ATV

Category: KULTURË

  • Diplomojnë mbi 700 studentë të Kolegjit AAB

    Diplomojnë mbi 700 studentë të Kolegjit AAB

    Në një ceremoni madhështore në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, u mbajt ceremonia e Diplomimit të studentëve të nivelit Bachelor dhe Master të Kolegjit AAB.

    Në këtë ceremoni kanë diplomuar mbi 700 studentë që vinë nga 12 Fakultete, të cilët kanë studiuar në mbi 50 programe të përfshira të Kolegjit AAB.

    Pos drejtuesve të Kolegjit AAB, me kryetarin e Këshillit Drejtues, z.Ilir Tafa dhe rektorin z.Lulzim Tafa, në këtë ceremoni diplomimi morën pjesë edhe Rifat Jashari nga familja Jashari, filantropi Lazim Destani, e shumë personalitete të tjera.

    Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim në Kolegjin AAB, Venera Lluni, në një prononcim për ATV-në, tha se tha se studentët të cilët po diplomojnë janë nga gjenerata e vitit 2019-2020 nga 12 Fakultete, të cilët kanë studiuar në mbi 50 programe të përfshira të Kolegjit AAB.

    “Është një atmosferë e këndshme, e bukur sepse të rinjtë janë këtu. Kolegji AAB po e organizon ceremoninë e diplomimit të studentëve, janë gjenerata e vitit 2019/2020 dhe të gjithë këta studentë, të cilët janë mbi 700 të diplomuar janë nga 12 Fakultete, dhe kanë studiuar në mbi 50 programe të përfshira të Kolegjit AAB. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, është një kënaqësi e madhe sepse është edhe rezultat i punës së gjithë stafit akademik, profesorëve, asistentëve, por edhe kuptohet që punën kryesore e bëjnë edhe vetë studentët”, tha Llunji.

    Mesazhi i saj për studentët e diplomuar ishte që asgjë të mos i ndalë në rrugën e tyre të përparimit.

    “Nuk ka ndjenjë më të bukur se sa t’i hedhësh kapelat pasi që të diplomosh. Mesazhi i im do të ishte që asgjë të mos i ndalë në rrugën e tyre të përparimit, që të jenë gjithmonë të vetëdijshëm për atë çfarë i pret, gjithmonë të jenë të gatshëm të ecin përpara, ta sfidojnë jetën me të gjitha që munden dhe njëkohësisht ta bëjnë krenar edhe Kolegjin AAB ku kanë qenë studentë”, u shpreh Llunji. /atvlive.tv

    Ceremonia e diplomimit të studentëve të Kolegjit AAB u transmetuar drejtpërdrejt në faqen zyrtare të këtij kolegji në facebook, të cilën ta shikoni duke Klikuar KËTU.

  • ​Homeri shqiptar në 152-vjetorin e lindjes

    ​Homeri shqiptar në 152-vjetorin e lindjes

    Lindur në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.

    Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi.

    Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.

    Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

    Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.

    Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

    Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.

    Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.

    Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.

    Si poet kombëtar, Atë Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

    Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’.

    Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

    Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegërishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj.

    Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.

    Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

  • Vdiq skulptori Luan Mulliqi, la pas vetës një krijmtari të madhe në fushën e artit

    Vdiq skulptori Luan Mulliqi, la pas vetës një krijmtari të madhe në fushën e artit

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Duke lënë pas një karrierë të bujshme artistike, sot vdiq skulptori e piktori kosovar, Luan Mulliqi.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Platformën Facebook kujtoi skulpturën e Nëna Terezës duke e cilësuar si një nga veprat kryesore të Mulliqit për të cilën kishte shkruar edhe Ismail Kadare në librat e tij.

    Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se puna e tij e jashtëzakonshme do ta shënojë përgjithnjë hapësirën publike me monumente e skulptura të nënshkruara me prurjen e rrallë artistike.

    Përpos krerëve të lartë përmendur, për vdekjen e Mulliqit, telegram ngushëllimi ka shprehur edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    “Luan Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka do të jemi gjithmonë mirënjohës. Angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor. Kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm”, thuhet në telegramin e MKRS-së.

