ATV

Category: KULTURË

  • Prizreni, “qyteti muze” i Kosovës, përmes fotografive

    Prizreni, “qyteti muze” i Kosovës, përmes fotografive

    Përgatiti: Zeqir Hasani

    “Qytet muze”, ”Muzeu nën qiellin e hapur” apo edhe të “Dubrovniku i Ballkanit” janë vetëm disa nga epitetet që i ka qytetit antik Prizreni i cili cilësohet si njëri ndër qytetet më të bukura të Kosovës.

    Prizreni ka një pozitë të favorshme gjeografike, me siperfaqe prej 640 metra katror, gërshetimit harmonik të këtyre kulturave gjatë historisë dhe një numri të lakmueshëm të monumenteve të të gjitha kohërave.

    Në rubrikën ‘’Dikur dhe sot’’ këtë javë Salajdin Krasniqi, koleksionues I fotografive të vjetra, por edhe njohës i mirë i qytetit të Prizrenit, na tregon më shumë rreth objekteve të vjetra, dhe ndryshimin ndër vite.

    Prizreni njihet si një nga qytetet, me më së shumti monumente të kultit, një nga ato është edhe xhamia e Sinan Pashës.

    Prizreni, njihet edhe për ura të shumta, që ndër shekuj kanë bashkuar qytetin.

    Nga kalaja e Prizrenit, në pëllëmbë të dorës shihet çdo pjesë e qytetit, ndërtimi i të së cilës u bë për një arsye.

    Të vizitosh Prizrenin, dhe të mos ndalësh te një nga objektet më të rëndësishmë të popullit shqiptar është e pa imagjinueshme, e tillë është edhe monumenti i Lidhjes së Prizrenit që ishte rrënuar në luftën e fundit.

    Treva e Prizrenit është e banuar prej kohësh, si e tillë ruan edhe dëshmi të monumenteve arkeologjike nga koha e neolitit, eneolitit, bronzit, hekurit apo antikitetit, kjo dëshmohet edhe nga artefaktet e shumta të zbuluara, ku dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Evropës Juglindore dhe më gjerë.

    Për më shumë, shikoni storjen e plotë në videon e më poshtme:

  • Arkeologët kanë zgjidhur misterin e dorëshkrimit më të vjetër skocez

    Arkeologët kanë zgjidhur misterin e dorëshkrimit më të vjetër skocez

    Arkeologët kanë gjetur vendndodhjen e manastirit ku është shkruar Libri i Drerit – dorëshkrimi më i vjetër skocez i mbijetuar.

    Libri daton nga shekulli i 10-të dhe është shkrimi më i vjetër gale i ruajtur në vend. Vendndodhja e manastirit në Aberdeenshire ishte një mister prej kohësh, derisa arkeologët gjetën prova në një fushë pranë rrënojave të Deer Abbey që konfirmuan vendndodhjen e tij.

    Libri i Drerit ofron një pasqyrë të kishës, kulturës dhe shoqërisë së hershme të asaj periudhe, dhe gjithashtu përmban një tekst latin. Ekspertët besojnë se është shkruar në Manastirin e Drerit, i cili ndodhej në zonën Mintlaw, rreth vitit pas Krishtit, shkruan BBC.

    Kur manastiri nuk ishte më në përdorim, murgjit u zhvendosën në abaci. Libri zakonisht mbahet në koleksionet e Universitetit të Kembrixhit, por vitin e kaluar ai u ekspozua publikisht në Galerinë e Arteve Aberdeen.

    Arkeologët dhe vullnetarët kanë gërmuar me kujdes fushën përreth abacisë së lashtë për të gjetur objekte që do të tregojnë vendin ku dikur ishte manastiri.

    “Vitin e kaluar ne hapëm llogore aq të mëdha sa mund të eksploronim shtresat më të thella. Ne gërmuam materialin e sipërm për javë të tëra derisa, dy javë para përfundimit të projektit, arritëm në shtresat më të hershme,” tha arkeologu Ali Cameron.

    Shkencëtarët më pas i dërguan gjetjet në Qendrën e Kërkimeve Mjedisore të Universitetit Skocez (SUERC) në East Kilbride për takim. Analiza zgjati tre muaj, dhe rezultatet treguan se ata gjetën vendndodhjen e manastirit të vjetër.

    “Është një rregull i pashkruar. Gjithmonë gjen diçka të mahnitshme ditën e fundit ose javën e fundit të gërmimit. Kishim një ndjenjë për këtë, se kishim gjetur manastirin. Por më pas na duhej të prisnim rezultatet e takimit për të parë nëse kishim Në fakt e gjeti atë. Ajo pritje ishte e tmerrshme”, tha arkeologia Alice Jaspars.

  • Përvjetori i lindjes së rilindësit Jeronim de Rada

    Përvjetori i lindjes së rilindësit Jeronim de Rada

    Më 19 nëntor 1814 në Makia të Kalabrisë u lind rilindësi Jeronim de Rada.

    Mësimet e para i kreu në kolegjin e “Shën Adrianit” të Shën Mitër Koronës. Me 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës.

    Në vitin 1848 nxori gazetën e parë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1818 e mbylli gazetën dhe u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve ’60 të shekullit 19.

    Duke nisur nga viti 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare.

    Pas traktatit “Parimet e estetikës” (“Principii di estetica”, 1861) botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.

    Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë si dhe ndoqi me interes ngjarjet në Shqipëri.

    Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare dha me revistën “Flamuri Arbrit” që e botoi në vitet 1883-1885.

  • Studentët e Kolegjit AAB shijojnë performancën artistike “Jepi ngjyra jetës” që flet për fuqizimin e gruas

    Studentët e Kolegjit AAB shijojnë performancën artistike “Jepi ngjyra jetës” që flet për fuqizimin e gruas

    Përmes një performance artistike që flet për fuqizimin e gruas dy protagonistet Anisa Ismaili dhe Fitore Broqi kanë krijuar një atmosferë tejet të ngrohtë në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.

    Kjo performancë e cila zgjati më shumë se gjysmë ore trajtoi ëndrrat, dëshirat dhe ambiciet e grave të cilat janë ndërprerë si shkak i paragjykimeve ndër vite nga shoqëria.

    Në teatër morën pjesë studentët e Fakultetit të Psikologjisë dhe të Fakultetit të Komunikimit Masiv të shoqëruar nga profesorët Naim Telaku dhe Mentor Shala, të cilët përcollën me ëndje secilën minutë të sjellur nga aktoret.

    E kuruar deri në detaje kjo performancë paraqiste së pari dy gra të ndryshme për nga ëndrrat dhe qëllimet jetësore, deri tek dy shoqe të cilat ndajnë historitë dhe brengat me njëra tjetrën nga ku kuptojnë se kjo do ju krijonte paqe me vetveten dhe të tjerët.

  • Branka Petriq, gruaja e Bekim Fehmiut nderohet nga Komuna e Prishtinës

    Branka Petriq, gruaja e Bekim Fehmiut nderohet nga Komuna e Prishtinës

    Komuna e Prishtinës e ka nderuar Branka Petriq, gruan e aktorit të mirënjohur Bekimit Fehmiut, me “Mirënjohjen e Kryeqytetit”.

    Kështu ka njoftuar vetë kryetari i komunës, Përparim Rama, përmes një shkrimi në Facebook.

    “Shumë i lumtur që sot në kujdesin e veçantë të Kryeqytetit, u shfaq premiera e dokumentarit ‘Bekim Fehmiu’, dokumentar i cili tregon detajet për botën e pasur të aktorit të madh shqiptar i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike ndërkombëtare dhe ka frymëzuar brezat me talentin dhe përkushtimin e tij”, ka shkruar Rama.

    “Me këtë rast patëm kënaqësinë të kishim në Prishtinë, bashkëshorten e tij, Znj. Branka Petriç, të cilës i dorëzova “Mirënjohjen e Kryeqytetit” në shenjë vlerësimi për veprën dhe trashëgiminë që la ikona e artit dhe kinematografisë, Bekim Fehmiu”, ka shtuar Përparim Rama.

  • Hapet Forumi Ndërkombëtar “Ulpiana”

    Hapet Forumi Ndërkombëtar “Ulpiana”

    Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës u mbajt hapja zyrtare e Forumit Ndërkombëtar Ulpiana.

    Në fjalën e saj hapëse, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa ka folur për rolin dhe rëndësinë e mërgatës dhe diasporës për Republikën e Kosovës, vuri në pah se: „Që nga fillimi i punës sonë si qeveri, jemi përqëndruar në gjetjen e zgjidhjeve për problemet më urgjente: Si të adresohen institucionalisht të drejtat dhe nevojat e tyre, si të përfaqësohet më së miri në arenën ndërkombëtare kultura e tyre, si t’i tërheqim për të kontribuar në Kosovë intelektualisht, profesionalisht, financiarisht dhe strategjikisht. Si të forcojmë profesionistët jashtë vendit dhe angazhimin e tyre ta kanalizojmë në funksion të reformave në Kosovë. Si të lidhim fëmijët dhe miqtë e tyre me Kosovën“.

    Kryeministri Albin Kurti, duke përshëndetur pjesëmarrësit e Forumit Ulpiana theksoi: „Diaspora jonë është më shumë se një grup individësh që jetojnë jashtë vendit, është fuqi e gjallë, një urë që lidh vendin tonë me botën. Kontributi i diasporës së Kosovës është i pakrahasueshëm, duke përfshirë këtu edhe rolin e saj në formësimin e shtetit tonë. Së bashku ne mund të ndërtojmë një shtet i cili lulëzon nga fuqia e qytetarëve të vet, brenda dhe jashtë kufijve. Kjo e bën Forumin Ulpiana, të parin e këtij lloji, të jetë një platformë kyçe në një kohë kur ndjenja e përkatësisë vihet në pikëpyetje më shumë se kurrë. Duhet të ofrojmë ato lidhje me vendlindjen, të cilat më së miri përputhen me aftësitë dhe talentet e mërgatës tonë.“

    Kingsley Aikins, Kryeshef ekzekutiv i “The Networking Institute”, pasi përgëzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe në mënyrë të veçantë zëvendësministren Liza Gashi, për iniciativën e guximshme të organizimit të këtij forumi, shpërfaqi përvoja interesante ndërkombëtare të kontributit dhe përfshirjes së diasporës në faza të ndryshme historike të shteteve të ndryshme.

    Në Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana”, po marrin pjesë përfaqësues nga 21 shtete tế ndryshme me gjithsej 48 folës.

    Punimet e Forumit Ulpiana do të jenë të përqëndruara në panele ekspertësh nga sektorë të ndryshëm si: akademia, shoqëria civile, biznesi, të cilët do të diskutojnë tema specifike, të lidhura me angazhimin e diasporës dhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë kulturën, zhvillimin ekonomik, diplomacinë publike, sigurinë, teknologjinë, të rinjtë dhe hartimin e politikave.

  • Klasa në Deçan me 34 nxënës të shkëlqyeshëm

    Klasa në Deçan me 34 nxënës të shkëlqyeshëm

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Përveç notës pesë, në ditarin e nxënësve të klasës 11/4, vend nuk zë notë tjetër.

    Me këso nota të larta janë 34 nxënësit e kësaj klase, në degën e mjekësisë, në shkollën e mesme të aftësimit profesional, “Tafil Kasumaj” në Deçan.
    Njëra ndër ta është edhe Anisa Dervishaj, nxënëse shembullore.

    “Notën mesatare e kam 5.0. Ne të gjithë jemi një klasë shumë e suksesshme, i kemi notat të gjitha të shkëlqyeshme”, tha Dervishaj.

    Me rezultate si të Anisës, është edhe Guri. Ai thotë se në arritjen e këtij suksesi po iu ndihmon shumë pjesa praktike.

    “E kemi një herë në javë praktikë, edhe mundem shumë sinqerisht me thënë se punën e një infermieri mundemi me bë edhe ne”, tha Guri Murselaj, nxënës.

    Por krejt ky sukses më së shumti po e gëzon Shpat Selmanajn, i cili në këtë shkollë ligjëron lëndët mjekësore.

    “Kemi disa klasë të mjekësisë që po tregojnë rezultate të shkëlqyera. Këta janë të gjithë të shkëlqyeshëm, në klasën e 10-të ishin krejt, 100% shembullor, e me ritëm të njëjtë po vazhdojnë edhe këtë vit”, tha Selmanaj.

    Drejtori i shkollës, Lan Stojkaj, meritat për këto rezultate ua lë edhe përkushtimit dhe angazhimit të mësimdhënësve.

    “Këtu regjistrimi bëhet me kriter, vijnë nxënës të shkëlqyer. Shkolla jonë po punon që nxënësit ta mbajnë këtë sukses. Gjithmonë mburremi me këta nxënës”, tha Stojkaj.

    Në këtë shkollë, përveç mjekësisë, ka edhe drejtime të tjera si: automekanik, informatikë e ujësjellës.

    Ndërkaq, 419 nxënës sa janë gjithsej, afro 100 janë në degën e mjekësisë.

  • A respektohet kodi i veshjes në vendet e punës?

    A respektohet kodi i veshjes në vendet e punës?

    Duam apo nuk duam, që nga momenti që dalim jashtë shtëpisë – krahas gjuhës së trupit, ne komunikojmë edhe me anë të veshjes. Në njëfarë forme thuhet se veshja pasqyron karakterin e një personi.

    Për të diskutuar në lidhje me këtë çështje të ftuarit në “LIBERO” dhanë opinionin e tyre në lidhje me temën.

    Njohësi i protokollit, Tomor Avdija e konsideroi veshjen si gjuhë të komunikimit. Ai tha se veshja ka të bëjë me edukatën që marrin fëmijët nga familja që në moshë të hershme.

    “…Në institucione zonjat dhe zonjushat vishen me fustane të cilat janë më të shkurtra se sa lejon kodi etik, të ngushtë dhe po ashtu veshjet e tyre nuk janë komode për të zotëruar si duhet punën që ato bëjnë…”, deklaroi ai.

    Sa i përket pasqyrimit të karakterit me anë të veshjes, aktorja, Shota Baraliu e sheh krejtësisht ndryshe. Ajo mendoi se jo domosdoshmërisht ajo që veshim tregon statusin apo pozitën që ne e kemi në vende të ndryshme.

    “…Njeriu me kalimin e kohës e ndryshon edhe stilin…I përshtatem vendit, në dasmë vishem me rroba dasme ,në emisione serioze normalisht që do vishem më serioze…”, tha ajo.

    Vlen të ceket se sipas studimit të Temple University, veshjet tona lidhen me mendimin që ne kemi për veten dhe sjelljen në punë.

    Për të ndjekur diskutimin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë këtë edicion do të mbahet në Medvegjë

    Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë këtë edicion do të mbahet në Medvegjë

    Më 18 nëntor do të nisë edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar i Fotografisë “PreFoto”, ku këtë vit do të zhvillohet në qytetin e Medvegjës.

    Edon Agushi, një ndër organizatorët e këtij festivali, në emisionin ALARM në ATV, tha se këtë edicion do të ketë pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës, ku nuk do të mungojnë edhe ata serbë për ta parë ekspozitën e këtij festivali.

    “Ne dimë se ndoshta në Medvegjë nuk ka aq shumë shqiptar sa që ka në qytetin e Preshevës dhe qytetin e Bujanocit, por pse të mos ia sjellim edhe atyre një ekspozitë ndërkombëtare të fotografisë. Ekspozita ka karakter garues dhe është ekspozitë ndërkombëtare e fotografisë. Qëllimi i kësaj ideje, realizimi i këtij festivali të fotografisë ka qenë duke marrë shkas për fotografinë, por për të bërë aktivitete kulturore në Luginë të Preshevës. Atë ditë nuk janë vetëm shqiptarët që vijnë për ta ndjekur ekspozitën e fotografisë, por do të kemi edhe mysafirë nga shtete të ndryshme të botës që janë pjesëmarrës, do të kemi jurinë që janë ndërkombëtarë, por kemi edhe nga komuniteti serb që do të jenë prezentë për ta parë ekspozitën. Ekspozita tani ka arritur një nivel tjetër artistik”, tha Agushi.

