtar i pavarur për filmin dhe pop kulturën, propozon 10 filmat më të spikatur për t’i shikuar në muajin shtator.

    1. “The Equalizer 3 “

    Djali i Denzel Washington, John David Washington, në filmin The Equalizer 3, 68-vjeçari kthehet si Robert McCall, agjent i pensionuar i qeverisë. Filmi do të publikohet me 30 Gusht në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa për publikun e gjerë me 1 shtator.

    2. “Cassandro”

    Një film biografik i mirënjohur nga producenti dokumentar fitues i çmimit “Oscar”, Roger Ross Williams. Cassandro luan Gael García Bernal në rolin e Saul Armendáriz, një sportist homoseksual meksikan që paguhet për të humbur të gjitha ndeshjet e tij. Filmi lëshohet më 15 shtator në SHBA dhe MB, dhe më 22 shtator në Prime Video.

    3. “Saw X”

    Filmat “Saw” filluan të publikohen dy dekada më parë në vitin 2004. Aktori me rolin e vrasësit në serial, John “Jigsaw” Kramer (Tobin Bell), u vra në vitin 2006 në filmin “Saw III”, por kjo nuk e ndaloi atë të rikthehet – dhe tani më në fund ai po merr momentin e personazhit të tij kryesor. “Saw X” është një vazhdim, i vendosur midis ngjarjeve të filmave “Saw” dhe “Saw II”. Filmi do të publikohet nga 28 shtatori.

    Përpos këtyre, në këtë listë bëjnë pjesë edhe filma të tjerë si: “No One Will Save You”, “The Creator”, “Dumb Money”, “My Big Fat Greek Wedding 3”, “Mr. Jimmy”, “A Haunting in Venice”, dhe filmi “The Inventor”./BBC/

  • ​Prezantohen punime në Panairin e Rinisë, Çeku premton përkrahje

    ​Prezantohen punime në Panairin e Rinisë, Çeku premton përkrahje

    Shumë të rinj paraqitën talentin e tyre në Panairin e Rinisë të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF në Kosovë.

    Teknologji, inocavion, punime të ndryshme nga druri, edhe piktura, u promovuan nga të rinjtë në kuadër të këtij aktiviteti.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se do të vazhdojnë t’i përkrahin të rinjtë për të shfaqur talentin e tyre.

    Ndërkaq, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, tha se është kënaqësi të marrë pjesë në një panair të tillë në të cilin po promovohet kultura, inovacioni dhe teknologjia./kp

  • ​Kalaja e Lëkursit tashmë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës

    ​Kalaja e Lëkursit tashmë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës

    Qeveria mori vendimin për të kaluar Kalanë e Lëkursit në administrim të Ministrisë së Kulturës. Sipas vendimit të marrë të enjten, kalaja me sipërfaqe totale 8211.4 m2, por dhe 7 ndërtesat që ndodhen në këtë kala do i kalojnë nën administrim Ministrisë së Kulturës.

    Qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Kulturës dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

    Kalaja e Lëkursit ndodhet rreth 2 km në juglindje të Sarandës, në një kodër në formë piramide në 250 m lartësi.

    Mendohet se Lëkursi ka qenë vendbanimi kryesor i zonës gjatë gjithë periudhës mesjetare, ndërkohë që përmendet për herë të parë në dokumentet osmane të viteve 1431-1432.

    Shumë historianë mendojnë se fshati është ndërtuar rreth viteve 1537 në kohën kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin dhe i lindi si domosdoshmëri kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint.

    Sot rrënojat e këtij vendbanimi dallohen ende, mes të cilave shtëpitë e braktisura dhe një kishë e një periudhe më të vonë. Ky është një destinacion për këdo që preferon të kombinojë turizmin historik me atë të aventurës./atsh

  • Paçarizi: Gjuha shqipe është e rrezikuar në diasporë

    Paçarizi: Gjuha shqipe është e rrezikuar në diasporë

    Prej 14 gushtit në Universitetin e Prishtinës po mbahet Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Tema bosht e seminarit është “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.

    Edicioni i 41-të me radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës. Albanologë e studiues te ndryshëm kane prezantuar kumtesat në të cilat kanë trajtuar çështje që lidhen me gjuhën dhe letërsinë.

    Profesori Rrahman Paçarizi, në emisionin ALARM në ATV, duke folur për temën e seminarit “Shqipja në rrezik”, tha se gjuha shqipe është e rrezikuar në diasporën shqiptare.

    “Sivjet ka qenë tema “Shqipja në rrezik”, një temë e cila ka qenë shumë e rëndësishme, shumë emergjente, shumë e kohës, sepse në një anë, llogaritet që shqipja nuk është një gjuhë e rrezikuar sipas parametrave të UNESKO-s për gjuhë të rrezikuara, ka një popullsi vitale, gjeografi dhe demografi aq sa nuk e lënë të jetë gjuhë e rrezikuar, por shqipja është e rrezikuar në kuptime të tjera, në diasporë për shembull. Brezi i dytë dhe i tretë i mërgimtarëve nuk kanë shumë interes për shqipen pasi që gjuha e vendit ku jetojnë është gjuha ku ata e zhvillojnë shkollimin dhe karrierën e tyre, shqipja nuk është gjuha e tyre e parë e interesimit, nuk mund të zhvillojnë karrierë përmes shqipes në Gjermani për shembull. Por, megjithatë ka mundësi të zhvillohet. Ne i kemi këngëtarë të shumtë”, deklaroi Paçarizi.