    Mulliqi, gjatë karrierës së tij, mori pjesë në shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar dhe botoi një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë.

    Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka njoftuar se homazhet do të bëhen nesër në orën 11:00, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 16:00.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Kurti për vdekjen e skulptorit Luan Mulliqi: Mungesën do t’ia ndjejmë, por, do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij

    Kurti për vdekjen e skulptorit Luan Mulliqi: Mungesën do t’ia ndjejmë, por, do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij

    Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar familjen Mulliqi me rastin e vdekjes së skulptorit, Luan Mulliqi

    Kurti ka shkruar se “pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas”.

    “Shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, iu kishte ngulitur aq thellë në mendje një skulpturë e Nënës Terezë sa edhe pati shkruar: “Nënë Tereza e Mulliqit ka një metaforë të rrallë që duke shpërthyer nga toka dëshmon për vërtetësinë e shenjtores sonë.” Luan Mulliqi ka ndërruar jetë. Si veprat, edhe emri i tij, jehon gjithandej. Pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Më tej, kreu i shtetit tha se një artist me shije të hollë e me dije të gjerë nga sot nuk është më në mesin tonë.

    “Mungesën do t’ia ndjejmë përherë më shumë, por, Luanin do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij. Artisti nuk shuhet, sepse vepra e tij jeton. Ngushëllime familjes, miqëve, kolegëve e studentëve të tij! Ngushëllime të gjithë neve”.

  • Pas premierës në Tiranë, dokumentari për Bekim Fehmiun shfaqet edhe në Prizren

    Pas premierës në Tiranë, dokumentari për Bekim Fehmiun shfaqet edhe në Prizren

    Dokumentari i gjatë artistik kushtuar figurës së aktorit të madh Bekim Fehmiu, pas Shqipërisë po vazhdon në Kosovë, pikërisht në Prizren, aty ku i pushojnë eshtrat.

    Dokumentari prej 66 minutash i xhiruar në gjashtë shtete është me regji nga Valmir Tertini dhe skenar të Fahri Musliut.

    Pas Prizrenit, filmi do të shfaqet dhe në Prishtinë, Beograd, Romë e New York. Gjithashtu dokumentari ka nis dhe distribuimin neper festivale ndërkombëtare.

    Ky dokumentar është xhiruar në gjashtë shtete; Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Itali.

    Sipas regjisorit Tertinit, ky projekt ka nisur në vitin 2019, ndërsa ka gjetur financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

  • Ndahet nga jeta skulptori Luan Mulliqi

    Ndahet nga jeta skulptori Luan Mulliqi

    Ka vdekur në moshën 70-vjeçare skulptori i njohur, Luan Mulliqi, ka njoftuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në të cilën Mulliqi ishte sekretar shkencor.

    Siç ka njoftuar ASHAK-u, të hënën në orën 11:00 do të mbahet në mjediset e saj do të mbahet mbledhja komemorative, ndërsa nga ora 11:30 do të fillojnë homazhet.

    Funerali niset nga ASHAK-u në ora 13:00.

    Varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 16:00.

    Kush ishte Luan Mulliqi?

    Luan Mulliqi lindi në Gjakovë në vitin 1953. Kreu studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë (1977), ndërsa studimet pasuniversitare në Beograd (1979).

    Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1977 dhe më pas i disa asociacioneve të artistëve dhe të skulptorëve në SHBA.

    Mori pjesë në shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar dhe botoi një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë. Është autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë.

    Krijimtaria e tij artistike përfshin skulpturën monumentale bashkëkohore dhe atë kombëtare, duke e transformuar në një stil modern. Hapi disa ekspozita personale (Beograd 1979, Çikago 1992, Dallas 1994, Nju-Jork 1995, Prishtinë 2008, Vjenë 2012, Timihoara 2014, Prishtinë 2016 etj.) dhe mori pjesë në shumë ekspozita kolektive jashtë vendit (Shqipëri, Kroaci, Holandë, Kanada, Japoni, Itali, SHBA, Gjermani, Indi, Maqedoni, Francë etj).