    Ai tregoi se 11 edicionet e para të “PreFoto” janë zhvilluar në qytetin e Preshevës, ndërsa i 12-ti në Bujanoc. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • Ismail Kadare flet për “Pallatin e Ëndrrave”: Mendova se do të më arrestonin

    Ismail Kadare flet për “Pallatin e Ëndrrave”: Mendova se do të më arrestonin

    Shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare rikthehet në libraritë italiane me një roman të shkruar rreth 40 vjet më parë.

    “Pallati i ëndrrave” ruan gjithë fuqinë dhe freskinë e së tashmes. Në një intervistë për “La Lettura” të Corriere della Sera, shkrimtari flet për kohën kur u shkrua romani, marrëdhënien me Enver Hoxhën, arratinë në Francë e deri për teknologjinë dhe frikën se mos kjo e fundit po na kontrollon mendjen.

    “Në kohën kur u shkrua ishte absolutisht aktual. Por edhe tani është aktual, por me kalimin e 40 viteve asgjë nuk ka humbur nga kualitetet e tij. Unë me gëzim i rishfaq edhe njëherë ato mendime për publikun e sotëm. E bën aktual fryma kritike, mohuese që ka pasur që në atë kohë, ka qenë shumë e ashpër. Më gëzon fakti që kam pasur një mendim aq radikal për kohën. Kjo ashpërsi nuk ka rënë me kalimin e kohës. Ndaj librit në ato vite pati presione, ndalime, kritika. Për herë të parë pas daljes së këtij romani mendova se do të më arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme”, shprehet Kadare.

    I nderuar zoti Kadare, fillimisht ju falenderoj shumë që pranuat këtë intervistë. Kjo intervistë po bëhet me rastin e botimit në Itali të veprës suaj “Pallati i ëndrrave”, botuar në Shqipëri në vitin 1981. Cili është këndvështrimi juaj aktual ndaj një libri që keni shkruar më shumë se 40 vjet më parë?

    Është një libër i shkruar për atë kohë. Shqipëria ishte një vend totalitar dhe si shkrimtar ndjeja që përmasa e komunizmit dhe pushteti i tij mbi individin po bëhej absolut. E gjithë ajo atmosferë që përshkruhet në këtë vepër nuk ndryshon shumë nga totalitarizmi shtypës i Shqipërisë së Enver Hoxhës në atë periudhë. Në kokën time, gjithë ajo zymtësi që kam mundur të shpreh ishte e vërtetë, e sot kjo më gëzon që kam mundur ta shpreh. Letërsia të jep mundësinë e jetës dhe në kushte të tilla. Ky ishte fati im, jeta me letërsinë.

    Në kohën kur u shkrua ishte absolutisht aktual. Por edhe tani është aktual, por me kalimin e 40 viteve asgjë nuk ka humbur nga kualitetet e tij. Unë me gëzim i rishfaq edhe njëherë ato mendime për publikun e sotëm. E bën aktual fryma kritike, mohuese që ka pasur që në atë kohë, ka qenë shumë e ashpër. Më gëzon fakti që kam pasur një mendim aq radikal për kohën. Kjo ashpërsi nuk ka rënë me kalimin e kohës. Ndaj librit në ato vite pati presione, ndalime, kritika. Për herë të parë pas daljes së këtij romani mendova se do të më arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme.

    Dhe cili është këndvështrimi juaj ndaj njeriut dhe shkrimtarit Ismail Kadare të vitit 1981? Mendoni se keni ndryshuar shumë? Dhe nëse po, si?