    Ai thotë se edhe në diasporë mund të shihet një dritare që fëmijët e mërgimtarëve ta shohin shqipen si një mundësi për ta zhvilluar karrierën e tyre, edhe pse janë rritë atje.

    “Unë njëherë jam habitur kur studentët tanë, sepse studentët e gjuhës shqipe, së paku një semestër a dy, ata që duan, mund t’i kalojnë në universitete të ndryshme jashtë vendit dhe kur unë isha në një vizitë në Berlin, takova studentët tanë, ata më thanë për një moment se ‘a po dëgjon çfarë muzike është’, u thash jo se për mua muzika është një zhurmë kur pi kafe. Më thanë, po këndon Azeti dhe po këndon shqip në Berlin. Për mua ishte shumë interesant, dhe aty mund të shihet një mundësi ndoshta, një dritare që edhe fëmijët e mërgimtarëve tanë ta shohin shqipen si një mundësi për ta zhvilluar karrierën, edhe pse janë rritë atje, ta zhvillojnë karrierën këtu, sikurse edhe futbollistët për shembull që e shohin kombëtaren e Kosovës, si një mundësi për të depërtuar më tutje në botë. Do të thotë ka mundësi që të gjenden situata të tilla, në të cilat shqipja bëhet gjuhë e rëndësishme”, tha Paçarizi.

    Tema e sivjetme “Shqipja në rrezik”, sipas tij, ka të bëjë edhe me përpjekjen për të nxitur studime të gjuhës shqipe.

    “Tema e sivjetme “Shqipja në rrezik”, ka pasur të bëjë edhe me përpjekjen për të nxitur, për të forcuar studimet e shqipes në mënyrë që ato studime të jenë më të integruara, të internacionalizohen, të ndërkombëtarizohen më shumë, në mënyrë që shqipja të mos rrezikohet nga një lloj vetëmjaftueshmërie, njëfarë vet izolimi”, tha Paçarizi.

    Ai thekson se qëllimi i organizimit të seminarit është që të mbledh sa më shumë të huaj që janë të interesuar për gjuhën shqipe. Këtu përfshihen studiues të gjuhës shqipe si dhe individë të ndryshëm që janë të interesuar të mësojnë këtë gjuhë.

    “Në esencë, seminari ka nisur dhe vazhduar të organizohet për të huajt, do të thotë organizohet në tri boshte, në tri linja. Linja e parë është ajo e kurseve të gjuhës shqipe ku të huajt vinë dhe mësojnë shqipen përmes tri nivelesh, niveli i parë për ta që vinë për herë të parë të mësojnë gjuhë nga fillimi, pastaj niveli i ditë për ata që kanë qenë edhe herave të tjera dhe niveli i tretë janë ata që vinë për të mësuar kurset e avancuara të shqipes e në mesin e tyre ka edhe studiues pastaj të shqipes, njerëz të huaj të cilët merren me shqipen dhe zhvillohen më pas në këtë drejtim. Pjesa e dytë është ajo e referimeve shkencore dhe ligjëratave, ndërsa pjesa e tretë janë sesionet shkencore të cilat organizohen në dy ditët e fundit të seminarit”, tregon Paçarizi. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të profesorit Rrahman Paçarizi në emisionin ALARM në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Studentë nga vende të ndryshme evropiane tregojnë në ATV se pse vendosën të vijnë në Kosovë që ta mësojnë gjuhën shqipe

    Studentë nga vende të ndryshme evropiane tregojnë në ATV se pse vendosën të vijnë në Kosovë që ta mësojnë gjuhën shqipe

    Në emisionin “n’malAn’det”, ishin të ftuar 4 mysafirë nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët janë pjesëmarrës në seminarin e 41-të për gjuhë, letërsi dhe kulturë shqiptare në kuadër të Universitetit të Prishtinës (UP), dhe treguan se pse vendosën ta mësojnë gjuhën shqipe.

    “…E kam mësuar shqipen për një javë. Të jem i sinqert, shqipja është e vështirë sepse është shumë ndryshe, p.sh nuk është si bulgarishtja…”, tha Dobi Trendafilova nga Bulgaria.

    Ndërsa, për sa i takon arsyes se pse kanë vendosur të mësojnë gjuhën shqipe, Andrin Honegger tha se ka shumë shokë shqiptarë.

    “…Kam shokë shqiptarë, jam duke e mësuar gjuhën shqipe me një shoqe timen…”, tha Honegger.

    Ndërsa, Alexander Herren përmendi arsyet që e bëjnë atë ta pëlqejnë Kosovën, derisa nuk la pa pëmendur edhe fjalën më të vështirë që e ka ta theksoj në gjuhën shqipe, e që është fjala “mirëmbrëma”.

    “…Më pëlqen Prishtina, Prizren, më pëlqejnë malet… Më pëlqejnë njerëzit, janë shumë të shoqërueshëm, të ndihmojnë shumë. Definitivisht, do t’i sjelli në Prishtinë edhe prindërit dhe shoqërinë…”, tha Herren.

    Vlen të përmendet, se sipas artikullit të “Science” gjysma e popullsisë së botës flet një gjuhë që i përket familjes së gjuhëve indoevropiane.

    Sipas të dhënave të publikuara së fundmi në një artikull shkencor, vërtetohet se shqipja është një nga gjuhët më të vjetra indoevropiane që flitet ende.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të pjesëmarrësve të seminarit, klikoni në linkun e mëposhtëm: