ATV

Category: KULTURË

  • Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier vizitoi Kolegjin AAB për t’u takuar me studentët

    Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier vizitoi Kolegjin AAB për t’u takuar me studentët

    Sot në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB u zhvillua vizita e ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, i cili bashkëbisedoi me studentët dhe u përgjig në pyetjet e shumta që patën.

    z.Hovenier së pari foli për qëllimet dhe objektivat më kryesore që ka Ambasada Amerikane në Kosovë për të cilat tha se aktualisht janë tri.

    Integrimi i Kosovës në strukturat e sigurisë si NATO, zhvillimi i ekonomisë dhe qeverisja e mirë ishin tri pikat që përmendi ambasadori amerikan, duke shtuar se angazhimi për të përmbushur secilën nga to është evident çdo ditë.

    Tutje z.Hovenier përmendi edhe progresin që ka shënuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë derisa shtoi se rinia luan rolin kyç në zhvillim e prosperitet të vendit.

    “Unë kam ardhur shumë herë këtu para pavarësisë dhe pas saj, kur e mendoj se si ka qenë Prishtina dikur dhe shoh rininë them se po të isha investitor do vija menjëherë në Kosovë dhe potencialin do e lija këtu, pasi të gjithë të impresionojnë me nivelin e tyre të edukatës dhe njohuritë për gjuhën angleze”, tha ndër të tjera Hovenier.

    Ambasadori Hovenier u pyet nga studentët për rolin e diplomacisë në problemet globale; marrëdhëniet tregtare ekonomike mes Kosovës dhe SHBA; ndikimin e të rinjve në zgjidhjet e problemeve në fushën diplomatike; liberalizimin e vizave etj.

    Në fund të vizitës rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa falënderoi z.Hovenier për prezencën duke i dhuruar një nga librat e tij me titullin “On sundays do not call me”.

  • Nis edicioni i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Skampa” në Elbasan

    Nis edicioni i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Skampa” në Elbasan

    16 trupa teatrore nga trojet shqiptare dhe jo vetëm, janë bërë bashkë në Elbasan duke nisur kështu edicionin e 25-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘Skampa 23’.

    Drejtori i festivalit, regjisori Adonis Filipi, u shpreh se koncepti i këtij organizimi katër ditor, është i larmishëm ndërsa i shërben promovimit të kulturës teatrale jo vetëm në kufijtë kombëtarë por edhe rajonalë e botërorë.

    “Trupat vijnë nga Italia, Spanja, Franca, Kazakistani, Polonia. Ka edhe trupa shqiptare me një larmi stilesh dhe formash teatrale që i shërbejnë promovimit të kulturës sonë. 25 vite rrugëtim kanë një domethënie shumë të madhe për suksesin dhe rëndësinë e këtij festivali”, theksoi Filipi.

    Organizatorët gjithashtu theksojnë se festivali ndërkombëtar i teatrove ka shërbyer si një laborator i mirëfilltë për plejadën e artistëve të rinj ndërsa paralelisht ka edukuar spektatorin përmes artit.

    Duke nënvizuar vlerat që kanë përcjellë në rrugëtimin e tyre 25-vjeçar, ata kërkojnë që të mbështeten nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë. /Konica.al/

  • Një mozaik i rrallë romak zbulohet në Durrës

    Një mozaik i rrallë romak zbulohet në Durrës

    Gjatë rindërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, janë zbuluar gjetje arkeologjike tepër të rëndësishme si për nga tipologjia, ashtu edhe me vetë historinë e zhvillimit të qytetit antik.

    Bëhet fjalë për një bazament kolone, fragmente muresh, fragmente potenciale të pikturës murale e fragmente mermeri, që nga vlerësimi paraprak përkojnë me elemente tipike të strukturës së një vile romak.

    “Por gjetja kryesore është një mozaik floreal, që nëntoka e ka ruajtur në një gjendje mjaft të mirë, i periudhës së hershme perandorake romake, që në fazën aktuale, mendohet të mbulojë një sipërfaqe prej afro 30 m2. Hulumtimi i mëtejshëm pritet të zbulojë edhe elemente të tjerë të rëndësishëm të sitit arkeologjik”, ka shkruar ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti.