    Nuk mendoj se kam ndryshuar. Ne letërsi gjërat ndryshojnë shumë ngadalë, në mendjen e shkrimtarit gjithashtu, e kjo është diçka pozitive. Në vitin 1981 pikëpamjet e mia mbi totalitarizmin, kërkonin të konfiguronin një Shqipëri evropiane ashtu siç ishin rrënjët e saj. E kam mbrojtur këtë pikëpamje me veprat e mia, në mënyrë të natyrshme, duke besuar në një përkatësi të hershme evropiane të këtij populli që jetoi një nga sistemet më të egra komuniste. Gjithë vepra ime përpiqet të orientojë lexuesin drejt një zgjimi të brendshëm, por dhe aq të bukur që letërsia mund ta japë, dhe pse në ato vite dukej e pamundur.

    Për një person si unë, që sot lexon për herë të parë veprën “Pallati i ëndrrave”, ky roman është befasues sepse është shumë aktual. Mendonit se po shkruanit mbi të gjitha një alegori të regjimit komunist shqiptar? Apo ishit në dijeni, tashmë që në atë kohë, për shtrirjen universale dhe të përjetshme të romanit?

    Shkrimtari e ndjen me intuitë për gjërat që shkruan e jeton, se duke qenë të kohës ato janë njëkohësisht të përjetshme. Për fat të mirë kjo temë që zhvillohet në këtë roman është e përjetshme. Vepra është një satirë e totalitarizmit, që kalon kufijtë lokalë e kombëtarë. Thagma e këtij romani është shkruar te një nga novelat që kam shkruar paralelisht në atë kohë. Ndoshta te “Qorrfermani” kam idenë e një personazhi që të çon tek ëndrra. Më vonë, ky mendim do të fekste tek unë kur dëgjova mbi disa vjedhje në Tiranë. Vjedhje të çuditshme, groteske, në plan të parë, por që zgjuantek unë projektimin e skëterrës. Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E kam treguar këtë e në librin “Kohë për rrëfim”, një bisedë me një studiuese shqiptare ku them se “E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të shkruaja një vepër të tillë. Vetëm pasi shkrova dy kapitujt e parë të veprës, ndjeva se po realizoja atë që më ishte dukur e pamundur: skëterrën. Ishte një lloj mbretërie e vdekjes ku, në mos ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, një pjesë e jetës sonë që gjendej matanë, ndërkohë që ne ishim këtej. Romani pasqyron tensionin midis etnicitetit kombëtar dhe atij perandorak për një individ e dinasti, fati i të cilëve është i lidhur njëkohësisht me politikën kombëtare e atë ndërkombëtare. Isha i vetëdijshëm për fatalitetin që mund të më sillte ky libër, por aq i bindur në fuqinë universale të kësaj teme.

    A është fuqia e ëndrrave në roman e ngjashme me fuqinë e informacionit në botën e sotme?

    Imazhet e fuqishme dhe logjika gati surreale e bënin personazhin e këtij romani Mark Alemin shpesh të pafuqishëm përballë fuqisë së ëndrrave. Bota njerëzore ka aftësinë të përshkruajë e përsërisë veten në shumë forma, të gjejë mënyra për t’i mbijetuar pengesave. Alegoria e “Pallatit të Ëndrrave” në kontekstet e reja kulturore, shoqërore, apo një bote e cila tashmë po përballet me konflikte të reja më ashpra siç janë dy vatrat e luftërave të reja, që po sjellin një kërcënim për stabilitetin, rikthen vëmendjen tek nevoja e urtësisë njerëzore. Fuqia e informacionit në kohët e sotme po rikthen një tjetër totalitarizëm, atë mbi kulturën. Ruajtja e kulturës në këto ujëra të fuqishme të informacionit është detyrë e njerëzve të shkrimit.

    Çfarë mendoni për përpjekjet e teknologjisë, e cila po funksionon (punon) kudo në botën bashkëkohore, nga Kina në Silicon Valley, dhe po bëhen përpjekje të digjitalizohet gjithçka, dhe si rrjedhojë ndoshta një ditë a do të mund të arrihet deri aty sa të kontrollohet mendimi njerëzor?

    Kjo është një përpjekje e pamundur.

    Çfarë roli luajti vepra “Pallati i Ëndrrave” në lidhje me situatën tuaj në Shqipëri edhe në lidhje me vendimin që ju morët për të jetuar në Paris?