    Ishte fitues i disa çmimeve në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare: çmimi për skulpturë në Fakultetin e Arteve në Beograd (1978), çmimet “Mosha Pijade” (1979), “40 vjet revolucion” (1981), Bienalja e Vizatimit (1983), Salloni Pranveror (1985), shtatorja e “Nënë Terezës” (2000), “Skënderbeu, strateg dhe diplomat” (2004), të gjitha në Prishtinë, pastaj për monumentin e Nënë Terezës në Tiranë (2005), shtatoren e Fehmi Aganit në Prishtinë (2006) etj.

    Veprat e tij gjenden në disa galeri dhe muze të ndryshëm. Disa prej tyre janë pjesë e koleksioneve private si dhe të personaliteteve të njohura.

    Për disa vjet ishte ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës.

    Ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa nga viti 2012 ishte anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sekretar i Seksionit të arteve dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

  • Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, përjetësohet në bronz

    Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, përjetësohet në bronz

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në vendin ku u lind, prej mëngjesit iu dëgjuan këngët.

    Ndonëse amaneti i të ndjerës Nexhmije Pagarusha ishte të varrosej në fshatin Pagarushë, 3 vjet pas vdekjes aty u përurua busti i saj. Zëri i saj dhe trashëgimia që la pas, me të cilat njihet si bilbili i Kosovës, u kujtua nga të pranishmit.

    Busti kushtuar dives së muzikës popullore shqipe ishte ide e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi i cili tashmë përfundoi mandatin e tij.

    Ndërkaq kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur realizimin e këtij busti.

    Mirënjohës për nderimin që ju bë ishin edhe familjarët e këngëtares

    Trashëgimia muzikore e Nexhmije Pagarushës përfshin mbi 150 këngë të interpretuara. Ajo e cila konsiderohet testament i këngës shqipe është kënga “Baresha” e cila u interpretua në vazhdimin e ceremonisë me program artistik në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë.

    Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt 2020.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Përformuesit e Filarmonisë së Kosovës kërkojnë nivelizimin e pagave

    Përformuesit e Filarmonisë së Kosovës kërkojnë nivelizimin e pagave

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Punën dhe përgjegjësinë me kolegët e saj e kanë të njëjtë, por koristja Fjolla Gashi-Dobruna, pagën e ka më të ulët. Tash e tre muaj anëtarët e Filarmonisë janë ndarë në kategori.

    “Është shumë shqetësuese, është diskriminim në mes të këngëtarëve dhe në mes të pjesëtarëve të korit që e bëjnë punën e njëjtë. Unë jam njëra ndër ato që jam diskriminuar në këtë aspekt dhe pagën e marr me një koeficient të vjetër, nëse e krahasojmë me një shoqe që e kam afër, e bëjmë punën e njëjtë, shkollimin e njëjtë, të gjitha të njëjta”, tha Gashi-Dobruna.

    Ankesën e njëjtë si Gashi-Dobruna, e ka edhe kryetari i sindikatës së Filarmonisë së Kosovës, Shaban Behramaj.

    “Edhe unë jam pjesë e kësaj parregullsie dhe gjithë këtij gabimi që është bërë në institucionin tonë dhe kjo është arsyeja që ne kemi vendosur të reagojmë publikisht dhe të kërkojmë nga ministria e kulturës që të rregullohet sa më shpejtë dhe të nivelizohen artistët e këtij institucioni, të cilët i takojnë të njëjtës kontratë, të njëjtës përgjegjësi, por që janë të ranguar në dy koeficiente të ndryshme, kjo është shumë e padrejtë dhe ka ngjallur pakënaqësi tek muzikantët, pra tek ne”, tha Behramaj.

    Nga kjo shoqatë madje paralajmëruan edhe veprime ndaj Ministrisë së Kulturës, nëse siç thonë ata shpërfillja ndaj tyre vazhdon.

    Por, nga ky institucion thanë se ekzekutimi i pagave bëhet në bazë të vendimit të Qeverisë nga shkurti i këtij viti.