    Sipas saj, pas këtij zbulimi do të realizohet gërmimi arkeologjik i hapur me qëllim evidentimin e plotë të këtij siti, në vijim të së cilit do të vlerësohet ecuria e mëtejshme e projektit dhe destinacionin final të materialeve arkeologjike.

  • ​Migjeni, model i jashtëzakonshëm i prozës moderne shqiptare

    ​Migjeni, model i jashtëzakonshëm i prozës moderne shqiptare

    Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.

    Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

    Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.

    Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

    Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

    Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

    Ai ka vdekur më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, Migjenit iu nda titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957.

  • Nexhmije Pagarusha jetësohet në skulpturë

    Nexhmije Pagarusha jetësohet në skulpturë

    Bëhet e ditur se një ngjarje emocionuese do të ndodhë së shpejti do të ndryshojë pamjen e vendlindjes së saj. Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Bilbili i Kosovës” do të jetësohet në një skulpturë të veçantë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë në Malishevë, përcjell albinfo.ch

    Thuhet se kjo skulpturë është një frymëzim i artistit të njohur Agon Qosja dhe me aq sa kemi parë nga fotografitë e publikuara nga vetë skulptori, ajo do të jetë një pamje që na kujton kontributin e madh të Nexhmije Pagarushës në muzikën shqiptare.

    Nexhmije Pagarusha është një ikonë e muzikës shqiptare, e njohur për zërin e saj të veçantë dhe interpretimet e mrekullueshme në muzikën popullore dhe opera. Kryevepra e saj konsiderohet ”Baresha”, por pa lënë anash edhe këngët si: ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Dallëndyshe”, këngë këto që publiku vazhdon t’i dëgjojë me shumë nostalgji.

    Kjo skulpturë dedikuar Nexhmije Pagarushës, padyshim do të jetë një ndër veprat më të rëndësishme artistike në Kosovë, veçanërisht në fushën e muzikës. Ky është një hap i madh në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare, veçanërisht në një vend ku skulpturat kryesisht janë të dedikuara ndaj burrave të shquar të historisë së Kosovës.

    Agon Qosja, skulptori i talentuar i kësaj vepre arti, ka punuar me pasion dhe përkushtim për të krijuar një skulpturë që reflektonë fuqinë dhe pasionin e Nexhmijes për muzikën dhe që përmes saj të mbetet përgjithmonë në kujtesën tone, shkruan kultplus.

    Në vendin e saj të lindjes, kjo skulpturë padyshim që do të bëhet një pikë referimi për turistët dhe për vendasit që do të kenë kënaqësinë të shohin këtë pamje të mrekullueshme të një artisteje të madhe.

    Njëkohësisht, kjo është një ndër veprat e rralla që i dedikohet kontributit të një gruaje në Kosovë dhe ndoshta një shembull i mirë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontributit të grave në artin dhe kulturën shqiptare.

    Kjo dhuratë e bukur për kulturën shqiptare do të përurohet më datë 21 Tetor në Pagarushë, Malishevë.

  • Kërkohet rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor

    Kërkohet rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor

    Përgatiti: Sara Shehu

    Me fillimin e javës në kuadër të shëndetit mendor, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, me moton “Është okej të mos ndihesh okej”, ka organizuar një tryezë diskutimi me panelistë të fushave profesionale, që lidhen me shëndetin mendor, kushtuar nxënësve.

    Shëndeti mendor konsiderohet çështje e gjerë për të cilën psikologët e shkollave duhet të angazhohen më shumë.

    “Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës. Zhvillimi i programeve, krijimi i një kulture shkollore, shkollë – familje dhe komunitet duhet t’i jepet një rëndësi. Kemi me punu ma shumë që çerdhet dhe shkollat të mësojnë më shumë në promovimin e shëndetit mendor”, tha shefi i DKA-së në Prishtinë, Lulzim Vrapça.

    Por, psikologët e shkollave thonë se në punën e tyre nuk kanë sistem adekuat për trajtimin e nxënësve me probleme të kësaj natyre.