    Ky roman më solli shumë telashe dhe pse isha mësuar me telashe. Zakonisht botimi i veprave të mia shoqërohej gjithnjë me kritika në shtyp, mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kudo në Tiranë flitej se “është ndaluar libri i Kadaresë dhe pritet dënimi”. Botimi i veprave të mia në Francë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në lidhje me situatën në të cilën unë si shkrimtar ndodhesha në Shqipëri. Franca, lexuesi perëndimor ka luajtur një rol në shpëtimin e situatës sime. Më vonë në Kafe Rostand në Paris kam takuar një gazetare franceze e cila më ka treguar se ka shkuar në ambasadën tonë dhe ka pyetur mbi gjendjen time. Erdhën shumë informacione nga Perëndimi, që shtypi i huaj interesohet për Kadarenë dhe kjo e trembi Enver Hoxhën. Në këtë rast veproi mekanizmi i mbrojtjes perëndimore. Ka qenë periudha më e zezë në jetën time.

    Largimi im drejt Francës duke ikur përgjithmonë nga vendi im erdhi në rrethana kur kuptova se kjo ishte mënyra e vetme për të ndryshuar kursin e regjimit në Shqipëri. Udhëheqësi komunist i asaj kohe duket se nuk do ta bënte një veprim të tillë. Ika kur mendova se ky veprim do të luante një rol për rënien e komunizmit në vend.

    Keni lindur në të njëjtin qytet, Gjirokastër, me diktatorin Enver Hoxha. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të?

    Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie personale me të. Ne kemi qenë komshinj, në lagjen më të vjetër e më të madhe të Gjirokastrës, te rrugica që unë i kam ringjallur emrin e çuditshëm “Sokaku i të marrëve”. Në Gjirokastër Enver Hoxha nuk njihej shumë gjatë luftës, pasi shtëpitë gjirokastrite kishin shumë identitet të fortë dhe nuk lejonin spikatjen e identiteteve të zbehta. Mendimi im i gjithëkohshëm për Enver Hoxhën ka qenë jo pozitiv. Nuk gjendet në veprën time askund ndonjë përshkrim ku të theksohet admirimi për të. Kjo shpaloset qartë, sidomos, te “Dimri i vetmisë së madhe”, ku ai përshkruhet gjerësisht në biseda me të tjerët dhe s’ka ndonjë ndryshim midis tij dhe galerisë së personazheve krejtësisht negative të atij që quhej blloku komunist.

    Në moshën 11-vjeçare ju kopjuat me dorë të gjithë Makbethin. Pse Shekspiri ishte kaq i rëndësishëm për ju?

    Tragjedia e Shekspirit pushtoi mendjen time që kur isha ende fëmijë. Makbethi shfaqi para meje botën e letërsisë. U dhashë pas kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. Me mendimin se po ta kopjoje librin bëhet yti, pra bëheshe autor, e kopjova të gjithin me dorë me një laps e një letër. Ky ishte një koncept i çuditshëm që nuk e di se nga më lindi dhe nuk arrij ta shpjegoj dot, por një ide e tillë më vazhdoi për një kohë shumë të gjatë, duke menduar se përderisa unë kopjoja një libër, isha njëkohësisht dhe pjesëmarrës në krijimin e tij. Kështu, pasi kopjova një pjesë të Makbethit, jetoja vetëm me të. Shekspiri ka qenë gjithnjë i rëndësishëm në veprën time e vijon të jetë si një mjeshtër që të udhëheq drejt portave të letërsisë së madhe.

    Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të mëdhenj të mërguar, si Conrad, Nabokov apo Kundera, ju nuk e keni braktisur kurrë gjuhën tuaj origjinale, shqipen. Përse?

    Mendoja se mund ti jepja më shumë artit tim me këtë gjuhë. Gjuha shqipe më ka dhënë gjithë hapësirën për të shprehur përmes saj përfytyrimet e mia. Nuk kam ndjerë asnjëherë pengesë në artin tim nga kjo gjuhë, por jam magjepsur vazhdimisht pas bukurisë së saj.