    “Aktualisht ekzekutimi i pagave ne sektorin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore është duke ndodhur bazuar ne rregullat e ekuivalentimit te sistemit te vjetër dhe sistemit te ri te pagave sipas vendimit te Qeverise se Kosovës te datës 16.02.2023. -Ky vendim obligon institucionet te harmonizojnë sistemet e pagave dhe pas këtij procesi, te kalojnë ne klasifikimin e pozitave qe sipas ligjeve ne fuqi behet përmes aprovimit te strukturave te reja organizative.- Sa i përket ekuivalentimit, MKRS, është ne kontakt te vazhdueshëm me MPB dhe vazhdimisht raportohen rastet e korrigjimeve dhe kërkohet konfirmimi i sakte nga DMZP/MPB për këto raste”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

    Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë mbi 350 raste të administruara të përcaktimit të sakte të ekuivalencës se pagave.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Sot përurohet busti i bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarusha

    Sot përurohet busti i bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarusha

    Sot bëhet përurimi i bustit të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha në fshatin e saj të lindjes, Pagarushë të Komunës së Malishevës.

    Sipas njoftimit të komunës, ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë (vendlindja e Nexhmije Pagarushës).

    Aktivitet do të mbahen sipas kësaj agjende:

    Ora 10:00-Nderime te varri i Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.

    Ora 10:30-Përurimi i Bustit të Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.

    Ora 11:30-Program artistik në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë.

    Mbretëresha e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 7 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare.

    Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e këngës shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera.

    Veprimtaria muzikore 50-vjeçare e Nexhmije Pagarushës është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i ka takuar. Ajo është njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

    ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.

  • 14 filma sportivë vendorë dhe ndërkombëtarë do të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv Prishtina 2023

    14 filma sportivë vendorë dhe ndërkombëtarë do të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv Prishtina 2023

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të organizojë edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Sportiv Prishtina 2023, i cili do të mbahet më 20 dhe 21 tetor 2023 në Kinemanë ABC në Prishtinë.

    Do të jenë gjithsej tetë filma sportivë vendorë të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, të cilët pasqyrojnë vlerat olimpike dhe paralimpike, sportistë, ish-sportistë, trajnerë dhe kontribues të sportit të Kosovës.

    Në ceremoninë e hapjes (e premte), do të shfaqet premiera e filmit “Mija”, nga autorja Vjosa Maqedonci – Osmani, që i kushtohet legjendës së basketbollit, Resmije Juniku dhe klubit të basketbollit Universiteti. Filmi shfaqet prej orës 19:00.

    Të premten, me fillim prej orës 18:15, bëhet edhe ceremonia hapjes.

    Të njëjtën ditë, seria e filmave do të hapet me storjen “Kryemjeshtri”, të realizuar nga KOK-u dhe që i dedikohet trajnerit me tri medalje të arta olimpike, Driton Kuka.

    Filmi “Pa vend”, i autorit Samir Karahoda, do të shfaqet prej orës 18:45, që për tematikë ka dy pingpongistë, të cilët enden nga një vend i panjohur në tjetrin me pronën e vetme të klubit, tavolinën.

    Dy storje për sportistët paralimpistë, “Vrapuesi që humbi një dorë, synon Lojërat Paralimpike Paris 2024”, me autor Amir Rama dhe “Storja inspiruese për futbollistin Enis Xhemajli”, të autorit Dilaver Polisi, do të shfaqen po ashtu të premten.

    Të shtunën janë rezervuar dy dokumentarë vendorë nga futbolli ynë.

    “Një ikonë si Fadil Vokrri”, e autorit Emanuell Syla, shfaqet prej orës 19:30, ndërsa para tij është dokumentari “Heroi i heshtur”, i autorit Kastriot Saqipi, që i kushtohet menaxherit të parë shqiptar të FIFA-s, Hasan Kadriu.

    Të njëjtën ditë do të ketë edhe filma tjerë ndërkombëtarë, që për tematikë kanë olimpizmin, futbollin, alpinizmin dhe zhanre të tjera, ndërsa Festivali do të mbyllet me dokumentarin për “Sekretet e dopingut: Si i bënë Rusia fituesit e saj”!

    Pesë filma vendorë do të jenë në garë për çmime në finalen e madhe të filmit sportivë që mbahet në Milano të Italisë muajin e ardhshëm dhe që organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë Sportive (FICTS).

    Hyrja në Kino ABC është falas.