    “Është një çështje komplekse dhe faktor të shumtë janë që çojnë deri në këtë situatë, por mundësitë e tona lënë për të dëshiruar në përmirësimin e kësaj gjendjeje”, tha Valdet Pakolli, psikolog në shkollën “Hasan Prishtina”.

    Edhe Mimoza Shahini, psikiatre në QKUK, e cila trajton rastet më të rënduara, tha se çdo shkollë duhet të këtë programe të veçanta që funksionojnë për nxënësit që vuajnë nga shëndeti mendor.

    “Shkollat urgjent të marrin masa se fëmijët duhet të evidentohen në parashkollor e jo para se të bëhet vonë, harroni vjershat që i kemi maltretu fëmijët me lexu poezi para neve. Kjo është absurde për shëndetin mendor të fëmijëve, shkolla duhet ta ketë vendin ku duhet, me u socializu, çka është hierarkia këto gjëra duhet me i ba në shkollë. Psikologu shkollor ka të bëjë me promovimin e shëndetin mendor të fëmijëve nëse fëmija nuk është i lidhur me shkollën atëherë është e rëndë”, tha Shahini.

    Pjesë e debatit ishin edhe përfaqësuesit e prindërve së bashku me nxënësit, të cilët thanë se rrjetet sociale janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në shëndetin mendor të fëmijëve.

    “Prindërit të kenë një komunikim më të hapur me fëmijët, meqë ka faktorë të shumtë që duhet të diskutohen, bullizmi në rrjetet sociale, që është një realitet në të cilin po jetojnë. Si shoqëri duhet të kemi një alarm se ku po shkojnë fëmijët tanë”, tha Fisnik Durguti, përfaqësues i prindërve.

    “Mënyra se si na vinë problemet me shëndetin mendor janë të ndryshme. Rrjetet sociale, stresi shkollor, bullizmi po ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor. Psikologët duhet të punojnë me shëndetin mendor tek adoleshentët”, tha Anita Asllani, nxënëse.

    Njëkohësisht Dita Botërore e Shëndetit Mendor ka bashkuar rreth 450 psikologë nga Kosova e Shqipëria, të cilët kanë organizuar edicionin e pestë të Kongresit Ndërkombëtar me moton “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”.

  • Kjo është piktorja që e shiti pikturën për 17 mijë euro, tregon se kush e bleu

    Kjo është piktorja që e shiti pikturën për 17 mijë euro, tregon se kush e bleu

    Për një vend padyshim vlerësimi i artit luan një rol thelbësor, meqenëse tregon për kulturën e atij vendi.

    Herë pas here, diskutohet për çmimet e larta të pikturave – qytetarët ankohen se nuk mund të blejnë piktura për shkak të çmimeve të larta, derisa piktorët thonë se çmimet janë të tilla për shkak të materialeve të shtrenjta që përdoren për t’u krijuar ato piktura.

    Pikërisht në lidhje me këtë çështje, diskutoi edhe piktorja e njohur nga Tetova, Besa Dauti e cila ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe tregoi çmimin më të lartë të pikturës që e ka shitur, gjithashtu edhe përmbajtjen e saj.

    “…Çmimi më i lartë ka qenë 17 mijë euro. Piktura kishte një peisazh italian. E bleu një tetovar”, tha ajo.

    Vlen të potencohet se piktura më e shtrenjtë në botë është “Salvator Mundi” e Leonardo da Vincit e cila është shitur për 450 milionë dollarë.

    Për ta dëgjuar emisionin e plotë të LIBERO-s, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Studenti në qendër”, misioni i Kolegjit AAB në nisje të vitit të ri akademik

    “Studenti në qendër”, misioni i Kolegjit AAB në nisje të vitit të ri akademik

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Teatri ”Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB, bëri bashkë studentët nga i gjithë vendi, në ceremoninë e pranimit të studentëve të rinj, të cilët do të jenë pjesë e vitit të ri akademik 2023/2024.

    Duke iu uruar mirëseardhje, rektori i Kolegjit, Lulzim Tafa, u foli studentëve për rëndësinë e studimeve në këtë kolegj.

    Të entuziazmuar që nga e hëna do të fillojnë rrugëtimin e ri, studentët thonë se zgjodhën AAB-në për shkak të rëndësisë që i jep rrugëtimit akademik.

    Studentë të tjerë shprehen të lumtur që këtë vit të ri akademik po e nisin në një kolegj, i cili, sipas tyre, do t’iu ofrojë mundësi të mëdha.

    Ky organizim u përmbyll me fjalime e tregime suksesi të ish-studentëve.

    Kolegji AAB është institucioni më i madh jopublik i arsimit të lartë në trevat shqiptare.

  • Çeku i shkruan Dioqezës në Rashkë për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës

    Çeku i shkruan Dioqezës në Rashkë për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës

    Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, i është drejtuar me shkresë zyrtare Dioqezës në Rashkë të Prizrenit për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator.

    Kështu ka bërë të ditur vetë ministri Çeku në llogarinë e tij në Facebook, ku ka publikuar edhe shkresën.

    “Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Çeku.

  • Brucoshët e vitit të ri akademik 2023/24 të Kolegjit AAB mirëpriten me ceremoni solemne

    Brucoshët e vitit të ri akademik 2023/24 të Kolegjit AAB mirëpriten me ceremoni solemne

    Përmes një ceremonie solemne të organizuar nga Kolegji AAB janë mirëpritur brucoshët që do fillojnë vitin e ri akademik 2023/24. Ata tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre në fushat e shumta të studimeve, ndërsa rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa me anë të disa mesazheve të veçanta iu uroi mirëseardhje.

    “Kjo ditë nuk është e rëndësishme vetëm për ju por për të gjithë ne, sepse po filloni etapën kyçe të jetës studentore dhe këtë po e bëni me ne. Nga sot emri juaj dhe i Kolegjit AAB janë të njësuar. Rruga e suksesit nuk është e lehtë duhet shumë punë, mund dhe sakrificë. Puna jonë është të përgatisim kuadro për tregun e punës jo vetëm në Kosovë, por në tregun rajonal dhe atë global. Përveç mësimeve, studimet edhe përjetohen prandaj mos hezitoni ta shijoni jetën studentore në ambientet relaksuese që ka kolegji”, tha rektori Tafa.

    Për të vulosur dhe treguar qartë ndikimin dhe rolin e studentëve në institucionin tonë, përmes një fjale rasti Gent Anadolli kryetari i Unionit të Studentëve tregoi rrugën që duhet ndjekur.

    “Vendi ku do përjetoni sfida e suksese, do gjeni mentorë që do iu frymëzojnë në gjithë rrugëtimin tuaj të arsimit është pikërisht Kolegji AAB. Eksploroni çdo mundësi e çdo sfidë në jetën akademike, andaj jeni kërkues ndaj stafit akademik, administrativ dhe bashkëpunoni me kolegët tuaj”, u shpreh Genti.

    Se suksesi i studentëve të diplomuar dhe hapësira për ta në Kolegjin AAB edhe pas studimeve është një nga parimet e institucionit, e konfirmoi autorja, producentja dhe moderatorja në televizionin ATV njëherazi edhe asistente në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB Flaka Vitaku.

    Flaka motivoi studentët të luftojnë për ëndrrat e tyre dhe të tregojnë përkushtimin e duhur.

    “Unë ende jam pjesë e familjes së madhe të Kolegjit AAB, pasi një nga parimet e institucionit është të mbaj studentët e zellshëm afër vetes. Kurse juve ju dëshiroj sukses, shumë punë dhe në këtë mënyrë AAB nuk do iu harroj kurrë, do përfundoni çdoherë të shpërblyer”.

    Në këtë ceremoni pati edhe pika artistike nga ish studenti i Kolegjit AAB tashmë këngëtar i njohur Arbër Krasniqi, që argëtoi të pranishmit.

    Pas ceremonisë studentët takuan dekanët e fakulteteve për të parë sallat ku do zhvillojnë ligjëratat, të cilat fillojnë nga data 7 tetor për studentët e së shtunës ndërsa për ata të rregullt nga data 9 tetor 2023.

    Nga sot Kolegji AAB është bashkëudhëtari juaj në rrugën akademike, suksese dhe shëndet studentë tanë të dashur!